Build Skills with our trainings

Sign up now!

Fillet e ekonomisë qarkore, indicje e një vetëdijeje tjetërfare

Maj 31, 2019

“Ne të gjithë kemi një gjë të përbashkët, e që është Toka. Në rast se kjo shkon drejt shkatërrimit, është e kotë që të bëjmë edhe këtë shkëmbim të email-ave që jemi duke e bërë tani (unë dhe ti)”, thotë për KosovaLive Nikki Murseli nga kompania “DYVO”, e cila meret me ripërdorimin e materialeve të përdorura.

Ajo thotë se iu deshën dy vite për ta realizuar këtë ide, dhe në fund të vitit 2018, përmes platformës së shitjes online dhe rrjeteve sociale, arriti ta lancojë këtë biznes që e pagëzoi DYVO.

Për këtë është motivuar nga shumë deponi ilegale, kryesisht me lloje të ndryshme të plastikave akrilike që përdoren për materiale promovuese marketingu të bizneseve.

Sasia e këtyre mbeturinave ishte jashtëzakonisht e madhe.

“Në këto deponi ilegale që i kemi hasur – edhe në parqe ‘të mbrojtura’ si Gërmia – kishin sasi marramendëse të materialeve sintetike të hedhura”, tregon Murseli duke rikujtuar se si me kalimin e kohës këto materiale luajnë një rol ç’ekuilibrimi të natyrës.

Murseli thotë se kjo pamje ishte shtytje për të dhe kishte vendosur që të mos rrijë “duarkryq”. Ajo filloi të mendojë për zgjidhjen e problemit përmes veprimtarisë profesionale.

Shumë shpejtë organizoi mbledhjen e mbetjeve të materialeve, hartoi dizajnin e kompanisë “DYVO”, dhe me produktet finale për modë, ajo hyri në fushën e ekonomisë qarkore.

Përmes kreativitetit, ekipi i kësaj kompanie me materialet që ishin shfrytëzuar njëherë, sot krijon aksesorë truporë (rrypa, qafore, vathë, unaza, butona) e në të ardhmen planifikon edhe aksesorë shtëpiakë, duke hyrë në këtë mënyrë në fushën e dizajnit industrial.

Murseli thotë se mënyra e ripërdorimit kreativ të këtyre materialeve ndihmon në mbrojtjen e ambientit, sepse produkti përfundimtar del me zero mbeturina.

“Llojet e plastikave me të cilat jemi duke punuar dhe hulumtuar në këtë fazë quhen ‘Akrilik plastika’ dhe i takojnë kategorisë së shtatë të plastikave sipas klasifikimit”, shpjegon Murseli. Këto plastika që nga viti 2010, janë përjashtuar nga programet e riciklimit në të gjithë botën, për arsye të kostos së lartë dhe vështirësisë së procesimit.

Në një anketë jopretencioze realizuar nga KosovaLive, 37.2% e respodentëve pohojnë se ripërdorin, më shumë se njëherë, gjësendet si shishet, letrat, qeset, kuti të plastikës, goma të vjetra për vazo…, 31.1% thonë se i ripërdorin ndonjëherë, e 31.8% thonë se gjësendet nuk i përdorin asnjëherë tjetër pas përdorimit të parë.

Sipas Murselit, në kulturën e sotme konsumatorët nuk janë të interesuar të dijnë për dëmet që i sjellin  mjedisit dhe shëndetit, e ajo personalisht i kushton rëndësi përdorimit të gjësendeve të ripërdorueshme ose riciklueshme.

“Po ta dinim çdo njëri që për prodhimin e një bluze me mëngë të shkurtëra prej pambuku shpenzohen 2,700 litra ujë – do të ishim më të vetëdijshëm se në çfarë lloj procesi jemi duke kontribuar në momentin që do t’a konsumonim atë produkt”, thotë ajo.

Me këtë ndërmarrje dhe përfshirje në ekonomi qarkore, DYVO i ka vënë vetes për detyrë që përmes dizajnit t’i kontribuojnë zgjidhjes së problemit të mbeturinave të shumta.

Konsumatorët e saj janë kryesisht individë të cilët i kushtojnë rëndësi detajeve, dukjes si dhe të cilët në mënyrë të vetëdijshme dëshirojnë të kontribuojnë në kauza shoqërore dhe ambientale që i përfaqësojnë si iniciativë.

Besnik Krasniqi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetit të Prishtinës (UP), shpjegon se ekonomia qarkore është një sistem ekonomik i bazuar në zvogëlimin e shfrytëzimit të imputeve (mbeturinave, energjisë, emisionit, etj.), duke shfrytëzuar resurset në mënyrën më të mirë të mundshme.

Një gjë e tillë, sipas tij, është e mundshme me shfyrtëzimin e riciklimit dhe ripërdorimin e materialeve dhe të hyrave parësore duke bërë mirëmbajtjen e tyre efikase. Zhvillimi i kësaj ekonomie do të duhej të vërehj më dukshëm në industri dhe ndërtimtari.

Sipas Krasniqit, në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe ndikimin në sektorët e tjerë në vendet e Europës, dhe duke marrë parasysh kërkesat e vendeve të Bashkimit Europian për mbrojtjen e ambientit, kalimi në ekonomi qarkore është diç e pashmangshme dhe e preferueshme.

“Sa i përket Kosovës, kjo edhe nuk do të ndikonte shumë duke pasur parasysh që ekonomia e Kosovës importon shumicën e inputeve. Në anën tjetër, do ta bënte ekonominë më efiqiente në shfrytëzimin e resurseve,” thotë ai.

Agjensioni për mbrojtjen e mjedisit të Kosovës (AMMK), në një nga raportet për trajtimin e mbeturinave – zvogëlimin e rrezikut për shëndetin dhe mjedisin, thotë se disa prodhime janë të dizajnuara në atë mënyrë që mund të shfrytëzohen disa herë, si psh. qeset e najlonit ose kavanozat e qelqit.

“Ekzistojnë disa arsye për ripërdorimin e prodhimeve: kursehet në energji dhe lëndë të parë; zvogëlohen shpenzimet për deponim; zvogëlohen shpenzimet për tregtarë dhe konsumatorë. Me rëndësi shumë të madhe, është edhe numri i gjërave që ripërdoren, gjegjësisht koha e prodhimit”, pohon AMMK.

Në këtë raport, AMMK jep edhe një shembull se si për prodhimin e kutive të vogla të kosit, në industri nevojiten vetëm 5 sekonda, ndërsa për shpërbërjen e saj, natyrës i duhet 10.000 vjet.

Sipas tyre, në Kosovë trajtohet një sasi shumë e vogël e kësaj lënde që do të sillte përfitime ekonomike.

Edhe një organizatë joqeveritare kosovare  “Green Art Center – Prishtina” (GAC)  veprimtarinë kryesore të saj e fokuson në një mjedis të qëndrueshëm për qytetarët.

Merlina Beu, drejtoreshë Ekzekutive në GAC thotë se kjo organizatë duke i dhënë fokus të veçantë spektrit të menaxhimit të mbeturinave dhe edukimit mjedisor, po i jep prioritet trajtimit të koncepteve bazë në ekonomi qarkore siç është reduktimi dhe ripërdorimi.

“Zbatimi i skemës së reduktimit të mbeturinave në burim dhe ajo e ndarjes së mbeturinave të ricikluesheme në burim do të stimulojnë në mënyrë direkte zvogëlimin e sasisë së mbeturinave që deponohen në deponi duke zvogëluar ndotjen mjedisore që afektohet prej deponisë”, thotë ajo dhe shton se përmes zhvillimit të sektorit të riciklimit do të nxiste edhe krijimin e vendeve të punës.

Për Beun, këto janë “procese të reja” në shoqërinë tonë, që zhvillohen gradualisht dhe se nevojitet shumë një vetëdijësim i vazhdueshëm dhe informimi qytetar për benefitet e zhvillimit të ekonomisë qarkore.

“Me aktivitete të vazhdueshme të ndërmarra, në Kosovë jemi në një realitet ku po vërehet një ngritje e vetëdijes qytetare dhe institucionale për një mjedis të pastër dhe ku mbetet akoma shumë për të bërë,” thotë ajo.

GAC është duke krijuar një sistem të qëndrueshëm për ndarjen e mbeturinave të riciklueshme në burim në disa komuna të Kosovës si në Vushtrri, Drenas, Prizren, Gjakovë, Fushë Kosovë dhe Mitrovicë.

Beu përmend pilometimet e ndryshme gjatë të cilave po praktikohen skemat e reduktimit të sasisë së mbeturinave dhe ku qytetarët ndajnë mbeturinat organike dhe mbetjet e oborreve për prodhimin e plehut organik.

“Këto janë praktika të qëndrueshme, por që normalisht kanë nevojë për vetëdijësim të vazhdueshëm, edukim të komunitetit nga fëmijëria e hershme, infrastrukturë dhe studim të mirëfilltë të grumbulluesit dhe destinacionit të mbeturinës”, thotë ajo.

Sipas Beut, ky, megjithatë, është një proces ku institucionet duhet të krijojnë mekanizma për zbatimin e praktikave të domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm.

“Plastika”, është një nga kompanitë më të mëdha në Kosovë që me punën e saj ndikon në zhvillimin e ekonomisë qarkore me largimin e shumë mbeturinave kontribuon edhe në përmirësimin e mjedisit.

Pas mbledhjes së mbeturinave plastike, kjo kompani i riciklon ato dhe prodhon folie për ndërtimtari, agrikulturë, geomembrana për izolim ndaj lagështisë e shumë produkte të tjera plastike.

Sipas Zyres së saj për informim, kompania “Plastika” është e kënaqur me bashkëpunimin me shumë pika grumbulluese nëpër tërë territorin e Kosovës. Mbeturinat plastike mblidhen nga persona fizikë dhe largohen nga ambientet e përditshme. “Plastika” punon edhe me kompani të ndryshme të cilët grumbullojnë mbetjet e tyre plastike dhe pastaj i dërgojnë për riciklim.

Hapja e kapaciteteve për riciklim apo riprodhim, përveç mbrojtjes së ambientit, i kontribuon edhe hapjes së vendeve të reja të punës. Ekspertët e ambientit thonë se me angazhimin e institucioneve të Kosovës dhe përcaktimi të një buxheti më të lartë për mbrojtjen e mjedisit, por edhe përmirësimi i legjislacionit ekzistues, mund të jetë një shtysë edhe më e madhe për zhvillimin e kësaj fushe.

NJOMZA BERISHA me Fitore Hyseni, Elza Islami dhe Edona Vitia

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM