Build Skills with our trainings

Sign up now!

Në politikën shqiptare, të rinjtë nuk ju ikin shablloneve të vjetra

Gus 27, 2020

Partitë politike në Kosovë për disa janë forma e vetme e ndryshimit rrënjësor e për disa asgjë më tepër se nëpërkëmbje e energjisë rinore.

Asambleistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin Komunal në Drenas, Florentina Elezi-Veliu që në moshë të re ishte përfshirë në politikë. Por që përkundër vullnetit dhe dëshirës për t’u marrë me politikë, në rrugëtimin që kishte zgjedhur nuk kishte marrë përkrahje nga më të rriturit.

Ajo në një prononcim për KosovaLive thotë se të rinjtë përballen me vështirësi të shumta në politikë, por që ato vështirësi e kanë përgatitur atë edhe më shumë për këtë fushë.

“Unë jam kyçur në politikë në moshën 20 vjeçare dhe përkahje nga më të rriturit nuk është se kam pasur. Unë kam hasur në vështirësi të ndryshme dhe jam injoruar, kështu edhe është tentuar ta ndalin zërin e rinisë, e shpesh herë kanë tentuar të të anashkalojnë vetëm pse je grua”, ka thënë ajo.

Elezi-Veliu thotë se të rinjve nuk u ofrohen pozita vendimarrëse, andaj ata mundohen t’i shfrytëzojnë për pozita më të ulëta.

Sipas saj, rinia në Drenas nuk ka hapësirë për pozita vendimarrëse.

Rinia e Drenasit ka shumë pak apo aspak hapësira vendimarrëse në institucione. Që t’i kalojmë këto vështirësi, duhet një vendosmëri e madhe dhe vetëbesim”.

Edhe Qëndresa Nikqi nga Peja, thotë se partitë politike në vend nuk lënë hapësirë të mjaftueshme për të rinjtë.

Tani zëvendësdrejtoreshë në organizatën LDA-Ballkan(Leadership Development Association) ajo thotë se të rinjtë duhet të jenë më kërkues brenda partive politike.

“Në takimet që kam marrë pjesë si zv.drejtore e LDA-Ballkan çdo herë kam kërkuar që të rinjtë të kenë vend meritor dhe hapësirë sa duhet në lista zgjedhore, funskione partiake dhe pozita në institucione”, thekson ajo.

Derisa të rinjtë po kanë vështirësi në arritjen e pozitave kyçe në politikë, Nikqi thotë se për ta duhet të krijohet më shumë hapësirë.

“Unë mendoj që rinisë duhet t’i krijohet më shumë hapësirë në pozitat vendimarrëse, sepse përvoja dhe përgatitja profesionale krijohen kur neve na jepet kjo mundësi të ballafaqohemi më afër më çështje të caktuara”, thotë ajo.

Në Hulumtimin e Demokracisë për Zhvillim, të publikuar në vitin 2020 “Sa miqësore janë partitë politike ndaj të rinjve?”, janë bërë të ditura pengesat me të cilat të rinjtë ballafaqohen në partitë e tyre politike për t’u avancuar në karrierën e tyre politike.

 “Prej pengesave të listuara janë: mungesa e përkrahjes financiare, mos bashkëpunimi në mes të rinjve dhe kufizimi i hapësirës në media dhe takimeve me publikun”, thuhet në hulumtim.

Sipas raportit, nga të rinjtë e intervistuar, ata të Aleancës Kosova e Re (AKR) kanë përqindjen më të lartë me 50% që kanë garuar për pozita publike, të pasuar nga ata të LDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 27%. Nga ata të cilët kanë pasur rastin të garojnë në zgjedhje për pozita publike, përkrahje ju është ofruar të gjithë kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate, ndërsa më së paku kanë përfituar ata të NISMA për Kosovën.

Ndërsa, në raportin e publikuar në vitin 2018 nga Balkan Policy Research Group “ Të rinjtë në politikë”, thuhet se demokracia nuk është e plotë pa gjithëpërfshirje dhe se të rinjtë dhe gratë duhet të jenë pjesë e rëndësishme e vendimarrjes.

Disa të rinj nuk shohin perspektivë në politikë

Elona Leku, studente e Fakultetit të Infermierisë në Kolegjin AAB është shprehur skeptike për rolin e partive politike.Ajo thotë se nuk është e përfshirë në asnjë parti politike dhe se nuk do të jetë as në të ardhmen pjesë e tyre.

 “Nuk dëshiroj të jem pjesë e partive politike në Kosovë sepse nuk ka perspektivë edhe nuk lënë hapsirë që të bësh ndryshime”, ka thënë ajo.

Leku është shprehur se në të ardhmen nuk synon as të jetojë në Kosovë.

 “Studioj infermieri dhe synoj të jetoj në të ardhmen në Gjermani, atje ku suksesi për atë që punon është i garantuar“, ka deklaruar ajo.

Ndërsa Verona Kovaçi, studente e Fakultetit për Biznes e Menaxhment në Kolegjin Universum vlerësuan se të rinjtë duhet përfshirë në proceset politike e po ashtu edhe në parti, megjithëse ajo nuk e sheh veten në asnjërën nga partitë politike në vend.

 ‘’Partitë politike në Kosovë janë bërë si treg i punës ku përmes tyre gjenë mundësinë për t’u punësuar, ndaj nuk e mendoj se ato ia vlejnë të ndiqen, mirëpo në përgjithësi në aspektin politik mendoj se të rinjtë duhet përfshirë në procese të ndryshme për t’u dëgjuar zëri ynë”, ka thënë ajo.

Ndryshe, derisa shumë të rinj nuk kanë interesim të jenë pjesë e partive politike në vend, ata që janë pjesë e këtyre subjekteve, nuk përfillen sa duhet.

Afrim Berisha, ish-kryetar i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Drenas (KVRL), tani aktivist politik thotë se vendimarrja e rinisë në vendin tonë është aq e vogël dhe e papërfillshme sa që nuk e di nëse mund të quhet edhe vendimarrje, kjo për shkak të formimit jo të duhur që kanë të rinjtë në Kosovë.                                                                                                                                                                                                                                                                                  

Sipas tij, përkundër shpërfilljeve nga të tjerët, të rinjtë shpërfillin edhe vetën e tyre, andaj edhe nuk mund të bëhen më shumë se sa shërbëtorë të ‘gradave të vjetra’.

Këtu kam fjalën qoftë për organizatat apo mekanizmat rinor, qoftë për të rinjtë në partitë politike, të cilët janë më shumë të pa guximshëm se sa të pa aftë për të shtyrë përpara idetë e tyre”, ka deklaruar Berisha.

Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Drenasit, Shqipe Zogu, thotë se përveç angazhimit të të rinjve në sferat e kulturës dhe sportit, ajo mundohet të krijojë hapësira mbështetëse edhe në përfshirjen e të rinjve në politikbërje duke krijuar hapësira vepruese për këtë çështje.

Duke u thirrur në përvojën personale, Zogu thotë se rinia në Kosovë ka tre forma si zgjidhje për përfshirje në politikbërje: në organizata qeveritare, në media dhe në partitë politike.

 Në raportin “Angazhimi i të rinjve në Qeverisjen Lokale në Kosovë”, i publikuar nga “Equal Rights for All Coalition”, thuhet se Këshillet e Veprimit Rinor Lokal nuk janë edhe aq transparente e llogaridhënëse.

Në bazë të strategjisë për rininë 2019-2023 të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nevoja për përmirësimin e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimarrje dhe politikbërje vazhdon të jetë e rëndësisë së veçantë. Nga puna që është bërë dhe fushatat ndërgjegjësuese është parë se ka përmirësim mirëpo nevojitet akoma shumë përkushtim. Kastriot Luma, Kryetar i Kuvendit të të Rinjvë të Kosovës vlerëson se OJQ-të rinore kanë bërë një punë të madhe shpeshherë pa përkrahje institucionale në fuqizim të të rinjve.

Ai ka thënë se si organizatë janë munduar që sa më shumë të krijojnë masa të të rinjve në komunat e Kosovës me qëllimin e vetëm që ata të kërkojnë vet të drejtat dhe të përgjigjen për obligimet e tyre.

Qëllimi i krijimit të masave të reja kritike dhe të përfshirjes së tyre në diskutime të ndryshme në nivelin lokal me arsyen e vetme përfaqësimin e interesave të komuniteti të tyre besoj se është realizuar”, ka theksuar ai.

Në raportin“Roli i të Rinjve në Subjektet Politike në Kosovë”, i publikuar nga USAID në korrik të vitit 2016 thuhet se një numër i madh i të anketuarve nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë të subjekteve politike. Sipas një ankete të realizuar me 500 persona të moshës nga 15 deri në 29 vjeç nga USAID, ka dalur se 73 për qind e të anketuarve nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë të subjekteve politike.

Rinia ia zë ulëset deputetëve të vjetër të Kuvendit të Kosovës

Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës, thekson se mosha mesatare e deputetëve të kësaj legjislature është 42 vjeç.  Nëse shikohen statistikat edhe nga dy legjislaturat e kaluara, kjo legjislaturë ka numrin më të madh të deputetëve të rinj në moshë, kryesisht të moshës 20-30 vjeç, me gjithsej 11 deputetë të kësaj grupmoshe.

“Kur kemi numër kaq të madh të deputetëve të rinjë në moshë që marrin mandatin për herë të parë, pritshmëritë janë më të mëdha”, thotë ajo.

Ndërsa, Drejtoresha e Organizatës Joqeveritare “Asisst Kosovo”, Visare Berisha vlerëson  se investimi i partive politike në kuadro të reja nuk është fare i kënaqshëm. Sipas saj, të rinjtë tanë kanë shumë potencial dhe pak mundësi, derisa edhe përfshirja e grave në politikë është e rëndësishme.

 “Përfshirja e grave në të gjitha aspektet e jetës politike është e rëndësishme jo vetëm sepse gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë, por edhe sepse realizimi i pjesëmarrjes së balancuar të grave dhe burrave në vendimarrjen politike dhe publike është çështje e gëzimit të plotë të drejtave të njeriut”, ka deklaruar ajo.

Në bazë të raportit “Gratë në politikë dhe qeverisje: perceptimet e të rinjve/ të rejave” të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, brenda secilës prej partive të mëdha politike një grup grash kanë arritur kapital dhe njohje politike.

Ndryshe, një mendësi e tillë si në Kosovë, pothuajse ekziston edhe në shtetin fqinj, në Shqipëri. 

Anila Salianji, pjesëtare e organizatës “Qëndresa Qytetare” dhe ish-organizatore e protestave studentore në vitin 2018, ka thënë se në Shqipëri ekziston një fenomen, ku të rinjtë pasi angazhohen në partitë e vjetra politike, jo vetëm që nuk sjellin një frymë dhe vizion të ri në jetën politike në vend, por shndërrohen në kopje të shëmtuara të liderëve të këtyre partive.

 “Në Shqipëri të rinjtë janë shumë pak të përfaqësuar në jetën politike në vend, dhe kjo jo kryesisht për fajin e tyre, por për shkak të një skene politike që nuk është e hapur ndaj një mendësie, fryme dhe vizioni të ri”, ka thënë ajo.

Ajo po ashtu ka vënë në pah dhe numrin e azil kërkuesve të rinj nga vendet e Ballkanit Perendimor duke i lënë fajin qeverive autoritare.

Në raportin vjetor “Pjesëmarrja Politike, Sociale dhe Ekonomike e të Rinjve në Shqipëri” i publikuar nga “Partners Albania” është thënë se popullsia nën moshën 30 vjeç përfaqëson një të tretën e popullsisë totale në Shqipëri. Megjithatë, pjesëmarrja e të rinjve në të dyja sferat atë politike dhe sociale mbetet e ulët.

Sipas raportit “Të rinjtë në Shqipëri” të publikuar nga “Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri”, të gjitha partitë politike në këtë shtet në statutet e tyre parashikojnë role dhe përgjegjësi specifike për forumet rinore.

Edhe në Maqedoni, interesimi i të rinjve për politikë është i ulët, e sidomos viteve të fundit ka shënuar rënie. Në studimin rinor për vitin 2018-2019 nga fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung thuhet se tek të rinjtë në Maqedoni akoma ekziston dëshira për t’u larguar nga vendi, në kërkim të një standardi më të mirë jetësor.

Derisa rinia në Kosovë dhe Shqipëri nuk gjenë mbështetje të mjaftueshme për t’u përfshirë në politikë, Gentiana Fana nga Kosova ka arritur të bëhet Këshilltare Politike e Presidentës Kroate, Kolinda Grabar Kitarovic.

Rrugëtimin e saj politik e ka filluar para katër viteve përmes partisë Lidhja Demokratike Kroate ku u zgjodh si anëtare e grupit punues për krijimin e bordeve. Detyra e saj ishte krijimi dhe pastaj udhëheqja e Bordit të Punëve të Jashtme përmes të cilit e kishte përfaqësuar Kroacinë në disa aktivitete të ndryshme në Evropë.

Fana është shprehur se rinia në këtë shtet gjenë përkrahje të madhe.

“Rinia në Kroaci përkrahet edhe në fusha tjera përveç politikës ndërsa në Kosovë rinia duhet të vendos mes punësimit të paguar dobët ose migrimit jashtë kufijve të Kosovës”, ka theksuar ajo

Pjesëmarrja e të rinjve në politikë është parësi e rëndësishme nga shumë shtete.Në një studim të vitit 2017 nga James Sloam dhe Matt Henn, për të rinjtë në politikë në Britani, thuhet se në zgjedhje duhet të rritet pjesëmarrja e njerëzve të rinj e të shfaqen parti të reja që mbështesin të rinjtë.

Ndërsa, sipas studimit të “National Centre for Social Research” të rinjtë në politikë nuk kanë besim te politikanët. Politikanët nuk janë të përgjegjshëm për mbajtjen e premtimeve dhe thënien e të vërtetes, andaj edhe kjo vlerësohet të jetë faktor që i shtynë të rinjtë të mos merren me politikë.

Altina Nika

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM