Build Skills with our trainings

Sign up now!

Ndotja vazhdon, ndërkohë që pandemia përkohësisht “pastroi” ajrin

Gus 12, 2020

Eksperti për çështje të mjedisit, Zeqir Veselaj thotë se “izolimi” nga pandemia pati një rezultat të mirë në cilësinë e ajrit edhe në Kosovë por pas normalitetit gjithçka u bë siç ka qenë.

Gjatë izolimit nga pandemia si rezultat i ndërprerjes së aktiviteteve që shkarkojnë ndotës në ajër (transporti, aktivitetet ndërtimore e industriale) pati një përmirësim. Por pasi situata u kthye në normale’ menjëherë pas hapjes dhe rifillimit të aktiviteteve ekonomike dhe nivelet e shkarkimeve po kthehen atje ku kanë qenë”tha Veselaj.

Ministria e Ekonomisё dhe Ambientit pohon se masat qё janё ndёrmarrё pёr parandalimin e përhapjes sё Covid-19, dukshёm kanё ndikuar nё pёrmirёsimin e cilёsisё sё ajrit në vend. Sipas tyre, janë krahasuar tё dhёnat pёr pёrqendrimet e NOdhe grimcave pezull (particular metër) PM2.5 dhe PM10ku ёshtё shёnuar zvogëlimi i dukshëm si në nivelin europian ashtu edhe në Kosovë.

Sipas të dhënave nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës vërehet një ulje e ndotjes së ajrit në Kosovë në shkallë deri në 50% në nivel të vendit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Bazuar në të dhënat e regjistruara nga stacionet matëse në IHMK është vlerësuar se mesatarja e koncentrimit të NO2 në nivel të Kosovës, gjatë muajit mars ka qenë rreth 15 µg/m3, krahasuar me rreth 30 µg/m3 sa ishte në muajin mars të vitit kaluar, e kjo ulje ka qenë edhe gjatë muajit prill. Sa për ilustrim, në Prishtinë, në stacionin matës në IHMK përqendrimet mesatare të NO2 për muajin mars të këtij viti ishin 18.3 µg/m3, krahasuar me madje 43.5 µg/m3 sa ishin në muajin mars të vitit të kaluar.

Edhe eksperti tjetër kosovar për çëshje të mjedisit, Agron Bektashi thotë se si pasojë e pandemisë Covid-19, edhe në Kosovë, sikur në nivelin global, është vërejtur një ajër më i pastër, pak më tepër në vendet urbane. 

“…Gjatë karantinës nëpër shumë shtete të botës, nëpërmjet matjeve dhe fotove satelitore, është evidentuar një rënie e ndotjes se ajrit në nivel global. Mospërdorimi makinave, respektivisht zvogëlimi i trafikut në qytete të mëdha, zvogëlimi i prodhimit industrial, zvogëlimi i aktiviteteve në biznese dhe bujqësi, zvogëlimi i sasive të mbeturinave etj., kanë ndikuar që cilësia e ajrit të ketë trendë pozitivë. Gjithsesi se edhe në Kosovë kemi pasur një përmirësim të lehtë të cilësisë se ajrit e posaçërisht në pjesët urbane”, thotë ai.

Një qytetar, nga ana tjetër shprehet kritik dhe thotë se institucionet vendore nuk kanë marrë masa konkrete për t’a rregulluar cilësinë e ajrit, dhe konsideron se shumë sëmundje në Kosovë janë shfaqur si shkak i ajrit të ndotur.

…Qeveria jonë asgjë nuk ka punuar në lidhje më kujdesin ndaj ajrit të pastër, kudo kemi mbeturina dhe ajër të ndotur, besa edhe shumë sëmundje vijnë shkaku i ajrit, mund të them se edhe virusi aktual Corona shkaktohet përmes papastërtisë dhe shpërndahet me ajër”, thotë Rrahmon Berisha, pensionist nga Prishtina.

Në Raportin për “Cilësinë e Ajrit në Evropë 2019”, Kosova ishte radhitur si njëra ndër vendet me ajrin më të ndotur, duke zënë vendin e tretë pas Maqedonisë dhe Bosnje e Hercegovinës për nga ajri i ndotur.

Eksperti Bektashi veçon Prishtinën, Fushë Kosovën dhe Obiliqin si vendet me ajrin më të ndotur në Kosovë. Faktorët kryesor të ndotjes së ajrit industritë e ndryshme dhe trafiku urban…

Gjendja e kualitetit të ajrit në Kosovë është mjaft serioze dhe është rezultat i zhvillimit të pakontrolluar në sektorin industrial, urban, planifikimit jo adekuat hapësinor, teknologjisë joadekuate, trafikut të stërngarkuar dhe me numrit të madh të makinave e të gjitha kategorive etj. Pra, shkaktarët kryesorë  të ndotjes  janë: Termocentralet A dhe B/ industritë e ndryshme si Feronikli dhe Sharrcemi, trafiku dhe transporti dhe ngrohjet nga amvisëritë. Në ndotje gjithashtu kontribuojnë edhe mbeturinat, bujqësia dhe bizneset”, ka thënë Bektashi për KosovaLive. 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike si institucioni më i lartë shëndetësor, shkencor dhe profesional vazhdimisht i ka informuar qytetarët për gjendjen aktuale të cilësisë së ajrit në vend. Gjatë raportimeve të tyre gjatë vitit 2019 dhe 2020, Prishtina ishte vendi me ajrin më të ndotur në Kosovë duke i lënë pas Fushë Kosovën, Hanin e Elezit, Drenasin e Obiliqin, Gjilanin dhe vende të tjera. Në Raportin Vjetor për Gjendjen e Ajrit  gjatë vitit 2019 sezoni vjeshtor dhe dimëror në Han të Elezit, Gjilan dhe Prizren u vlerësuan me ndotje me të lartë veçanërisht me grimcat e pluhurit (PM10/PM2.5), kjo e cila është e rrezikshme për shëndetin e njeriut. 

Eksperti Veselaj shton se cilësia e ajrit në zonat urbane është e rënduar, sidomos gjatë muajve të dimrit kur nevoja për ngrohje rrit djegien e burimeve jo të ripërtritshme si qymyri, druri, mazuti etj. Problem kryesor për shëndetin publik janë shkarkimet e imta PM10 dhe PM2.5, sidomos PM2.5 e cila rrit sëmundjet në mushkëri tek njerëzit.

Gani Sylejmani një qytetar nga Prishtina, në një prononcim për KosovaLive shprehet kritik për mungesën e masave konkrete nga autoritetet.

Me të rrezikuarit nga ndotja e ajrit jemi ne vetë qytetarët, Qeveria, Kuvendi e as ndonjë ministri konkrete që merret me ambientin deri më tani nuk kanë ndërmarr asgjë. Nuk kemi çfarë të bëjmë duhet të jetojmë në ambiente të ndotura, frikë më të madhe e kam shëndetin tim, familjes dhe popullatës”, thotë Sylejmani.

Sipas ekspertit Bektashi, janë disa masa që duhet të ndërmerren nga institucionet vendore por edhe nga shoqëria civile dhe qytetarët për mirëmbajtjen e cilësisë së ajrit në Kosovë.

“…Inspektim dhe kontrolle të shtuara duhet të ketë nëpër pikat industriale dhe bizneseve që emetojnë shkarkime në ajër; Përdorimi i karburanteve më cilësor dhe kontrolle të cilësisë nëpër pikat e shitjes; Zvogëlimi i përdorimit të burimeve/karburanteve fosile (thëngjill, dru, naftë, etj) dhe promovimi i energjisë të ripërsëritshme dhe i eficiencës; Modernizimi, zgjerimi apo ndërtimi i ngrohtoreve qendrore nëpër qyteteve me kapacitet të mjaftueshëm që të kyç shumicën (80-90%) e qytetarëve; Ndalesa e importit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet; Promovimi i trafikut publik; Monitorimin e përdorimit të pesticideve dhe plehrave kimike; Pyllëzimi (bimëhalore) dhe krijimi i sipërfaqeve të gjelbërta në qytete e posaçërisht ku ndotja e ajrit është e theksuar; dhe rritja e ndërgjegjësimit tek qytetarët dhe klasa politike”, thotë ai.

Edhe eksperti Veselaj kritikon institucionet të cilat, siç thotë ai duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi përmirësimit të ajrit se sa infrastrukturës rrugore.

“...Në fakt me ‘avullimin’ e Ministrisë së Mjedisit që ndodhi sivjet, vështirë të adresohen se çka mund të bëjnë. Zbatimi i ligjit dhe rregulloreve në fuqi është çelësi i përmirësimit të ajrit në vend. Komuna e Prishtinës duhet të investojë në projekte gjelbërimi e jo vetëm asfalt sepse gjelbërimi është filteri më i mirë për pastrimin e ajrit. Pra nëse nuk mund të bëhen projekte të shtrenjta teknologjike mund të bëhen investime më të vogla në gjelbërim dhe në rregullimin e transportit brenda qendrave urbane”, thotë Veselaj.

Sipas Ministrisë Ekonomike dhe Ambientit, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit në vend, është hartuar “Plani i Veprimit për Cilësinë e Ajrit”, i cili është i aprovuar edhe nga Kuvendi i Kosovës.

MEA po ashtu pohon se është duke u implementuar edhe projekti tjetër nga JICA “Kontrolli i ndotjes së ajrit”. Bazuar në të dhënat e hulumtimit është bërë simulim-modelimi për zonën e Prishtinës, për periudhën një vjeçare, i cili do të duhej të jepte rezultatet e vlerësimit të cilësisë së ajrit për kontributin e secilit burim në ndotjen e ajrit.

Pas mbledhjes së të dhënave të reja të nevojshme ekspertët e JICA-s së bashku me ekipin e ministrisë janë duke bërë vlerësime të detajuara të kontributit të burimeve të ndotjes së ajrit në Prishtinë. Në bazë të rezultateve do të përcaktohen masat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjate për zvogëlimin e ndotjes së ajrit gjatë rishikimit të dokumenteve strategjike të Qeverisë. Është duke u implementuar projekti me MCC/MFK përmes të cilit MEA ka ngrit nivelin e informimit dhe monitorimit të cilësisë së ajrit”, pohon në një përgjigje me shkrim për KosovaLive, Divizioni për Komunikim me Publikun në MEA.

Në një hulumtimin nga IQAir-i, kompani kjo zvicrrane e teknologjisë së cilësisë së ajrit thuhet se njerëzit e shëndetshëm të ekspozuar ndaj përqendrimeve të larta të PM2.5 përballen me një rrezik më të lartë të infeksioneve të rënda ose vdekjeprurëse me COVID-19. Sipas kësaj kompanie kombinimi i COVID-19-it dhe ndotjes së ajrit po shton numrin e të vdekurve: në hulumtimin e tyre njerëzit në zonat e ndotura kishin një vdekshmëri prej 8.9% kundrejt 4.08% për ata që jetojnë në zona më pak të ndotura.

Sipas Veselajt, numri total i vdekshmërisë në Kosovë si shkak i ndotjes së ajrit kap shifrën rreth 3 mijë.

Numri total i vdekjeve të parakohshme nga shkarkimet e PM2.5 në 41 shtetet evropiane sipas raportit është 412,000. Kosova renditet kah mesi i listës, në vendin 21 me 3,800 vdekje të parakohshme brenda vitit. Mirëpo sipas mesatares vjetore të llogaritur me metodologjinë ETC/ACM 2019 (koncentrimet μg/m3 për 100.000 banorë) Kosova renditet në vendin e tretë pas Maqedonisë dhe Bosnjë-Hercegovinës”, ka thënë ai.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vetëm ndotja e ajrit vret rreth shtatë milionë njerëz në mbarë botën çdo vit. Sipas të dhënave nga kjo organizatë, ajri i ndotur është kërcënuesi më i madh i shëndetit, veçanërisht më të rrezikuarit janë njerëzit me sëmundje kronike.

Shqipdona Gashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM