B.M. (26 vjeçare) dhe A. B.(28 vjeçar), kanë tashmë një vit që jetojnë së bashku në Prishtinë. Pas dy vjet lidhjeje, ata kanë vendosur të ndajnë përditshmërinë e tyre për ta njohur edhe më mirë njëri-tjetrin, para se dashurinë e tyre ta karakterizojnë me martesë.
“Bashkëjetesa ka qenë një vendim që e kemi marrë bashkë, sepse kemi dasht me njoft njëri-tjetrin edhe më mirë para se të kalojmë te martesa”, thotë 26 vjeçarja nga Ferizaj..
Bashkëjetesa është një formë alternative e re e jetesës në çift e marrë si model nga vendet perindimore që ka nisur të praktikohet edhe në Kosovë. Sipas sociologëve, bashkëjetesa si një formë moderne në thelb nuk dallon shumë nga lidhjet tradicionale martesore.
Sociologu hulumtues, Driton Zeqiri, tregon se bashkëjetesa dhe martesa janë të ngjashme si koncept dhe si praktikë. Sipas tij, në shoqërinë kosovare, bashkëjetesa është adoptuar si alternativë e përkohshme, ndaj martesës tradicionale.
“Bashkëjetesa mbi të gjitha ka të bëjë me zgjidhjen praktike, për të jetuar në çift, për të konsumuar lidhjen dhe për të shtyrë martesën për një kohë tjetër”, thotë ai.
Në legjislacionin e Kosovës, bashkëjetesa njihet si bashkësi faktike ose bashkësi jashtëmartesore dhe përkufiohet si “marërdhënie faktike midis burrit dhe gruas që jetojnë në çifte, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”. Ligji për Familjen, bashkëjetesën e barazon me satusin martesor nga aspekti i të drejtave dhe detyrimeve për përkujdesje, mbështetje financiare reciproke dhe të drejtat pasurore.
Por, praktikat e tilla në shoqëritë patriarkale sigurisht që janë më zor të pranueshme dhe nxisin paragjykime.
A.B. e pranon se ka pasur paragjykime kur ka vendosur të bashkëjetojë me të dashurën e tij. Ai tregon se familja e tij e ka pasur pak të vështirë ta pranojë vendimin e tij dhe nuk kanë menduar se lidhja e tij do të zgjasë.
“Duke e ditur presionin që e kam pasur unë për t’u martuar , siç e kanë shumë prej të rinjëve, moshatarë të mi, bashkëjetesa ka qenë një vendim i guximshëm. Familja nuk kanë qenë edhe shumë entuziastë për këtë vendim timin. Ata insistonin që në vend që të bashkëjetojmë të martohemi. Ndërsa edhe shoqëria kanë pasë rezerva lidhur me efektin e bashkëjetesës”, thotë 28 vjeçari.
Sociologu, Zeqiri mendon se në raste të tilla paragjykimi më i madh është ndaj vajzave dhe grave. Ndërsa qëndrimet e komunitetit ndryshojnë varësisht nga modeli i bashkëjetesës. Nëse bashkëjetesa priret të jetë më tradicioinale, e përafërt me martesën, atëherë sipas, Zeqirit, shoqëria mund ta pranojë më lehtë dhe të ketë një qasje më pozitive ndaj çifteve në bashkëjetesë.
B.M. e pohon se është paragjykuar për vendimin e saj. Ajo tregon se familjarët e saj e kanë pasur të vështirë ta kuptojnë se si ajo ishte e gatshme të bashkëjetonte me dikë, ndërsa nuk donte të martohej. Ajo thotë se edhe për shoqërinë e saj koncepti i bashkëjetesës ka qenë diçka e re dhe e panjohur.
Sipas një raporti të “U.S Census Bureau” përqindja e bashkëjetesave tek moshat 25-34 vjeç është rritur nga 12% më 2008 në 15% në vitin 2018, derisa përqindja e të martuarve te këto mosha është duke rënë çdo ditë.
Sipas një artikulli të Washington Post, i cili i referohet një raporti të Shoqatës Psikologjike Amerikane, bashkëjetesa mund të sjellë të njëjtat përfitime shëndetësore dhe emocionale që mund të sjell edhe martesa.
Martesa është praktikë tashmë e njohur, ndërsa mënyrat e lidhjes së saj kanë pësuar ndryshime ndër vite, derisa të rinjtë e sotëm kanë filluar t’i modernizojnë ato, duke i ikur tradicionales.
Zeqiri vlerëson se ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me shmangien nga ritet që e karakterizonin një martesë në shekujt e fundit.
“Ritet e martesës që ishin dominuese deri para dy dekadave tani nga shumë individë shihen si anakonike”, shton ai.
Po krahas numrit të bashkëjetesave, po rritet edhe mosha, në të cilën njerëzit po vendosin të martohen. Kjo tregohet edhe në një raport të “Pew Research Center”, sipas së cilit trendi i rritjes së moshës në të cilën gratë dhe burrat martohen për herë të parë, po vazhdon. Siç tregon ky raport, më 2011 mosha mesatare e martesës së parë te burrat ishte 28.7 dhe 26.5 te gratë. Kjo nënkupton se burrat nuk martohen deri në 29 vjeç, ndërsa gratë deri rreth moshës 27 vjeçare. Ndërsa, më 1960 mosha mesatare e martesës te burrat dhe gratë ishte në të 20-tat.
Alba Bytyqi, 29 vjeçare, thotë se arsyeja pse ajo ende nuk është martuar është përkushtimi i saj për karrierën. Ajo tregon se ka pasur presion nga familja dhe shoqëria për t’u martuar, por për të ka qenë e rëndësishme që së pari të shkollohet, të ketë një vend pune, të ketë një gjendje të qëndrueshme financiare, para se të marrë hapa të tillë si martesa.
“ Unë prej fillimit kam dashtë me e përfundu fakultetin njëherë, pastaj me u punësu, me e pasë karrierën time, me qenë e pavaruar ekonomikisht e pastaj të mendoj për martesë e për me kriju familje… Presioni sigurisht që ka qenë i madh prej familjarëve, prej shoqërisë, sepse në shoqërinë tonë martesa është shumë e rëndësishme dhe nëse nuk arrin me u martu deri në moshën 25 vjeçare, presioni rritet edhe më shumë, sidomos te vajzat…”, shprehet Alba.
Sociologu Driton Zeqiri, shtyrjen e moshës së martesës e lidhë me ndryshimet ekonomike. Sipas tij, variablat kryesore që ndikojnë në moshën e martesës, janë të ardhurat e qëndrueshme dhe prona.
Diellëza Kabashi
Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.