Build Skills with our trainings

Sign up now!

Rrezik nga COVID-19 por edhe nga mbeturinat mjekësore

Sht 11, 2020

Nga mesi i muajit mars i këtij viti e deri më tani, Kosova u ballafaqua me pandeminë Covid-19. Edhe pse jemi pak në numër, përhapja dhe vdekshmëria në vend nga virusi Korona, vazhdon të tregojë rritje.

Për qytetarët, infektologët dhe kompani të ndryshme menaxhuese për mbrojtjen e mjedisit, si shqetësim shihet edhe prania e mbeturinave mjekësore jashtë kontejnerëve -maskat, dorezat dhe dezifektantët, që përdoren për mbrojtjen dhe trajtimin e pacientëve të sëmurë me COVID-19.

Foto e realizuar tek “Qafa”, në kryeqytet

Naser Ahmeti, një qytetar nga Prishtina rrëfen se mbeturinat mjekësore janë të ekspozuara rrugëve në vend se të jenë në kontejnerë.

“…Nuk është vetëm Prishtina që është ndotur nga mbeturinat me maska e doreza por edhe shumë vende të tjera, kudo që eci shoh mbeturina si maska, doreza dhe dezifektant. Personat të pandërgjegjshëm po e rrezikojnë jetën e fëmijëve por edhe tonin pa dyshim”, tha ai për KosovaLive.

Sipas tij, nevojitet një vetëdijesim i popullatës ndaj mbrojtjes së mjedisit.

“Është gjest shumë i ulët dhe nuk i kuptoj këta njerëz që hedhin maskat dhe dorezat në tokë. E dimë se në çfarë situate me virus është Kosova, andaj ju kisha lut të gjithëve mos t’i hedhin maskat apo gjë sendet e tjera higjienike në hapësirat publike, mjedisi në vend duhet të ruhet jo të shkatërrohet”, thotë prishtinasi Naser Ahmeti.

Kujtojmë se, në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës, më 28 korrik, 2020, ka marrë vendim obligativ, për të gjithë banorët e Republikës së Kosovës që t’i bartin maskat në fytyrë në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive/banesave të tyre.

Përparim Bunjaku, punonjës në kompaninë “Niti-N”, që kujdeset për pastrimin e rrugëve në kryeqytet thotë se kryeqendra e Kosovës që nga përhapja e pandemisë Covid-19 përballen me problemin e mbeturinave mjekësore.

“…Në mëngjes, kryesisht në sheshet e Prishtinës vërehet një papastërti e madhe nga maskat, dorezat dhe dezifektantët, duke mos i anashkaluar edhe mbeturinat e tjera, por ne vazhdimisht kujdesemi për pastërtinë e kryeqytetit, problemi me mbeturinat ka qenë që nga fillimi i përhapjes se virusit e gjerë më tani”, tha ai për KosovaLive.

Se mbeturinat nga pajisjet-produktet mjekësore të cilat përdoren për mbrojtjen nga virusi Corona janë të rrezikshme për shëndetin e thotë edhe qytetari tjetër nga Prishtina, Ibrahim Berisha, i cili po ashtu fajëson personat e pandërgjegjshëm të cilët po e rrezikojnë jetën e njerëzve. Por, sipas tij, institucionet vendore janë ato të cilat duhet të intervenojnë ndaj këtyre personave.

Bunjaku nga kompania për pastrimin e rrugëve në kryeqytet, ndërkaq shton se me të rrezikuarit nga këto mbeturina janë vetë punonjësit e pastaj edhe qytetarët.

“Të rrezikuar nga virusi jem vetë ne punëtorët sepse jemi direkt në kontakt me mbeturinat, kjo gjë zgjidhet nëse, Qeveria apo dikush nga shteti t’i dënojë personat që hedhin kudo mbeturina si; doreza, maska etj”, tha ai.

Bazuar në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, të miratuar nga mesi i muajit korrik, 2020 nga Kuvendi i Kosovës, nëse masat parandaluese ndaj Covid-19 nuk respektohen, qytetarët mund të ndëshkohen.

”Personi fizik që nuk respekton vendimin për mbajtjen e maskës dhe mbajtjen e distancës, dënohet me gjobë 35 euro”, thuhet në Gazetën Zyrtare të Republikës se Kosovës. 

Se prania e mbeturinave mjekësore në rrugë e rrezikojnë, përhapjen e pandemisë Covid-19 e thotë edhe infektologu, Hamdi Ramadani.

Foto e realizuar nga infektologu, Hamdi Ramadani gjatë punës së tij si infektolog

“Hedhja e maskave dhe dorezave nga personat e papërgjegjshëm në ambiente të hapura padyshim është e rrezikshme me përhapjen e infeksionit. Më të rrezikuarit janë punëtorët komunalë që i grumbullojnë këto mbeturina dhe fëmijët. Po ashtu, hedhja e maskave, përveçse është veprim i pahijshëm, rrezikon edhe shëndetin e njeriut”, ka thënë Ramadani në një bisedë nga KosovaLive.

Infektologu thekson se virusi me ditë të tëra mund të qëndrojë në maskë-pajisje mbrojtëse që përdoret kundër Covid-19, gjë që rrezikon edhe përhapjen e virusit.

Sipas një raporti nga Agjencioni për Mirëmbajtjen e Mjedisit në Kosovë, del se operatorët privat dhe publik në Kosovë brend ditës grumbullojnë rreth 580.000 tonë mbeturina, që i bie rreht 0.9 kg / ditë për kokë banori.

Arbnorë Ademi, zëdhënëse në kompaninë “Pastrimi” thotë se prania e mbeturinave mjekësore në rrugët e Prishtinës që nga fillimi i pandemisë kanë qenë kërcënuese ndaj shëndetit.

 “…Me lajmërimin e rastit të parë me Covid-19 në Kosovë, jemi dëshmitarë të faktit që në çdo vend shohim pajisje të ndryshme për mbrojtje nga Covid-19 si: maska, dorëza, pajisje te dezinfektuesve, të cilat mbeturina veç sa shtojnë rrezikun për infektim të secilit qytetar e më së shumti të punëtorëve të Kompanisë ‘Pastrimi’, SH.A-Prishtinë të cilët kryejnë shërbimin e largimit të mbeturinave”, tha ajo gjatë një bisede për KosovaLive .

Edhe kryeshefi ekzekutiv nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, Avdullah Haxhiu, pohon të njëjtën.

…Shqetësimet tona i kemi ngritur tek klientët tonë që i sjellin mbeturinat komunale në deponi, pasi që nuk ka vend as formë për trajtimin e materialeve që përdoren për pandeminë Covid-19. Ato sigurisht vijnë të kamufluara në deponi… paraqesin së pari rrezik për punëtorët e kompanive grumbulluese, e më pastaj edhe për punëtorët që punojnë në deponi”, thekson Haxhiu.

Sipas zëdhënëses së “Pastrimi-t”, Ademi, përveç kompanive për menaxhimin e mbeturinave, edhe institucionet dhe qytetarët duhet të vetë-organizohen në lidhje me kujdesin ndaj ambientit në vend.

Konkretisht, duhet pasur vullnet institucional dhe përgjegjësi nga secili qytetar në ruajtjen dhe mbrojtjen e ambientit në të cilin jetojmë,  duke mos anashkaluar edhe kompanitë për menaxhim të mbeturinave të cilat po bëjnë një punë të pa lodhshme gjatë 24 orëve”, theksoi Ademi.

Sipas saj, kompania për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi”, përmes web faqes së saj, rregullisht i informon qytetarët për ruajtjen dhe kujdesin ndaj mjedisit.

“Kompania “Pastrimi”, Sh.A-Prishtinë, gjatë tërë kohës është duke bërë apel dhe thirrje tek qytetarët për ruajtjen e mjedisit, po ashtu një të tillë po e bëjmë edhe në faqet zyrtare të kompanisë”, ka thënë Arbnorë Ademi.

Në vitin 2018, sipas, Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vendin tonë janë gjeneruar 2.554.308 tonë mbeturina indistruale ndërkohë që pohohet se janë 40.585 tonë mbeturina të ricikluara dhe 1.030 tonë të djegura.

Kryeshefi ekzekutiv nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, Avdullah Haxhiu tha për KosovaLive tha se menjëherë pas përhapjes së virusit, në këtë kompani janë ndërmarrë masat mbrojtëse.

“Pasi edhe Kosova u përfshi nga pandemia Covid-19, KMDK-ja, menjëherë i ka ndërmarr masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja. Kemi bërë dezinfektimin e objekteve disa herë, kemi pajisur punonjësit me maska, dezinfektues dhe doreza. Si kompani kemi përgatitur udhëzues se si duhet të sillen punonjësit dhe klientët tonë gjatë kohës së punës”, ka thënë ai.

Haxhiu nuk i kursen as kritikat për institucionet vendore.

Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe IKSHPK, është deshtë të organizojnë takime, tryeza, me qytetarët, me shoqërinë civile e sidomos me kompanitë e sektorit të mbeturinave, se si të gjendet zgjidhja e trajtimit të këtyre materialeve të rrezikshme”, shtoi ai.

Sipas tij, është dashur të caktohen vende-lokacionet, kontejnerë të veçantë, ku do të hedhën këto materiale

“…,bartje të veçanta dhe trajtim e asgjësim të veçantë, mirëpo deri më sot as nuk jemi ftuar e as nuk ka kërkuar askush për të dhënë mendimin – opinionin tonë për të gjetur një zgjidhje më pak të rrezikshme për qytetarët dhe për ata që janë në kontakt të përditshëm me këto material që përdorën për trajtimin e Virusit Covid-19, nga institucione e biznese  të ndryshme qofshin ato publike apo private”, përfundon Haxhiu.

Shqipdona Gashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM