Build Skills with our trainings

Sign up now!

Rëndësia e verifikimit dhe nevoja për edukim medial në pandemi

Qer 29, 2020

Prodhimi i dezinformatave dhe lajmeve të paverfikuara më së shpeshti ndodhë në kohë zgjedhjesh. Por, së fundmi, në Kosovë pandemia globale e Covid-19 sprovoi median dhe publikun me lajme të rreme.

Që prej kur në Kosovë u shfaq pandemia e COVID-19 u rritë edhe interesimi për marrjen e informacioneve. Bashkë me të edhe shtimi i lajmeve të rreme. Edhe Kosova, si e gjithë bota, pothuajse, u bë pjesë e shpërndarjes së lajmeve të pa verifikuara.

Termi “Fake News”, siç njihet botërisht, u përhap e u bë i njohur vetëm viteve të fundit, dhe për këtë kontribuuan më së shumti mediat sociale. Lajmet e rreme, në kuptimin më të thjeshtë, janë informata jo të sakta, të publikuara për një qëllim të caktuar.

Mënyra më e mirë për t’i shmangur lajmet e rreme është që lexuesi t’i sheh me sy kritik ndërsa mediat dhe profesionistët e fushës t’i identifikojnë kanalet që i shpërndajnë ato.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës brenda pesë muajve të parë të vitit 2020, janar-maj, për “lajmërim apo kallëzim të rremë” janë denoncuar tri raste me tre persona të dyshimtë dhe për “deklarimet e rreme” janë tri raste me shtatë persona të dyshimtë.

Njohësit e fushës së medias dhe komunikimit i shohin kryesisht dy mënyra për t’i luftuar lajmet e rreme dhe dizinfomratat, verifikimin e lajmeve dhe edukimin medial.

Në tetor të viti të kaluar në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme nacionale. NDI Kosova ishte angazhuar që të bëjë një matje në rrjete sociale, “Facebook” dhe “Twitter”. Gjithashtu, u monitoruan edhe burimet e mediave online dhe faqet në rrjete sociale të mediave tradicionale në vend.

“Në të gjithë gamën e burimeve në gjuhën shqipe të monitoruara gjatë fushatës, të gjitha rastet e dezinformimit dhe manipulimit të përmbajtjes kanë ndodhur në kontekst të shtyrjeve politike midis partive të ndryshme që garonin në zgjedhje”, ka thënë Valon Kurhasani, drejtor i Programit në NDI Kosovë.

“Monitorimi në shqip u krye kryesisht në Facebook dhe portalet në internet, meqë përdorimi i Twitter ishte minimal”, thotë Kurhasani.

Sipas tij, hulumtimi kishte identifikuar raste të shumta të fotografive, artikujve, sondazheve të opinionit publik dhe videove të dokumentuara që synonin të shpifnin për kandidatët për kryeministër dhe partitë e tyre ose të promovonin një parti në veçanti.

Hulumtimi i NDI Kosova kishte nxjerr në pah edhe format më të shpeshta të shpërndarjës së lajmeve të paverfikuara si duhet.

“Shumë prej faqeve që ishin burim i informimit të pasaktë ishin ose zyrtarisht partiake ose kishin përafrim me një parti në veçanti.  Shumica e tyre shfaqën disa prej treguesve bazë të burimeve të dezinformimit, si të pasurit administratorë pa adresë të regjistruar ose me adresë në vende të huaja ose ndryshonin emrin e faqeve disa herë brenda një kohe të shkurtër”, deklaron Kurhasani.

Por, shpërndarje të lajmeve të rreme nuk pati vetëm në gjuhën shqipe gjatë kohës kur në Kosovë parashihej të mbaheshin zgjedhjet e përgjitshme. Hulumtimi i NDI Kosova zbuloi se dizinformata u shpërndanë edhe në gjuhën serbe, kryesisht përmes portaleve dhe profileve fallso në rrjete sociale.

“Analiza e automatizuar identifikoi një fluks të llogarive të reja në Twitter, me bazë në Serbi, të cilat u hapën pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe shpërbërjes së Kuvendit. Hulumtimet zbuluan se qindra llogari në Twitter postuan në lidhje me zgjedhjet disa herë në ditë dhe se një e treta e këtyre llogarive ishin të automatizuara. Analiza e ekspertëve erdhi ne përfundim se ky është indikacion i përdorimit të madh të mesazheve të automatizuara (bots)”, ka thënë përfaqësuesi i NDI Kosova.

Hulumtimi gjeti se në kohë parazgjedhore, shpërndahen lajme dezinformuese edhe mbi baza gjinore.

“Analizat dhe hulumtimet tona e kanë bërë të qartë që shpërndarja e informacioneve të pasakta nga aspekti gjinor ka qene i rëndomtë dhe sfidues për t’u kundërshtuar. Pas zgjedhjeve nacionale në tetor 2019, kemi gjetur që kosovarët dinë të dallojnë dezinformimin si fenomen, mirëpo janë të cenueshëm më shumë se sa ata mendojnë nga ndikimi që ka ky fenomen, sidomos kur dezinformimi përdorë paragjykimet e rrezikshme kulturore sa i përket pjesëmarrjes së grave në politikë, duke besuar në informacionin e pasaktë edhe kur është provuar e kundërta”, thotë Kurhasani.

Sipas Kurhasanit, që është ligjërues i Shkencave Politike në Universitetin e Londrës nën drejtimin akademik të “LSE – Riinvest College”, janë disa hapa që duhet të ndërmerren për parandalimin e dezinformimit dhe shpërndarjës së lajmeve të rreme.

“Krijimi i një publiku me nivel të lartë të edukimit mediatik dhe pluralizmin e burimeve të mediave, liderët e Kosovës, të shoqërisë civile, qeverisë, partive politike dhe mediave, duhet të mblidhen për të parandaluar furnizimin dhe kërkesën e dezinformimit”, thotë ai.

Një formë tjetër, sipas Kurhasanit është edhe në identifikimin dhe verifikimin e fakteve, nga mediat, organizatat jo-qeveritare por edhe institucionet publike.

“Shoqëria civile, e cila duhet të punojë me mediat në kontrollimin e fakteve dhe të sigurojë integritetin e mbulimit të lajmeve; qeveria dhe kuvendi, të cilat mund të marrin në konsideratë mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të mbështetur këtë përpjekje”, thotë ai.

Në mënyrë që informacioni i cili i servohet publikut të jetë i saktë, në Shqipëri u themelua një platformë për verifikimin e fakteve. “Faktoje.al” që është pjesë e Rrjetit Ndërkombetar të Organizatave Fact-checking. Kjo platformë bën verifikimin e deklarimeve publike të personave publik.

“Ne verifikojmë deklaratat dhe premtimet e zyrtareve publikë  (kandidatëve ose të zgjedhurve), ose subjekteve private të cilët kanë lidhje me përdorimin e fondeve publike. Misioni ynë është të kontrollojmë vërtetësinë e deklaratave të tyre dhe t’i tregojmë publikut te vërteten”, thotë Viola Keta, redaktore në “faktoje.al”.

“Faktoje po shërben edhe si një shembull i mirë i promovimit të ushtrimit të një të drejte për të cilën jo vetëm gazetarët, por edhe qytetarët në përgjithësi nuk janë të ndërgjegjësuar. Ne përdorim gjerësisht kërkesën për informacion, duke nxitur institucionet të kryejnë detyrën e tyre dhe gazetaret që të kerkojnë atë që u takon me ligj”, thotë Keta.

Ajo thotë se përzgjedhja e deklaratave për verifikim nuk bëhet për nga përkatësia politike e një grupi të caktuar, por nga relevanca dhe impakti tek audienca.

Keta thotë se, gjithnjë e më shumë, rrjetet sociale janë hapësira ku po shpërndahen dezinformatat, andaj deklarimet e politikanëve aty janë nën “llupën” e “faktoje.al”.

“Faktoje.al ka gjithmonë ‘një sy’ vigjilent edhe tek rrjetet sociale ku gjithmonë e më shumë politikanë po krijojnë hapësira për propagandë. Disa nga lajmet tipike për fact-check Faktoje i ka gjetur pikërisht në rrjetet sociale”, thotë redaktorja Viola Kate.

Prej vitit 2016, në Kosovë KALLXO.com ka zhvilluar një platformë për verifikimin e lajmeve që quhet Krypometër. Kjo platformë është pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve (IFCN) të Institutit Poynter që është i përkushtuar në promovimin e ekselencës në vërtetimin e fakteve. Përveç temave mbi aktualitetin, në Krypometër shpesh raportohet edhe për lajmet e rreme të cilat shpërndahen në media dhe rrjete sociale.

Menjëherë pas shfaqjes së pandemisë së coronavirs, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë përgatiti një “Udhëzues për Raportim të Sigurt dhe Profesional mbi Covid-19”. Raporti i kishte dhënë rëndësi kontrollit të mirë të informacioneve gjatë kërkimit në internet dhe parashihte disa hapa gjatë raportit të cilët gazetarët duhet t’i marrin për bazë në punën e përditshme.

“Kontrolloni burimin, historinë e ngjarjes, provat që prezantohen, emocionet dhe fotografitë”, thuhet në udhëzuesin për gazetarë. I njëjti udhëzues është publikuar edhe në ueb faqen e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Në Kosovë ekziston një numër i madh i mediave online, që në diskursin publik njihen si portale. Këto medie, fillimisht regjistrohen si biznese në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës(ARBK). Aktualisht, si biznese me aktivitetin kryesor, web portale, në vendin tonë janë të regjistruara 323 sosh derisa vazhdojnë të hapën të reja.

Ky numër i madh i mediave online ka krijuar diversitet por ka shtuar edhe rrezikun e prodhimit dhe shpërndarjes më të madhe të lajmeve të rreme. Shumica prej portaleve në vend nuk kanë të dhëna mbi pronësinë, financimin dhe adresën.

Në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës janë vetëm 40 medie online të regjistruara si anëtare të këtijj trupi vetërregulluese. Të gjithë anëtarët e KMShK-së respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Verifikimin e lajmeve dhe mësimin për mediat e sheh si formën më të mirë edhe ligjëruesi tjetër i medias në UP, Dren Gërguri.

“Në ditët e sotme, është e pamjaftueshme që të krijohen adresa për qytetarët ku mund të lexojnë për vërtetësinë e informacionit, për shkak të një morie dezinformatash që qarkullojnë. Prandaj, zgjidhja është aftësimi i shoqërisë për të dalluar dezinformatën, për të mësuar se si t’i pranojë/refuzojë dhe t’i përpunojë ato përmbajtje. Por, meqë kjo kërkon më shumë kohë, atëherë ndërhyrje e shpejt është angazhimi i njohësve në verifikimin e fakteve”, vlerëson Gërguri.

Më 2 shkurt, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), për herë të parë përdori termin “infodemia” me të cilin iu referua informacioneve të shumta e të pasakta mbi pandeminë e coronavirusit.

Mënyra më e mirë për t’i shmang lajmet e rreme, sipas ligjëruesit të gazetarisë, Dren Gërguri, është futja e lëndës edukimi medial në shkolla.

Sipas tij, të rinjtë do të kenë mundësinë që të krijojnë qasje kritike ndaj përmbajtjeve mediale që u servohen nga masmedia.

“Kur kihet parasysh nevoja për ngritjen e nivelit të gjykimit kritik ndaj përmbajtjeve mediale në shoqërinë tonë, lehtë vijmë në përfundim se është e domosdoshme futja e edukimit medial, si lëndë obligative në plan programet shkollore”, thotë ai.

“Duke i edukuar të rinjtë, edukojmë prindërit e ardhshëm, sepse sot, fatkeqësisht, ka shumë prindër që mund të mos dinë as vetë si t’i përdorin mediet, prandaj edhe mund të mos ia kushtojnë vëmendjen e nevojshme edukimit medial të fëmijëve të tyre”, vlerëson Gërguri.

Sipas tij,  secili që konsumon lajme duhet ta dallojë nëse është fakt, nëse është opinion apo është propagandë.

Valon Fana është gazetar në KALLXO.com që nga shkurti i vitit 2019. Ai ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës, Dega e Gazetarisë, ku është në përfundim të studimeve Master në programin Gazetari dhe Kontakte me Publikun. Valoni është i fokusuar më shumë në hulumtime gazetareske në fushën e të drejtave të njeriut por edhe në fushat e sigurisë dhe politikës.

Ai më herët ka punuar në emisionin “Ekonomia me Erëzën” në TV Klan Kosova ndërsa ka kryer praktikë në Lëvizjen FOL dhe ka asistuar në zyrën e medias në Gjykatën Themelore të Prishtinës për gjashtë muaj përmes një programi të mbështetur nga USAID. Valoni është përfitues i tri bursave për shkrime gazetareske dhe fitues i një çmimi për gazetari në fushën e të drejtave të fëmijëve.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM