Në media vërehen mjaft shmangie nga norma e gjuhës shqipe dhe duke pasur parasysh fuqinë e fjalës së gazetarit, gjuha duhet të përdoret në nivelin e duhur dhe të mos ketë mangësi. Për shumë studiues të fushës së gjuhës dhe letërsisë, në mediat e shkruara ka mjaft lëshime dhe gabime gjuhësore.
Bazuar në një anketë jopretencioze të realizuar nga KosovaLive, vërehet se mediet e shkruara lexohen mjaft. Sipas statistikave, një pjesë e qytetarëve (56.6 %) lexojnë shumë në mediet e shkruara dhe një pjesë tjetër nuk janë lexues të rregullt, por lexojnë ndonjëherë (43.4%). Kryesisht janë studentë, që studiojnë gjuhë dhe letërsi shqipe (23%), edukim (12.5 %), ekonomi (5%), mjekësi (3%) edhe pjesa tjetër i takon fushave të tjera.
Sipas statistikave, del që një pjesë e madhe e të anketuarve (55.6%) në çdo shkrim që ata lexojnë hasin në gabime gjuhësore, ndërsa pjesa tjetër (42.6%) shumë shpesh i vërejnë këto gabime.
Rrahman Paçarizi, profesor në Universitetin e Prishtinës (UP), njëherazi edhe analist, ka konstatuar se gabimet gjuhësore në medie bëhen për shumë arsye, por shkaku kryesor, sipas tij, është shkollimi jocilësor.
“Këtu përfshihet edhe mosmotivimi i fëmijëve për të lexuar, pasi leximi ndikon shumë për zotërimin e drejtshkrimit. Natyrisht që edhe rregullat dhe përjashtimet e shumta në drejtshkrimin e shqipes ndikojnë në rritjen e vështirësisë”, thotë Paçarizi.
Sa i përket keqinformimit për shkak të këtyre gabimeve, ai thotë se nuk është shumë i shprehur, mirëpo mospërdorimi i duhur i gjuhës ndikon në uljen e shkallës së seriozitetit e të besueshmërisë dhe kjo sipas tij, është e mjaftueshme.
“Gabimet e gazetarëve janë ato edhe të profesionistëve të fushave të tjera, veçse puna e gazetarit është publike dhe gabimet e tyre apo varfëria leksikore, moszotërimi i fjalëformimit, i sintaksës apo problemet në të lexuar vërehen më shumë. Pra, gazetarët nuk janë më keq se profesorët universitarë”, potencoi Paçarizi.
Pothuajse shumica absolute (98.1%) e të anketuarëve janë shprehur pro nevojës për angazhim të lektorëve në medie.
Ndërsa, sipas Paçarizit, kultura gjuhësore te gazetarët mund të përmirësohet së pari duke zgjedhur gazetarët e duhur. Edhe pse disa medie kanë lektorë, sipas tij, s’mund të obligohen të gjitha, pasi ato janë shpenzime ndonjëherë të papërballueshme, ndonëse do të ishte mirë të kishin.
“Mendoj që ka nevojë lënda Kulturë gjuhe të kthehet në programet e gazetarisë dhe të mbahet nga gjuhëtarët. Gazetarët janë njerëz që gjuhën e kanë mjetin kryesor të punës ndaj edhe duhet ta zotërojnë jo vetëm drejtshkrimin, por përgjithësisht gjuhën në nivele të larta”, përfundoi ai.
Ndër gabimet më të shpeshta që i hasin në mediet e shkruara, sipas anketës, janë: mospërdorimi i drejtë i -ë-së dhe i -ç-së (shkoll – shkollë, pikërishtë – pikërisht, qdo – çdo) (67.9%), fjalët e huaja (kontriboj – kontribuoj, alkol – alkool) (13.2%), shkrimi i gabuar i emrave të përveçëm (në Komunën e Prishtinës – në komunën e Prishtinës, Ministri i Bujqësisë – ministri i Bujqësisë) (9.4%), trajtat e shkurtëra të përemrave (mi – m’i, t’a – ta, tu – t’u), mospërdorimi i drejtë i apostrofit (t’a – ta, ësht’ – është, n’shkollë – në shkollë) (3.8%), pjesorja e foljeve apofonike (marrur – marrë, dalur – dalë, sjellur – sjellë) (2.9%), shumësi i emrave (media – medie, miqë – miq, të rinjët – të rinjtë) (2.8%).
Zejnepe Bekteshi, gazetare në gazetën Bota Sot, thotë se prodhimi i lajmeve sot është sipërfaqësor, janë lajme të cekëta, pa burime e kjo si pasojë e medieve online.
“Media e ka fuqinë për ta bindur opinionin dhe fatkeqësisht shpeshherë përpiqet t’iu tregojë se çfarë duhet të mendojnë ata. Kjo nuk më pëlqen dhe duhet të ndërrohet qasja e mos të flasim për parregullsitë në redaktimin dhe në lektorimin e lajmeve dhe gabimet teknike. Fatkeqësia qëndron se në gabime të tilla has çdo ditë, sidomos në ato të platformës online”, u shpreh Bekteshi.
Ajo gjithashtu, nënvizon se lajmi duhet të dalë me shpejtësinë e dritës, përndryshe e humb efektin e tij, por kjo, sipas saj nuk i arsyeton gazetarët që të mos kenë kujdes në shkrimet e tyre.
“Kjo dukuri është e dhimbshme dhe bëhet edhe më keq kur në medie has në fjalë të huaja në vend që të përdoret fjalori i gjuhës shqipe. Si duket përdorimi i fjalëve të huaja i bën të ndihen më mirë shkruesit e kohës së sotme. Nuk përdoret shkronja “ë” dhe “ç”, duke e zgjedhur formën më të lehtë e shkruajnë “e” dhe “c”. Tashmë e dinë shumica e përdoruesve të kompjuterit se “ë” dhe “ç”, aty janë, në tastierë. Kësaj le që nuk i thonë profesionale, po unë nuk i shoh të përkushtuar në punë”, vlerësoi ajo.
Tutje, Bekteshi shton se është për keqardhje çfarë gabimesh shohim pothuajse çdo ditë, duke u nisur nga titujt. Ajo, ndër të tjera, mendon se lektorët duhet të jenë pjesë e redaksisë, dhe kështu gabimet e tilla do të ishin reduktuar.
“S’ke çka mendon dy herë këtu për punën e lektorit, jo që duhet të ketë, por do ta bëja ligj që të jenë të paktën nga dy lektorë, sidomos në medie të platformës online. Mirëpo, duhet ta kemi parasysh edhe gjendjen ekonomike në vend dhe kjo automatikisht ndikon edhe në medie, që domethënë ndonjëherë i kufizon. Gjithsesi, është domosdoshmëri të ketë lektorë në medie, ose le të vazhdojmë të kemi sasi e jo cilësi ’’, përfundoi Bekteshi.
Sipas analizës së zbatimit dhe të dhënave të studimit kërkimor “Treguesit e Mediave 2015“, nga Kosovo 2.0, për vlerësimin e profesionalizmit brenda llojeve kryesore të medieve – televizion, radio, gazeta dhe portale, të vlerësuara nga 1 deri në 10, rezultatet më të mira ishin ato të televizionit me 6.40, pasuar nga gazetat me 6.12, pastaj radiot me 5.53 dhe së fundi me nivelin më të varfër të profesionalizmit, portalet me 4.34.
Në anën tjetër, Flora Marku, studente në Universitetin e Prishtinës dhe njëherazi lexuese e rregullt e medieve, kryesisht online, për këtë çështje u shpreh se has në gabime të shumta, e veçanërisht, tek ato lajme të cilat përkthehen nga gjuhët e huaja.
“Prej shumë gabimeve gjuhësore, ato që më bien në sy janë disa ndërtime të pakuptimta të fjalive, e këto i bien në sy edhe një lexuesi që nuk është i rregullt. Kjo do të thotë që mediet online kanë një krizë gjuhësore”, tha ajo.
Marku shtoi se përveç lektorëve, një medium duhet ta ketë edhe përkthyesin në redaksinë e tij.
“Nëse mediumet marrin lajme nga vendet e rajonit, ato do të duhej të përktheheshin nga njerëzit kompetentë për ato çështje e jo ta përdorin përkthyesin digjital, që po shkakton konfuzion në mendjen e lexuesit”, shtoi ajo.
Marku mendon se këto gabime, herë gjuhësore e herë teknike, ndikojnë edhe në cilësinë dhe në seriozitetin e medias.
Shpresa Hoxha, profesoreshë e gjuhës angleze në Fakultetin Ekonomik, në punimin e saj “ Gjuha shqipe në mediat vizive’’, thotë se sot, në periudhën e lirisë së plotë të pasluftës në Kosovë po ballafaqohemi me përdorim të ndryshëm të gjuhës shqipe, përkatësisht të mosrespektimit të standardit të saj, në kohën kur do të duhej t’i kushtohej vëmendje maksimale.
Sadije Krasniqi
Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.