Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pabarazia gjinore në debatet politike, sfidë ende e (pa)tejkaluar

Nën 12, 2020

Debatet politike përbëjnë pjesën më të madhe të asaj që njihet si “prime time” në televizionet tona.

Panelet e të ftuarve dominohen nga burrat, ndërsa edhe diskutimet që zhvillohen në këto debate shpesh dinë të eskalojnë deri në konfrontime fizike.

Por shqetësuese është përfshirja e vogël e grave në këto debate. Gratë janë pjesë e studiove televizive vetëm kur janë në pozita udhëheqëse ose persona kompetent për tema të caktuar e më rrallë në rolin e analisteve.

Nevojën për më shumë pikëpamje dhe mendime të grave në debatet politike e shtron profesoresha në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu.

Ajo mendon se mediat duhet t’u japin më shumë hapësirë grave për të folur për tema që janë në kuadër të profesionit të tyre. Por, sipas saj edhe gratë vetë duhet të jenë më të guximshme dhe t’u bashkohen diskutimeve publike kur kanë diçka për të thënë.

Gratë nuk duhet të ftohen (në debatet politike) vetëm për kuotë pjesëmarrjeje. Por edhe ato nuk duhet të presin lutje nëse kanë diçka për të thënë, ato duhet të kenë kurajo për t’u bërë pjesë e diskutimeve publike”, thotë Lushaku-Sadriu.

Liridona Sijarina nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore vlerëson se shkak i pjesëmarrjes së ulët të grave në debatet politike është patriarkaliteti që ekziston në media. Ajo mendon se media po e riforcojnë idenë që politika është profesion i burrave, duke i përjashtuar gratë nga diskutimet e tilla.

Sipas saj, viteve të fundit ka një rritje të prezencës së grave në debate politike, por ende ka nevojë të bëhet më shumë.

Një fakt interesant është që numri i grave që diplomojnë dhe specializojnë në fusha të ndryshme socio-politike çdo herë e më shumë po rritet, duke prodhuar profesioniste dhe eksperte pothuajse në çdo fushë, ndërsa paradoksalisht, secili debat dominohet nga burra, të cilët rrallë thirren në ekspertizën e tyre”.

Ajo ngre shqetësimin për diskursin e ashpër, gjuhën e urrejtjes dhe përjashtuese që po përdoret në debatet politike, gjë që sipas saj grave po ua zbehë hapësirën për t’u shprehur.

Sijarina thotë se kur grave u ndërpritet fjala shumë shpesh dhe kur dëgjohen më pak ua bën me dije atyre se nuk janë edhe aq të rëndësishme në këto debate. Kjo e bën këtë mjedis më armiqësor për gratë, të krahasueshëm me odat e burrave.

Edhe sociologu Besnik Leka, thotë se gratë dhe vajzat në Kosovë vazhdojnë të jenë “viktima” të mentalitetit patriarkal të shoqërisë, ku iu mohohet e drejta dhe liria e shprehjes.

Gjithsesi, sipas tij gratë kanë filluar t’i sfidojonë këto norma shoqërore dhe është vërejtur  një rritje e përfshirjes së grave në debatet politike, qoftë si analiste, deputete apo aktiviste.

Përtej pjesëmarrjes fizike në këto debate, Leka thotë se shoqëria ka nevojë të vetëdijësohet dhe ta dëgjoj zërin e këtyre grave dhe kontributin e tyre për një shoqëri të barabartë.

Ka ende nevojë për gratë që t’i pushtojnë mediat dhe t’i thyejnë stereotipet përtej rolit të amvisërisë në të cilën shoqëria i ka pozicionuar ato. Fatkeqësisht, mediat e kanë tendencën për përfshirjen e grave në ekrane televizive kur flitet për shërbimin, kujdesin, gatimin e që në fakt në kemi shumë gra të suksesshme, të cilat mund të kontribojnë në shume sfera tjera ku shoqëria ka nevojë të mësojë nga to”, shprehet sociologu.

Leka, i cili njëkohësisht është edhe njohës i çështjeve gjinore sheh se ka një të tendencë të burrave për t’i anashkaluar, ofenduar apo për të përdorur gjuhë seksiste ndaj grave.

Tendencat e tilla janë shpesh janë pasojë edhe e paragjykimeve dhe nënvlerësimit të aftësive debatuese të grave dhe njohurive të tyre për çështje të ndryshme.

Kaltrina Ajeti, moderatore dhe redaktore në RTK, vlerëson se vetë mungesa e grave në debatet televizive është tregues i paragjykimeve të përgatitjes dhe aftësive të tyre debatuese e argumentuese. Sipas saj, kjo është pasojë e përceptimit të përgjithshëm që shoqëria ka për gratë, derisa në emisionet debatuese temat më të rëndësishme moderohen dhe debatohen nga burrat.

Profesoresha Lushaku-Sadriu e pohon që ka paragjykime, por sipas saj njerëzit mund të ndrrojnë mendim nëse gratë angazhohen më shumë në debate politike.

Perceptimi ndërrohet atëherë kur gratë bëhen edhe më shumë aktive dhe pjesëmarrëse në debatet publike”, thotë ajo.

Edhe sociologu Leka mendon se pjesëmarrja e grave në debate politike do t’i thyejë paragjykimet pasi që pavarësisht prej përvojë, kualifikimeve shumë gra stigmatizohen nga shoqëria vetëm për faktin janë gra dhe shpeshherë mendimet e tyre nuk merren shumë parasysh.

Liridona Sijarina kur flet për paragjykimet vë theksin te gjuha e theksuar e urrejtjes mbi baza gjinore që bëhet në rrjetet sociale në drejtim të grave.

Ajo thotë se përpjekjet e fundit të televizioneve për të përfshirë më shumë gra në debate po bëhet vetëm për të plotësuar kuotën gjinore, edhe kjo falë angazhimit dhe presionit të aktivisteve, duke pasur parasysh pabarazinë e ndarjes së hapësirës mediale në debatet politike sidomos.

Moderatorja e “Divers” në televizionin publik, Kaltrina Ajeti thotë se në secilin emision të sajin ekziston një balancë gjinore në debat, me panelin që gjithmonë përbëhet nga dy burra dhe dy gra.

Ajo tregon se pjesa e parë e emisionit jo gjithmonë ruan kriterin gjinor, por deri më tani ka rastisur që shumica të jenë gra.

Kjo nuk ka rëndësi statistikore siç mund të tingëlloj, por ka rëndësi përmbajtësore, sepse prania e grave në debate në mënyrë indirekte dhe direkte ndikon në ngritjen e pozitës së tyre në shoqëri dhe forcimit të përceptimit të tyre si pjesë e rëndësishme e temave të mëdha në këtë vend”, përfundon Ajeti.

Sipas një sondazhi të “The Hill” me 1000 votues, 76% e burrave thonë se ndihen rehat me diskutimet për problemet politike në krahasim 62 % të grave që pohojnë të njëjtën gjë.

69% e totalit të votuesve thonë se preferojnë të diskutojnë për politikë me familjarë dhe shokë që kanë pikëpamje të ndryshme, për dallim nga 31% që thanë se nuk pëlqejnë të flasin për probleme të tilla.

Derisa sipas studimit të “Pew Research Center”, gratë flasin më shumë për politikë me një familjar të tyre- prind apo fëmijë, ndërsa burrat janë më të prirur që bisedat për politikë t’i bëjnë me njerëz jashtë familjes.

62% e grave në këtë studim, që u takojnë moshës nga 18- 29 vjeç e pranojnë se diskutimet politike i bëjnë më shumë me prind, krahasuar me 42% të burrave të së njëjtës moshë që bëjnë të njëjtën gjë.

Ndërsa nga gratë mbi 65 vjeç, sipas studimit 44% për partner në bisedat politike zgjedhin fëmijët e tyre, shifër kjo 26% më e lartë se te meshkujt.

Diellza Kabashi

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të News Agency KosovaLive dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM