Build Skills with our trainings

Sign up now!

Lëmoshëkërkimi: Një gjendje me statistika e pa përgjigje adekuate

Maj 5, 2019

Dy vajza kosovare, rreth moshës 10 dhe 12 vjeçare, gati çdo ditë dalin në Lagjen “Ulpiana” të Prishtinës me qëllim që të mbledhin para për ushqim ose veshmbathje. Janë motra dhe shkojnë në shkollë, por pas shkollës, pjesën tjetër të ditës e kalojnë duke kërkuar lëmoshë. Refuzojnë t’i tregojnë emrat,  por nga rrëfimit e tyre të shkurtëra, lehtë mund të konkludohet se prindërit e tyre nuk punojnë.

“Ne kemi dalë për të mbledhur para, për me ble diçka me hongër, sepse jena ton ditën pa honger bukë dhe mami s’po ka se çka me na bo te shpia”, thotë njëra prej motrave.

“Ma mirë këpucë, sepse nashta ka bo mami në shpi diçka me honger. I kom pa do këpucë në ‘Viva Fresh’, 5 euro po kushtojshin e qato po dojmë me i ble”, thotë tjetra.

Në insistimin që blerjen eventuale ta bënim bashkë, refuzuan dhe befas u larguan.

Çdo ditë ne rrugët e Prishtinës mund të hasim në fëmijë të moshave të ndryshme që kërkojnë lëmoshë nëpër rrugë, kafene ose restaurante. Shpesh edhe ndonjë grua me fëmijë në krah. Më shqetësuese është fakti se në rrugë mund të hasësh edhe fëmijë ose të rritur me probleme fizike, që gjithashtu kërkojnë lëmoshë.

Shkaku i kushteve të përgjithshme të vështira, dhe nganjëherë edhe statusit jo gjithaq të favorshëm shoqëror, lypsarët kryesisht janë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ndonëse ka edhe shqiptarë tek më shumë bien në sy të moshuarit.  

Në një anketë të realizuar me qytetarët nga KosovaLive në muajin prill të  këtij viti, 95.4% e respodentëve ndienin dhembshuri ndaj fëmijëve lëmoshëkërkues, por 82.6% prej tyre nuk e shihnin si zgjidhje të problemit t’i jepnin para fëmijëve.

Në pyetjen se cila ishte shuma më e madhe që ndonjëherë kishin dhënë, një anketues është  përgjigjur se kishte dhënë madje 50 euro, ndërkohë që 80 përqind e të anketuarve kanë thënë se shuma më e madhe që kishin dhënë sillej nga 0.50 centë deri në 5 euro.

Interesant është fakti se prej 100 të anketuarve nga qendrat kryesore të Kosovës 70.1 % kishin tentuar që t’i ndihmonin fëmijët edhe në forma të tjera. Por, gjykar nga përgjigjet e tyre, në 25.3% të rasteve lëmoshëkërkuesit kishin refuzuar ndonje ndihmë tjetër përveç parave, kurse 33.3% e kishin pranuar ndihmën e ofruar.

Organizata zvicerane “Terres des hommes” e cila në fokus e ka mbrojtjen e fëmijëve, në një hulumtim në vetëm për tri ditë, në qershor të vitit të kaluar, në Prizren dhe në Prishtinë kishte identifikuar 153 raste të fëmijëve që kërkojnë lëmoshë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës në 2018, dukuria e kërkimlëmoshës është rritur dukshëm. Kështu, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerezore, që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës në vitin 2018 ka identifikuar 577 lëmoshëkërkues dukshëm më shumë se një vit më parë – 351.Është indikative, ndërkaq, që një vit më herët, më 2016, ishin identifiukuar 465 lëmoshërkues.

Të dhënat e Policisë tregojnë se numri i madh i kësaj kategorie vijnë nga Shqipëria. 171 janë identifikuar më 2018, ndonës viteve të fundit ky numër është në rënie.

Vetëm vitin e kaluar Policia e Kosovës ka identifikuar 205 femijë që kërkojnë lëmoshë, dhe ka inicuar 51 kallëzime penale kundër prindërve për keqtrajtim apo braktisje të fëmijës.

Numri i rasteve (kallëzimeve penale) drejtpërdrejtë të fëmijë lëmoshëkërkues në prokuroritë përkatëse vetëm në vitin 2018 nga kjo drejtori e PK-së është mbi 30, e një vit më parë kishin qenë 27 raste.

Sipas Klevis Vaqarit, menaxhere e programit nga “Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve”,  zemërgjerësia e shoqërise kosovare është një ndër faktorët që ka ndikuar që numri i fëmijëve të cilët kërkojnë lëmoshë rritet vit pas viti. Në këtë, thotë ajo ka ndikuar edhe ardhja e fëmijëve nga Shqipëria për të kërkuar lëmoshë në Kosovë.

“Ka një sërë faktorësh që ndikojnë në zhvillimin e dukurisë së fëmijëve në situatë rruge, përfshirë ata që kërkojnë lëmoshë. Ndër to mund të përmendim varfërinë që karakterizon popullatën në përgjithësi, gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të një numri të madh banorësh, niveli i lartë i papunësisë, etj. KOMF në vazhdimësi ka apeluar dhe ngritur zërin ndaj mungesës së përpjekjeve të qeverisë dhe komunave për të adresuar këtë fenomen. Për fat të keq, thuajse aspak nuk është bërë nga ana e institucioneve për mbrojtjen e këtyre fëmijëve ”, thotë Vaqari.

Në këtë kontekst, kjo organizatë ka rekomanduar që Kosova të përfshijë standardet financiare në kuadër të kornizës ligjore për të siguruar buxhetin dhe zbatimin edhe të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve që punojnë në rrugë dhe të krijojë ekipe mobile për identifikimin e tyre.

KOMF po ashtu ka kërkuar që Kosova të krijojë një grant specifik për shërbimet sociale për komunat dhe qendrat për punë sociale për të krijuar shërbime cilësore për fëmijët që punojnë në rrugë.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i përbërë nga 22 organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare ishte pjesë e grupit punues të Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili tashmë është në fazën e tij finale. Ata vazhdojnë  të insistojnë që ky projektligj të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Psikologia Eurisa Rukovci për KosovaLive thekson se kërkimi i lëmoshës ndikon në zhvillimin e fizik e psikik të fëmijëve, dhe se fëmijët, ndonëse të vetëdijshëm për atë që u ndodh, zakonisht nuk kanë se si të gjejnë ndihmë. Te këta fëmijë vlen të theksohet se në të shumtën e raste kemi të bëjmë me fëmijë të mbetur jashtë shkolle, për arsye të ndryshme dhe që nuk janë në gjendje të kuptojnë se ku do të duhej të kërkojnë ndihmë.

“Fëmijët që detyrohen të kërkojnë lëmoshë mund të jenë të ekspozuar ndaj ngjarjeve të shumta traumatike. Ekspozimet e tilla mund të çojnë në efekte negative të mëdha që shpeshherë janë emocionale. Këtu përshihet depresioni, mungesa e shpresës, faji, turpi, humbja e besimit dhe çrregullimet e ankthit”, shpjegon Rukovci.

Ajo pëmrned edhe rastet kur fëmija dështon t’i përmbushë kërkesat e tutorit- prindit ose edhe rrjetit të të organizuar kriminel, që gjithsesi lë pasoja potenciale psikike por dhe fizike te fëmija.

“Fëmijët që kërkojnë lëmoshë mund të jenë edhe të trafikuar. Kjo i ekspozon ata edhe ndaj ngjarjeve të tjera traumatike gjatë rekrutimit, tranzitit dhe shfrytëzimit të tyre. Aludohet se ekspozimet e tilla mund të çojnë në zhvillimin e Çrregullimit të Stresit Post-Traumatik (PTSD) Kompleks. Këto gjendje ndikojnë edhe në çrregullimin emocional si dhe problemet e marrëdhënie ndërpersonale”, shprehet Rukovci.

Përkundër asaj se nganjëherë duket që shoqërinë e ka kapluar cinizmi, ajo konsideron se akoma ekziston një solidaritet dhe dhembshuri për rastet në nevojë.

“Vetë fakti që dikush i kontrabandon këta fëmijë tregon se përmes këtij ‘biznesi’ mund të fitohen shumë para dhe kjo dëshmon që qytetarët nuk janë kurnacë ndaj këtyrë fëmijëve, ndonëse një pjesë e madhe e qytetarëve i kanë dyshimet se ata mund të jenë të nxitur nga dikush për të kërkuar lëmoshë”, thotë  Rukovci.

Zyra e Avokatit të Popullit, që po ashtu është marrë me të drejtat e fëmijëve, pohon se në Kosovë  ende nuk ekziston asnjë studim gjithëpërfshirës, që përmban statistika të sakta lidhur me numrin e fëmijëve në rruge apo një analizë e natyrës dhe zhvillimit të kësaj dukurie ose faktorëve të cilët kontribuojnë në këtë dukuri.

Sipas institucionit të Avokatit të Popullit, Konventa për të Drejtat e Fëmijëve vlerëson se pabarazitë në bazë të statusit ekonomik, racës dhe gjinisë janë në mesin e shkaqeve strukturore të shfaqjes së kësaj dukurie dhe përjashtimit të këtyre fëmijëve nga shoqëria. Këto pabarazi përkeqësohen nga varfëria, mbrojtja sociale e pamjaftueshme, investimi i keq, korrupsioni dhe politikat fiskale që reduktojnë ose eliminojnë aftësinë e njerëzve të varfër për të lëvizur nga varfëria, dhuna, abuzimi, shfrytëzimi, neglizhimi në shtëpi, në kujdes ose në edukim, në mes të tjerash.

Zyra e Avokatit të popullit ka konfirmuar se vetëm gjatë vitit 2018 ky institucion ka bërë 31 kallëzime penale në Prokurori dhe kanë identifikuar 58 fëmijë, që ishin viktima të keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijës dhe se të dyshuarit për këtë vepër penale ishin prindërit e tyre.

Sipas organizatës “Humanium” në Gjenevë të Zvicrës, në botë llogaritet që në situatë rruge, aktualisht jetojnë rreth 120 milionë fëmijë.

Nga një studim i bërë nga kjo organizatë, në Kosovë më shumë se 100,000 fëmijë nën moshën 14 vjeç jetojnë me më pak se 1 euro në ditë. Kjo është arsyeja pse shumë punojnë kryesisht si shitës rrugësh ose mbledhës plehrash. Ka edhe shumë fëmijë që kërkojnë lëmoshë në rrugë. Këto aktivitete kanë ndikim jo vetëm në zhvillimin dhe sigurinë e fëmijëve, por edhe në planin afatgjatë, në shoqëri në tërësi.

DIELLZA IMERI me Besmire Kluna, Meleke Muhameti, Doruntina Golaj

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM