Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gastronomia, një sektor i goditur rëndë nga pandemia COVID-19

Tet 4, 2020

Pandemia Covid-19 si në të gjithë botën edhe në Kosovë përveç tjerash ka ndikuar thellësisht edhe në ekonominë e vendit. Masat e qeverisë që janë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e këtij virusi kanë ndaluar aktivitetet e shumë industrive në vendin tonë. E ekonomikisht kjo ka ndikuar që shumë bizneseve të hyrat të ju zvogëlohen deri në minimum.

Sipas një hulumtimi të kryer nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) në bashkëpunim me Shoqatën e Gastronomëve, 76.2% e bizneseve të këtij sektori në Kosovë do të detyrohen të shkojnë në falimentim dhe shqetësimet e pronarëve të bizneseve janë të ndryshme për shkak të akumulimit të borxheve ndaj furnitorëve, ku 75.9% e të anketuarve janë deklaruar që nuk do të jenë në gjendje të shlyejnë faturat e papagura ndaj furnitorëve dhe të shlyejnë obligimet e tjera ndaj tyre.

I tillë ishte shqetësimi edhe për njërin nga pronarët e lokaleve në Drenas, në kohën kur lokali i tij u mbyll për një kohë të pacaktuar për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së virusit.I frikësuar nga mundësia e falimentimit, thotë se e ka të vështirë të rimëkëmbet pasi nuk ka të ardhura

“Rrezikshmëria ekziston çdo herë, po në këtë rast është më e theksuar për shkak se jemi totalisht të bllokuar në të gjitha aspektet”, thotë për KosovaLive pronari 33 vjeçar i  kafiterisë në Drenas, i cili preferoi të mbetet anonim.

Sipas Egzona Jetullahu, drejtoreshë e Drejtoratit për Zhvillim Ekonomik, komuna e Drenasit do të mundohet të ketë një bashkëpunim me nivelin qendror dhe të krijojë një strategji të qartë të zhvillimit ekonomik.

“…për t’ju dal në ndihmesë bizneseve, kryesisht bizneseve të sektorit privat, bizneseve të vogla dhe të mesme, ato të cilat posedojnë nga 1-5 punëtorë ose nga 5-10 punëtorë”,thotë ajo për KosovaLive, duke theksuar nga të gjithë sektorët, më së shumti është ai gastronomisë.

Sipas një hulumtimi të bërë nga  IDRA Research and Consulting – Kosova më shumë se gjysma e bizneseve të anketuara ndaluan aktivitetin e tyre për shkak të masave qeveritare (81%), mungesës së klientëve (24%) dhe vështirësive për të paguar pagat e punonjësve të tyre (16%). Vetëm gjysma e bizneseve deklaruan se vazhduan të paguanin pagat e plota për punonjësit e tyre gjatë këtyre masave të vendosura.

Pronari i një kafiterie nga Drenasi gjatë kësaj kohe të pandemisë ishte munduar t’i ndihmonte punëtorët e tij financiarisht.

“Kemi pasë mundësi diçka më ju ndihmu, diçka shteti, kështu që do e tejkalojmë edhe këtë situatë”, thotë ai.

Kjo komunë ka marrë një vendim që gjatë kohës që bizneset në Drenas kanë qenë të mbyllura të lirohen nga pagesa e qirasë dhe disa obligimeve tjera ndaj komunës.

Edhe pse ishte i ndikuar nga situata, 33 vjeçari nga Drenasi përsëri shpresonte në rimëkëmbjen e  biznesit të tij.

“Besoj qe kena me u ‘ngjallë”, shprehet ai.

Pandemia në Drenas ka ndryshuar ekonominë e qytetit pasi që mbyllja e menjëhershme e ndërmarrjeve ka shkaktuar dëme financiare.

“Mbyllja e përkohshme ka qenë një mangësi si për Komunën, në përgjithësi qytetin e Drenasit, po ashtu edhe për pronarët e këtyre bizneseve. Është e qartë në bazë të kërkesave të tyre të cilat drejtohen në këtë drejtorat, që do të thotë kjo ka ndikuar në financat e tyre, në zhvillimin e tyre, në tregun e punës në përgjithësi”, thotë për KosovaLive, Egzona Jetullahu.

Në një prononcim për KosovLive, Ramiz Lladrovci, kryetar i komunës së Drenasit thotë se gjendja e krijuar nga COVID-19 ka prekur më së shumti sektorin privat, duke ndikuar negativisht në biznese, pasi dihet se disa veprimtari të bizneseve kanë qenë të mbyllura.

“… dhe kjo ka ndikuar në ndërprerjene vazhdimit të veprimtarive biznesore të tyre ku ka rezultuar që shumë biznese të zvogëlojnë kapacitetin e tyre edhe në zvogëlimin e numrit të punësuarve.”

Komuna e Drenasit i ka mirëpritur dhe i ka marrë parasysh ankesat e bizneseve dhe i ka marrë parasysh.

Gjatë periudhës së pandemisë është e arsyeshme që të kemi ankesa të bizneseve për arsye se sektori i zhvillimit ekonomik është prekur më së shumti, ku ne kemi pasur ankesa për shkak që ata nuk mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre”, thotë Jetullahu.

Në bazë të kërkesave të tyre, Komuna e Drenasit ka tërhequr taksën komunale për ushtrimin e veprimtarive të bizneseve për vitin 2020, si arsye për t’ju ndihmuar bizneseve.                                                                                                                                                   Sipas kryetarit të komunës së Drenasit duke ndjekur masat dhe rekomandimet nga Qeveria e Kosovës, IKSHP dhe Udhëzimi i Drejtorisë së Inspeksionit, inspektorët e komunës çdo ditë janë në teren dhe inspektojnë të gjitha bizneset lidhur me zbatimin e këtyre masave.

“Deri në fazën e tretë gjendja ka qenë nën kontroll, ndërsa pas fazës së tretë gjendja ka filluar të përkeqësohet, por jo në masë të madhe”, shprehet Lladrovci.

Kafiteritë në Drenas pas vendosjes së  masave kufizuese

Ai thotë se në përgjithësi ka respektim të masave nga ana e qytetarëve.

“Vërehet që ka më pak qytetarë (klientë) në kafiteri, ka respektim të distancës fizike dhe shihet  që pjesa dërmuese ose  kanë të vendosura maska ose i kanë me vete”, thotë ai.

I ndikuar nga e gjithë situata e pazakontë që po ndodhte për shkak të pandemisë COVID-19,    një 20 vjeçar nga Drenasi kishte marrë marrë një vendim, por jo pa pasoja…

Punën e kam lënë për shkak të pandemisë, në momentin që kam kuptuar që edhe kafiteria ku punoj po mbyllet për një kohë të pacaktuar.  Po në atë moment kam marrë një vendim të shpejtë, mund të them se isha i ndikuar nga situata dhe vendosa të jap dorëheqje në punën time si kamarier”, thotë për KosovaLive Besim Ferizi, kamarier në kafiterinë Lounge 88 në Drenas.

I brengosur se si do të siguronte të ardhura të mjaftueshme për familjen e tij, situatën ia kishte lehtësuar pronari i cili pati mundësi t’i jepte gjysmë-pagën për muajin mars. Atëbotë, 20 vjeçari po mendonte se si do t’i kalonte muajt tjerë.

“Situatën financiare e kemi menaxhuar me familje, nuk kemi bërë shpenzime si para pandemisë dhe kështu ia kemi dal disi në muajin mars, ndërsa për muajt në vazhdim ishte me e vështirë, të gjitha kursimet që kisha bërë me ikën nga duart”, thotë ai duke theksuar se shkaku i mungesë së informatave as që kishte aplikuar as për pakon emergjente.

Besim Ferizi, 20 vjeçar nga Drenasi

Shqetësime të ngjashme financiare gjatë kohës së izolimit pati edhe një punonjëse tjetër e një kafiterie.

“Në fakt isha e shqetësuar pasi nuk kisha rrogë të plotë gjatë kësaj kohe dhe me aq pak të ardhura, nuk kisha mundësi të ndihmoja familjen”, tha për KosovaLive A.G 19 vjeçare, kamariere në një kafiteri në Drenas.

Pos familjes, ajo brengë më të madhe e kishte se si do të paguante fakultetin gjatë këtyre muajve. Kjo brengë e saj u lehtësua paksa me faktin se përfitoi nga pakoja emergjente.

Ekonomisti Egzon Zariqi, zyrtar i lartë i prokurimit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thotë se rimëkembja ekonomike është aspekti më afatgjatë brenda këtyre pasojave të pandemisë.

“Humbjet e mëdha të bizneseve e kanë të veshtirë të rikthehen në pikën ku ishin, në anën tjetër kemi edhe humbjen brenda shtetit direkt, sepse janë ulur tatimet, është rritur papunësia, është ngritur pasiguria në vende të punës.”

Ai thotë se do të këtë humbje në aspekte gjyqësore të punëtoreve që kanë punuar me kontrata strikte të cilat rregullohen me Ligjin e Pagave.       

Qeveria e Kosovës gjatë situatës që është krijuar nga COVID-19 ka ndërmarrë masa të rrepta për kufizimin e lëvizjes së individëve dhe operimit të bizneseve. Këto masa kanë filluar të zbatohen prej muajit mars deri në fund të muajit maj, me qëllim të uljes së numrit të të infektuarve në Kosovë. Ndër llojet e bizneseve më të prekura që nga fillimi i pandemisë ishin gastronomia, tregjet e mëdha dhe po ashtu hotelieria. Edhe bizneset dhe shërbimet të cilat kishin operim të lejuar, sikurse që ishin marketet, farmacitë dhe furrat, kërkohej t’iu përmbaheshin masave goxha të rrepta higjienike gjatë operimit të tyre.

“Efekti i pandemisë Covid-19 paraqet tronditje të madhe në gastronomi dhe ekonomi të vendit, ulje e importeve, ulja e buxhetit etj.”, thotë për KosovaLive, biznesmeni Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve duke përmendur shifrën prej mbi 14 mijë punëtorëve që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë.

Sipas institutit GAP që analizoi ndikimin e hershëm të pandemisë COVID-19,  vetëm në muajin prill janë regjistruar gjithsej 32,377 punëkërkues të rinjë, duke bërë që numri i përgjithshëm i punëkërkueseve në Agjencinë e Punësimit të shkojë në 37,392 në katër muajt e parë të vitit 2020. Një pjesë e madhe e tyre (16,820) janë gra.”

Sipas Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (“Goditja ekonomike pas pandemisë COVID-19“) në rast se pandemia do të zgjaste përtej muajit qershor, gjendja do të rëndohej, dhe më shumë se 60% të bizneseve do të kishin pothuajse të pamundur të vazhdojnë punën ose do të detyroheshin të vazhdonin të funksionimit me kapacitete të kufizuara dhe kjo do shkaktonte edhe largim të personelit nga puna.

Ekonomisti Arian Pireva thekson se bizneset nga sektorët e ndryshëm tashmë kanë filluar të falimentojnë në baza ditore dhe se shumë sosh mbyllen përkohësisht e nuk po hapen me muaj të tërë.

“Gastronomia, si pasojë e masave qeveritare është sektori më i prekur, duke kufizuar personat brenda, duke kufizuar orarin dhe duke mos i ndihmuar në asnjë format, ka bërë që ato nga dita në ditë të mbyllen”, thotë ai për KosovaLive.

Sipas tij, masat e marra nga qeveria janë duke ndikuar vetëm negativisht.

“Të gjitha masat janë vetëm penguese për bizneset dhe asnjë nga këto nuk është suportuese.”

Situata e krijuar, natyrisht i preku edhe bizneset e tjera të ndërlidhura.

“Ende janë kërkesat e vogla në lokalet qe ne i furnizojmë në krahasim me kohën para pandemisë”, thotë për KosovaLive Petrit Zariqi, furnitor i ndërmarrjeve private. Sipas tij nuk kanë punuar rregullisht gjatë këtyre muajve dhe kanë pasur vështirësi që ta menaxhojnë financiarisht biznesin e tyre.

Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike se Kosovës tha për KosovaLive se kryesisht fokusi i pakos se rimëkëmbjes ekonomike kryesisht është t’indihmojë bizneset në pikat kyçe siç është likuiditet,i pastaj mundësia për t’i vazhduar investimet, rritja e eksportit etj.

“Në këtë situatë duhet të shpresojmë që dora e shtetit përmes kësaj pakoje do ta plotëson funksionimin e biznesit, do të ruaj vende pune dhe do të i shpëtoj shumë prej tyre nga falimentimi”, thotë ai.

Sipas tij, efekti i pakos është që sado pak të ndikojë në rimëkëmbjen ekonomike, “të krijojë një bazë të re për transformime ekonomike që mundëson pastaj rritje ekonomike afatgjate”.

Blerona Zariqi

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM