Build Skills with our trainings

Sign up now!

MURALET: Jo vetëm ngjyra në qytet

Pri 10, 2020

Disa dekada më parë grafitet, mbishkrimet e thjeshta, në të shumtën me porosi, proteste a adhurimi, që nganjëherë përcilleshin edhe me ilustrim/vizatim, në qytetet më të mëdha shfaqeshin gjatë natës, ndërsa autorët e tyre, për shumë arsye, mbeteshin anonimë.

Kjo ishte një formë bazike e asaj që më vonë u shndërrua në artin mural. Atëbotë nuk ekzistonte ndonjë ligj apo rregullore që do t’ua mundësonte artistëve të talentuar, amatorë ose profesionistë, që në mënyrë legale, nëpërmjet artit mural t’i shprehnin ndjenjat e momentit, respektin ndaj ndonjë personaliteti, cinizmin, qëndrimin afirmativ apo humorin ndaj ndonjë dukurie, ose thjesht ta japin një mesazh.

Arti mural sot është edhe legal, për më tepër, sidomos në mjedise urbane, edhe inkurajohet. Në Kosovë tani ekzistojnë disa organizata joqeveritare që i tubojnë artistët e rinj, të cilët me mjeshtërinë e tyre e zbukurojnë hapësirën gri të objekteve gjysmë të rrënuara ose nënkalimeve, rrethojave të vrazhda prej betoni pranë rrugëve, muret e institucioneve apo kafeterive.

I riu mitrovicas, Bardhyl Dobroshi, me miqtë e tij në vitin 2015 themeloi organizatën joqeveritare “Futja Ngjyrë”. Ai kujton si me miqtë e tij, dëshironte t’ia ndryshonte pamjen qytetit të dikurshëm industrial. Bashkërisht ta ndryshonin pamjen gri të godinave dhe rrugëve, t’i jepnin ngjyrë dhe gjallëri qytetit. T’i largonin nga muret pllakatet e këngëtarëve tallava dhe liderëve politikë. Ta largonin atë “bajatizëm”, siç e emërtonin në zhargon, atë pamje depresive të qytetit të tyre.

“Pas dy kafeve edhe dy pakove të cigareve, u dorëzuam edhe si ‘punkera’ të vërtetë thamë ‘Futja’. Prej kësaj lindi ideja me ia lënë grupit emrin ‘Futja Ngjyrë’, që për mendimin tonë e pasqyronte më së miri atë ndjenjën që e ka secili i ri i Mitrovicës”, thotë Dobroshi.

Vizatimet e para i bënë si një grup joformal dhe atëbotë pajisjet e domosdoshme, ngjyrat dhe brushat, i kishin blerë me mjete vetjake. Një kohë më vonë morën mbështetje financiare nga disa biznese.

“E morëm edhe një zyrë me qira, një lokal të vjetër të mbushur me myk. Aty filluam punën dhe planet afatgjata, ku një ndër planet ishte edhe themelimi i Festivalit me emrin ‘Nomad’”, tregon Dobroshi.

Qëllimi nismëtar i Festivalit ”Nomad” ishte promovimi i Mitrovicës, si një vend që ia vlen të vizitohet, por pjesëmarrës i këtij aktiviteti ishte vetëm grupi që e kishin themluar. Që vitin e ardhshëm, festivali tuboi më shumë artistë, por edhe siguroi mbështetje financiare të aktiviteteve.

“Në atë kohë sa pat përfunduar liqeni akumulues në Mitrovicë. E ka pasur edhe një mur të betonit, mur i mirë, po që ia prishte hijeshinë liqenit. Prandaj vendosëm ‘me i grah’ punës, ‘me e kthy një muri palidhje’ në një vend artistik, ku kanë m’u ndalë vizitorët dhe me ‘shkrep’ ndonjë ‘selfie’. Filluam t’i bëhemi ‘tullusum’ donatorëve potencialë, derisa Ambasada Amerikane vendosi me e përkrahë projektin tonë. Dhe, qe ku jemi: gati 1 kilometër mur i vizatuar, me 35 pjesëmarrës dhe nja 1,000 selfie”, rrëfen Dobroshi.

Në festivalin me moton “Të ndarë nga lumi, të bashkuar nga arti”, për herë të parë, morën pjesë edhe artistët muralë serbë nga veriu i Mitrovicës, duke dëshmuar edhe një herë se arti nuk njeh kufij dhe nuk njeh kombe.

Një organizatë tjetër “Qendra për Zhvillimin e Artit – Q’Art” me seli në Prishtinë, që gati katër vjet punon në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkulturore midis vendeve të ndryshme, fuqizimin e industrisë kreative dhe promovimin e formave të ndryshme të artit, ka organizuar dy festivaleve të artiti mural – “Meeting of Styles – MOS” dhe “Guerilla Art Festival – GAF”.

GAF kishte filluar në vitin 2015 si rrjedhojë e një hulumtimi dhe trajtimi i hapësirave të ndryshme nga disa grupe një vit më parë. Festivali “ Guerilla”, trajton hapësira të kufizuara, për shkak se ka një numër të limituar të artistëve që mund të kontribuojnë.

Sivjet, në edicionin tashmë të pestë të tij, do të trajtohen dy mure në qendër të Prishtinës, pos tjerash edhe nga dy emra të njohur në skenën e “street art-it”.

“Ndryshe nga ky, festivali Meeting of Styles ka një rrjet shumë më të gjerë dhe pranon më shumë se 300 aplikacione nga të gjitha vendet e botës, prej nga përzgjidhen rreth 100”, tregon Agon Xhelili, drejtor i Q’Art.

Secili edicion i festivaleve ka nga një temë të caktuar. Për GAF, temën e përcakton ekipi udhëheqës i festivalit me udhëheqësin Jetik Doli. Tema për edicionin e radhës, i cili do ta mbahet në qershor të këtij viti është “Çikat e shpisë”. Për Fstivalin MOS, që sivjet mbahet nga 26-28 korrik, pranë stacionit të trenit, përcaktimin e temës e bën ekipi themelues nga Gjermania, e këtë vit do të jetë “Global Idol”.

Prioritet i Q’Art është përfshirja e artistëve vendas krahas atyre të huaj në këto aktivitete si bashkërealizues, si dhe përfshirja e të rinjve nëpër punëtori të artit, si “Grafitti art academy” dhe “Calligrafitti.

Deri tani, kjo qendër ka sjellë 179 artistë të huaj dhe ka përfshirë 46 artistë nga vendi.

Adam Kirsch nga Hungaria i njohur me nofkën Fat Heat, një nga artistët ndërkombëtarë, pjesëmarrës i Festivalit “Guerilla”, më 2017, në bashkëpunim me artistin tjetër Trans-One, krijoi muralin “Dr. Rat” (“Dr. Miu”) në murin e jashtëm të Fakultetit të Kimisë.

“Të gjitha reagimet që i kemi marrë, pa përjashtime, kanë qenë pozitive. Më pëlqen t’i dëgjoj interpretimet e njerëzve të tjerë për veprat tona, sepse mendoj se kjo është pjesa më e mirë në krijimin e artit vizual”, thotë FatHeat i cili konsideron se është mirë t’u lejohet njerëzve t’i mbushin muralet me përmbajtjet e tyre personale.

Ndryshe, muralet nga këto festivale dhe të gjitha muralet, në përgjithësi, adresat se ku gjenden në Prishtinë dhe realizuesit, mund të shihen në uebfaqen prishtina.streetartcities.com, përgatitur nga Agon Xhelili.

“Rruga B” aktualisht është zona më e pasur me murale në Prishtinë.

Basri Halili, banor i lagjes “Bregu i Diellit”, pjesë e së cilës shtrihet përgjatë kësaj rruge, thotë se muralet në “Rrugën B” i kanë dhënë gjallëri dhe hijeshi asaj pjese të qytetit.

“Duke qenë se ajo pjesë e lagjes ka qenë e veçuar dhe jo edhe aq e shfrytëzueshme për shkak të kanalizimit dhe papastërtisë, tani që është rregulluar me murale, jo vetëm që është zbukuruar, por edhe ka më tepër qarkullim dhe është më tërheqëse për vizitorët”, shprehet Halili.

Sot për të krijuar një mural në ndonjë hapësirë të caktuar, së pari duhet marrë leje. Në hapësira të banuara, fjalën kryesore e kanë banorët, por ka edhe objekte të mbrojtura me ligj dhe objekte të tjera ku nuk jepet leja apo pëlqimi për ndërhyrje, qoftë edhe artistike.

“Në secilin rast kërkesa mund të fillojë duke iu drejtuar Komunës së Prishtinës dhe pastaj të ndiqen hapat që ata i udhëzojnë. Sektori i Shërbimeve Publike i menaxhon hapësirat publike në qytet. Pra, kjo drejtori në bashkëpunim me drejtoritë tjera i shqyrtojnë kërkesat për leje dhe e japin pëlqimin ose jo”, tregon Xhelili.

Në kuadër të Festivalit FemArt në maj të vitit të kaluar, disa studente, kryesisht nga Fakulteti i Arteve, arritën ta marrin lejen për krijimin e një murali prapa Pallatit të Rinisë.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Renea Begolli, që studion pikturën, e cila pas këtij Festivali, e krijoi edhe muralin e vet, në objektin e “Termokiss-it”.

“Në Festivalin FemArt ka qenë ideja e krijimit të një vepre nga studentet e fakultetit dhe t’i jap një pamje te re asaj pjese të Prishtinës. E gjithashtu, të bëhet një fuqizim i botës femërore përmes artit të muralit. Mundësi të tilla për artistet e reja nuk jepen shpesh, prandaj për mua ka qenë me rëndësi të marr një përvojë të tillë”, thotë Renea.

Për Renean muralet paraqesin një mundësi të mirë për shpërndarjen e mesazheve të rëndësishme.

“Njëri, si një simbol fuqizimi dhe rrugëtimi të cilin gratë e kanë drejt arritjes së qëllimeve të tyre, e tjetër në aspektin se si shoqëria jonë është çdo ditë edhe më e varur nga teknologjia dhe humbja e emocionit njerëzor”, shton ajo.

Artisti Asdren Spahija, i cili kohëve të fundit iu bashkua trendit të muraleve, artin e konsideron shqisë të gjashtë, e jo një mjet robotik që duhet nxitur.

“Murali është një formë e artit. Jo vetëm kjo formë më definon si artist, por është një medium i cili është në trend dhe ka marrë vëmendje”, shprehet Spahija.

Pjesëmarrja në rrjete sociale thotë se i ka mundësuar krijimin e një audience më të madhe, njëherësh edhe ka shtuar kërkesat për angazhimin e tij me pagesë. Por ai thotë se ka arritur një balancim mes financave dhe pasionit.

“Artin fillimisht e bëj për nevoja vetjake, pasi që e përdori si formë meditimi dhe reflektimi në këndvështrime të ndryshme. Nuk kam dëshirë që arti im të komercializohet. Çfarëdo oferte që më ofrohet, nëse nuk ndihem mirë dhe i inspiruar, nuk e realizoj”, thotë Spahija.

Në mesin e qyteteve më të mëdha në Kosovë, i njohur për murale është edhe Ferizaji, ku çdo vit në festivalin “Mural Fest Kosovo” marrin pjesë deri 150 persona, kryesisht të rinj dhe artistë vendorë e ndërkombëtarë.

“Me murale, pas ‘Kamarierit’ te Hotel Lybeten viti 1967, kemi filluar prej vitit 2004 me muralin e parë. Më pas, në vitin 2014, për 8 Mars, kemi realizuar një mural vetëm me femra artiste, pastaj një seri me murale e grafite kryesisht të vogla me moton ‘T’i japim ngjyrë qytetit’. Me një fjalë, murale janë realizuar mjaft shumë. I kemi realizuar diku 20 punime me dimensione të mëdha e mesatare, pa i llogaritë grafitet më të vogla”, tregon Lebibe Topalli, drejtoresha ekzekutive e “Mural Fest Kosovo”.

Mural Fest, përveç lëvdatave e kritikave pozitive, e ka fituar edhe çmimin e vlerësimit nga Komuna e Ferizajit.

Ata tash janë në përgatitje për edicionin e katërt “Mural fest’19” që do të mbahet nga 10-17 korrik dhe do të ketë temën “Me Art për Tolerancë”. Interesimi për këtë festival është vazhdimisht në rritje.

“Mural Fest ka rezultuar me ngritje të cilësisë në të gjitha aspektet, në ato organizative e në veçanti cilësi artistike në murale. Edhe interesimi është shumë më i madh, me vetë faktin se në email na vijnë kërkesa të shumta nga artistë të ndryshëm ndërkombëtarë për t’u bërë pjesë e këtij festivali”, shton Topalli.

Në kuadër të “Mural Fest-it” organizohen edhe punëtori, ekspozita, grafite, debate, ligjerata, koncerte, etj., për të gjithë të rinjtë.

“Muralet bëhen në hapësira publike dhe synojmë që veprat të jenë sa më cilësore. Për më tepër, dihet edhe fakti se të rinjtë e moshës jomadhore nuk lejohen të rrezikojnë të punojnë në hapësira e lartësi skelesh apo diçka te tillë”, thotë Topalli.

Alberita Zuka, një vajzë 22 vjeçe nga Ferizaji, thotë se muralet i kanë dhënë shpirt qytetit të saj.

“Muralet janë punuar në disa objekte të cilat bien më shumë në sy, e që më parë kanë pasur një pamje të zymtë. Tash është bërë shumë bukur, më kënaqen sytë kur i shoh”, shprehet Alberita.

Trendi i muraleve tash së voni, ka “prekur” edhe shkollat: në gjimnazin “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë, tre nxënës artistë, Aida Redzepagic, Florenta Kadriu dhe Sulejman Gashi, vendosën të bëjnë murale në objektin e shkollës, me qëllim që ta bëjnë atë sa më të këndshëm për mësim dhe socializim.

“Secili ka shprehur ndjenja në murale me vizatime te ndryshme dhe ngjyra te dhezta, e me të cilat shpresojmë që do të inspirohen njerëzit e tjerë”, thotë Aida.

RINA KRYEZIU me Leonita Mjeku, Mirandë Plakiqi, Shqipe Vishaj

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

“C*kli m*nstrual”

“C*kli m*nstrual”

Aq shumë eufemizma. “Të kuqet”, “ato”, “tezet”. Më lehtë të vjen kur i mbështjellë pecetat higjienike me qese rrugës...

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM