Build Skills with our trainings

Sign up now!

Turizmi dimëror në Kosovë i lënë pas dore

Nën 4, 2020

Dimri është një sezon me temperaturat të ftohta, dhe në atë sezon, një periudhë e veçantë që na jep një pushim nga ritualet tona të përditshme dhe na jep pak kohë për t’u çlodhur dhe për t’u kënaqur. Megjithatë ky vit është ndryshe nga pothuajse gjithë vitet e tjera që i kemi kaluar.

E gjitha kjo për arsye se virusi COVID-19 është në mesin tonë dhe dalëngadalë po mësohemi të jetojmë bashkë me të, edhe pse jo në formën më të mirë të mundshme.

Masat e fundit të marra nga qeveria, nuk lejojnë grumbullimin e njerëzve, lokalet janë të detyruara të mbyllen pas orës 21:00 dhe një sërë rregullash tjera që duhet përmbajtur.

Noli Mala, njohës i çështjeve turistike, thotë se turizmi në Kosovë është i veçantë dhe kryesisht ai varet nga mergimatërt. Si turizëm ka pak atraksione, shpreheti ai.

“Kafiteritë e restaurantet që po hapen nga njerëzit e pa përvojë në këtë fushë, nuk kontribojnë në ndonjë shtyllë të turizmit”.

Mala konsideron se Kosova duhet të luftojë për turizëm internacional e jo vetëm për atë nacional.

“Si fillim, mendoj që duhet urgjent ta kthejmë Ministrinë e Turizmit dhe të punësojmë ekspertë të fushës. Zhvillimi i strategjive që ngrisin influksin internacional do të ndikonte shumë në zhvillimin e turizmit dimëror në vendin tonë. Nuk e kemi as 1% të zhvilluar këtë turizëm”.

Ai shprehet se kafiteritë e hotelet nuk janë turizëm, megjithatë Boga dhe Prevalla kanë punuar për të zhvilluar turizmin e Kosovës.

“Zoti na i ka falë bukuritë natyrore, por ne nuk po kemi dije se si t’i përdorim ato për të mirën tonë”.

Hysen Sogojeva, kryetar i Odës Hoteliere Turistike të Kosovës, thotë se në përgjithësi turizmi dimëror ka mundur të zhvillohet shumë më shumë, fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Qeveritë në përgjithësi nuk e kanë pasur prioritet zhvillimin e turizmit, por duke iu falenderuar sektorit privat kemi disa qendra që deri diku po i plotësojnë nevojat apo kërkesat e qytetarëve”.

Boga, Prevalla, Shala e Bajgorës janë vetëm disa prej qendrave të rekreacionit të cilat Sogojeva i përmend, madje ai na rikujton kohën kur Brezovica kishte mundur të fitonte projektin 400 milionësh dhe të bëhej një ndër qendrat më të mëdha turistike në ballkan.

Në vitin, 2014 Kompania “MDP Consulting – Compagnie des Alpes” u shpall fituese për privatizimin e kësaj qendre. Por, pas dy vjetësh, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, njoftoi se kjo kompani nuk arriti t’i përmbushte obligimet financiare, me ç’rast kishte dështuar privatizimi.

Sipas Sogojevës, pandemia ka ndikuar më së shumti në gastronomi, hoteleri dhe padyshim e ka prekur edhe turizmin.

“Këto janë sektorët më të prekur nga pandemia, pra, ka pasur humbje shumë të mëdha në të gjithë botën e jo vetëm te ne”.

Ai gjithashtu thotë se kemi humbje miliardash në këtë aspekt dhe një intervenim nga Qeveria duhet të jetë i menjëhershëm, ose do të jëtë problem shumë i madh.

Në anën tjetër, në një përgjigjje me shkrim Divizioni për Komunikim Publik nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thotë institucionet përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës në vazhdimësi kanë bërë investime në fushën e promovimit të turizmit, por akoma ka nevojë për investime në promovimin dhe zhvillimin e turizmit të Kosovës.

MTI gjithashtu treguan se për shkak të pandemisë COVID-19, nuk janë realizuar aktivitet të promovimit trustik në ngjarjet e mëdha ndërkombëtare. Disa prej promovimeve që ata i bëjnë janë në panaire ndërkombëtare për promovim turistik të vendeve.

Mirëpo, në këto panaire mungesa e Kosovës, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia ka rezultuar që të mos bëhet një promovim i tillë.

Megjithatë, një promovim digjital është arritur, pra përmes ueb-portalin e turizmit, visitkosovo, ku janë prezantuar informacione të hollësishme për Kosovën, si dhe informata bazë për turizmin e përgjithshëm të vendit.

Sa i përket turizmit dimëror për këtë vit, MTI njofton se varësisht nga rrjedhat që do të zhvillohen për shkak të pandemisë Covid-19, institucionet përgjegjëse do të marrin masa në të mirën e shëndetit publik, por të njëjtën kohë do të shikohen mundësitë edhe për zhvillim dhe mbështetje të turizmit.

Sipas një raporti të bërë nga USAID në bashkëpunim me Sweden Sverige mbi situatën aktuale në sektorin e turizmit në Kosovë në vitin 2018, rezultoi se situata aktuale e përgjithshme e turizmit në Kosovë ka nevojë për ndërhyrje të mëdha dhe të rëndësishme.

Gjithashtu Kosova, kur vie puna te zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm dhe konkurrencës rajonale, aktualisht nuk është në gjendje të ndjekë trendet e zhvillimit dhe të jetë konkurruese.

Se sa do të ndikonte pozitivisht në ekonomi, ngritja dhe zhvillimi i sektorit të turizmit dimëror tregon më së miri një analizë e bërë nga Instituti për kërkimin e borës dhe ortekut, ku demonstroi rolin qendror të sektorit të turizmit për ekonominë e Davosit; 40% e kërkesës totale gjenerohet nga turizmi. Turizmi dimëror kontribuon me 26% në të ardhurat totale.

Fatos Katallozi, menaxher i kompanisë “Outdoor Kosova”, konsideron se turizmi dimëror në Kosovë ka potencial të madh për zhvillim në vitet e ardhshme, por edhe nevojë për t’u zhvilluar tutje.

“Mungesa e shtëpive akomoduse në bjeshkët e Sharrit dhe deri diku në bjeshkët e Nemuna-kryesisht pjesa e Deçanit. Mandej mirëmbajtja e rrugëve gjatë dimrit, mungesa e ambulancave nëpër ski qendrat, parkingjet e ngarkuara, etj”.

Kompania e tij, pra “Outdoor Kosova”, është e gatshme maksimalisht për këtë sezonë të dimrit, sikurse me pajisjet për aktivitete të ndryshme, ashtu edhe me mjete transportuese dhe me programe të reja që i kanë përgatitur këtë vit.

“Aktivitetet të cilat premtojnë që ky lloj turizmi të zhvillohet edhe më tej, sidomos me turistë të huaj, janë: ski-turing, snoëshoeing, off piste skiing, snow-tubing, etj”.

Katallozi tregon se si pasojë e pandemisë, janë anuluar disa nga turet dimërore që i kanë planifikuar, kryesisht me klientë nga Gjermania, Austria dhe Hollanda. Pikërisht për këtë arsye ata janë fokusuar më shumë në tregun regjional dhe atë vendor.

Arsim Rexhepi nga “Balkan Destination”, thotë se turizmi për Kosovën është shumë i rëndësishëm, ashtu siç duhej të ishte për çdo shtet.

“Turizmi është edhe një ambasador i një shteti apo pasqyra e atij shteti”.

Kur vie puna te zhvillimi dhe puna me turizmin në Kosovë, Rexhepi beson se po bëhet në mënyrë pak të “çoroditur”, në shumë aspekte si nga qeveritë komunale e ajo qendrore të cilët nuk e kanë idenë se çfarë është turizmi.

Sipas Rexhepit, pandemia COVID-19 veçse ka shkaktuar shumë probleme në turizëm, e sa i përket sezonit dimëror, patjetër që do të ketë ndikim negativ.

“Qeveria jonë po nxjerr vendime të pa menduara mirë, e që po ndikojnë direkt në bizneset kosovare, sidomos në turizëm…Mbylljet e tilla që kanë qenë deri më tani dhe ndikimi i tyre do të shihet e do të jetë i prekshëm negativisht në bizneset për të pakten deri në 2022″.

Rexhepi beson se nëse ka mbyllje të tjera gjërat do të shkojnë drejt një katastrofeje, ai madje shpreh gatishmërinë që bashkë me persona tjerë që i përkasin këtij drejtimi, mund të kontribuojnë që të mos ketë falimentime masive në Kosovë, shkaku i pandemisë.

Rexhepi thotë se implementimi i pagesave apo taksave vendore për të vizituar një vend nuk duhen bërë të pakten edhe për dy vite të tjera

“Në Brezovicë është paguar qe disa vite pagesa e hyrjes, ku nuk ka pasur asnjë lloj kushti të mirëfilltë. Pra, parking jo i mjaftueshëm, rruga jo mirë e mirëmbajtur e kështu me radhë”.

Nëse pagesa bëhet edhe në Prevallë, duhet sqaruar mirë kush do paguajë, sepse në një park Nacional si Bjeshkët e Sharrit, të bëhen dy pagesa pa kritere e kushe është e panevojshme shprehet ai.

Uranik Emini

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM