Build Skills with our trainings

Sign up now!

Dhuna kibernetike shton rastet e ankthit në mesin e të rinjve

Kor 2, 2019

B.M., shenjat e para të ankthit i kishte zbuluar në moshën 12 vjeçare dhe me kalimin e kohës ankthi i është shprehur më shumë. Kur ka ndodhur ndonjë shqetësim në familje apo i është përkeqësuar shëndeti ndonjë prej njerëzve të saj më të dashur, janë ndër rastet që ia kanë shtuar ankthin.

Ankthi është një çrregullim dhe shumica e të rinjve hezitojnë të flasin për të. Për shkak të mentalitetit dhe ambientit ku jetojnë është bërë shumë problematik tejkalimi dhe ballafaqimi me të.

B.B. thotë se tejkalimi i krizave të ankthit për të nuk ishte aspak e lehtë, por këtë ia falënderon besimit në Zot dhe mbështetjes së vazhdueshme të të dashurit.

“Për shkak të seancave minimale nuk është se kam vërejtur ndonjë ndryshim të madh, mirëpo i kujtoj shpesh fjalët e psikologes dhe qetësohem më lehtë”, thotë ajo.

Një tjetër histori sa i përket betejës me ballafaqimin e ankthit, kishte M.H. e cila kishte vërejtur vonë që vuan nga ankthi, pasi që gjithmonë ka qenë më e mbyllur dhe ndjenjat që i ka përjetuar ka menduar që të gjithë i përjetojnë.  Si një ndër indikatorët që kanë ndikuar më shumë në rritjen e ankthit kishin qenë edhe shoqëria jo e mirë dhe frika se do ta braktisnin. Edhe ajo thotë se shumë vështirë i menaxhon momentet e ankthit.

“Eshtë tmerrësisht e vështirë sepse ankthi nuk është diçka që ti mund ta kontrollosh. Ai të kontrollon ty. Jam munduar në maksimum ta normalizoj nivelin dhe momentalisht jam në gjendje më të mirë emocionale, por prapëseprapë ankthi nuk largohet kurrë”.

Instituti Amerikan i Shëndetit, ankthin e paraqet si pjesë të pritshme të jetës, ku mund të ballafaqoheni në çdo ambient të mundshëm.

“Ju mund të ndiheni të shqetësuar me një problem në punë ose para se të merrni një vendim të rëndësishëm. Ankthi është më shumë shqetësim i përkohshëm, i ngjallur si frikë”, sipas Institutit Amerikan.

Gentiana Kuqi Tishukaj, psikologe nga Qendra Labyrinth e përshkruan ankthin si një shqetësim për ngjarjet e ardhshme dhe frika është një reagim ndaj ngjarjeje të tanishme.

“Ashtu si edhe frika, ankthi lidhet me rritjen e aktivitetit të sistemit nervor simpatik, i cili manifestohet me shenja fizike të tilla si: djersitje, rrahje të shpejta të zemrës, frymëmarrje të shpejtuar dhe shqetësim gastrointenstinal. Disa nga simptomat më të zakonshme të ankthit apo të sulmeve të panikut janë: frika se do të çmendem, frika se më e keqja do të më ndodhë, derealizimi apo ndjenja e shkëputjes nga realiteti dhe depersonalizimi apo ndenja e shkëputjes nga vetvetja”, thotë Tishukaj.

Duke qenë se nxënësit janë ata që më shumti ballafaqohen me sulme të ankthit, nevoja për psikologë në shkollat e Kosovës po bëhet një domosdoshmëri.

Psikologia e Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, Ergita Zajmi, ka theksuar se që nga koha kur kishte filluar punën si psikogole, numri i nxënsve që vuajnë nga ankthi është shtuar dukshëm, e si një ndër faktorët që ka ndikuar në këtë është dhuna kibernetike apo ngacmimet në rrjetet sociale.

Ajo sugjeron disa metoda si ndihmë për ta tejkaluar këtë çrregullim.

“Së pari të inkurajohen nga prindërit që përjetimet duhet të diskutohen, në rast se nuk fliten me askënd atëherë duhet treguar pasojat të cilat do t’i kenë, efektet anësore që do t’i përjetojnë në mësime, në familje, në shoqëri e në të ardhmen mund të ndikojnë edhe me paraqitjen e ndonjë sëmundjeje psiko-somatike”, thotë Zajmi.

Tishukaj nga Qendra Labyrinth e sheh si gjë shumë të rrezikshme kur të rinjtë provojnë substanca narkotike për t’i tejkaluar problemet.

 “Gjithashtu, ankthi mund të zhvillohet edhe si pasojë e përdorimit të substancave të ndryshme dhe në rastet më të shpeshta nga përdorimi i marihuanës. Simptomat shfaqen në kohën kur personat nuk janë nën efekt ose kanë pauzuar për një periudhë të shkurtër nga një përdorim afatgjatë (në baza ditore për një periudhë të gjatë), ose edhe në rastet kur janë në përdorim të vazhdueshëm.”

Përveç vizitës te psikoterapeuti, psikologia Tishukaj përmend edhe disa teknika natyrale që ndikojnë në vetëmenaxhimin e ankthit.

“Teknika e frymëmarrjes: Merr frymë ngadalë dhe thellë, identifikoni mendimet më të frikshme, për shembull nga çfarë frikësoheni se do të ndodhë në rast të një sulmi paniku. Filloni dhe shënoni në një ditar për një javë rresht. Pasi t’i shënoni bëjani vetes pyetjet: Sa ka gjasa të ndodhë ajo që frikësoheni se do të ndodhë? Nëse po, çka do të ndodhë? Cila është më e keqja nëse ndodh? Çka pastaj? Pra duke u përgjigjur në këto pyetje, reflektimi mbi gjendjen tuaj do t’ju ndihmojë më shumë që ta menaxhoni ankthin dhe sulmet e panikut. Përqëndrohuni në mjedisin tuaj dhe vazhdoni të bëni atë që keni bërë më parë. Përqëndrohuni në pesë shqisat tuaja, përqendrohuni në tri gjëra që jeni duke i shikuar për momentin, tri gjëra që jeni duke i dëgjuar dhe tri gjëra që jeni duke i nuhatur”.

Sot të rinjtë janë ndër moshat më të prekura nga ankthi dhe ballafaqimi i tyre me të është shumë i vështirë, pasi në mentalitetin që po jetojmë ende ka vështirësi të flitet hapur për problemet me shëndetin mendor. Andaj sugjerohet të kërkohet ndihmë nga rrethi i ngushtë si familjarët, shoqëria apo ndihma nga profesionistët e kësaj fushe, psikologu apo psikiatri, meqenëse beteja e një personi me ankthin nuk është e lehtë dhe kërkohet ndihmë dhe mbështetje edhe nga të tjerët.

Elsa Loma

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM