Build Skills with our trainings

Sign up now!

Trashëgimia kulturore po rrezikohet edhe nga qasja jo e duhur

Maj 13, 2019

Ligji për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë për herë të parë është aprovuar në vitin 2006, dhe prej atëherë të gjitha asetet e trashëgimisë kulturore kanë qenë nën mbrojtje të përkohshme. Nga tetori i vitit 2016 Ministria e Kulturës e Rinisë dhe e Sportit (MKRS), për herë të parë ka aprovuar listën e trashëgimisë me status të mbrojtjes së përhershme e cila i përfshin 23 asete. Në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme të aprovuar në tetor të vitit 2017 nga Ministria e Kulturës e Rinisë dhe e Sportit janë 1565 asete.  Sipas Ligjit Nr. 02/L-88 pёr Trashëgiminë Kulturore, asetet nën mbrojtjen e përkohshme gjatë një viti janë të barabarta sikurse edhe ato asete nën mbrojtje të përhershme. Trashëgimia kulturore nën mbrojtjen e përkohshme, në pajtim me këtë ligj ka atribute të njëjta me trashëgiminë kulturore nën mbrojtje të përhershme, që do të thotë se gëzon status të mbrojtjes dhe si të tilla u nënshtrohen të gjitha intervenimeve duke filluar nga intervenimet emergjente, intervenimet e konservimit dhe ato të restaurimit.

Pasuritë e trashëgimisë kulturore të Kosovës janë të pranishme dhe të bollshme në të gjitha kategoritë e saj, siç janë trashëgimia arkitekurore, trashëgimia arkeologjike dhe trashëgimia shpirtërore. Kosova është e pasur me trashëgimi kulturore jomateriale ose shpirtërore aq sa edhe me trashëgimi të paluajtshme ose arkitekturore e arkeologjike. Në këtë kategori të trashëgimisë kulturore hyjnë traditat, ritet, zakonet, vallet e çdo gjë që populli i Kosovës ende e ruan me fanatizëm. Të gjitha këto kategori janë njësoj të rëndësishme, të ndjeshme dhe në rrezik të dëmtimit e të zhdukjes.

Avni Manaj, drejtor dhe arkitekt restaurator në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve thotë se numri i madh i aseteve është sfidë në vetvete për tërë Kosovën, për buxhetin e Kosovës, për institucionet si MKRS-ja, por edhe për institucionet relevante siç është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

“As vendet e tjera që na rrethojnë nuk kanë numër kaq të madh të aseteve të trashëgimisë. Problem tjetër i listës është se ka monumente apo asete që në realitet janë zhdukur dhe nuk ekzistojnë më. Lista nga këto asete nuk është pastruar, por gjithsesi buxheti i Kosovës është i pamjaftueshtëm që t’i trajtojë të gjitha”, thotë ai.

Në bërthamën historike të Prishtinës nga Rruga “Agim Ramadani” kah Rruga “Ibrahim Lutfiu” ose në rrugën për në Gërmi dhe ku ka qenë pazari i vjetër rendit një numër objektesh kulturore: Qarshi Xhamia, Xhamia e Jashar Pashës, Muzeu i Kosovës, Sahat Kulla, Shtëpia e Kurtesh Sylejmanit etj. Një objekt tjetër me vlerë është edhe shtëpia ku janë zyret e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, që është një arkitekturë e shekullit XIX.

Edona Durguti, drejtoreshë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë tregon se pranimi i Kosovës në UNESCO do të kishte sjellë beneficione të shumta, por edhe obligime karshi kulturës në përgjithësi. Sipas saj, në vitet e fundit ka pasur bashkëpunim me OSCE dhe UNDP, organizata këto të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në trashëgiminë kulturore, përmes programeve të ndryshme për investim dhe për promovim në ndërtesa të trashëgimisë kulturore.

“Një rast i jashtëzakonshëm është se katër objekte të trashëgimisë kulturore të Kosovës që janë në listën e mbrojtjes së përhershme, janë edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s. Kurse, vetë Kosova nuk është anëtare në UNESCO. Ato janë Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës, Manastiri i Danit dhe Kisha e Shën Premtës në Prizren”, thotë Manaj.

Mungesa buxhetore nuk është e vetmja pengesë që shfaqet në proceset e konservimit dhe restaurimit të monumenteve. Shembull është Muzeu Etnografik “Emin Gjiku”, ku ka disa vite që ka ngecur puna e restaurimit, jo vetëm në mungesë të buxhetit, por edhe të qasjes jo të duhur. Qasje e gabuar është të fillohet puna pa e hartuar mirë një plan, një analizë dhe një studim të mirëfilltë. Praktikat kanë treguar që monumentet e vjetra mund të ridestinohen gjatë restaurimit, por gjithmonë duke e ruajtur fizionominë e gjendjes burimore ose gjendjes origjinale.

Merita Augustini, zyrtare në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në MKRS, mendon se rreziku i vërtetë që u kanoset monumenteve e ansambleve arkitekturore është mirëmbajtja, mungesa e aktiviteteve të konservimit/restaurimit, aktivitetet joprofesionale të konservimit/restaurimit, ndërtimet pa kritere ndërtimore/urbanistike në perimetër mbrojtës si dhe në zonat mbrojtëse të monumenteve apo ansambleve, mospërfshirja e monumenteve dhe zonave të tyre mbrojtëse në planet urbanistike/rregulluese, etj. Këto dhe faktorë të tjerë të ngjashëm, mund të ndikojnë që disa nga këto asete që gëzojnë mbrojtjen e përkohshme, të humbin autenticitetin dhe integritetin e tyre, duke rrezikuar kështu që të mos kualifikohen më për mbrojtje të përhershme.

“Konsideroj që asnjë aset i trashëgimisë kulturore, i cili e ka ruajtur autenticitetin dhe integritetin, dhe që posedon vlera të trashëgimisë kulturore, nuk mund ta humbë të drejtën e mbrojtjes së përhershme”, thotë Augustini.

Ermina Doda

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM