Janë mbi 82 mijë qytetarë të Kosovës të cilët dinë shkrim dhe lexim, por nuk dinë ta kuptojnë atë që e kanë shkruar, e që kategorizohen si analfabetë funksionalë.
Po e njëjta statistikë nga regjistrimi i popullisisë të vitit 2011 tregon edhe për 55 mijë me mos-dije të plotë të shkrim-leximit që listohen si analfabetë të plotë.
Një gazetë zvicerane (“Neu Zurcher Zeitung”)e kishte cilësuar Kosovën si vendin me arsimin më të keq në Evropë. Në një artikull, kjo gazetë shkruante se përkundër kurikulave të reja të cilat janë përdorur në Kosovë, që konsiderohen të jenë të njëjtat me ato të Evropës, arsimimi nuk ka pasur suksesin e parashikuar.
Studimi nga PISA nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Kosova rënditet si njëra ndër vendet me shkollat më të këqija në Evropë qoftë në lexim, matematikë apo shkenca natyrore. Në të gjitha këto lëndë nxënësit e Kosovës përformuan më keq sesa pjesa tjetër e Evropës.
Kosova ka pasur synim zhdukjen e analfabetizmit që kur ka aprovuar edhe rezolutën përmes së cilës miratoi edhe Deklaratën e Mijë vjeçarit. Nëpërmes kësaj rezolute Kosova më 2008 tregonte se është e gatshme t’i bashkohet shteteve më të zhvilluara dhe të merret me tema siç janë: barazia gjinore, zhdukja e analfabetizmit, luftimi i varfërisë dhe sëmundjeve të rënda.
Rinor Qehaja, eksperti i çështjeve të arsimit, njëkohësisht edhe drejtor ekzekutiv në Institutin Edguard thotë se sistemi ynë arsimor nxit jashtëzakonisht shumë të mësuarit motorik. E kjo, rrjedhimisht, ka krijuar individë që nuk janë të nxitur të mendojnë ose analizojnë.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2009 shkalla e analfabetzimit në Kosovë ishte 7.3 përqind, reduktim, ku krahasuar me 2003 kur ishte 8.1.
“Kjo statistikë përkundër që jo e përditësuar, është e vetmja statistikë zyrtare nga e cila mund të projektojmë një trend të problemit edhe për vitet e fundit. Dallimi më i theksuar ngelet ai mes femrave dhe meshkujve, sikurse dhe mes vendbanimeve, pra një shkallë krahasimisht më e madhe e analfabetizmit tek femrat kundrejt meshkujve, dhe e njëjta, me zonat rurale kundrejt urbaneve”, shprehet Qehaja.
Qehaja shton se si pikënisje e trajtimit të këtij problemi duhet të jenë të dhënat, konkretisht statistikat të cilat bëjnë të mundur definimin e numrave analfabetë dhe atyre funksional. Prej saj, sipas Qehajës, shfaqet dhe burimi i problemit, e më pas këto shifra të kthehen në politikëbërje dhe vullnet për të korigjuar situatën.
Xhavit Rexhaj, ekspert i arsimit, pajtohet se nuk janë bërë vlerësime serioze për bazën e analfabetizimit funksional në Kosovë.
“Në përgjithësi, ka pajtueshmëri ndër studiuesit dhe opinionit se fajtor për këtë është cilësia e ulët e arsimit në Kosovë”.
Sipas Rexhajt, arsimi dhe shkollimi nuk kanë një traditë githaq të gjatë te ne dhe se rrjedhimisht edhe nuk sigurohet cilësi dhe mendësi pozitive për zhvillim të arsimit.
“Rezultatet e PISA-së në Kosovë nuk kanë treguar ndonjë dallim në mes të fëmijëve që kanë vijuar edukimin parashkollor prej atyre që nuk kanë pasur rastin të vijojnë këtë nivel edukimi. Problem kryesor i kësaj situate është mungesa e arsimit si prioritet i vërtetë i autoriteteve kosovare. Kjo mund të ndryshojë e këtu ndikim mund të ketë zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave”.
Rexhaj shton se arsimi kosovar aktualisht sot është me tendencë të rënies – për shkak të pandemisë COVID, e për të kthyer këtë trend kërkohet përpjekja e tërë shoqërisë, meqë nuk mjaftojnë vetëm Ministria e Arsimit dhe prindërit.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi Emini konsideron se gjendja ekonomike sociale e rënduar në Kosovë, pa dyshim që është një ndër jo vetëm faktorët por edhe shkaktarët kryesorë të nivelit të lartë të analfabetizmit.
Sipas saj, Kosova ka nevojë për një angazhim të shtuar në këtë drejtim, e kjo mund të bëhej me formimin e komisioneve të veçanta në nivele të Qeverisë apo Ministrisë, në trajtimin e problemeve me ç’rast zbutet kjo problematikë nga e cila fatkeqësisht shoqëria jonë po pëson rënie ne çdo aspekt.
“Aktivizimi i mekanizmave nga ana e Qeverisë me Ministrinë e Arsimit dhe komunave do të ndikonin në uljen e nivelit të analfabetizmit. E mosarritja e zbutjes së analfabetzimit, drejtpërdrejt është përgjegjësi e institucioneve të cilat kanë gabuar në implementimin e programit të paraparë për ta luftuar këtë fenomen”.
Ajo thekson edhe nevojën e përqendrimit në viset rurale, ku gjendja është edhe më e keqe.
“Mungesa e instrastrukturës shkollore është njëri ndër problemet e para në mos-zbritjen e dukurisë së analfabetizmit, njëra arsye është edhe mungesa e mbështetjes financiare te familjet në nevojë’, thotë Kurteshi.
Arsimimi e njohuria e plotë e një popullsie janë ndër temat kryesore në vendet demokratike e të zhvilluara të botës, pasi që tendencat e globalizmit kërkojnë punonjës të arsimuar e në të njejtën kohë edhe fuqi punëtore të arsimuar dhe të trajnuar mirë. Në hapat e saj të shtet-ndërtimit të një shoqërie të përparuar, Kosova ende nuk po arrin të kacafytet si duhet me këtë sfidë.
Uranik Emini
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.