Build Skills with our trainings

Sign up now!

Arti si agjent ndryshimi të perceptimit të komunitetit LGBTI

Pri 15, 2020

Linda Gusia, sociologe rikujton se dashuria homoseksuale ka ekzistuar nëpër etapa të ndryshme historike dhe a pranon shoqëria jonë apo jo edhe në Kosovë personat LGBTI gjithmonë kanë ekzistuar në një përqindje të caktuar.

“Kush e ka pasur pushtetin edhe i ka kriju rregullat dhe ka vendosur se ku duhen të dalin haptas pjesëtarët e këtyre komuniteve dhe ku jo. Në kohën e Perandorisë Osmane është konsideruar që shumë nga personat më të fuqishëm apo me pozita kanë qenë homo apo biseksual “, tha Gusia.

Ajo tregon se për praninë e komuniteteve LGBTI në Kosovë, para shumë dekadave kur ka qenë temë tabu, folkloristët krijuan disa këngë në të cilat përmenden komunitetet, veç me një fjalë më popullorçe; |dylber”. Refreni që më së shumët kujtohet: “Ka çelë trëndafili te dera, hajde Dylber se ka ardhë pranvera”.

Arti sot, thotë Gusia është bërë një formë e shprehjes dhe tani më shumë shprehet përmes ativizmit në shoqëri.

Përmes artit dhe aktivizmit tenton të luftojë për të drejtat e këtyre komuniteteve edhe Adelina Tërshani, aktiviste për të drejtat e njeriut.

“Pavarësisht sfidave, çka unë tentoj të përçoj te publiku është informacioni se personat LGBT po ashtu duhet të gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj, rrjedhimisht, të trajtohen me dinjitet nga shoqëria jonë. Me rëndësi e kam që gjithmonë ta bëj të qartë me avoku për të drejtat e grave që i bie që të përfshij edhe gratë lezbike, biseksuale, transgratë e të tjera, duke kërku trajtim të barabartë të tyre në shoqëri”, thotë Tërshani.

Në dy vitet e fundit në Kosovë kjo kauzë mori një rrjedhë mjaft kreative dhe më të kapshme për publikun, përmes një shfaqjeje teatrale dhe një filmi artistik, që në fokus i kanë personat LGBTI dhe jetën e tyre në Kosovë, vepra që patën jehonë edhe përtej këtyre kufijve tanë.

Autori/skenaristi i shfaqjes “55 shades of gay”, Jeton Neziraj pohon se komunitetet LGBTI përballet me sfida të shumta në Kosovë. Sipas tij, në vitet e mëhershme, gjithashtu edhe tani, këto komunitete janë cak i sulmeve nga qytetarët e Kosovës. Po ashtu, thotë ai, edhe politika por shpesh edhe organizatat joqeveritare i shkelin të drejtat e këtyre komuniteteve.

“Refuzimi i kërkesës për martesë të një çifti homo, komentet homofobike në rrjete sociale dhe zyrtarët komunal të cilët deklaruan se nuk është paraqitur një kërkesë e tillë, më kanë inspiruar për të shkruar një shfaqje të tillë. Lexuesi ose shikuesi do t’i gjejë në dramën ’55 shades of gay’ shumicën e këtyre rrëfimeve, sfidave e problemeve”, thotë Neziraj.

Shfaqjen e quajti “55 shades of gay”, i frymëzuar nga titulli i filmit “50 shades of grey” ndërkohë që ajo ka edhe një nëntitull tjetër – “Pranvera ballkanike e revolucionit seksual”, si një referencë ironike e realitetit artistik që përshkon këtë dramë.

“55 shades of gay’ është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Europë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së. Shpesh shfrytëzojnë termin homofob për të vjelur fonde e realizuar projektet e tyre të shpifura”, shtoi Neziraj.

Neziraj pranon se kur filluan realizimin e shfaqjes në Prishtinë, i gjithë stafi ndiente pasiguri sepse nuk dihej se si do të priteshin nga publiku.

“Për premierën e shfaqjes lajmëruam policinë dhe ajo erdhi. Dhjetra policë ishin brenda në sallë dhe jashtë, përreth teatrit. Asgjë nga ajo frikë e jonë nuk ndodhi, fatmirësisht. Premiera u dha dhe nuk u shënua asnjë incident dhe kjo vërtetë ishte një befasi e këndshme, një triumf dhe shenjë se shoqëria kosovare po emancipohej për sa i përket të drejtave të komuniteteve LGBTI“, tha Neziraj.

“55 shades of gay” për herë të parë është shfaqur në vitin 2017 në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, e pastaj edhe në Shqipëri, Serbi, Maqedoni dhe Çeki. Në mars të vitit 2019 kjo shfaqje arriti edhe në teatrin off-Broadway La MaMa, në Nju-Jork.

Kjo shfaqje u financua nga Olof Palme International Center dhe Goethe Institute.

Arbër Selmani, aktivist për të drejtat e njeriut, tregon se shfaqja “55 shades of gay”, dhe suksesi i saj në botë po tregon sa përmbajtje ka kjo shfaqje, e cila e ka trajtuar komunitetin në një formë mjaft satirike e njëkohësisht të bën të qeshësh e të qash.

“Filmi i cili trajton komunitetin LGBT, ose një komponentë të këtij komuniteti është shfaqur në kinemanë më të madhe në vend dhe më vjen mirë që së paku ata që nuk kanë pasur informacione ose kanë qenë të pavendosur në pozicionimin e tyre karshi komunitetit, e kanë parë se ky është veç një komunitet i thjeshtë, normal, që nuk kërkon asgjë pos pranimit, por në fakt nuk ia ka borxh askujt as pranimin”, thotë Selmani.

Sipas tij, shoqëria shqiptare ka shumë urrejtje, e kjo mbështetet pjesërisht në faktin që këta njerëz jetojnë brenda kutive, nuk duan ndryshim sepse as jeta e tyre nuk ka fort ndryshime gjatë rrjedhës së saj, dhe nuk dëshirojnë të pranojnë faktin se gjithçka po bëhet dinamike dhe definitivisht më fluide se më herët. Shoqëria shqiptare është mburrur gjithmonë me familje, e në fakt, thotë ai nuk ka familje më të përçarë dhe të shthurur se vetë familja shqiptare.

“Kultura dhe arti mund të ndihmojnë të zbusin urrejtjen që vjen prej të gjitha qarqeve. Ka tentime të artistëve që të rreken me këtë temë në krijimet e tyre dhe kjo i bën mirë komunitetit e sidomos të rinjve që çdo ditë ngacmohen prej shokëve e shoqeve të tyre për shkak të orientimit të tyre seksual apo edhe faktit se janë më ndryshe se të tjerët”, tha Selmani.

Një realizim tjetër artistik, filmi i vitit 2018, “Martesa” me regji nga Blerta Zeqiri, trajton vështirësitë e personave LGBTI në Kosovë – dashurinë si një ndjenjë të pastër dhe të sinqertë, e cila ngulfatet nga sterotipet dhe paragjykimet e shoqërisë.

“Mendoj se artisti është agjent i ndryshimeve që ndodhin në shoqëri dhe si i tillë shpesh ngacmohet dhe trajtohen tema të cilat janë të patrajtuara si duhet apo edhe të patrajtuara fare. Kam punuar 5 vite në filmin ‘Martesa’ dhe një vit në promovimin e tij. Mendoj se i kam thënë të gjithat në film”, tha Zeqiri.

Aktori në filmin “Martesa”, Genc Salihu pranon se aktrimi në këtë shfaqje kishte qenë jashtëzakonisht sfidues si proces, por më së paku për shkak të rolit të tij të personazhit homoseksual.

“Kemi qenë të brengosur edhe mirë të mobilizuar për t’u ballafaquar jo vetëm me komente urrejtjeje por edhe dhunë fizike. Dihet se ka pasë sulme në manifestime LGBT në të kaluarën. Por, pa ekzagjerim e them, komentet që i kemi marrë kanë qenë tejet inkurajuese”, tha Salihu.

Ky film u financua nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Wide, Beze dhe Bunker film +.

Jetmir Idrizi, fotografinë e ka zgjedhur si mënyrë artistike për t’i paraqitur komunitetet LGBTI në publik. Së pari kishte filluar të fotografojë këto komunitete në Brazil nëpër evente të ndryshme, pastaj dy vite gjatë karnevalit dhe në fund nëpër shtëpitë e tyre. Ai tregon se ka fotografuar edhe komunitetet LGBTI në Prishtinë, por pasi që janë foto të realizuara në ngjarje të ndryshme, nuk kishte hasur në interesim dhe përfudimisht as në mbështetje për financim që t’i ekspozojë ato.

“Përdorimi i artit në paraqitjen e komuniteteve LGBTI është shumë i rëndësishëm dhe është mënyra më e mirë për t’i thyer tabutë që ekzistojnë në shoqëri. Por, gjithashtu mendoj se në Kosovë institucionet kulturore duhet t’u japin shumë më shumë mundësi grupeve të margjinalizuara”, thotë Idrizi.

Agatha Bones (emër artistik) 25 vjeç rrëfen se nuk kishte qenë shumë i sigurtë për të dalë në skenë si “Drag Queen” për shkak të diskriminimit që i bëhet këtij grupi në Kosovë.

“Ideja e daljes në skenë si ‘Drag Queen’ është portretizimi i një gruaje të fortë që është kundër patriarkatit në vend. Përveç kësaj jam shumë i sigurtë në vetën time që ta shpreh seksualitetin nëpërmjet vallëzimit”, tha Bones.

“Drag Queen” është një nga format tjera për ta  familiarizuar masën me këto komunitete, që për herë të parë zuri me anë të shfaqjeve në Brazil. “Drag Queens” janë artistë përformues, pothuajse gjithmonë burra, të cilët veshen me rroba të grave dhe grimosen me qëllim që t’i argëtojnë të tjerët. “Drag Queens” gjatë gjithë kohës përdorin emra artistik, duke mos u identifikuar se kush janë.

Vjeshta (emër artistik) 21 vjeç tregon se paraqitjen e tij të parë si “Drag Queen” e kishte bërë në ditën kundër homofobisë vitin e kaluar.

“Qëllimi im si ‘Drag Queen’ është që t’i zbavis njerëzit dhe të shfaq formën se si ndihem në bazë të tekstit dhe tingujve”, tha Vjeshta.

Hapësira publike “Termokiss” në vitin e 2018 kishte organizuar një ngarje në të cilën do të përformonin “Drag Queen”.

Edonis Hashani, administrator në hapësirën Termokiss ndau detaje se për këtë organizim ka qenë pak sfidues aspekti i sigurisë.

“Ka qenë Policia e Kosovës e po ashtu kemi pasë sigurim privat që gjithçka me shku mirë e mos me u ndi përformuesit as edhe një herë jo rehat”, tha Hashani.

Blert Morina, drejtor ekzekutiv në organizatën joqeveritare CEL “Center for Equality and Liberty”, tregon se përformuesit “drag” në Kosovë vazhdojnë të kenë mungesë hapësire për të performuar.

“Arti gjithmonë luan rol të madh në ngritjen e problematikave për çështje të caktuara, njëherit e lehtëson ndoshta edhe të kuptuarit më të lehtë të këtyre çështjeve. Shfaqjet dhe filmat e fundit që janë bërë pa dyshim që kanë kontribuar në masë më të madhe të shpërndahen mesazhe të ndryshme. Po ashtu në këto shfaqje ka pasur interesim të madh që lë të kuptohet se arti në disa raste mundet shumë më lehtë të depërtojë edhe në shtresa të ndryshme të shoqërisë”, tha Morina.

Gjithashtu ai tregon se shfaqjet dhe filmat kanë pasur ndikim në informimin apo edukimin informal në shoqëri. Sipas tij, me anë të filmave apo shfaqjeve përveç që shumë shpesh është përçuar mesazh tek personat LGBTI apo shoqëria në përgjithësi, gjithashtu është “normalizuar” situata, apo ato kanë qenë nxitës të të menduarit përtej normave të etabluara shoqërore.

“Kohët e fundit vërejmë se ka një pranueshmëri të personave LGBTI, kemi një legjislacion mjaft të përditësuar ku përfshihet orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Ka evente që janë më të hapura t’ue përfshi Javën e Krenarisë dhe trajnime të ndryshme në 7 komuna të Kosovës. Kjo nuk është pika kulminante e arritjes së të drejtave të personave LGBTI sepse ka ende shumë punë për t’u bërë”, thotë Morina.

Besarta Breznica me Blerta Kaliqani, Blerona Abdullahu, Liridona Bytyçi

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

“C*kli m*nstrual”

“C*kli m*nstrual”

Aq shumë eufemizma. “Të kuqet”, “ato”, “tezet”. Më lehtë të vjen kur i mbështjellë pecetat higjienike me qese rrugës...

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM