S.G nga Podujeva nuk e vazhdoi shkollimin për shkak të martesës.
“… në moshë te re jam martuar dhe Zoti deshti që të mbes shtatëzanë menjëherë. Andaj për shkak të sfidave pas martesës nuk kam pasur mundësi të vazhdojë më tutje. Ndikimi që do të ketë braktisja e shkollës nuk është aspak i mirë pasi që edhe me shkollim për të arritur diçka në të ardhmen është e vështirë e aq më pak për një individ që nuk është i përgatitur për tregun e punës”.
Tani në moshën 24 vjeçare ajo është në kërkim të një pune, me një përvojë të shkurtër pune, jo gjithaq të këndshme e të levërdijshme, kryesisht nëpër markete të mëdha dhe butikë.
Në Kosovë termi “braktisje e shkollës” përkufizohet si “ndërprerja e parakohshme e shkollimit të detyruar”sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, neni 2 pika 1.13.
Për më tepër, në Republikën e Kosovës arsimi i mesëm i lartë në Ligjin për Arsim nuk është i obligueshëm.
Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë në Republikën e Kosovës për vitin shkollor 2018/2019 ishte 81,041 nxënës, prej tyre 49% të gjinisë femërore, 51% të gjinisë mashkullore.
Prej nxënësve të arsimit të mesëm të lartë në Kosovë, 1.8% apo 1,459 nxënës kanë braktisur shkollën, gati në nivel të njëjtë me vitin paraprak shkollor. Në hulumtimin e Institutit Pedagogjik të Kosovës nga viti 2011 – “Braktisja e shkollimit në Arsimin e Mesëm Profesional të Kosovës” renditen disa nga shkaqet e kësaj dukurie.
“42% e braktisin shkollën për arsye të suksesit të dobët në mësime, 31% për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe 10% për shkak të nevojës për punësim. Po ashtu ikja e nxënësve nga orët e mësimit mendohet se mund të jetë një ndër karakteristikat e nxënësve potencialë për braktisjen e shkollimit, sidomos kur kjo ikje është e shpeshtë dhe e pajustifikueshme.”
Se MASHT-i nuk e injoron dukurinë e braktisjes së shkollës mund të shihet edhe përmes planeve strategjike për arsim, fushatave dhe aktiviteteve që i ka hartuar dhe zbatuar kjo ministri (Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021, Ligji i Arsimit Parauniversitar, aktet nënligjore si p.sh. Doracaku për ekipet shkollore për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit në arsimin e obliguar…
Në një fushatë të shoqërisë civile me qëllim ngritjen e vetëdijes, në shtator 2019, atë“MOS E BRAKTIS SHKOLLËN” nga Grupi për Familjet në Nevojë, 406 të rinj u furnizuan me pajisje shkollore.
Pedagogia e Sh.M.L. Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, Florie Shala Salihu tregon sa shqetësues është fakti që gjinia femërore sidomos nxënëset e klasave të 12-ta janë ato që në shumicën e rasteve e braktisin shkollën edhe pse janë një hap larg diplomimit.
“Vajzat janë ato që më shumë e braktisin shkollën, shumica prej tyre janë maturante. Ato braktisin shkollën për arsye të ndryshme siç është martesa e hershme, kurse djemtë më tepër migrojnë”, thotë ajo.
Deri në mars të vitit 2020 janë gjithsej 4 nxënës që e kanë braktisur shkollën, të gjitha janë të gjinisë femërore. Ndër arsyet që nxënësit më nuk vijojnë këtë gjimnaz janë shkuarja në vendet e BE-së, ndërrimi i shkollës në qytet, ndërrimi i vendbanimit zhvendosja në Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Në vitin paraprak shkollor ky gjimnaz mbeti pa gjithsej 47 nxënës:prej tyre 5 nxënës braktisën shkollën, 19 shkuan në vendet e Bashkimit Europian, e 23 ndërruar shkollën.
Sekretari i Shkollës Profesionale Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, Agim Dibrani përshkruan dukurinë e braktisjes në këtë shkollë.
“Arsyet janë të shumta: shkaqet ekonomike, migrimi, mosinteresimi për shkollim por më e theksuar është që nxënësit për shkak të suksesit të dobët humbin vitin shkollor dhe aty e ndërprejnë shkollimin… kemi pasur rast kur një prind për arsye të caktuar e ka ndalur nga shkolla nxënësin.”
Sipas tij, këta nxënës, për moshën që e kanë, nuk e dinë shumë rëndësinë e shkollimit dhe gjithsesi nuk do të gjenden mirë në tregun e punës sepse atyre ju duhet një profesion për punë.
Pedagogia e gjimnazit të Podujevës, Shala-Salihu tregon për vështirësitë kur mundohen të bindin nxënësit që mos të braktisin shkollën.
“… kemi biseduar me nxënëset, jemi munduar që t’i bindim të vazhdojnë shkollën sepse edhe pak muaj kishin mbetur deri në përfundim të klasës së 12-të dhe ato do të përfundonin shkollën dhe do të merrnin diplomën. Gjithashtu, do të mund të vazhdonin shkollën kurse pjesën tjetër të ditës të punonin. Edhe pas përpjekjeve tona maksimale ato kanë braktisur shkollën me vetdëshirë sepse nuk ka qenë për arsye ekonomike që kanë hapur biznesin”, rrëfen ajo.
Ligji për Arsim Parauniversitar neni 15 pika 1 përshkruan vijimin e shkollimit të detyruar nga ana e nxënësit si një përgjegjësi kryesore të prindit.
Por në një pyetësor të zhvilluar me mësimdhënës, në një hulumtim të MASHT-it nga viti 2011, doli se vetëm 30% e mësimdhënësve arrijnë t’i përfshijnë të gjithë prindërit në takime të rregullta.
“59% e mësimdhënësve bashkëpunojnë përmes takimeve të rregullta me prindër të nxënësve që kanë shenja të braktisjes së shkollës. Po ashtu, të dhënat tregojnë se vetëm 4% e mësimdhënësve bashkëpunojnë me prindër të nxënësve që kanë shenja të braktisjes së shkollës përmes emalit apo formave tjera të letërkëmbimeve, kurse 21% e mësimdhënësve bashkëpunojnë me prindër vetëm përmes drejtorit të shkollës”.
Nga ana tjetër, po sipas këtij hulumtimi, 15 % e mësimdhënësve nuk bashkëpunojnë fare me prindër të nxënësve që kanë shenja të braktisjes së shkollës, për arsye se nuk kanë qasje në komunikim me ta. Përqindja e mësimdhënësve që fare nuk bashkëpunojnë me prindërit e nxënësve që kanë shenja të braktisjes së shkollës afërsisht përputhet me numrin e nxënësve që tashmë e kanë braktisur shkollën.
Familjari i një nxënësi që ka braktisur shkollimin, V.J. (që deshi të mbetet anonim) pajtohet se ka shumë faktorë që ndikojnë në braktisjen e shkollës – ndoshta varfëria, shoqëria e keqe, puna e hershme e shumëshkaqe tjera.
“…por mendoj që nëse një herë shkëputet nga bankat shkollore, një i ri/e është vështirë që të kthehet sërish. Prioritet i domosdoshëm është sot përfundimi i shkollës së mesme të lartë, por moskryerja e saj do të thotë që përveç që je prapa me dije, je prapa edhe në punësim por edhe në jetë, pasi që në këtë shekull prioritet është dija”.
E shoqëria po ashtu nuk mbetet anash duke i paragjykuar të rinjtë që braktisin shkollën “me një sy më ndryshe, pasi i llogarisim si njerëz të paditur dhe paprespektivë”, thotë ky familjar.
Ermira Sfishta
Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KosovaLive dhe SIT – Center for Counseling, Social Services and Research dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.