Build Skills with our trainings

Sign up now!

Shërimi në spitale që nuk kanë mjete esenciale

Tet 23, 2019

Institucionet publike shëndetësore ende përballen me probleme dhe mungesa në listën e barnave esenciale dhe të materialit shpenzues. Pacientët ankohen për shërbime të dobëta dhe tregojnë që shumicën e shpenzimeve i mbulojnë vetë.

E.M, student në Fakultetin e Mjekësisë, tregon se për studentët është sfidë e përditshme realizimi i praktikës klinike në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ai rrëfen përvojën e një dite të tij të zakonshme kur gjatë praktikës, duke dashur të sigurojë qasje me kanulë në venë, ajo i doli me defekt. Ditën tjetër, kur po bënin praktikën në sallën e operacionit, stafi teknik nuk i’u kishte ofruar dorëza dhe maska mbrojtëse, për shkak të mungesës së tyre. Me insistimin e asistentes i kishin siguruar disa prej tyre, ndërsa disa kolegë të tjerë i kishin blerë vetë. E.M thotë se kjo nuk është e rrallë.

“Vendosni dorëzat dhe fshihni duart mos t’ju shohë motra kryesore”, është një frazë të cilën E.M dhe kolegët e tij e dëgjojnë çdoherë gjatë punës së tyre në spital.

“Gjatë një intervenimi kirurgjik ka dështuar aparati, nuk ka funksionuar katoda bipolare, pacientja ka qenë me anestezion dhe jemi detyruar që ta zgjojmë, sepse nuk ka pasur zëvendësim të aparatit. Intervenimi nuk është realizuar”- shton studenti E.M.

Përveç kësaj, ekziston një mungesë mekanizmash që e rregullojnë punën në nivelet e ndryshme të kujdesit shëndetësor, duke krijuar mbingarkesë të pacientëve në spitale. Kjo ndikon në shfrytëzim joracional të materialit shpenzues.

Specialisti i mjekësisë emergjente, Jeton Vorfi, tregon se emergjenca është shndërruar në ambulancë.

“Ne jemi të furnizuar në mënyrë të rregullt për raste emergjente e jo ato ambulantore. Mosekzistimi i rregullores na ka sjellë në pozitë të palakmueshme. Kemi punë invazive dhe jetë shpëtuese. Mund të jemi të pajisur me morfinë, por jo edhe me antibiotikë dhe me barna të tjera.”

Vorfi tregon se Drejtoria e Shëndetësisë në kuadër të Kuvendit Komunal s’ka pasur një qëndrim të fuqishëm të referimit ambulancë-spital.

Nga vizitat ndërkombëtare që kanë pasur është avokuar për ndryshim të shtretërve dhe dyshemeve që nuk i plotësojnë as kushtet elementare.

Së fundmi, sipas Vorfit, spitali i Gjakovës ka pranuar një projekt prej Bashkimit Evropian (BE), ku kanë filluar me riparimin e dyerve dhe dritareve, projekt i cili ende s’ka përfunduar dhe kanë mbetur pa dyert kryesore të hyrjes, gjë që u sjell probleme të ndryshme si: të ftohtit, afrimi i kafshëve të ndryshme brenda hapësirës së punës etj. Gjithashtu, ka mungesë të kuadros, gjithsej janë vetëm tre mjekë, të cilët punojnë me ndërrime, qe 18 vjet kërkojnë të rritet stafi punues mirëpo, askush nuk paraqitet sepse është punë e rëndë.

Mosplanifikimi i rregullt i specializimit i ka sjellë deri në gjendjen që të mos kenë specialistë.

Shumë gjëra elementare nuk janë të rregulluara. Ka mungesë të madhe të batanijeve dhe të çarqafëve. Në rast vdekjeje nuk kanë se me çfarë t’i mbulojnë kufomat. Banjot nuk janë shumë funksionale, ka mungesë të letrave higjienike dhe dezinfektuesve të ndryshëm.

Prej vitit 2018 nuk ka pasur asnjë përmirësim në repartin e emergjencës në spitalin “Isa Grezda” të Gjakovës.

Vështirësitë në punë dhe mungesën e shumë gjërave elementare e theksojnë edhe dy infermiere në repartin e gjinekologjisë, të cilat dëshiruan të mbesin anonime.

Ato tregojnë se si e zhvillojnë punën dhe me çfarë raste përballen çdo ditë. Gjatë vitit, në spital bëhen rreth 2000 lindje, mirëpo nuk janë të trajtuara në mënyrën më të mirë të mundshme për shkak të kushteve jo të mira.

Në sallën e operacionit ka mungesë të aparaturave, disa prej tyre duhen të servisohen e shumë të tjera duhet të shtohen.

Kardiotokografia (CTG) është një mjet teknik për regjistrimin e rrahjeve të zemrës së fetusit dhe kontraktimet e mitrës gjatë shtatzënisë. Në Gjinekologji, i gjithë reparti funksionon vetëm me një CTG, ku me rregull, duhej ta kishte çdo dhomë e lindjes. Nuk janë të pajisur me çarqafë dhe
kompresa sterile, gjë që i detyron pacientët që t’i marrin çarqafët prej shtëpisë dhe shumicën e barnave t’i blejnë vetë.


“Na mungojnë dorëza sterile me nr.8, tetraciklina (yndyrë për sy të bebes), konakioni (gjilpërë për bebe), orastini (gjilpërë për nënat pas lindjes), buskopani (
për t’i lehtësuar ngërçet e muskujve), fllastera, mentildopa (antihipertensiv)”, tregojnë infermieret.

“Puna na vështirësohet shumë dhe shpeshherë përballemi edhe me ofendime nga ana e pacientëve, të cilët nuk ndahen të kënaqur me trajtim.”

Kjo situatë ka qenë edhe më shqetësuese për infermieret e këtij spitali në vitin 2018, kur kanë pasur mungesë më të madhe të materialit shpenzues.

Kanë munguar dhe sisteme infuzive, kateterë, gaza dhe peri për qepje. Mirëpo, fatmirësisht prej vitit 2018 e deri në vitin 2019 është bërë progres përreth 70 përqind me disa furnizime.

Pacientët, nga ana tjetër shprehin pakënaqësitë e tyre. Rina Saraqini, tregon se si ishte habitur nga gjendja e spitalit vitin e kaluar kur kishte lindur. Përveç anestezionit në sallë të operacionit, çdo gjë tjetër është dashur ta blejë vet.

Ajo kishte dalë anemike në një shkallë të lartë dhe gjaku i nevojitej menjëherë, mirëpo, pa e siguruar një kompenzues gjaku, spitali nuk ishte ofruar ta ndihmonte.

“ Nëse do ta vlerësoja trajtimin në spital nga 1-10, unë do ta vlerësoja me 2 pasi në radhë të parë, higjiena që konsiderohet si primare ka qenë në nivel 0, e duke vazhduar tutje me elementet tjera”, shton Saraqini.

Viteve të fundit, tashmë pothuajse se është bërë e zakonshme që pacientët t’i mbulojnë të gjitha shpenzimet e tyre vetë.

Liridona Ahma

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM