Më 24.02.2019, në Mushtisht të Suharekës, punëtori Krenar Jamini përfundoi i vdekur në kompaninë “Lab-oil”shpk. Punonjësi duke u munduar ta vë në funksion shiritin transportues që të mos dalë nga vendi, për shkak të mosnjohurive për rrezikun, i ka futur duart në cilindër pa e ndalur pajisjen/motorin që e vë në lëvizje shiritin transportues duke përfunduar me fatalitet. Sipas raportit të Inspektoratit vdekja e këtij punëtori është bërë për faj të kompanisë apo punëdhënësit, i cili nuk i ka mbajtur trajnim punëtorit për rrezikun me të cilin do të përballej.
Në një hulumtim të bërë në korrik të vitit 2017, Oda Ekonomike e Kosovës, në bazë të një pyetësori, ka nxjerrë një përqindje nga përgjigjet e kompanive lidhur me çështjen e zbatimit të Ligjit për Sigurinë në Punë. Nga pyetësori del se 425 kompani ose 85% e zbatojnë Ligjin për Sigurinë në Punë.
Mbrojtja gjatë punës, përkatësisht siguria e punës si përmbledhje e masave, normave dhe standardeve të përcaktuara për krijimin e kushteve të sigurta për punë, është kategori kushtetuese.
Ligji për Sigurinë në Punë si objekt e ka përcaktimin e masave për përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në punë.
Nevahir Hazeri, ekspert gjyqësor: “Republika e Kosovës ofron kushtet e duhura për sigurinë e punëtorit pa marrë parasysh të metat që i kanë të gjitha ligjet.”
Eksperti gjyqësor i kësaj fushe, Nevahir Hazeri pranon se nuk ka ligj të përsosur, pra edhe ligji ekzistues ka të meta.
“Po, ligji për sigurinë në punë (punëtorëve) iu ofron kushte. Nuk ka ligj të përsosur, ka me të meta, por ligjet që aplikohen në Republikën e Kosovës, mendimi im, janë të mjaftueshme për ta arritur një kualitet të lartë të kushteve të punës. Ligji për Sigurinë në Punë është i plotësuar me disa rregullore, diku rreth 10-12 rregullore që i parasheh saktë, e definon saktë secilën punë, secilën përgjegjësi, secilin obligim për secilin institucion për këtë veprim. E sa zbatohen, kjo është çështje tjetër”, thotë Hazeri për KosovaLive.
Sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, 50% e punëtorëve në Kosovë punojnë pa kontrata pune e meqenëse s’kanë kontratë nuk kanë as siguri në punë.
“Po vetë fakti që mbi 50% e punëtorëve nuk kanë kontrata pune të bën me dije, sidomos në sektorin privat, që është një tmerr i paparë. Këtu e kemi pjesën dërrmuese të kompanitë e mëdha, por edhe te kompanitë e vogla”, shton Azemi për KosovaLive.
Kjo bie ndesh me hulumtimin që e ka bërë Oda Ekonomike e Kosovës, ku, në bazë të pyetësorit drejtuar kompanive kosovare, 11.20% e punëtorëve punojnë pa kontrata pune, 84% me kontrata pune.
Numri i punëtorëve pa kontrata pune më 2016, sipas Inspektoratit të Punës ishte 1,340, më 2017 ky numër ishte 1.750, ndërsa vjet ka pasur rënie – 1,251.
Inspektorati i Punës – Shifrat përfundimtare për vitin 2018, rreth numrit të obligimeve të punëdhënësit, numrit të vdekjeve dhe lëndimeve në punë, kushteve teknike etj.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi shton se gjendja e këtyre punëtorëve është shumë e rëndë dhe as pronari i kompanisë, as qeveria nuk mban përgjegjësi ose ndonjë obligim ndaj këtyre punëtorëve.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat (SPSPK)
“Në sektorin e ndërtimtarisë është një gjendje shumë më e rëndë sepse këta punëtorë kryesisht janë punëtorë sezonalë, punëtorë të cilët nuk kanë kontratë pune, punëtorët që punojnë nga ora 07:00 deri në orën 19:00, ndonjëherë nëse e zënë puna mund të punojë edhe më gjatë, është një punë tejet e rëndë, një punë për të cilën nuk paguajnë obligimet ndaj këtyre punëtorëve, është çështje sezonale dhe fillon ndoshta në mars ose në prill e përfundon në tetor ose nëntor.”
Për më tepër, sipas tij kushtet e pavolitshme për punë në sektorin privat mund të jenë edhe një shkas për emigrimin e punëtorëve.
“Përmes kushteve të cilat ia kemi krijuar këtyre punëtorëve assesi nuk e ka qëllimin ose orientimin që të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë… Për ta është një periudhë tranzitore për të cilën presin derisa të rregullojnë dokumentacionin dhe për të ikë jashtë”, shton Azemi.
Për ekspertin gjyqësor, Nevahir Hazerin, barra e përgjegjësisë është e dyanshme.
“Ligjet që janë në fuqi të aplikueshme në Republikën e Kosovës e parashohin që përgjegjësia kryesore është mbi punëdhënësin, ai që i ka të angazhuar punëtorët. Për një sqarim më të detajuar, përpara ligjit janë të barabartë si punëdhënësi publik–shtetëror që ka për bazë shtetin, por edhe ai privat që ka bazë personin që investon. Janë të barabartë, nuk ka dallime në mes, njëri është më i favorizuar e tjetri më pak i favorizuar”, shtoi Hazeri.
Sipas një hulumtimit të Iniciativës për Stabilitet, në Kosovë më 2017, në vendin e punës kanë vdekur gjithsej 21 persona. Më së shumti fatalitete pati në sektorin e ndërtimtarisë ku humbën jetën 13 punëtorë, në sektorin e energjetikës – 1 punëtor, në sektorin e prodhimtarisë – 1 punëtor, në sektorin e shërbimeve teknike – 1 punëtor. Në të njëjtën periudhë, por nga vdekja natyrore, u shënuan edhe 5 raste fatale.
Edhe një vit më vonë numri më i madh i fataliteteve – gjithsej 12 ose 58% është shënuar në sektorin e ndërtimtarisë, në sektorin e energjetikës kanë qenë 4 vdekje, në sektorin e prodhimtarisë – 2 vdekje, në sektorin e shërbimeve publike -1 vdekje, e një vdekje u shënuar edhe në sektorin e teknologjisë së informacionit. Gjatë këtij viti nuk pati asnjë vdekje natyrore të punëtorëve.
Sipas ekspertit gjyqësor Hazerit, punëdhënësi e ka obligim ligjor që t’ia sigurojë punëtorit mjetet e punës.
“… nëse punëdhënësi nuk ia cakton, po mendoj nëse nuk ia siguron punëtorit këto mjete ai dënohet nga ana e inspektoratit. Ligji e parasheh saktë, pra ai është i detyruar që punëtorin ta trajnojë, është i detyruar punëtorit t’ia krijojë kushtet si dhe t’ia sigurojë pajisjet mbrojtëse për punë, obligative, ligji e parasheh kështu”, shton Hazeri.
Sipas raporteve të Inspektoratit të Punës në Kosovë, numri i trajnimeve për sigurinë e punëtorëve është në rënie të dukshme: ndërkohë që gjatë vitit 2016 ishin mbajtur 285 trajnime për punëtorët, një vit më vonë gjithsej 308 trajnime, ndërsa vjet janë mbajtur vetëm 68 trajnime.
Altina Bicaj
Artikulli dhe video janë prodhuar nga KosovaLive në kuadër të programit “Internship & Mentorship”.
Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e KosovaLive.