Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të rinjtë shprehen të zhgënjyer me udhëheqësit institucional

Gus 9, 2019

Abedin Berisha, qytetar i Kosovës, ndjehet i zhgënjyer nga institucionet qeverisëse në Kosovë. Ai thotë se zëri i të rinjve që votojnë rregullisht, nuk përfaqësohet nga të zgjedhurit e tyre. Veçanërisht, ai ndihet shumë i zhgënjyer me udhëheqjen e politikës së jashtme.

“Kurrë më parë nuk kemi pasur përfaqësues më të dobët, bile edhe sa i përket zgjedhjeve dhe votës së lirë ka devijim dhe ndërhyrje në vullnetin e lirë.”

Gjithashtu ai mendon se edhe pse ka forume rinore të partive politike, ato janë vetëm sa për të thënë sepse “nuk bëjnë asgjë për të rinjtë”.

Në një anketë të realizuar nga KosovaLive me të rinjtë lidhur me pjesëmarrjen e tyre në votime dhe nivelin e kënaqësisë nga përfaqësimi i të zgjedhurve të tyre në krye të institucioneve në vend, 80 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se votojnë rregullisht, ndërsa 20 për qind prej tyre nuk votojnë. Nga të anketuarit, 30 për qind mendojnë se vota e tyre nuk çon shumë peshë.

Qytetarët e anketuar shprehin arsye të ndryshme pse nuk e shfrytëzojnë të drejtën për votë. Disa prej tyre mendojnë se votat manipulohen, se programet e tyre politike nuk i përfshijnë problemet e të rinjve ose pse nuk u besojnë shumë figurave politike.

Hulumtimet e fundit tregojnë se qytetarët e Kosovës po e humbin në vazhdimësi besimin në institucione. Vlerësohet se papunësia dhe mosliberalizimi i vizave janë preokupime kyçe të qytetarëve që kanë rritur pakënaqësinë ndaj qeverisjes në vend.

Sipas rezultateve të një hulumtimi të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në vitin 2017, 70 për qind e të rinjve janë deklaruar se gjërat në Kosovë janë duke shkuar në drejtim të gabuar. Ata janë pyetur për pesë shqetësimet kryesore të tyre të cilat duhet të adresohen nga qeveria. Të rinjtë kanë listuar: papunësinë (65.1 për qind); zhvillimin ekonomik (54.6 për qind); luftimin e korrupsionit (51.3 për qind); shëndetësinë (42.2 për qind) dhe mosliberalizimin e vizave (4.1 për qind).

Drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se nëse nuk fillohet me përmirësimin e jetës së qytetarëve do të rritet gatishmëria e tyre edhe për protesta.

“Rënia e besimit të qytetarëve në qeverisje lidhet me mungesën e vendeve të lira të punës për qytetarët, me një shkallë të lartë të korrupsionit si dhe me mosliberalizimin e vizave, pasi janë dhënë shumë data për liberalizim dhe ende nuk ka ndodhur”, shtoi tutje Demhasaj.

Nga ta, 23.5 për qind e të intervistuarve janë deklaruar se asnjë nga politikanët ekzistues nuk janë model që duhet ndjekur, kurse interesimi për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është treguar i lartë (76.1 për qind janë shprehur të interesuar për të votuar).

Të rinjtë shfaqin mungesë besueshmërie ndaj Qeverisë së Kosovës dhe shfaqen mjaft kritikues ndaj punës së saj. Sipas rezultateve të nxjerra nga ky hulumtim me të rinjtë e moshave 18-22 vjeç, prej 1200 respodentëve, 69.9 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se puna e Qeverisë së Kosovës është e dobët dhe jo efikase, (rreth 30 për qind kanë deklaruar se qeveria punon në interes të të gjithë qytetarëve të vendit). Ndërsa një shumicë e konsiderueshme (71.6 për qind) e të rinjve shqiptarë të anketuar në këtë hulumtim, kanë deklaruar se qeveria punon për interesa të ngushta të grupeve të caktuara.

Rezulton se institucioni të cilit të rinjtë i besojnë më së shumti është pushteti komunal, pasuar nga Presidenca, Kuvendi i Kosovës, gjykatat dhe prokuroritë, të cilat bëjnë pjesë në listën e institucioneve relativisht të besueshme prej të rinjve. Qeveria e Kosovës gëzon më së paku besim, e pasuar nga partitë politike të cilat renditen në vendin e fundit për nga niveli i besimit nga të rinjtë.

Vlen të theksohet se ndër elementet të cilat përcaktojnë aktivitetin e një asambleisti në Kuvendin e Komunës, është edhe angazhimi për përfaqësimin e qytetarëve.

Asambleistja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fiknete Bejta thotë se këtë është munduar ta arrijë duke i trajtuar problemet e qytetarëve që kanë të bëjnë me komunën.

“Një çështje për t’u trajtuar në Kuvend, duhet të kalojë nëpër disa procedura, por ka raste që nëse një kërkesë drejtuar institucioneve nuk ka një ‘zë’ për ta shtyrë si proces, ajo kërkesë do të neglizhohet dhe nuk do të trajtohet fare. Mendoj se qytetarët kanë të drejtë kur thonë se nuk ndihen mjaft të përfaqësuar nga të përzgjedhurit e tyre sepse një pjesë e asambleistëve në Kuvend më shumë shqetësohen për interesat e tyre personale se sa për interesat e atyre që i kanë votuar për t’i përfaqësuar ata në Kuvend”, ka thënë ajo.

Kjo është vërejtur edhe gjatë vendimmarrjes në Kuvend apo votimit për çështje të ndryshme.

Sipas Bejtës, pakënaqësia qytetare në nivelin lokal lidhet me mungesën e progresit deri te implementimi i projekteve të mëdha që janë premtuar, problemet me tejzgjatjen e kontratave, pastaj me mungesën e cilësisë së shërbimeve dhe të punëve që niveli lokal po i ekzekuton.

Mirsim Behrami, student, gjithashtu është shprehur mjaft skeptik me përfaqësimin e interesave të tij si një i ri dhe një student i Kosovës.

“Me bindje të plotë mund të them që udhëheqësit institucional nuk po na përfaqësojnë si dhe sa duhet dhe fatkeqësisht mendoj se kjo situatë do të vazhdojë edhe për një kohë shumë të gjatë. Po ashtu e kemi humbur besimin edhe në zgjedhje dhe në votën e lirë, sepse ka shumë manipulime”, thotë ai.

Kuvendi i të Rinjve të Kosovës, qëllimi i të cilit është përfaqësimi i të rinjve në institucionet përgjegjëse tash disa vite organizon dhe mban aktivitete të ndryshme në shumë komuna. Në takimet e tyre kryesisht diskutohet për çështjet që kanë të bëjnë me vendimmarrjen e të rinjve. Fokusi i tyre si organizatë është në çështjet si: ligji për rini, punësimi, arsimi, përkrahja institucionale, praktikat etj.

Sipas kryetarit të kësaj organizate Kastriot Luma, shumica e problemeve që adresohen tek ata vijnë përmes takimeve direkte që bëhen me të rinjtë në komuna të ndryshme të Kosovës.

“Të gjitha kërkesat që vijnë te ne mblidhen, diskutohen dhe shikohen mundësitë e zgjidhjes së tyre, në rast të kundërt ato dërgohen nga ana jonë në institucionet përkatëse që lidhen me temat në fjalë, përmes përmbledhjeve në dokumente të ndryshme ose organizimit të tryezave”, thotë Luma.

Kuvendi ka përkrahje nga të gjitha institucionet vendore, organizatat e huaja si dhe ambasadat e shteteve të huaja në Kosovë.

Luma tregon se Kuvendi ka pasur disa iniciativa me anë të të cilave ka kërkuar që të shfrytëzohet e drejta e votës nga të rinjtë si dhe u është bashkuar iniciativave të ndryshme për mosvotimin e kandidatëve të korruptuar në listat zgjedhore.

Të gjitha organizatat rinore dhe joqeveritare duhet të jenë të papolitizuara dhe t’i përfaqësojnë vetëm interesat e të rinjve ose qytetarëve. Shumë nga to pretendojnë të jenë në nivel dhe të kryejnë detyrën e tyre sipas ligjeve në fuqi të vendit tonë. Në mesin e qytetarëve vazhdon të ketë pakënaqësi, por të paktën, ato po adresohen.

Argjeneta Prekadini

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM