Edhe nëse i përfundojnë studimet në ndonjërin nga universitetet publike apo private, kjo nuk përbën garancë se ata persona do t’ia dalin edhe të punësohen. Një numër i tyre kryesisht i pret “do kohë të tjera”, të tjerët e kanë drejtuar shikimin “drejt Perëndimit”, ndërsa të tretët, të cilët situata nuk i lejon të presin ose të zgjedhin punën, për ta siguruar ekzistencën pranojnë çfarëdo pune.
Fatin e njëjtë e ndajnë edhe nxënësit e shkollave profesionale në Kosovë. Vetëm një numër i madh sish ia del që pas kryerjes së punës praktike në ndonjë sipërmarrje edhe të punësohen.
Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në vitin 2017/2018 nga 86,813 nxënës të regjistruar në nivelin e mesëm të lartë, 53% i kanë ndjekur shkollat e arsimit dhe aftësimit profesional (AAP).
Sipas hulumtimit që e ka realizuar në muajin prill të vitit të kaluar Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim (KEEN) “Arsimi dhe Aftësimi Profesional (AAP) në Kosovë: Sfidat dhe mundësitë”, në vitin 2014, numri i nxënësve të regjistruar në shkollat profesionale ka qenë 41,940, ndërsa në vitin 2018 në 66 shkolla profesionale sa ekzistojnë në Kosovë, numri i nxënësve të regjistruar është rritur dhe e ka arritur numrin prej 46,205 nxënës.
Megjithatë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 shkalla e papunësisë për vajzat që kanë përfunduar shkollën profesionale ishte 38.2%, ndërsa për djemtë 31.3%.
Shkolla profesionale “Shtjefën Gjeçovi”, një nga 8 shkollat profesionale në Prishtinë, u ofron nxënësve të interesuar 13 programe për aftësimin (teorik e praktik) profesional.
Blerim Gërvalla, drejtor i kësaj shkolle, thotë se aktualisht këtë shkollë e ndjekin 870 nxënës, 30 për qind prej të cilëve janë femra dhe shton se çdo vit që në afatin e parë të regjistrimit e plotësojnë kuotën për profilet e tekstilit, automekanik dhe instalues të ngrohjes dhe klimatizimit.
“ … Para pesë vjetëve ka qenë një situatë shumë kritike sa i përket numrit të nxënësve të regjistruar në shkollën tonë, po ashtu kemiregjistruar nxënës edhe në muajin nëntor, për t’iplotësuar vendet boshe dhe për plotësimin e normave të mësimdhënësve. Por, fatmirësisht, që nga viti 2015 këtë problem e kemi tejkaluar dhe sot interesimi është jashtëzakonisht i lartë. Të them të drejtën, në tre vjetët e fundit edhe refuzojmë nxënës nga klasifikimi që bëhet nga formula kompjuterike në profilet për automekanikë, instalues të ngrohjes dhe rrobaqepësi, pra, nga këto profile ne duhet të kthejmë nxënës për shkak se nuk ka vend për t’u pranuar”, thotë Gërvalla.
Ai shton se interesimin më të madh nxënëset e shfaqin për profilet tradicionale, siç është dizajni i modës dhe rrobaqepësia, por edhe në drejtime si dirigjimi kompjuterik i makinave.
Shkolla “Shtjefën Gjeçovi” nuk ballafaqohet me problemet që i kanë disa shkolla të tjera profesionale, posaçërisht kur bëhet fjalë për ndjekjen e mësimit praktik të nxënësve, ndërsa arsye kryesore janë pajisjet e shtrenjta për profile të caktuara, si p.sh. për profilin e mekatronikës apo aparatura të prodhimit, ku një makinë ka vlerë disa milionëshe për një profil të ekonomisë, për dallim nga puna praktike në fushën e bankave dhe financave ose tregtar i shitjes me pakicë, ku duhet vetëm një kompjuter dhe printer.
Krahas praktikës në shkolla, nxënësve u mundësohet edhe puna praktike në kompanitë (ndërmarrjet) kosovare.
Sipas KEEN-it, praktika profesionale në kompani duhet të ofrojë një mjedis mësimor të fortë dhe me cilësi të lartë, që iu mundëson nxënësve të fitojnë aftësi praktike me ndihmën e trajnerëve që njohin metodat e punës dhe teknologjinë e fundit.
“Megjithatë, nga intervistat me shkollat e AAP dhe bizneset kuptohet se në praktikë, praktika profesionale dhe mësimi praktik nuk realizohen në mënyrë efektive ashtu siç do të duhej të ishte. Si rezultat, nxënësit nuk i fitojnë aftësitë e kërkuara për punë”, theksohet në Raportin e KEEN-it.
Një nga arsyet është se kompanitë edhe krahas gatishmërisë nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të pranuar një numër më të madh nxënësh për punë praktike, po edhe kur e fillojnë atë, ajo më së shpeshti nuk është e planifikuar mirë dhe nuk bazohet te plani dhe programi shkollor. Kështu, thuhet në Raport, puna praktike në fund kryhet ose me një vizitë ose me përcjelljen e procesit të punës, e më së paku me angazhimin e nxënësve në procesin e prodhimit.
Një problem tjetër është mungesa e literaturës dhe materialeve të tjera të nevojshme për ofrimin e mësimit praktik në punëtoritë e shkollave, për shkak të buxhetit tepër të vogël të cilin e kanë në dispozicion shkollat profesionale. Një pasojë e drejtpërdrejtë e praktikës jokualitative është se këta nxënës do të futen në tregun e punës pa shkathtësitë e duhura ose me shkathtësi tepër të vogla.
Megjithatë, problem më i madh është se nuk ka një koordinim të mirë midis institucioneve kosovare, shkollave profesionale dhe biznesit.
Besim Mustafa, drejtor i Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Odën Ekonomike të Kosovës thotë se ende nuk ka ndonjë kulturë në këtë drejtim edhe nga institucionet, por edhe nga bizneset, sepse mënyra më e mirë për ta arritur objektivin e caktuar dhe misionin për një ekonomi të zhvilluar është kur ka biznese dhe shkolla që dakordohen në mënyrë të përbashkët në mënyrë që të rritet cilësia e arsimit.
“Mangësitë e shkollave profesionale janë se profilet nuk korrespondojnë me ekonominë lokale apo edhe nacionale. Ka një përditësim të materialeve mësimore dhe nuk ka një parapërgatitje,sepse shkollat profesionale në njëfarë mënyre duhet ta bëjnë këtë përgatitje për tregun dhe ta përcjellin në praktikë. Fatkeqësisht kjo hallkë nuk funksionon dhe shkollat kanë mangësi të ndryshme, qoftë në aspektin e menaxhimit të brendshëm, por edhe komunikimit të jashtëm”, thotë Mustafa.
Oda Ekonomike e Kosovës në vitin 2011 ka vendosur që të themelojë një departament pikërisht për arsim dhe aftësim profesional, ku po mban trajnime që kanë të bëjnë me kompetenca dhe shkathësi të caktuara në profile të caktuara.
“Aty janë mbi 60 module. Në bashkëpunim me austriakëttrajnohen në aspektin e eksportit dhe importit, në fushën e përpunimit të metaleve. Ndërsa në bashkëpunim me partnerët gjermanë mbahen trajnime në fushën automekanike. Kohëzgjatja e trajnimit lëviz në bazë të programit dhe kërkesave programore prej dy ose tre ditore deri në katër vikendëshe, 120 orëshe, 56 orëshe dhe 32 orëshe. Misioni ynë është për një ekonomi më të zhvilluar, me punëtorë të shkathët dhe kjo nuk arrihet brenda ditës, por me një afatgjatësi dhe përgjegjësi të institucioneve dhe Odës Ekonomike. Por edhe bizneset janë vende të mësimit, sepse nxënësit mësojnë çështje praktike në vendin e punës”, thotë Mustafa.
Për të mundësuar kontaktin direkt të bizneseve dhe kadidatëve që kërkojnë punë, Oda Ekonomike e Kosovës në vitin 2019 ka krijuar platformën të quajtur “Platformë për praktikë profesionale” www.aap-oek.org.
Mustafa spjegon se Platforma është konceptuar ashtu që të gjitha shkollat dhe bizneset të kenë një lloj interaktiviteti duke e konsideruar që po shkojmë nga digjitalizimi dhe këtu mund të krijohet një kontakt me kandidatët dhe bizneset. Tani planifikojnë edhe krijimin edhe të një platforme ku do të bëhet përcaktimi i shkathtësive për sektorë të veçantë.
“Në platformë bëhet regjistrimi i kandidatëve dhe regjistrimi i bizneseve: mund të aplikojë një kandidat për një regjion të caktuar, kurse bizneset mund të regjistrohen duke shprehur interesim për nxënës të këtij profili dhe mandej vetë sistemi do t’i ndërlidhë kandidatët me biznesin. Në këtë mënyrë nuk ka nevojë të ndërmjetësojë askush, por këtë e bën platforma e cila është bërë me përkrahjen e qeverisë gjermane”, ka shtuar Mustafa.
Një shembull i mirë i shkollës profesionale është Bau Academy, shkollë e mesme profesionale e modelit gjerman, e bazuar ne sistemin dual te mësimit praktik dhe teorik.
E themeluar në vitin 2017, Bau Academy është projekt gjermano-kosovar dhe është pjesë e Al Trade Holding. Është e pajisur me laboratorë modernë të pajisur me mjete dhe material pune te përshtatshme për marrjen e njohurive praktike dhe ofron gjithashtu, për të gjithë nxënësit e vet, që një pjesë të praktikës ta kryejnë në kompani private në Kosovë dhe në Gjermani. Në këtë mënyrë, Bau Academy do bëjë lidhjen në mes të aftësimit profesional dhe kërkesave reale të tregut, duke ofruar zanate për drejtimet instalues elektrik, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues i ujësjellësit dhe kanalizimit, metalpunues dhe saldues, si dhe në drejtimin e ndërtimtarisë.
Edhe Bashkimi Europian (EU) ka miratuar një donacion prej 3,8 milionë euro, me qëllim që të forcojë lidhjen në mes të sektorit të arsimit dhe nevojave të tregut të punës, me theks të veçantë në Arsimin dhe Aftësimin Profesional.
EU e mbështet financiarisht edhe Rrjetin e Kosovës për Arsim dhe Punësim (KEEN), respektivisht koalicionin strategjik të katër organizatave të shoqërisë civile me seli në Kosovë: Qendra për Arsim e Kosovës (QAK) në bashkëpunim me Balkan Sunflowers Kosova (BSFK), Agjencia Kosovare për Promovimin e Punësimit (AKPP), Akademia e Trajnimit dhe Asistencës Teknike (ATAT) dhe Stichting SPARK), të cilat janë të fokusuara në arsim, punësim dhe politika sociale. Më konkretisht, KEEN synon që të sinkronizojë programet arsimore dhe trajnuese me nevojat e tregut të punës. Aktivitetet për ngritje të kapaciteteve përfshijnë programet trajnuese, këshillat e ekspertëve, të mësuarit nga bashkëpunëtorët dhe këmbimi i përvojave.
Ligji për Arsimin dhe Aftësimin Profesional thotë se qëllimi i tij “…është tё rregullojё sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional formal në përputhje me nevojat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, përfshirë ndryshimet ekonomike dhe teknologjike, kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e individëve gjatë tranzicionit drejt ekonomisë së tregut, duke shfrytëzuar në mënyrë optimale burimet financiare, njerëzore dhe të infrastrukturës”.
Nga ana tjetër, investimet e Ministrisë së Arsimit të Kosovës për zhvillimin e shkollave profesionale janë gati simbolike. Sipas KEEN-it, nga buxheti prej 73 milionë eurosh i MASHT-it për vitin 2019, vetëm 3.6 milionë euro — ose 5% — i është ndarë Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve, me 59,000 euro shtesë nga të ardhurat vetanake.
Erma Karahoda – KosovaLive