Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kontejnerët nëntokësorë “pushojnë”, e ngulfatja me bërllok vazhdon

Dhj 11, 2019

Grenita 19 vjeçarja, studente në Prishtinë për KosovaLive tregon se në verën e këtij viti, kishte përjetuar një situatë të pakëndshme. Si pasojë e pickimit të insekteve rreth objekteve banesore me kontejnerë, në mëngjesin e së nesërmes ajo është zgjuar me një fryerje në pjesën e fytyrës. Në fillim kishte menduar se është fjalë për një puçërr.

“…Jam konsultuar me mjekun sepse nuk më kalonte ndryshe. Mjeku dyshoi në një infektim nga ndonjë insekt dhe më rekomandoi terapi me barna rreth një muaj”, thotë ajo.

Mjeku i kishte thënë se në rast se terapia nuk do të kishte sukses, do të nevojitej ndonjë ndërhyrje kirurgjike.

Sipas dermatologes dr. Dua Cebeci, pickimet nga ndonjë insekt bartës mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore.

 “Për shumicën prej nesh, pickimi nga insektet nënkupton vetëm një shqetësim të përkohshëm, por ato, edhe pse rrallë mund të shkaktojnë reaksione alergjike. Hedhja e mbeturinave dhe vendndodhja e tyre nëpër vende publike krijon hapësirë që të zhvillohen këto gjallesa të cilat ndikojnë negativisht në jetën tonë. Ato mund të shkaktojnë helmim por edhe vdekje”, thotë Cebeci duke kujtuar se si, për shembull, “buburrecat mund të shkaktojnë sulme astmë tek fëmijët”.

Rrjedhimisht, sipas saj, periodikisht duhet aplikuar insekticide, kontejnerët por edhe hapësirat përreth tyre duhet të pastrohen rregullisht…

Bërlloku dhe kontejnerët përplotë me to anekënd qytetit, është ndër ankesat e përditshme edhe të qytetarëve të kryeqendrës.

Nga një anketë jopretencioze e KosovaLive, kryer online, mbi 53 % të qytetarëve mendojnë se shërbimet komunale të pastrimit nuk funksionojnë plotësisht, e 70 % kanë deklaruar se kanë problem me mbeturina në lagjen e tyre.

Kompania regjionale e mbeturinave “Pastrimi”, që pos gjashtë komunave të tjera, përkujdeset edhe për Prishtinën, pohon se brenda 24 orëve, në gjithsej 508 pika të kryeqendrës, pa përfshirë këtu shërbimin derë-më-derë, mesatarisht largon 231 mijë kilogramë mbeturina.

Nga ana tjetër, shumë banorë të kryeqendrës së Kosovës ankohen se në lagjet e tyre kontejnerët janë të stërmbushur dhe se ato ndonjëherë mbesin me ditë të tëra pa u zbrazur.

“…Çdo ditë kalimthi ndalem te kontejnerët në lagjen Dardania për t’i hedhur mbeturinat, kundërmimi dhe insektet përreth kontejnerëve e vështirësojnë frymëmarrjen…”, thotë N.D. një qytetare rreth 48 vjeçare, që deshi të mbetet anonime.

Arbnora Ademi, zëdhënëse e “Pastrimit”, që është përgjegjëse për mbledhjen e rregullt dhe menaxhimin e mbeturinave, thotë se aktualisht prishtinasit kanë në dispozicion 1,700 kontejnerë, ndërkohë që kjo kompani është në procedurë të furnizimit me kontejnerë të rinjë.

Asnjëherë nuk ndodh që të mos kryhet shërbimi i mbeturinave, prandaj edhe qytetarët ndonjëherë ankesat e tyre i adresojnë pa arsye”, thotë Ademi.

Përderisa pohon se “Pastrimi” ka kapacitete, ndonëse ato do të mund të zgjeroheshin, aktualisht funksionimi i kësaj kompanie, sipas saj, është i limituar me atë që kanë, meqë “jemi me vetëfinancim”.

Pakënaqësia e banorëve të kryeqytetit të Kosovës rreth papastërtisë, po pasqyrohet tash së voni edhe përmes një plaftorme të një organizate joqeveritare “D +” që u krijua në partneritet me Institutin Demokratik Kombëtar (NDI) në Uashington. Platforma online “Ndreqe. com ” u mundëson qytetarëve të raportojnë lehtë dhe shpejt ankesat e tyre rreth problemeve të mbeturinave, ujërave të zeza, gropave në rrugë, ndriçimit publik, trotuareve të dëmtuara, shënjave të rrugës dhe pengesave për persona me aftësi të kufizuar.

Për shkak të mbeturinave të akumuluara në vendbanimet e tyre, në platformë tash janë 241 ankesa të qytetarëve, duke krijuar kështu një hapësirë publike të pjesëmarrjes qytetare për përfshirje të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e ambientit.

Një pjesë të fajit Ademi i “Pastrimit” ua mvesh edhe vetë qytetarëve duke thënë se ata kanë zhvendosur ose dëmtuar mbi 300 kontejnerë të shpërndarë nëpër qytet.

Kritikat rreth menaxhimit të mbeturinave vijnë jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë, por edhe nga vetë institucionet e ngarkuara për mbrojtjen e mjedisit dhe nga shoqëria civile.

Sipas një raporti të përbashkët të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës nga viti 2018, infrastruktura e grumbullimit të mbeturinave është i dobët dhe numri i kontejnerëve dhe shportave është i pamjaftueshëm. Pamundësohet edhe asgjësimi i mbeturinave dhe ato rrjedhimisht digjen apo hidhen në natyrë, duke e ndotur ambientin dhe duke ndikuar negativisht në shëndetin e njeriut.

Një kthesë drejt përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave në vitin 2013 kishte tentuar komuna më e madhe e Kosovës, ajo e Prishtinës. Si zgjidhje për menaxhimin e mbeturinave nëpër qytet, projekti parashihte zëvendësimin e kontejnerëve ekzistues me ato nëntokësorë dhe do të kushtonte 235 milionë euro.

Në disa punkte të qytetit sot e kësaj dite mund të shihen këto kontejnerë që asnjëherë nuk u futën në funksion.

Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës thotë se projekti kishte ngecur për shkak të mungesës së makinerive adekuate për zbrazjen e mbeturinave.

“Kontejnerët nëntokësor për momentin nuk janë në funksion. Sipas informatave që kam pranuar nga zyrtarët tanë, ata fillimisht nuk kanë pasur makineri adekuate për ngritjen e platformave dhe për zbrazjen e tyre”, thotë Braha.

Nga ana tjetër, makineria të cilin ka poseduar kompania “Pastrimi” nuk kishte qenë e duhur. Në tentim për njëfarë zgjidhjeje, Komuna e Prishtinës kishte bërë investim në adaptimin e kamionëve ekzistues të kompanisë “Pastrimi” për kryerjen e shërbimit në këto pika. Për lartësinë e investimit konkret, se a ishte i mjaftueshëm dhe se çfarë u arrit me të, mungoi përgjigjja nga të dyja palët.

Në kompaninë “Pastrimi” thuhet se meqë kamionët e tyre ishin të vjetër, ata kishin hasur në defekte të shumëta gjatë operimit, gjë që kishte shkaktuar vonesa të mëdha. Në vendet ku janë vendosur kontejnerët nëntokësorë një gjë e tillë jo rrallë kishte shkaktuar edhe kaos në trafik.

Arbnora Ademi, zëdhënëse në kompaninë“ Pastrimi” pohon se ata kishin bërë përpjekje për modifikimin e makinerive me kërkesë të Komunës së Prishtinës.

Kontejnerët nëntokësorë tash e disa vite janë jashtë funksionit, për arsye se mekanizmi i tyre kërkon kamionë të veçantë, mirëpo Komuna e Prishtinës nuk arriti t’i sigurojë këta kamionë. Ne si kompani kemi bërë modifikimin e kamionëve tonë”, thotë Ademi dhe shtoi se për fat të keq ata kamionë janë jashtë përdorimit.

Sipas drejtoreshës së Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, që kontejnerët nëntokësorë të funksionalizohen, nevojitet që kompania “Pastrimi” të blejë makineri të veçantë dhe të mirëmbahet konstruksioni i kontejnerëve nëntokësorë.

“Me kryeshefin e kompanisë ‘Pastrimi’ kemi filluar ta bëjmë një analizë të gjendjes së atyre kontejnerëve e të shohim mundësitë e rifunksionalizimit të tyre brenda një të ardhme të afërt, me një kosto minimale. Gatishmëria për një rifunksionalizim të tillë është nga të dyja palët dhe shpresojmë që aspektet teknike të na mundësojnë realizimim e këtij qëllimi”, ka thënë Braha.

Mosfunksionimi i këtyre kontejnerëve dhe problemet e komunës me menaxhim të mbeturinave kishte shfaqur shqetësime edhe tek organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e ambientit.

Besnik Shabiu, ambientalisti nga “Let’s Do It Kosova”, organizatë që merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, ka shprehur pakënaqësinë për dështimin e këtij projekti të rëndësishëm për Komunën e Prishtinës.

… projekti sot e kësaj dite është jashtë funksionit, kjo për disa arsye, e për faktin se fatkeqësisht projekti nuk ka bërë një studim të duhur të fizibilitetit. Kur vjen në shprehje studimi i fizibilitetit në vendosjen e këtyre kontejnerëve duhet të parashihen edhe lokacionet më të përshtatshme, sikurse edhe numri i banorëve”, thotë Shabiu.

Sipas tij, ata kishin kërkuar llogaridhënie edhe prej komunës edhe prej kompanisë për menaxhimin e mbeturinave, e përgjigjja që e kishin marrë ishte se kostoja për rifunksionalizimin e këtyre kontejnerëve ishte shumë e lartë, meqë nevojiten kamiona special, të cilat kompania mirëmbajtëse nuk kishte kapacitet t’i sigurojë.

Ai pranon se as këta kontejnerë nuk do të ishin zgjidhje për çështjen e mbeturinave, por së paku do ta eliminonin kundërmimin.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Prishtina më 2011 kishte 198,897 banorë, por në këtë numër nuk llogaritej numri i madh i studentëve nga anekënd Kosova, qytetarët nga komunat e tjera që punojnë në institucionet e Kosovës, si dhe ata që kanë blerë banesa në Prishtinë, e që mund të mos i shfrytëzojnë, por i lëshojnë me qira. Sipas një vlerësimi të lirë e të gjithëpërhapur brenda ditës në kryeqytet qarkullojnë rreth gjysmë milionë njerëz.

Përkundër faktit se qytetarët si përgjegjës për menaxhimin e mbeturinave e shohin komunën dhe kompaninë e pastrimit, as ata nuk po i kontribuojnë përmirësimit të kësaj gjendjeje të shëmtuar në kryeqendrën e qytetit. Përkundrazi!

Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit më 2018, miratoi Udhëzimin Administrativ të ri për parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të caktuara për këtë, parashihet dënimi prej 20 deri në 100 euro. Gjoba për hedhjen e cigareve në rrugë ose në sipërfaqe publike, është  20 euro, për hedhjen e cigareve apo mbeturinave nga automjeti gjoba është 50 euro. Personi i cili hedhë mbeturina ndërtimore jashtë vendeve ose kontejnerëve të caktuar, ose mbeturina medicinale në sipërfaqe publike ose në natyrë ndëshkohet me 90 euro.

Udhëzimi përshkruan edhe ndëshkimin me vlerë më të lartë prej 100 euro për hedhjen e mbeturinave në lumenj, përroska, liqene, sipërfaqe publike, natyrë, rrugë dhe për djegien e mbeturinave në veçanti gomave, plastikës dhe vajrave si dhe për djegien e mbeturinave në arra të punueshme apo natyrë.

Nga monitorimi gjashtë mujor i implementimit të Udhëzimit Administrativ nga organizata “Let’s Do It Kosova” po del se gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 180 gjoba vetëm në Komunën e Prishtinës, në të shumtën për hedhjen e mbetjeve ndërtimore në hapësira publike.

Erma Karahoda

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM