Build Skills with our trainings

Sign up now!

COVID-19 shpërfaqi të gjitha problemet në gazetarinë kosovare

Tet 4, 2020

Roli i gazetarëve në informimin e publikut nuk ka qenë kurrë më kritik sepse misioni i tyre vazhdon të jetë ndër më thelbësorët në luftën globale kundër pandemisë COVID-19. Si në të gjithë botën, ashtu edhe në Kosovë, gazetarët ndodhen nën presion të fortë financiar, fizik dhe psikologjik gjatë kësaj pandemie. Këto elemente janë shkaktuar nga kufizimet në kryerjen e punës si dhe dëmet në ekonominë e mediave gjë që ka ndikuar në transformimin e gazetarisë në vend. Me gjithë masat e shtuara (izolimi, orari i kufizuar i lëvizjes, ndryshimi i orareve me rotacion) për të gjithë qytetarët, gazetarët kanë qenë të obliguar të vazhdojnë të dalin në punë. Varësisht nga pozita në dhomën e lajmeve ata përpos raportimit për Covid-19, gjatë kësaj kohe kanë raportuar edhe për ndodhitë politike në vend; të dyja këto kanë ndodhur paralelisht.

Kriza aktuale globale e shkaktuar nga pandemia COVID-19 ka pasur një sërë ndikimesh në fushën e gazetarisë dhe komunitetin mediatik. Gjatë kësaj periudhe, gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët në vazhdimësi kanë punuar në marrjen dhe plasimin e informacionit të saktë tek publiku, duke iu ekspozuar mundësisë së shkeljes së të drejtave të punës dhe rrezikimit të shëndetit fizik e mendor të tyre.

Kjo situatë dërgon në domosdoshmërinë e gjurmimit të pasojave ekonomike, siç mund të jenë largimet nga puna, zvogëlimi i pagave, mbyllja e mediave, roli i Pakos Emergjente Fiskale, si dhe ndikimi që pandemia ka pasur në mirëqenien dhe sigurinë fizike e mendore të punëtorëve medialë.

Sipas Juristes së Medias, Flutura Kusari, këto probleme prihen nga aspekti financiar.

“Ajo çfarë është vërejtur gjatë kësaj periudhe të pandemisë, është që të gjitha problemet të cilat kanë ekzistuar në fushën e gazetarisë, kanë dalë edhe më shumë në sipërfaqe. Këto probleme variojnë prej mënyrës se si raportohet e deri tek ajo që konsiderohet thelbësore në fushën e gazetarisë, të drejtat e gazetarëve. Pandemia ka pasur pasoja nëse jo afatgjate, afatmesme gjithsesi, sidomos sa i përket aspektit financiar.”

Pandemia aktuale ka goditur rëndë ekonominë e katër të përditshmeve kosovare.

Kjo ka shkaktuar dëme financiare te këto gazeta për shkak se bizneset i kanë ndërprerë kontratat e reklamimit. Rrjedhimisht, për shkak të pamundësisë financiare që këto kompani t’i përballojnë shpenzimet, nga puna janë larguar dhjetra punëtorë.

Në hulumtimin “Përfitimet e punëtorëve nga pakoja emergjente” të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, thuhet se nga fillimi i pandemisë KDI-ja ka pranuar 19 raste në të cilat punëtorëve të një mediumi, dy prej të cilëve shtatzëna (gazetar, redaktor, staf tjetër) u janë shkelur të drejtat elementare duke u përjashtuar nga puna pa asnjë paralajmërim dhe në kundërshtim me Ligjin e Punës. Arsye e shkëputjes në të gjitha rastet ka qenë efekti i pandemisë në biznesin që ka bërë që disa pjesë të tyre të mbyllen.

Si pasojë e vështirësive ekonomike, në disa mediume tjera në vend, janë raportuar ulje pagash, ndërsa sipas hulumtimit “Efekti i pandemisë Covid-19 në mediat e Kosovës” të publikuar nga Instituti i Medies në Kosovë (IMK) në bashkëpunim me kompaninë “D@D”, 38% e mediave janë obliguar ta reduktojnë stafin e tyre përderisa disa të tjera rrezikojnë edhe mbylljen.

Ka raste ku gazetarët janë paguar pjesërisht nga mediumi dhe paga është kombinuar me të ardhurat nga Pakoja Emergjente Fiskale e miratuar më 30 mars nga Qeveria e Kosovës. Aty janë përfshirë edhe të punësuarit në ndërmarrjet mediale, duke ua subvencionuar pagat në vlerën prej 170 eurosh për muajt prill dhe maj. Kjo asistencë nuk është konsideruar e mjaftueshme nga IMK të cilët kanë kërkuar që gazetarët dhe mediet të përfshihen në pakon emergjente të Qeverisë në një kategori me policët dhe mjekët. Në anën tjetër, Komisioni i Pavarur i Medias (KPM) ka kërkuar që mediat elektronike të lirohen nga taksat për licencë për vitin 2020.

Si ndihmesë të pamjaftueshme këtë e sheh edhe Kryetari i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj.

“Mediet në Kosovë funksionojnë njëlloj si bizneset tjera, nuk kanë status ndryshe nga ato, prandaj Pakoja Emergjente ka ndihmuar edhe mediet në të njëjtën formë. Ajo i ka pasë në fokus edhe gazetarët, por kaq nuk mjafton, ta zëmë të vazhdojë botimi i një gazete sepse pagat mund të jenë mbuluar, por në anën tjetër, shpenzimet e prodhimit kanë qenë të pambuluara. Prandaj sot, Kosova mbetet një nga vendet e pakta që në treg nuk ka asnjë gazetë të shtypur.”

Duke marrë parasysh pasojat financiare që ka krijuar pandemia tek mediat, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) ka krijuar një fond emergjent për të ndihmuar sektorin e medieve. Përmes tij ka dhënë 15 grante emergjente për media të pavarura (media private dhe organizata jo-qeveritare) dhe grante të tjera  për shoqatat që merren me përfaqësimin e gazetarëve dhe të mediumeve, siç janë Këshilli i Mediave të Kosovës dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Këta të fundit, AGK, duke e konsideruar të ulët numrin e  kompanive mediale të cilat kanë siguruar për gazetarët e tyre pajisje mbrojtëse dhe duke e konsideruar shqetësuese raportimin e gazetarëve nga terreni pa materiale mbrojtëse, kanë shpërndarë materiale mbrojtëse (maska respirator FFP2, pako dorëzash dhe dezinfektues) për mbi 300 anëtarë të komunitetit që përfaqësojnë.

Sa i përket sigurisë së gazetarëve, nga 1 janari 2020 deri tani, në AGK janë regjistruar 16 raste të sulmeve të ndryshme ndaj gazetarëve, 4 nga të cilat lidhen direkt me pandeminë. Sulmet verbale dhe pengimi në kryerje të detyrës janë vetëm dy nga pengesat me të cilat janë përballur gazetarët, të cilët përpos presionit nga individë të caktuar (persona fizik apo ligjor) janë përballur edhe me presionin e pandemisë në vazhdimësi. Këta gazetarë përpos mbingarkesës si në orare, ashtu edhe psikike e fizike nga raportimi për pandeminë, që nuk duhet harruar se ishte përvojë e re dhe jo vetëm për gazetarët që veprimtarinë e tyre e shtrinë në Kosovë, janë përballur paralelisht me mocionin për mosbesimin ndaj Qeverisë. Kjo ka shtuar presionin ndaj tyre, sulmet kundrejt tyre dhe ka vështirësuar kushtet në të cilat kanë punuar, duke rritur edhe më shumë ekspozimin ndaj rrezikut potencial.

Siç u tha më herët, shumë mediume janë detyruar të shkurtojnë stafin, qoftë me largime nga puna, me dhënie të pushimit pa pagesë (pa kërkesën e gazetarit) apo edhe me shkurtim të ditëve të punës, që rrjedhimisht rezulton në shkurtim të pagës. Rrjedhimisht arrijmë tek presioni me të cilin janë përballur gazetarë të caktuar të cilët kanë qenë të detyruar të mbulojnë disa ngjarje njëherësh. E tërë kjo ka bërë që numri i sulmeve ndaj gazetarëve të pësojë rritje në raport me gjashtë mujorin e parë të vitit të kaluar. Fakti që kaq shumë gazetarë po përballen me sulme të tilla ndaj tyre për raportim të drejtë për çështjet me interes publik, është tregues që lira e shprehjes mbetet një sfidë e madhe në vend.

Nuk ka informacione mbi ofrimet e këshillimeve psikologjike apo ndonjë forme tjetër që ua lehtëson gazetarëve raportimin në këtë gjendje, edhe pse është më se i nevojshëm shkaku i presionit nga rreziku i vazhdueshëm në të cilin janë detyruar të punojnë.

Vesa Bala

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Kosovalive dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM