Të kuptuarit e vullnetarizmit për shumë kënd ka një definicion të ndryshëm, edhe pse vetë termi si i tillë nuk ka ndonjë definicion të saktë. Për dikë, puna vullnetare është aktivitet ndihmës për ndonjë lëmi të caktuar e për dikë është punë pa pagesë në komunitet.
Për Edona Zhitia, 17 vjeçare vullnetare në organizaten PEN, vullnetarizmi është punë e cila mund të merret edhe si aktivitet. Ajo merret me vullnetarizëm për një vjet.
“Vullnetarizmi është një punë dhe konsiderohet një aktivitet, ku ofrohen shërbime për përfitime sociale në komunitet”, thotë Zhitia.
Sipas sociologut nga Fondacion Kosovar për Shoqëri Civile (Kosovo Civil Society Foundation – KCSF), Gani Lluga, vullnetarizmi në Kosovë konceptohet si bamirësi në diçka materiale si ndihma në të holla, ushqim ose veshmbathje, nuk konceptohet si ndonjë aktivitet shoqëror.
“Kjo është si pasojë e situatës që ka kaluar popullata në Kosovë, sidomos në periudhën ’90-’99. Ne kemi kulturë të vullnetarizmit, por nuk kemi vullnetarizëm të edukuar permanent, është diçka si reagim i çastit/momentit”, thotë ai.
Adonis Berisha, 18 vjeçar, thotë që nuk ka bërë ndonjëherë punë vullnetare sepse nuk e di se ku është më i aftë të bëjë punë vullnetare.
“Asnjëherë nuk kam qenë pjesë e ndonjë organizate e aq më pak të marr pjesë në punë vullnetare, nuk e di se çka më pëlqen e nuk dua të gaboj duke humbur kohë në diçka që nuk ndihem mirë.”
Luan Hasanaj, udhëheqës i organizatës joqeveritare, Let’s Do It Kosova!, për vullnetarizmin tregon se është virtyt i vlefshëm i shoqërisë sepse kështu e ndihmon tjetrin, komunitetin e edhe vendin ku jeton.
“Puna vullnetare të jep mundesi të bësh përvojë, të mësosh gjëra të reja dhe mbi të gjitha të krijosh lidhje me shumë njerëz.”
Sipas tij, promovimi i punës vullnetare është i mangët e ai mendon që të fillohet shumë herët me të treguarit për punën vullnetare:
“Për fatin e keq të rinjtë nuk merren shumë me vullnetarizëm, kjo ndodh për faktin se mungon një promovim i rëndësisë së punës vullnetare që nga shkolla, pra për punën vullnetare duhet të flitet që në edukimin fillor.”
E të njëjtit mendim është edhe Edona, e cila mendon se vullnetarizmi nuk është gjithaq joshës për të rinjtë.
“Sipas meje të rinjtë nuk merren shumë me vullnetarizëm sepse e konsiderojnë si një humbje kohe, por unë si një e re kisha dashur që të rinjtë të vetëdijësohen dhe të merren me vullnetarizëm.”
Adonisi thotë që ai edhe pse nuk e di se ku të përcaktohet edhe ashtu nuk di shumë rreth punës vullnetare.
“Përmes shoqërisë sime kam dëgjuar disa vende ku mund të bësh punë vullnetare, por që asnjëherë nuk kam qenë pjesë e asnjë aktiviteti të zhvilluar në atë aspekt, jo pse nuk dua, por vetëm se e kam ndonjëherë shumë të vështirë t’i kuptoj disa gjëra rreth punës vullnetare.”
Nga ana tjetër, Për Edonën puna vullnetare është shumë e rëndësishme.
“Unë si një vullnetare e kam kuptuar se vullnetarizmi është shumë i rëndësishëm sepse unë kam mësuar dhe kam kuptuar shumë gjëra. Puna vullnetare mund të ketë përfitime pozitive për të gjithë vullnetarët.”
Hasanaj i Let’s Do It Kosova!, thotë çfarë kanë bërë kampanja rreth rëndësisë së vullnetarizmit dhe kanë ndërmarrë edhe disa aktivitete si organizatë joqeveritare për ta pastruar Kosovën. Ai shprehet shumë i lumtur me numrin e vullnetarëve në këtë fushatë.
“Jemi shumë të kënaqur, fushata jonë është e vetmja fushatë e cila zhvillohet në të njëjtën kohë në tërë Kosovën dhe me një qëllim të përbashkët, kjo ka bërë që shumë e shumë vullnetarë të bashkohen dhe të angazhohen seriozisht për të arritur rezultatin që e kemi.”
Të rinjtë e moshës deri në 18 vjeç janë të përfshirë në aktivitete bashkë me ndihmën e shkollave dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Tekonologjisë, e Hasanaj shprehet shumë i kënaqur me pjesëmarrjen e tyre në numër të madh.
“(Në) njëfarë forme të kënaqur nga Ministria e Arsimit me ndihmën e dhënë, por nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbeten ende hapa për t’u bërë. Nga viti që lamë pas, ka filluar çertifikimi i vullnetarëve që janë të suksesshëm”, thotë ai.
Udhëzimi administrativ i MKRS-së e njeh punën vullnetare vetëm për një grupmoshë.
Ministri Kujtim Gashi, ndau të dhëna të nxjerra zyrtarisht nga Platforma dhe Databaza për Punë Vullnetare që administrohet nga MKRS-ja.
“Gjithsej i kemi 3455 vullnetarë aktivë që janë të interesuar në platformë dhe që janë të regjistruar nga organizata të ndryshme, 188 organizata të regjistruara në Platformë, 135 mundësi të krijuara për punë vullnetare.”
Artiola Babuni
Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.