Teatri ka qenë gjithnjë pjesë e proceseve historike, duke u lidhur ngushtë me politikën, filozofinë, psikologjinë dhe artet e epokave të ndryshme historike. Gjithë këto veçori e kanë bërë atë të jetë sa më i natyrshëm për të gjithë, por në të njejtën kohë edhe i ndërlikuar kur është në formën e tij më të zhvilluar. Pikërisht për këtë arsye, ai është një ndihmë e madhe për kulturën e secilit individ dhe të shoqërisë në përgjithsi.
Marrja e mesazheve te duhura dhe emocioneve të plota kur ndjekim një shfaqje është i papërshkrueshëm, shumë herë teatri ka ndezur në individë të caktuar edhe dëshirën për t’u marrë me teatër.
Ky vit me pandemi të paparë deri më tani, ka ndryshuar shumë gjera, e anash nuk është lënë as teatri e instuticionet e tjera kulturore.
Në pamundësi për të qenë pranë audiencës për një periudhë të caktuar kohore drejtuesit e Teatrit Kombëtar të Kosovës, u janë bashkangjitur grupeve të ndryshme që shfaqjet e tyre t’i sjellin virtualisht, pra, online te publiku.
Aktori Dukagjin Podrimaj pajtohet që pandemia ka krijuar një krizë shëndetësore globale, mirëpo edhe e ka prekur artistin mbi të gjithë.
“Për aktorin, kjo gjendje është një lloj vdekjeje klinike. Aktorit patjetër i duhet një grumbull njerëzish, pikërisht të cilën masat e sigurisë e ndaluan”, shprehet ai.
Podrimaj megjithatë beson se pandemia ka sjellur edhe disa anë pozitive të një artisti dhe mbyllja ka mundësuar që ata të mësojnë të luajnë një instrument muzikor, apo të përgatiten fizikisht, apo thjeshtë edhe të lexojnë, të bëjnë diçka produktive.
“Teatri në internet, në analogji, është sikur të jemi shumë të uritur e të ngopemi duke lexuar menynë e cila gjendet përpara restoran-it. Që do të thotë se apetiti i publikut ose aktorit për teatër shuhet vetëm kur gjindesh brenda asaj atmosfere magjike që krijohet aty”.
Por, Podrimaj gjithashtu shton se po të vazhdojë kjo gjendje përgjithmonë, teatri do të vdes dhe nuk do të shërbejë më.
Edhe aktori tjetër nga Gjilani, Ernest Zymberi, është i mendimit se gjithçka që është tepër ose e përsëritur është e keqe.
“Fillimisht falenderoj zotin për shëndetin, pasi që është primare për secilin nga ne, e uroj që ta kalojmë si është më së miri këtë luftë të panjohur e cila na ka shokuar të gjithë botën”.
Drejtori i Teatrit të Gjakovës njëkohësisht edhe aktori, Edi Kastrati, thotë se as nuk e paramendon jetën e tij pa teatrin, e këto kohët e sotme, që shpreson se do të kryhet sa më shpejtë, kanë “… bllokuar dhe anuluar shumë punë dhe projekte”.,
“Nuk mund të ndihmojnë në ‘shpëtimin’ e teatrit (përmes shfaqjeve online), por vetëm në rifreskimin e memories tek ata që nuk i kanë parë shfaqje dhe në reklamimin e teatrit”.
Aktori Kastrati është optimist se në nëntor të këtij viti gjërat mund të kthehen në normalitet.
Drejtori i Teatrit Hadi Shehu, Gjakovë, Edi Kastrati gjatë pandemisë me teatrin e shprazur.
Në anën tjetër, Zymberi, beson se karantina e cila ndodhi këtë vit kishte gjithnjë edhe anët e saj pozitive, siç është qëndrimi me familjarët nëpër shtëpi. Mirëpo, puna e tij u ndërpre dhe një projekt në regji të Agon Myftarit që po i përgadisnin në Teatrin e Qytetit të Gjilanit akoma nuk ka vazhduar.
“Projekti i fundit të cilën e kemi zhvilluar në teatër ka qenë “Të fala nga Gjilani”, i cili është përgaditur enkas për diasporën tonë mbarë botës dhe veçse është tradicional. Jeta pa teatrin duket monotone dhe shumë e përsëritur”, shprehet aktori gjilanas, i cili shpreson në një rikthim të jetës profesionale sa më shpejtë.
Duke pasur parasysh se edhe Teatri i Qytetit të Gjilanit i është bashkuar nismës për të transmetuar shfaqje online, Zymberi shprehet se një gjë e tillë është gjithnjë e mirëseardhur, pasi që e mbajnë publikun afër sidomos në kohë të tilla. Por, ai thotë se teatri nuk është film dhe nuk e ka të ardhmën në këto platforma.
Magazina amerikane The Atlantic tregon se humbjet e teatrit gjatë pandemisë në Amerikë kanë kapur shifra milionëshe vetëm për 3 muaj. Kompania Nimax, e cila ka 6 teatro në West End, ka deklaruar se kanë humbur afërsisht rreth 2.5 milionë paund gjatë kësaj pandemie. Ndërsa, në vendin tonë nuk ka ndonjë deklarim të tillë mbi humbjet që kanë pasur teatrot e Kosovës.
“Teatri në këtë kohë do të ishte ‘lluks’ dhe nuk ka komoditet për ta përjetuat atë. Nuk ka logjikë të hysh në sallë me trishtimin se mund të infektohesh dhë të shikosh një komedi. Edhe të qeshurat do të ishin më të pakta prej frikës së kontaktit nëpërmjet ajrit”, konsideron aktori Zymberi.
Studentja e aktrimit, Djellza Dema thotë se e viziton teatrin disa herë në javë.
“Është një lloj rutine në jetën time pasi që studioj aktrimin. Jam e interesuar në të, aq sa janë edhe aktorët e tjerë”, kështu ajo.
Dema shpjegon se si pandemia ndikoi që asaj të mos i’u jepej mundësia që të shfaq punën e saj në teatër. Arsyeja ishte se provimet mbahen të hapura dhe shikohen nga njerëzit që shkojnë atje për t’i mbështetur, e kësaj radhe ata u dësht t’i mbanin të mbyllura.
Aktorja në ardhje, Djellza Dema, gjatë studimeve të saja në Fakultetin e Arteve në Prishtinë
Dema shpreson që teatri të kthehet shpejtë, pasi që ka shumë artistë që janë të varur nga ajo punë.
Prania në teatër është ndryshe nga ajo se çka shikojmë në internet, të mungon ndjesia e teatrit, emocionet, ethet e skenës, ndjenja të cilat nuk mund të përshkruhen”, thotë ajo.
Uranik Emini
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.