Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pandemia Covid-19 “ngulfati” turizmin kosovar

Gus 11, 2020

Sipas Agjencisë Statistikore të Kosovës, në tre mujorin e parë të vitit 2020 numri i vizitorëve në Kosovë ishte 52,829, prej tyre 41.38% ishin vendorë dhe 58.62% ishin të jashtëm. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 85,929, prej tyre 40.87% nga vendorët dhe 59.13% nga të huajt.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 20,486 vizitorë dhe 34,105 net-qëndrimi, ndërkohë që numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë e kështu me radhë.

Lumturie Geci nga Departamenti i Turizmit thotë se në tre mujorin  e parë të vitit 2020 pati një rënie të lehtë të numrit të vizitorëve dhe net-qëndrimeve në Kosovë: rreth 21 % të vizitorëve dhe rreth 19 % e net-qëndrimeve.

Nga kontaktet me shoqatat turistike apo tour-operatorët kemi marrë informata se ka një rënie të konsiderueshme, ku (vizitorët ndërkombëtarë), të organizuar që nga viti i kaluar, kanë anuluar këto udhëtime në Kosovë. Vetëm një pjesë e vogël i kanë shtyrë vizitat për një afat tjetër, ku ka prej tyre që kanë shtyrë realizimin e vizitave për vjeshtë, por edhe shumë prej tyre kanë shtyrë vizitat në Kosovë për vitin tjetër. Duke pasur parasysh gjithë këto anulime të tureve në Kosovë apo shtyrjeve për një afat tjetër, atëherë patjetër se dëmet janë shumë të konsiderueshme në sektorin e turizmit”, tha Geci.

Kosova në territorin e saj prej 10,908 km² ka hapësira për turizëm dhe vendet me peizazh të mrekullueshëm: Bjeshkët e Nemuna, Malet e Sharrit, Mirusha, Drini i Bardhë, Shpella e Gadimës, Prizreni, Peja, Gjakova e Ura pa lumë në Vushtrri dhe rajone të tjera. Sektor atraktiv përfaqëson turizmi malor, rural, turizmi i shpellave, alpinizmi, ngjitja.

Virtyt Gacaferri, kryeshef ekzekutiv i Balkan Natural Adventure (www.bnadventure.com) për turizmin në Kosovë thotë se gjatë kohës me pandemi janë dëmtuar shumë ngase rreth 95% të udhëtimeve me turistë janë anuluar.

“Ne kemi vazhduar të bëjmë oferta dhe jemi munduar të punojmë me tregun lokal, por kjo ka pasur rezultat të kufizuar. Në shumë vende qeveritë kanë dhënë vauçere për popullatën lokale të cilat janë realizuar me kompanitë lokale dhe kështu kanë mbajtur operatoret gjallë. Te ne një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Të ardhurat e punëtorëve të kompanisë i paguajmë nga xhepat tonë, operojmë me humbje”, ka thënë Gacaferri.

Kompania turistike funksionon me ndihmën e EBRD-së dhe gjatë kësaj kohe që Kosova është ballafaquar me pandemi nuk ka pasur të ardhura nga Qeveria, të gjitha organizimet realizohen me vetëfinancim të kompanisë. Puna ka vazhduar por nga rezultatet e kufizuara humbja buxhetore është bërë më e dukshme. Në një përpjekje që të punojnë me tregun lokal, me ndihmën e EBRD-së është lansuar faqja kosovahiking.com, që ka ndihmuar sado pak që ta zbusin krizën, ndonëse ende janë në një përpjekje që të punojnë me tregun lokal në minus dhe nuk presin profit këtë vit.

“Atë pak punë që e kemi bërë, e kemi bërë me klientë lokal dhe ndërkombëtarë të bazuar në Kosovë. Nga jashtë kemi pasur vetëm grupe nga Polonia. Menaxhimi i pandemisë së Korona Virusit në Kosovë e ka bërë të pamundshme ardhjen e vizitorëve të huaj, edhe për shkak të kufizimeve edhe për shkak të frikës nga virusi. Natyrisht se turizmi ka rënie drastike, ne jemi duke u munduar që të mbajmë punëtorët në vendet e tyre për aq sa kemi mundësi”, ka thënë për KosovaLive, Gacaferri.

Kujtojmë se menjëherë pas rezultateve të para me të prekur nga Covid-19 në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës,e udhëhequr nga ish kryeministri Albin Kurti, në mars 2020 kishte ndaluar transportin tokësor dhe ajror si shkak i përhapjes së virusit. 

Nga ana tjetër, Arsë Kryeziu nga ekipi i Hiking Njerit, kompani e cila merret me organizimin e udhëtimeve të turistëve, thotë se situata tash ka filluar të ndryshojë.

“…Gjatë kohës se karantinës turizmi malor nuk ka qenë aktiv për shkak të masave të ndërmarra, ndërsa pas përfundimit të karantinës është pa një interesim jashtëzakonisht i madh për me dalë në bjeshkë si asnjëherë më parë. Gjatë pandemisë kemi organizuar ecje në bjeshkë gjithmonë duke i respektuar masat mbrojtëse, nuk kanë qenë grupet shumë të mëdha dhe nuk ka qenë problem organizimi”, theksoi Kryeziu.

Ajo tregon se frekuentimi malor kohëve të fundit ka marr një rendësi të madhe,  interesimi i turistëve në Kosovë është në rritje dhe sipas saj kjo dukuri është pozitive. 

“Në përgjithësi, kohëve te fundit interesimi për turizëm malor po shtohet çdo ditë e me shumë dhe kjo është diçka shumë pozitive në shoqërinë tonë. Mirëpo, për shkak të rasteve të shtuara me virus dhe masave të caktuara ky interesim po kërkohet mjaft shumë këto kohë”, ka përfunduar, Kryeziu.

Eksperti i turizmit, Zekë Çeku tregon se që kur Kosova është përfshi me virusin Corona edhe turizmi është stopuar.

Krahas zhvillimeve të shpërthimit të pandemisë dhe përhapjes në Evropë, rajon dhe paksa më vonë edhe në Kosovë, konform masave parandaluese nga Qeveria e Kosovës, bazuar edhe në zhvillimet dhe mbylljen në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, bizneset turistike, ndër të parat janë mbyllur, mu në fillim të sezonit të pritur pranveror dhe veror 2020. Këtu duhet përmendur dëmet e mëdha të shkaktuara kompanitë kosovare dhe rrjeti i tyre i gjerë ajro transportit, për shkak të mbylljes së kufijve dhe ndërprerja e fluturimeve nga dhe drejtë aerodromeve ndërkombëtare etj”, ka thënë Çeku.         

Sipas tij, përkundër sfidave të mëdha dhe mos përkrahjes së qeverisë, falë angazhimit dhe investimeve të mëdha, bizneset në sektorin e turizmit, përfshirë udhëtimet turistike, mikpritjen hoteliere dhe gastronominë, kanë arritë në 3–4 vitet e fundit, të kthejnë Kosovën në hartën evropiane dhe ndërkombëtare turistike, si destinacion i ri dhe gjithnjë e më tepër i pëlqyer. Rrjedhimisht, në vitet e fundit ka patur rritje të numrit të arritjeve turistike, numrit të fjetjeve, zgjatjes së qëndrimit, si dhe të hyrave nga turizmi dhe segmentet e tij.

Përkundër së numri më i madh i turistëve arrijnë nga diaspora dhe Shqipëria, pëçdo vit është rritë numri i turistëve nga rajoni, atyre nga vendet evropiane dhe tej-oqeanike. Konform rezervimeve dhe aranzhmaneve të kontraktuara në fund të vitit të kaluar, viti 2020 është konsideruar dhe është pritë të jetë vit i rekordit të arritjeve të turistëve në Kosovë”tha ai.

Por, sipas Çekut për shkak të përhapjes së pandemisë, ekonomia turistike e Kosovës, ka pësuar dëme të pariparueshme në të gjitha segmentet e saj. 

“Janë anuluar të gjitha aranzhmanet turistike të grupeve dhe turistëve individualë, fillimisht deri në gusht 2020, pastaj për tërë vitin 2020Janë anuluar numri i madh i rezervimeve në objektet e akomodimit, për shkak të anulimit të flurimeve nga vendet e ndryshme në dhe nga Kosova, në mesin e tyre vizitorë ndërkombëtarë dhe nga diaspora, që paraprakisht kishin prenotuar qëndrimin në hotele të ndryshme në Prishtinë dhe të gjitha qendrat tjera të Kosovës. Për shkak të mbylljes së aeroporteve ndërkombëtare dhe të Prishtinës, agjencitë udhëtimeve me aeroplan, kanë pësuar dëme të pariparueshme, duke rrezikuar me të madhe dështimin e tyre, për shkak të biznesit tepër të shtrenjtë dhe me rreziqe të tyre. Gjithashtu, për shkak të mbylljeve të kufijve, kanë pësuar edhe agjencitë e udhëtimit rrugor me autobus”, ka thënë ai.

Çeku rikujton se krahas remitencave që arrijnë nga mërgata, sipas disa hulumtimeve që janë bërë në vitin 2018, bazuar në numrin mesatar të rreth 380,000 – 420,000 arritjeve nga diaspora, vetëm nga shpenzimet që bën diaspora në turizëm, mikpritjen hoteliere, gastronomi, shopingut në tregti dhe karburante, të hyrat arrijnë 260 deri në 300 milionë euro në vit.

Ai për mos zhvillimin e turizmit kosovarë fajin ua hedhë qeveritarëve duke kërkuar subvencione në të ardhmen sepse vetëm kështu zhvillohet turizmi në Kosovë. 

 “…Përkundër faktit së turizmi është industria më e fuqishme në botë, si dhe ndër sektorët më prioritet në shumë vende fqinje, fatkeqësisht, asnjëherë nuk është përkrahur dhe rekomanduar zhvillimi i tij, nga institucionet e Kosovës, pa dallim! Ndonëse vend i vogël, Kosova disponon me potenciale unike në rajon dhe numër të madh të resurseve primare, më shumë së vendet tjera në Evropë. Përderisa nuk bëhen ndryshime në nivelet institucionale, dhe nuk vijnë njerëz me mentalitet dhe përgatitje adekuate, vështirë sdo të ndryshon gjendja sa i përket përkrahjes institucionale. Në vitet e fundit sektori i bujqësisë ndihmohet me rreth 60 – 70 milionë euro, në formë të subvencioneve dhe grantëve, fatbardhësisht për ta, kurse në sektorin e turizmit asnjëherë nuk është investuar ndonjë cent, në asnjë nga format e përkrahjes, fatkeqësisht”, përfundon Çeku.

Lumturie Geci, pajtohet se pasi turizmi ka pasur humbje shkaku i pandemisë, në humbje është edhe ekonomia e Kosovës.

“Duke e marrë për bazë se sektori i turizmit përfshin në vete shumë sektorë tjerë, siç janë: akomodimi, gastronomia, transporti, guidat turistike, etj. mund të thuhet se dëmet janë të ndërlidhura në mënyrë zingjirore pasi që edhe sektori i turizmit ndërlidhet në mënyrë zingjirore me sektorë të tjerë ekonomikë. Pandemia ka shkaktuar humbje të mëdha në të hyrat buxhetore të vendit, që vijnë nga sektori i turizmit direkt dhe indirekt, dhe se shumë njerëz që punojnë në këtë sektor janë dëmtuar financiarisht gjatë kësaj kohe”, ka thënë Geci. 

Sipas saj, MTI-ja ka plane për mbështetjen e sektorit të turizmit por të gjitha aktivitetet që përfshijnë turizmin do të zhvillohen vitin e ardhshëm si shkak i përhapjes së virusit. 

…KIESA, që vepron brenda  fushë veprimtarisë së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në kuadër të subvencionimit përmes granteve në thirrjen e fundit (rreth një muaj me parë) brenda kategorisë së bizneseve prodhuese ka pasur edhe një kategori për përkrahjen e bizneseve turistike promovuese. KIESA subvencionin tour operatorët, që ofrojnë oferta turistike për Kosovën përmes pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare”, thotë ajo duke rikujtuar se ngjarje të tilla ndërkombëtare në fushën e  turizmit janë anuluar  për këtë vit dhe pritet të realizohen në vitin e ardhshëm

Geci thotë se viteve të fundit, Qeveria turizmin është duke e trajtuar si sektor fitimprurës dhe me prioritet. Sektori privat ka avancuar më shumë në zhvillimin e turizmit, por duhet të insistohet në prioritet të turizmit dhe të punohet edhe më shumë në mënyrë që ky sektor të marrë vëmendjen për trajtim edhe më të madh nga të gjithë mekanizmat institucionalë.

Rol të rëndësishëm në turizmin kosovar tash e sa vite e ka edhe DokuFest-i i cili çdo vit ka grumbulluar turistë vendorë dhe atë ndërkombëtar.

Veton Nurkollari, drejtor artistik për KosovaLive ka thënë se DokuFest-i  këtë vit ka qenë më ndryshe, si shkak i pandemisë Covid-19 dhe në veçanti gjendja ekonomike e ka zvogëluar numrin e vizitorëve.  

“Situata e krijuar me pandeminë dhe mos mbajtja e DokuFest-it në formën se si është mbajtur në të kaluarën, me siguri se ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të vizitorëve dhe turistëve në qytetin e Prizrenit. Rrjedhimisht edhe në ekonominë e saj duke pasur parasysh ndikimin e konsiderueshëm të DokuFest-it në ekonominë e Prizrenit dhe të Kosovës”, theksoi ai.

DokuFesti–do të lansohet përmes platformës online për të gjithë shqiptarët, e përveç filmave në DokuFest do të ketë edhe aktivitete të tjera si debate, muzikë. 

“…Në vijim programi i DokuFest-it do të prezantohet nëpërmjet një platforme online, ku qasjen në të do ta kenë të gjithë nga Kosova dhe Shqipëria, përderisa për filmat nga konkurrenca kombëtare qasja është zgjeruar edhe në Gjermani dhe Zvicër. Përveç filmave do të ketë një seri bisedash dhe debatesh për tema të ndryshme si dhe po ashtu një seri eventesh muzikore me DJ dhe përforcues të njohur të cilët do të përforcojnë online enkas për audiencën e DokuFest-it. Te gjitha eventet muzikore do të jenë të qasshëm nga kudo në botë”tha Nukollari. 

Edhe Safet Gerxhaliu, ekspert i ekonomisë për KosovaLive thotë se pandemia Covid-19 e ka dëmtuar rëndë turizmin kosovarë.

“…Në të kaluarën në Kosovë, turizmi ka qenë një ndër shtyllat e qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale dhe sot është duke u ballafaquar me një krizë të paparashikuar si shkak i pandemisë Covid-19. Vetë fakti se në Kosovë kemi më shumë se 500 kompani të regjistruara për turizëm, më shumë se dy mijë autobusë dhe e kemi transportin rrugor që është po ashtu në një pozitë të vështirë, e dëshmon më së miri në aspektin intern se çfarë janë efektet negative nga kjo pandemi. Vetë faktin që këtë vit nuk e kemi diasporën kjo gjë e ngulfat më tepër turizmin, nëse vazhdohet me këtë trend efektet negative ekonomike do të jenë të paparashikuara”, ka thenë Gerxhaliu. 

Eksperti i ekonomisë apelon që institucionet shtetërore të e ndihmojnë sektorin privat përgjatë pandemisë. 

dora e shtetit duhet të jetë në funksion të qëndrueshmërisë së këtyre kompanive turistike sepse nëse ky vit do të shkojë në falimentimin e këtyre kompanive do të jetë shumë e vështirë të kemi një rimëkëmbje. Tani është koha të mbështesim turizmin i cili ka rëndësi të madhe ekonomike, sociale”, theksoi ai.

Gerxhaliu thotë se sektori privat e në veçanti kompanitë turistike duhet të futen në pakon ekonomike emergjente. 

“…besoj që pas rishikimit të buxhetit në Parlamentin e Kosovës duhet të jetë prioritet mbështetja e sektorit privat, duhet të jetë prioritet ndarja e ndihmave nga pakoja emergjente. Në pakon ekonomike emergjente edhe turizmi duhet ta zë një vend. Të gjitha vendet e Ballkanit e kanë ndihmuar turizmin. Qeveria duhet të jetë vigjilente për ta ndihmuar sektorin privat përmes pakos ekonomike emergjente”, përfundon Gërxhaliu.

Shqipdona Gashi 

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM