Build Skills with our trainings

Sign up now!

COVID-19 u ka rënduar edhe më shumë jetën disa komuniteteve

Sht 25, 2020

Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë më të prekurit nga pandemia COVID-19, ndërkohë  që  masat e marra për parandalimin e përhapjes së saj kanë rënduar edhe më shumë gjendjen e tyre të brishtë socio-ekonomike.

E.K. 28 vjeçar nga Fushë Kosova thotë se kjo periudhë ka qenë shumë e vështirë, ndërsa u janë pakësuar edhe të ardhurat, të cilat edhe ashtu ishin të pakta.

Ai tregon se mezi ia ka dalë të ushqejë familjen falë edhe disa pakove ushqimore që i ka ndarë komuna, ndërsa paratë që fitonte nga mbledhja e kanaqeve ose punët fizike që i bënte herë pas here kanë qenë shumë të pakta.

Ka qenë shumë e vështirë edhe para pandemisë, po kjo kohë na i ka vështirësuar edhe ma shumë punët. Mezi kena mbijetu me disa ushqime që na i ka sjell komuna, faleminderit prej tyre, po kështu nuk kam punu, përpara kam mbledh kanaqe nëpër rrugë, po prej kur u përhap ky virus nuk kam punu se ai vendi ku i dorëzonim kanaqet u mbyll, gjithçka u mbyll”, tregon E.K.

Edhe në Balkan Sunflowers, organizatë joqeveritare e cila ndër të tjera ka për qëllim integrimin e këtyre pakicave në sistemin edukativ dhe jetën civile në Kosovë, pohojnë se kjo periudhë e ka bërë më të vështirë jetën e këtyre komuniteteve.

Ata thonë se gjatë kësaj periudhe nuk kanë pasur të ardhura apo ndihma nga institucionet.

Bazuar në situatën e keqe socio-ekonomike, komunitetet Ashkali, Egjiptjan dhe Romë janë përballur me vështirësi të mëdha gjatë pandemisë. Situata po vështirësohet prej ditës në ditë pasi që komunitetet nuk po mund të punojnë punë ditore dhe ndihmat nga jashtë dhe nga brenda janë më të pakta”, thonë zyrtarët për informim të kësaj organizate.

Në këtë organizatë pohojnë se gjatë kësaj periudhe nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga Qeveria, ndërsa komunat kanë ndihmuar brenda mundësive të tyre.

Një hulumtim i “Admovere”, që kishte për qëllim të tregonte sfidat e këtyre komuniteteve gjatë pandemisë, me theks të veçantë tek ata që jetojnë në komunën e Ferizajt, Lipjanit dhe në komunën e Fushë Kosovës, tregon se pjesëtarët e këtyre komuniteve jo shumicë kanë qenë të diskriminuar nga vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit.

Sipas këtij hulumtimi, nga 27 vendime të Qeverisë për menaxhimin e pandemisë Covid-19, vetëm njëri lidhet me komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptianë. L.B nga Ferizaj thotë se që nga përhapja e koronavirust, mbijetesa ka qenë e vështirë, dhe se punët e vetme që ka kryer gjatë kësaj kohe kanë qenë punë fizike, prej të cilave ka siguruar të ardhurat.

“ Kam punu çka kam mujt, ndonjëherë kam shku me pre dru, me i bajt e qishtu kemi fitu kapak sa me e majt familjen. Na jemi 7 anëtarë edhe veç unë punoj, unë duhet me e mbajt familjen”, tregon L.B.

Më 11 mars 2020, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendimin për ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor në të gjitha nivelet e arsimit publik dhe privat, ndërsa më 30 mars, ishte marrë vendimi për realizimin e mësimit në distancë për klasat 1-12. Nga të gjitha dokumentet dhe udhëzimet në faqen e Ministrisë së Arsimit, nuk ka masa specifike për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian.

Në arsimin e lartë, gjithmonë sipas hulumtimit të lartëpërmendur, nga 72 studentë të këtyre komuniteteve që vijojnë mësimin në Universitetin e Prishtinës, 61 e kanë ndjekur mësimin online.

E.K tregon se vajza e tij 7 vjeçare e ka pasur të pamundur të ndjekë mësimin përmes televizorit, për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike.

Problemin e njëjtë e ka pasur edhe motra, 13 vjeçare e L.B. e cila, siç tregon ai, ka arritur të sigurojë detyrat përmes shoqeve të saj, por shpesh nuk ka arritur t’i marrë as ato.

Sa i përket testimit të pjesëtarëve të këtyre komuniteteve dhe rasteve pozitive me Covid-19, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk ka të dhëna.

Siç tregojnë të gjeturat e studimit, vetëm në Komunën e Ferizajt dihet për 2 të testuar, pjesëtarë të komunitetit ashkali, ndërsa nuk ka të dhëna për komunat tjera.

Sipas “BalkanInsight”, në Evropën Juglindore shumë romë nuk kanë qasje në shërbimet shëndetësore dhe se vetëm 10 për qind e romëve mbi 16 vjeç kanë sigurim shëndetësor. Pë krahasim, në Shqipëri kjo përqindje arrin deri në 27%.

Pjesëtarët e komuniteteve rregullisht përjetojnë diskriminimin sa i përket kujdesit shëndetësor, ndërsa kjo nuk ka ndryshuar as gjatë pandemisë.

Sipas “BalkanInsight”, romët shpesh duhet të ofrojnë “bakshishe” për të pasur qasje në shëndetësi. Ata duhet të paguajnë edhe për barnat, të cilat shpesh janë të parritshme për ta, për shkak të gjendjes financiare, e këto përvoja nënkuptojnë që shumë romë mund të mos kërkojnë kujdes mjekësor edhe nëse është falas.

Diellza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM