Build Skills with our trainings

Sign up now!

Betejës me ajrin e ndotur duket se nuk po i vjen fundi

Jan 1, 2020

Në matjet e fundit që janë bërë me 25 dhjetor nga Airvisual, Kosova renditet e 48-ta sa i përket ajrit të ndotur, ndërsa para 2 javëve nga po e njejta faqe Kosova ka qenë e listuar në 10 vendet e para në botë me ajrin më të ndotur.

Sipas ranglistës botërore, Prishtina aktualisht është në vendin e 48-të, duke lënë pas vetes Kinën dhe Australinë.

Ndërsa, bazuar në matjet e bëra nga qendra për matjen e cilësisë së ajrit nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, vlera e ndotjes ka arritur rreth 100-150PM e që është jashtëzakonisht e pa shëndetshme.

Se niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë e përkatësisht në Prishtinë është në vlera alarmante, u vërtetua edhe nga monitorimi i fundit i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit përmes “Indeksit të cilësisë së ajrit”.

Në bazë të këtij indeksi, Kosova, përkatësisht Prishtina, herë pas here klasifikohet në vendet e para të ndotjes së ajrit, që ka kaluar normat e lejuara.

Në 2019, sipas të gjeturave të UNDP-së, 55% e qytetarëve nuk kanë fare ose kanë shumë pak njohuri se si ndotja e mjedisit ndikon në shëndetin e tyre.

Kosova ka pasur deri 3,800 vdekje të parakohshme deri në vitin 2016 si rezultat i ndotjes së ajrit (Agjencia Evropiane e Mjedisit, 2019). Analiza Mjedisore e Vendit nga Banka Botërore (CEA) për Kosovën vlerëson se ndotja e ajrit mund të shkaktojë 852 vdekje të parakohshme, 318 raste të reja të bronkitit kronik, 605 pranime në spital dhe 11,900 vizita emergjente çdo vit.

Ambasada Amerikane në Kosovë mat grimcat në ajër  çdo orë duke përfshirë pluhurinë dhe tymin.

Në vendet në zhvillim, rritja e ndotjes urbane ka rezultuar në më shumë se 2 milionë vdekje në vit (OBSH, 2014). Mbi 70-80% e ndotjes urbane të ajrit në qytetet e vendeve në zhvillim atribuohet automjeteve të vjetra, mirëmbajtjes së dobët të automjeteve, infrastruktutës jo adekuate të rrugëve dhe cilësisë së ulët të karburanteve.

Edhe Kosova po ballafaqohet me ndotjen e ajrit që një kohë të gjatë duke i përfshirë shumë qytete e fshatra.

Raste të tilla kemi edhe në fshatrat e Obiliqit, Dardhishtë, Hade, Lajthishtë e Palaj të cilët kanë një jetë të vështirë për shkak të termocentralit B.

Kjo gjendje e vështirë në Obiliq është bërë e papërballueshme. Termocentrali Kosova A, i cili është një prej ndotësve më të mëdhenjë,  thuhet se nuk do të mbyllet deri në ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Profesori i biologjisë në Universitetin e Prishtinës, Behxhet Mustafa ekspert i ambientit, thotë që janë tri burime të mëdha të ndotjes, siç është burimi nga KEK-u, nga automjetet dhe ndryshimet klimatike sezonale.

“Kemi termocentralet e vjetra rreth 50 vjet me elektofiltra jo adekuatë dhe pa mirëmbajtje të duhur të kompleksit. Burim tjetër i madh janë amviseritë që sot për nevoja të tyre përdorin thëngjillin ose drurin, në lidhje me këtë çështje ai e lë në faj pushtetin i cili ka qeverisur deri tash dhe thotë se Termocentrali i ri është vonuar për shkak të inateve dhe interesave të tyre. Sot në botë brenda vitit ndërtohen me dhjeta termocentrale, por ato ndërtohen sipas standardeve të kërkuara”, shton Mustafa.

Ekspozimi afatgjatë dhe afatshkurtër ndaj grimcave të vogla dhe gazrave në ajër që lirohen nga djegia e karburanteve ka pasoja negative për shëndetin e njeriut, lënda e grimcave PM2.5, PM10 dhe PM1 janë më të rrezikshmet.

Dion Deva, themelues i organizatës ka treguar se “Te Pema” është organizatë e gjelbër dhe ndërmarrje sociale, qëllimi i së cilës është krijimi i hapësirave të gjelbra në zona urbane, gjithashtu ai tregoi edhe për projektet që janë duke i realizuar për gjelbrimin e hapsirave të brendshme, dhe për produktin i cili është krijuar për hapësira publike sidomos në sheshe. Ky produkt ka 250 bimë që nuk kanë nevojë për mirëmbjatjen nga ndonjë person sepse ka një sistem smart për ujitje, gjithashtu ka edhe sistem të reciklimit të ujit që karakterizohet me efiqiencë të lartë që e  përdorë edhe ujin e shiut.

Deva, tha se ndër ndotësit më të mëdhenjë për organizmin e njeriut janë grimcat PM2.5, PM10 dhe PM1. Ai shton se grimcat PM 2.5 formohen në dy forma, janë forma direkte prej djegies së gjësendeve dhe formohen nga komponimet e elementeve te ndryshme. Këto grimca nuk mund të treten në sistemin tonë të trupit, nuk mund të  eliminohen nga bimë të zakonshme, njihet vetem një lloj bime që mund ta eliminojë këto grimca dhe ato janë myshqet.

Një maskë e thjeshtë nuk mbron në mënyrë të përshtatshme këto grimca të imta  dhe sidomos grimcat me një diametër më të vogël se PM 0.1 i cili është akoma më i vogël se PM2.5 ose PM10. Grimcat PM2.5 konsiderohen si rrezik më i madh sesa grimcat PM10 për shëndetin publik sepse ato depërtojnë më thellë në mushkëri.

Në Kosovë  janë duke u bërë disa fushata vetëdijësuese, dhe gjithashtu veprime, sidomos nga ambientalisët të cilët janë duke bërë aktivitete të ndryshme për të mbrojtur cilësinë e ajrit.

Përveç ambientalistëve në Prishtinë të cilët bëjnë aktivitete të ndryshme, edhe në komunat e tjera ka grupe të tilla të cilët punojnë në mënyrë vullnetare.

“Nxënësit në Gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan,  nganjëherë japin euro nga kursimet e tyre për krijimin e një ambienti sa më të mirë duke blerë vazo, lule e drunjë dekorativ. Ndihmë materiale kanë dhënë edhe stafi i gjimnazit, drejtoria, profesorët, punëtorët dhe punëtorët teknik. Për këto aktivitete është njoftuar edhe kryetari i komunës. Nxënësit ambientalistë kanë pasur një gatishmëri mbresëlënëse për të dhënë kontributin e tyre për të bërë një ambient më të këndshëm”, thotë  Fatmir Grajqevci, profesor në gjimnazin “Ulpiana”, njëkohësisht edhe ambientalist.

Përveç këtyre ambientalistëve, edhe “Instituti për Politika Zhvillimore” (INDEP), pohuan për KosovaLive se janë duke mbajtur takime të ndryshme vetëdijësuese me qytetarët.

 “Vazhdimisht angazhohemi në fushata vetëdijësusese si dhe mbajtjen e ligjeratave apo bashkëpunim me media, në mënyrë që të përçojmë mesazhet dhe të gjeturat tona të sa më shumë grupeve të shoqërisë. Në 2019, sipas të gjeturave të UNDP-së, 55% e qytetarëve nuk kanë fare ose kanë shumë pak njohuri se si ndotja e mjedisit ndikon në shëndetin e tyre. Monitoruesit e ajrit ndihmojnë në këtë drejtim akoma më shumë, si dhe projektet e aktivitetet e ndryshme nga organizatat e shoqerisë civile”, thotë Learta Hollaj.

Learta Hollaj nga INDEP thotë se “Nuk ka vetëm një metodë të vetme të mirë se si të ndryshohet mënyra se si i përdorim gjërat tona duke përfshirë automjetin, të gjitha metodat janë të duhura”.

 “Ajo që kemi nevojë është të kemi konsistencë dhe vazhdueshmëri si dhe qëndrueshmëri të veprimeve. Andaj, një ligjeratë, një artikull, një broshurë, një konferencë, apo një video në këtë drejtim – të gjitha paraqesin një mënyrë të duhur për të ngritur vetëdijen mbi çështjet mjedisore dhe ndotjen e ajrit. Ajo që do të bënte zgjidhje afatgjate dhe do të ofronte rezultate konkrete është integrimi i edukimit mbi zhvillimin e qëndrueshëm në kurrikulën shkollore.”

Megjithatë, nëse institucionet tona nuk ndërmarrin hapa të rëndësishëm që do të luftojnë këtë dukuri, atëherë mund të shihen si përgjegjëse për shumë vdekje të parakohshme dhe probleme serioze shëndetësore me të cilat do të përballen qytetarët e vendit në vitet dhe dekadat në vijim.


Diona Shala

Artikulli dhe video janë  prodhuar nga KosovaLive në kuadër të programit “Internship & Mentorship”.

Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e KosovaLive.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM