Build Skills with our trainings

Sign up now!

Braktisja e fëmijëve në rënie, interesimi për adoptime në rritje

Jan 30, 2020

A.Sh. dhe M.Sh. vëlla e motër binjak, janë fëmijë të braktisur menjëherë pas lindjes. Që prej para 20 vjetësh dhe deri tash ata nuk i njohin prindërit biologjik.

Ata thonë se e kishin kuptuar në moshën 14 vjeçare se ishin të birësuar nga prindërit adoptues.

“Gjithçka sikur u përmbysë, nuk kemi ditur si të reagonim… Kemi përqafuar shumë të dy prindërit në shenjë falenderimi që na kanë dashur e janë kujdesur për ne si fëmijë të vërtetë”, thonë binjakët.

Ata pranojnë se kaluan një kohë të vështirë deri sa u pajtuan me realitetin “e ri” në jetën e tyre. Thonë se e mira ishte se si vëlla e motër biologjik kishin njëri tjetrin dhe mundoheshin të kalonin bashkë këtë sfidë.

“Pa marrë parasysh atë që kemi përjetuar kur kuptuam, ne i kemi falë prindërit tanë biologjik dhe këtë do t’ua themi edhe kur t’i shohim ndonjëherë”, thotë M.Sh.

Të dy janë të bindur se ka pasur një arsye të fortë pse janë braktisur, por thonë se pavarësisht situatës, ndjehen shumë me fat që sot jetojnë në një familje nga e cila janë pranuar si fëmijë të tyre.

“Ka pasur shumë raste kur kemi biseduar, unë e motra, t’i kërkojmë prindërit biologjik vetëm të dimë ku janë e pse na kanë braktisur. Na duket sikur do t’i lëndojmë shumë prindërit që na kanë rritur sepse ne kurrë nuk do të largohemi nga ta pa marrë parasysh çfarë na sjellë jeta”, thotë M.Sh duke shtuar se do të vijë një ditë kur ata do t’i kërkojnë prindërit e tyre.

Për dallim nga binjakët, që për braktisje dhe adaptim kuptuan nga prindërit adaptues, nuk ndodhi e njëjta me M. Z., djalin e adaptuar të Agimit dhe Zejnepes. Edhe pse ata kishin ndërmend t’i tregonin djalit të tyre, kur të mbushte 17 vjeç, se është i adaptuar, me arsyetimin se “do të ishte më i pjekur dhe i fortë të përballojë të vërtetën”, plani nuk pati sukses.

“Kur djali ishte 12 vjeç, shokët nga lagjja ku banojmë i treguan atij se ne nuk ishim prindërit e tij. Ajo ishte dita më e vështirë dhe më prekëse për djalin dhe për ne”, thotë Zejnepja.

Agimi shton se kjo erdhi si pasojë e papërgjegjësisë së prindërve të lagjes që u mundësuan fëmijëve të tyre të dinë për rastin e djalit.

“Ai u lëndua shumë emocionalisht, gjë që ndikoi për një kohë të gjatë edhe në mosstabilitetin e tij në jetë në përgjithësi. Është ndryshe të flasësh me një fëmijë më të rritur në moshë dhe ndryshe me një 12 vjeçar”, thotë Agimi.

Brikena Krasniqi, psikologe klinike në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në Qendre Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), thotë se nuk ka ndonjë moshë të preferuar kur një fëmijë duhet të informohet se është i adaptuar. Sipas saj, kjo varet krejtësisht nga pjekja emocionale e fëmiut.

“Në momentin kur një fëmijë e kupton se është i braktisur sigurisht se do të aktivizohet ndjenja e braktisjes, e frikës, pasigurisë, por kjo mund të kompensohet nëse prindërit adaptues kanë arritur të sigurojnë një mbështetje gjatë gjithë kohës për të”, thotë ajo.

Krasniqi po ashtu thotë se në gjendje të mirë nuk janë as nënat të cilat braktisin pa dëshirë fëmijët e tyre.

“Janë emocionalisht shumë të brishta, janë në ankth, të pasigurta për të ardhmen dhe shumë lehtë mund të kalojnë në një gjendje depresioni”, thotë Krasniqi dhe shton se kanë parë shumë raste në klinikë kur nënat pas braktisjes shumë vështirë e kanë marrë veten në kuptimin e rikuperimit emocional.

Pas konsultimeve të nënave me psikologun, sipas saj shumë raste kanë rezultuar me bashkim familjar.

Sipas Hafize Hamza–Geci, punëtore sociale në Klinikën e Neonatologjisë, vetëm në vitin 2019 në këtë klinikë kanë pasur 30 raste të bashkimit familjar me njërin apo dy prindërit pas këshillimit dhe konsultimit me psikologen. Në dy raste ishin foshnjet e vdekura. Po ashtu janë trajtuar 44 raste sociale, prej tyre 14 braktisje të foshnjave.

Ajo thotë se në 90% të rasteve të braktisjes së fëmijëve, arsyeja është shtatëzania jashtëmartesore.

“Prej kësaj arsyeja kryesore që nënat braktisin fëmijët e tyre është gjendja ekonomike, janë të papunësuara, të varura nga familja dhe familja nuk i përkrahë që t’i marrin fëmijët e tyre”, thotë Hamza Geci dhe shton se mosha e nënave që braktisin fëmijët është nga 17 deri në 30 vjeçare.

Në anën tjetër, Magbule Koci, drejtoreshë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) thotë se gjatë periudhës 2016-2018, janë braktisur 98 fëmijë, ndërsa në muajin shtator të vitit 2019 janë evidentuar 22 raste të fëmijëve të braktisur.

VitiFëmijë të braktisur
201828
201734
201636

Sipas saj, deri në shtator të vitit të kaluar janë aprovuar 10 raste të adoptimit vendor dhe  2 raste të adoptimit ndërkombëtar. Vetëm nga viti 2016 deri në vitin 2018 janë aprovuar 80 raste të adoptimit vendor dhe 16 raste të adoptimit ndërkombëtar

VITIAdoptuesvendorAdoptues ndërkombëtar
201818 raste4 raste
201722 raste2 raste
201630 raste10 raste

Koci shpjegon se për t’u aprovuar një kërkesë e adoptimit, prindërit adoptues duhet të jenë shtetas dhe banorë të Kosovës, të kenë shëndet të plotë fizik dhe mendor, së paku njëri prind duhet të jetë në marrëdhënie pune, duhet të kenë të rregulluar çështjen e banimit brenda territorit të vendit… Po ashtu të njëjtat kritere duhet të plotësohen edhe nga familjet që jetojnë jashtë vendit.

“Për adoptimin e fëmijës nga shtetasi apo banori i huaj nevojitet pëlqimi paraprak i Panelit për vendosjen e fëmijëve pa kujdes prindëror në strehim familjar dhe adoptim, që funksionon në kuadër të Departamentitit të Politikave Sociale dhe Familjes (DPSF) në MPMS”, sqaron Koci.

“Edhe pas përfundimit të procesit të adoptimit në Kosovë me vendim të gjykatës themelore kompetente, DPSF për dy vitet e para pas adoptimit mban kontakte me autoritetet përkatëse”, thotë Koci duke shtuar se kjo bëhet në mënyrë që të sigurohen së paku dy raporte profesionale post-adoptive për progresin e fëmijës së adoptuar.

Aktualisht numri i kërkesave për adoptim të fëmijëve është më i lartë se sa numri i fëmijëve të braktisur.

“Në bazë të Regjistrit Gjeneral të familjeve potenciale adoptuese, rezulton se interesimi per adoptim të fëmijëve është mjaft i madh, ku në pritje janë rreth 140 familje, të cilat janë vlerësuar si potenciale adoptuese nga Qendrat për Punë Sociale komunale të vendit”, thotë ajo.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Xhevdet Gojnovci thotë se kjo klinikë i trajton të gjitha foshnjet e braktisura dhe përmes punëtorëve social, bien në kontakt me Qendrën për Punë Sociale, i strehojnë në shtëpi dhe familje që janë të evidentuara dhe paguhen nga Departamenti i Qendrës Sociale ose SOS Fshati.

“Foshnjet e braktisura e kanë një dhomë të caktuar ku janë të vendosura dhe për to kujdesen motrat edhe mjeku. Neonatologjia kujdeset për këto foshnje 28 ditë”, thotë ai.

Klevis Vaqari, menaxhere e programit të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) thotë se braktisja e fëmijëve nëse prindi nuk e dëshiron atë lejohet me ligj. Me deklaratën e prindit fëmiu merr status social si fëmijë i braktisur dhe prej kësaj mund të kalohet në procedurat procesit të adaptimit.

“Objektivat kryesore të KOMF-it janë fokusi në përmirësim të vazhdueshëm të legjiislacionit për të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre, monitorimi i vazhdueshhëm i legjislacionit, rritja e vetëdijes te familjet sa i përket të drejtave të fëmijëve”, thotë ajo.

KOMF-i përbëhet nga 29 organizata, ndërkohë që organizatat që merren drejtpërdrejt me strehimin dhe përkujdesjen e fëmijëve të braktisur janë SOS Fshati dhe Organizata për Fëmijët pa përkujdes Prindëror (OFAP).

Ibadete Krasniqi, drejtoreshë ekzekutive në OFAP thotë se numri i familjeve strehuese në Kosovë aktualisht është 39, prej tyre 25 familje kanë fëmijë në strehim e të tjerat janë duke pritur të marrin fëmijë.

“Mosha e fëmijëve që merren në strehim familjar është nga 0 deri 18 vjeç. Kur shterren të gjitha mundësitë për adoptim dhe fëmiu mbushë moshën 18 vjeçare atëherë këta vendosen në strehim rezidencial, në shtëpi të shtetit, të komunitetit”, thotë ajo.

Krasniqi shprehet se me familjet strehuese gjithmonë punohet, veç tjerash, të mos lidhen emocionalisht me fëmijët dhe preferohet që fëmiu të qëndrojë në strehim familjar nga 6 deri më së shumti 2 vite.

Ajo tregon se “kur është fjala për fëmijët me Sindromën Down apo me probleme më të dukshme shëndetësore, (ata) zakonisht nuk merren për adoptim, vetëm në rastet nëse kanë fatin që disa prej tyre të adaptohen jashtë vendit”.

Burim Behluli, drejtor Nacional për Zhvillim të Programeve në SOS Fshat në Kosovë, organizatë kjo e themeluar më 1999, deri më tash ka marrë nën përkujdesje më shumë se 1500 fëmijë.

“Më saktësisht që nga themelimi deri sot në kujdesin alternativ afatshkurtër kemi pasur në përkujdesje 489 foshnje (0-3 vjet), në kujdesin alternativ afatgjatë 105 fëmijë (3-18 vjet) dhe në programin e gjysmëpavarësimit për të rinjë 28 të rinjë (18+)”, thotë Behluli.

Ndërsa, momentalisht 6 fëmijë janë në kujdesin alternativ afatgjatë (0-3 vjet), në kujdesin alternativ afatgjatë 42 fëmijë (3-18 vjet) dhe në programin e gjysmëpavarësimit 13 të rinjë (18+).

Mosha e fëmijë të braktisur, të cilët janë të vendosur në SOS Fshat, është kryesisht nga 0 deri në 3 vjeç.

Sociologu Ferdi Kamberi thotë se braktisja e fëmijëve atakon familjen si bërthamë të shoqërisë dhe kjo përbën një shqetësim serioz.

“Konsiderojmë se si shoqëri është më shumë se e nevojshme që të kemi së pari një komunikim konstruktiv brenda familjes, për shkak se familja është agjens i parë i socializimit, është bërthamë e shoqërisë dhe komunikimi në këto raste është më se i domosdoshëm”, thotë ai.

Ai konsideron se duhet të krijohen politika të cilat përkrahin nënat e reja, pasi që edhe ashtu të dhënat tregojnë se ka rënie të natalitetit.

“Akterët e ndryshëm si niveli qendror, lokal dhe qendrat për punë sociale, duhet të punojnë me komunitetin, në mënyrë që të ketë një vetëdijesim për shoqërinë lidhur me pasojat e braktisjes së fëmijëve”, shprehet ai.

Lushe Jusufit, kryeinfermiere në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK i kujtohen të gjitha rastet e braktisjes që i kanë pasur prej të parit deri te i fundit.

“Është ndjenjë shumë e dhimbshme kur e sheh një fëmijë që prej lindjes është i vetëm, pa prind, i braktisur, edhe pas gjithë përvojës vazhdon të jetë shumë e rëndë. Ka pasur raste më përpara kur këta fëmijë kanë qëndruar më gjatë se 28 ditë në klinikë, ne jemi lidhur emocionalisht shumë me ta”, thotë Jusufi.

Si një infermiere me përvojë 41 vjeçare, këshillon nënat e reja që të shkojnë më shumë në këshillimore, të bëhen të zonjat e vetes që të jenë në gjendje vetë të kujdesen për fëmijët e tyre, të mos vijë puna deri të lindja dhe braktisja e tyre.

Sipas legjislacionit të Kosovës (Neni 7 i Ligjit mbi ndërprerjen e shtatëzanisë), çdo abort pas javës së dhjetë (10) është në kundërshtim me Ligjin e Shëndetësisë dhe duhet të bëhet me komision shëndetësor profesional. Aborti, nga ana tjetër, është i lejuar në raste të dhunimit, marrëdhënieve të padëshiruara të femrave të cilat janë viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit seksual të detyruar, marrëdhënies seksuale me të mitur ose incestit.

Elvira Agushi

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM