Build Skills with our trainings

Sign up now!

Student i verbër – sfidë e kosto vështirë e përballueshme

Jan 6, 2020

Shkelqim Shabani, 34 vjeçar nga Sharri i Dragashit edhe pse i verbër, disa herë në javë udhëton në Prishtinë për të ndjekur ligjëratat e vitit të tretë në drejtimin e psikologjisë në Universitetin “Hasan Prishtina”. Ai thotë se ka vullnetin për studime, mirëpo problemi me të cilin po ballafaqohet është mungesa e literaturës së përditësuar me kurrikulat e reja për personat e verbër, gjë që e bëri atë të heqë dorë nga studimet e masterit.

Megjithatë, Shkelqimi thotë se vëllau tij e ka ndihmuar në provimin pranues, duke ia lexuar pyetjet dhe shkruar përgjigjet. Ai tregon që edhe sot i nevojitet ndihma.

“Kam diktafon, kur kam mundur kam inçizuar ligjërata. Por edhe më kanë dërguar material kolegët, kanë inçizuar, ose edhe me shkrim më kanë dërguar, ndërsa dikush në shtëpi i ka lexuar. Kështu kam përfunduar vitin e parë dhe të dytin pa libra. Edhe në provime hyj me shokët, unë flas ata shkruajnë”, shprehet ai.

Arlinda Kasumi, bashkë me kolegët e ndihmojnë Shkelqimin të ndjehet i barabartë me të tjerët.

“Ne jemi psikologë. Sigurisht që Shkelqimin e kemi pritur shumë mirë, të gjithë pa përjashtime”, thotë ajo dhe shton se përpos për mësim, e ndihmojnë edhe për t’u ngjitur shkallëve deri në klasë ose e përcjellin deri te taksi në fund të ligjëratës.

Nga të dhënat që ka Shoqata e të Verbërve të Kosovës (SHVK), ku janë të evidentuar 5,000 persona të verbër, nga viti 2000 deri më tani, 60 janë regjistruar në fakultet, e prej tyre rreth 40 kanë diplomuar.

Sipas Xhavit Krasniqit, drejtor i Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim (QBMK), “Xheladin Deda” në Pejë, aktualisht janë rreth 20 studentë të verbër duke studiuar nëpër universitete dhe kolegje të Kosovës.

Ligji i Kosovës për Personat e Verbër, obligon Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të “sigurojë përdorimin e shkrimit Braille, shkrimit relievor, shkrimit me shkronja të zmadhuara dhe tekstet në teknikën akustike dhe digjitale… literaturën, tekstet dhe librat në të gjitha nivelet shkollore në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës”.

Burim Gashi, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Arsimit të Lartë, Shkencës dhe Teknologjisë (DALSHT), thotë se MASHT vitin e kaluar ka ndarë 14 bursa për studentët me aftësi të veçanta.

“Prej momentit të marrjes së pozitës si u.d. i drejtorit të DALSHT, MASHT-i nuk ka realizuar ndonjë aktivitet rreth personave me aftësi të kufizuara rreth bashkëpunimit me ndonjë organizatë ndërkombëtare, apo edhe me ndonjë universitet për punën praktike të tyre. Vetëm nëse strukturat paraprake në MASHT kanë bërë ndonjë gjë të tillë dhe unë nuk kam njohuri”, pranoi Gashi.

Drejtori i administratës në Shoqatën e të Verbërve, Mexhit Foniqi ka thënë se në mungesë të angazhimit konkret të MASHT-it, Shoqata e të Verbërve të Kosovës ofron katër shërbime që shteti është i obliguar t’i ofrojë, por nuk e bënë: shërbimet në shkrim dhe lexim në Braille, orientimin në hapësirë, mobilitet dhe shkathtësi ditore, teknologji informative asistuese për të verbër dhe trajtime psikosociale. Shkrim-leximi me Braille ofrohet për ata persona që nuk janë shkolluar dhe nuk dinë shkrim lexim.

Në Universitetin e Prishtinës aktualisht studimet i ndjekin gjashtë studentë të verbër: dy në Fakultetin Filozofik, dy në Fakultetin Juridik dhe nga një në Fakultetin Filologjik dhe të Edukimit. Ata të gjithë, pa përjashtim, ballafaqohen me mungesën e teksteve për studimet përkatëse.

Hysen Bytyqi, prorektor për mësim dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës, pranon mungesën e literaturës për studentët e verbër. Ai tregon se në një punëtori të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), është përmendur ky problem ndonëse nuk është marrë ndonjë vendim apo hap konkret.

“Ajo që neve na brengos është se nuk ka tekste me alfabet Braille, as akustike. Është  një numër tejet i vogël i literaturës. Literatura e kësaj shtrese do të duhet të jetë e freskuar me kurrikulën e re për çdo vit. Ne jemi të vetëdijshëm që kjo merr kohë dhe kërkon angazhim të personelit akademik, por edhe shpenzime”, shprehet Bytyqi.

Ai shtoi se UP-ja nuk merr buxhet ekstra për personat e verbër.

Deri tash për stafin akademik të Universitetit të Prishtinës (UP), sipas tij nuk janë planifikuar ose organizuar trajnime ligjëruese për personat e verbër, e as që ka pasur bashkëpunim me ndonjë universitet ndërkombëtar.

Hylkie Maxhuni, gjithashtu e verbër, ka diplomuar para disa viteve në drejtimin e psikologjisë në UP. Ajo sot punon në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në këndin e leximit të rezervuar për të verbërit. Maxhuni thotë se në drejtimet që këta studentë janë duke studiuar ka literaturë, mirëpo ajo është në sasi të limituar dhe nuk është e freskuar me kurrikulën e re.

“Për drejtimin e Edukimit i kemi dy libra, në Juridik 10 libra janë të inçizuara ndërsa me shkrim Braille 25 tituj. Në drejtimin Filologjik ka disa tituj por edhe ata janë të viteve të kaluara. Në Filozofik, për Psikologji janë dy libra të inçizuara në CD, si dhe në elektronikë afër 50 tituj”, thotë Maxhuni.

Në Bibliotekën Kombëtare, gjithashtu, në dispozicion të studentëve të verbër është edhe aplikacioni softuerik i “Freedom Scientific Releases” JAWS 13.0. Përmes këtij aplikacioni të gjitha librat që janë të skenuara dhe që janë online automatikisht shndërrohen në zë. Me këtë program, të gjithë literaturën universitare, që është në Microsoft Word, me tastiera të posaçme e kthen në shkrim Braille. Por për fat të keq studentët nuk mund të përdorin këtë program sepse nuk janë siguruar mjetet financiare për përkthimin e këtij programi nga gjuha angleze në gjuhën shqipe.

Problem tjetër është mungesa e skenerit, gjë që pamundëson skenimin e literaturës universitare me kurikulën e re për të verbër dhe futjen e tij në aplikacionin JAWS.

Mungesë të literaturës së freskuar me kurrikulën tregojnë se ka pasur edhe në vitet paraprake.

Hashim Llumnica, pa të pamurit ka diplomuar në drejtimin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës më 2015 dhe thotë se studimet i ka kryer vetëm falë shokut të tij.

“Përgjatë tri viteve të studimeve, për kurrikulën e vitit akademik, vetëm një libër me zë (audio) ka qenë në Biblotekën Kombëtare, ndërsa me shkrim Braille, asnjë… Zgjidhje për mua ishte shoku im që më jipte në shfrytëzim librat dhe dikush në shtëpi më inçizonte literaturën me zë”, thotë Llumnica.

Drejtori Foniqi konfirmon mungesën e literaturës në arsimin e lartë për këtë kategori. Ai njëherësh tregon raste kur kolegjet private, pa asnjë pagesë kanë regjistruar studentë të verbër dhe kanë siguruar qasjen në literaturë përmes akustikës, që ka një kosto jogjithaq të ulët..

“Një faqe me shkrim Braille kushton 22 centë. Një faqë bardhë e zi, kur shkruhet i zë 3 faqe me shkrim Braille, pra ka kosto të madhe. Kemi pasur bashkëpunim me disa gazetarë në një projekt ku kemi përkthyer në zë akustik rreth 11 tituj, me një mesatare prej 100 euro titulli. Pra, me një fond prej 1,100 euro janë botuar 11 tituj. Volumi i këtyre 11 titujve ka qenë rreth 300-400 faqe libri”, thotë ai.

Blerim Muhaxhiri, punonjës në librarinë më të madhe në kryeqendër, “Libraria Dukagjini”, thotë se në raftet e tyre nuk ka asnjë libër për të verbër dhe as që i kujtohet të ketë kërkuar dikush literaturë të tillë viteve të fundit. Ai nuk e përjashton mundësinë e porositjes së kësaj literature, ndonëse shton se kjo kufizohet vetëm në tekstet në gjuhën angleze.

Mjellma Zhuri, shefe e administratës në kolegjin “Pjetër Budi”, tregon se në vitin 2015 në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, janë regjistruar 6 studentë pa asnjë obligim financiar. Prej këtyre studentëve 2 kanë diplomuar, njëri tashmë i punësuar në Postë dhe Telekom (PTK), ndërsa 3 të tjerët nuk kanë vazhduar studimet pasi që kanë shkuar jashtë Kosovës. Të gjithë ishin studentë në drejtimin Administrim i Biznesit.

“Në fillim literatura është siguruar përmes diktafonit. Të gjithë profesorët kanë qenë të obliguar t’ju sigurojnë literaturën studentëve. Më vonë janë inçizuar nga profesorët dhe iu është dërguar atyre përmes smartfonit. Kjo ka qenë mënyra më e lehtë. Ne nuk kemi pasur kurrë ndihmë as nga institucionet kompetente si Ministria e Arsimit apo edhe ndonjë donacion”, tregon Zhuri.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë se personat e verbër kanë mangësi në të gjitha fushat.

“Personat e verbër kanë mangësi nga lirimi i tatimit, transporti, arsimimi dhe privilegje të tjera që ju takojnë. Të drejtat e njeriut në Kosovë nuk janë duke u respektuar. Po ashtu as ligji për personat me nevoja të veçanta, duke përfshirë edhe të verbërit nuk është duke u respektuar”, thotë ai.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta nga institucionet shtetërore të Kosovës, sipas Hillen Francke, nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, qasja e fëmijëve me aftësi të veçanta në arsim është shumë e ulët, 13 për qind, gjegjësisht arsimin e vijojnë 5,400 fëmijë të kësaj kategorie.

Liridon Llozani

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM