Build Skills with our trainings

Sign up now!

Ndërtimi i sheshit në Suharekë nxit reagime “pro et contra”

Gus 12, 2020

Ndërtimi i“Sheshit të Qytetit” në qytetin e Suharekës ka nxitur reagime të shumta të partive opozitare në këtë komunë për mënyrën dhe cilësinë e punimeve që po bëhen.

Ditë më parë Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte reaguar rreth punimeve dhe materialit që po përdoren, për cilësinë e të cilave, thonë se lë shumë për të dëshiruar.

Kryetari i këtij Forumi, Kushtrim Kuqi, kritikon punën që po bëhet në këtë shesh, ndonëse sipas tij qeverisja Muharremaj po e proklamon si punë shumë profesionale dhe brenda normave.

Edhe përkundër trumpetimeve të pa rreshtura të keqqeverisjes Muharremaj se në sheshin e qytetit po bëhet punë profesionale duke respektuar normat ndërtimore dhe planin dinamik po vërehet se nuk po bëhet punë aspak profesionale dhe me cilësi larg asaj të pranueshmes”, thotë Kuqi.

Ai vë dyshime edhe në përfundimin e sheshit në afatin e paraparë, duke e krahasuar këtë projekt edhe me atë të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”, për të cilën thotë se është zvarritur për tashmë 364 ditë, edhe pse ishte planifikuar të përfundonte brenda 90 ditëve.

“…Nuk mendojmë  punimet do të përfundojnë sipas dinamikës së paraparë ani pse po bëhen ndryshime në projekt, ndryshime këto që po e lehtësojnë kompaninë në realizimin e punëve”, shton Kushtrim Kuqi.

Këto dyshime i hedhë poshtë drejtori i Shërbimeve Publike, Mjedisit dhe Emergjencave në komunën e Suharekës, Enver Shabani. Ai thotë se punimet për ndërtimin e sheshit po zhvillohen sipas planit dinamik të projektit.

Sipas dinamikës së punimeve në punishte dhe pas rishikimit te buxhetit, sheshi do të perfundon sipas parashikimeve”, thotë Shabani.

Por, për këtë ka rezervë kryesia e Lëvizjes Vetvendosje në këtë qytet, me pohimin se ndërtimi do të duhej të fillonte me 23 shtator, por ka filluar me një muaj më vonë, ndërsa edhe punimet janë duke u zhvilluar me intensitet të ulët.

Ditë më parë, përmes llogarisë së tyre në Facebook, Vetëvendosje e ka quajtur këtë projekt si “korruptiv dhe të devijuar”, ndërsa gjithë procesin që nga faza e projektimit e deri te ndërtimi si të karakterizuar me keqpërdorime.

Kryesia e kësaj partie e vënë theksin edhe te fituesi i konkursit për ndërtimin e sheshit, “Hidroterm & Alba Konstruksion”, proces të cilin e vlerësojnë si të kurdisur për shkak të afërsisë që pronari i kompanisë fituese ka me qeverisjen lokale.

… Në reagimin tonë kemi shprehur dyshimin se kjo kontratë ka qenë e kurdisur pasi që dy ofertuesit më të lirë nuk janë shpallur fitues, ndërsa fitues është shpallur ofertuesi i tretë, e pronar i Operatorit Ekonomik që është shpërbyler me kontratë është djali i ish kryetarit të Komunës së Therandës dhe njëherit sekretar i partisë së AAK-së, Blerim Kuqi”, thuhet në përgjigjen e LVV-së për KosovaLive.

Edhe Kushtrim Kuqi flet për këtë fakt, ndërsa e cilëson si shqetësuese qasjen e kryetarit me kompanitë, siç pohon ai, të afërta me qeverisjen e Muharremajt.

“…Jo vetëm ky projekt por shumica e projekteve po realizohen nga 3-4 njerëz të afërt me pushtetin dhe njerëz në pozita kyqe në qeverisjen lokale në Suharekë. Si përfundim i kësaj nga këto 3-4 kompani nuk mund të presim që të kemi as cilësi të mirë e as respektim të  kontratave”, thotë Kuqi.

Ndërsa, drejtori Shabani thotë se projekti për ndërtimin e sheshit ka qenë një konkurs ndërkombëtar dhe ka kaluar gjitha fazat e parapara me standardin e ndërtimtarisë, ndërsa edhe tenderi ka qenë i hapur edhe në formën online.

Edhe tenderi ka qenë i hapur dhe forma e aplikimit me sa e di unë ka qenë online (pasi që me procedurat e tenderimit udhëheq ose menaxhon Zyra e Prokurimit), kurse unë zyrtarisht nuk di që ka pas ndonjë ankesë ose ndonjë parregullësi”, tregon drejtori i Shërbimeve Publike.

Lëvizja Vetvendosje ka tërhequr vërejtjen edhe për rrugën e cila është duke u ndërtuar mes sheshit, e cila, sipas kësaj partie nuk ka qenë pjesë e projektit.

Tash së fundmi kemi mësuar që projekti është duke u devijuar, është duke u paraparë ndërtimi i rrugës në mes të sheshit, gjë e cila nuk parashihet në projekt, madje për këtë devijim nuk ka asnjë diskutim e asnjë njoftim”, thonë nga Vetëvendosje.

Enver Shabani, thotë se çdo ndryshim eventual bëhet në koordinim me firmën projektuese-fituese të konkursit.

Tutje, nga Lëvizja Vetvendosje thonë se për një qytet me 88 mijë banorë, projekti për ndërtimin e sheshit nuk duhej të konsiderohej një ndër projektet më me prioritet.

“…Sipas statistikave rreth 1000 banorë në vit janë larguar nga Theranda këto 5 vitet e fundit, andaj një projekt i tillë milionësh nuk ka qënë i domosdoshëm”, thonë nga kjo parti.

Për këtë gjë, ndryshe mendon Kushtrim Kuqi. Ai thotë se Suhareka kishte nevojë për një shesh, por sipas tij, nuk e kishte komoditetin të fillonte një projekt të tillë pa përfunduar ndërtimi i unazave të jashtme të qytetit.

“…Qyteti ynë me konfiguracionin e terrenit që e ka dhe me mundësinë e rrugëve alternative që i ka nuk e kishte komoditetin që të fillonte ndërtimin e sheshit, gjegjësisht bllokimin e qytetit pa përfunduar ndërtimi i unazave të jashtme të qytetit”, përfundon Kuqi.

Edhe Shefket Buajri, nga fshati Duhël, sheshin e mendon si një projekt të mirë për Suharekën, por thotë se duhen krijuar edhe alternativa rrugore, që të mos krijohen tollovi në komunikacion.

“Aq sa e kam parë projektin e prezantuar më është dukur projekt adekuat për qytetin pasi do t’ia shtonte një bukuri, shto këtu edhe hapësira të lira për ecje dhe shëtitje me biçikletë…Nëse gjithçka kryhet ashtu si është paraparë, ne na mbetet ta mirëpresim këtë projekt”, thotë 20-vjeçari.

Ndërsa, Ismet Gashi, banor i Suharekës, shprehet i shqetësuar me betonizimin që po i bëhet qytetit, derisa thotë se ka nevojë më shumë për gjelbrim.

“Nuk janë duke bërë asgjë, nuk kanë lënë vend askund për gjelbrim, dojnë me e bë Suharekën krejt beton”, shprehet Gashi.

E Qëndresa Gashi, një tjetër banore e Suharekës, thotë se nëse sheshi ndërtohet ashtu siç është reklamuar, është shumë i mirë.

Ndryshe, “Sheshi i Qytetit” do të kushtojë rreth 1.7 milionë euro dhe pritet të përfundojë brenda 300 ditëve.

Diellza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM