Arsyetimi i jurisë në përbërje: Kelmend Hapçiu, gazetar shumëvjeçar dhe drejtor i organizatës mediale KosovaLive, Albana Kasapi, gazetare shumëvjeçare e BBC World Service dhe Kaltrina Hoxha, Kordinatore Nacionale për Edukim Medial në OSBE.
Në përditshmërinë e këtij profesioni tonë të gazetarisë po bëhet gjithnjë e më vështirë që për shkak të dinamikës së punës, së kushtëzuar si për nga numri i reduktuar i gazetarëve nëpër redaksi ashtu edhe nga përpjekjet e vazhdueshme për vetqëndrueshmëri dhe mbarëvajtje, të fokusohemi në ruajtjen e standardeve dhe kritereve dhe kultivimin e një gazetarie profesionale.
COVID 19 gjithsesi ishte dhe vazhdon të jetë një sfidë e radhës e profesionit të gazetarisë, por njëherësh edhe një mundësi e re për gazetarët që t’i sprovojnë shkathtësitë e veta profesionale edhe në raportimin mbi një dukuri me të cilën nuk janë përballur më herët.
Kjo, në fakt, ishte edhe pika udhërrëfyese në përzgjedhjen e artikujve, reportazheve, video-storjeve a dokumentarëve të cilat juria i përzgjodhi si punime që janë përpjekje për tejkalimin e degradimit të gazetarisë në një raportim të thjesht ditor, të konferencave dhe të kumtesave për shtyp.
Autorët e përzgjedhur me punimet e tyre, dikush me më shumë sukses, e dikush me ndonjë qasje më analitike e më inovative arrijnë ta tejkalojnë mu këtë sfidë të gazetarisë protokolare që, mjerisht është shndërruar në njëfarë “standardi” të gazetarisë kosovare sidomos në këto 20 vitet e fundit.
Autorja Jehona Zhitia, e cila me votat e jurisë u rendit e treta në këtë përzgjedhje, ia kushton video-storjen e saj një diteje pune të stafit në një institucion shëndetësor në vijën e parë të frontit të luftës kundër pandemisë.
Ardiana Thaçi, e renditur e dyta në përzgjedhjen e jurisë, në dokumentarin e saj shpalos fatet e viktimave të kësaj pandemie dhe tagrin e pashmangshëm jo vetëm personal të tyre, por edhe të familjarëve.
Atdhe Mulla, i cili me votat e jurisë u rendit i pari në këtë përzgjedhje, arrin që në reportazhin e tij gjithpërfshirës të pasqyrojë përballjen me këtë pandemi të punëtorëve shëndetësorë, të sfiduar jo vetëm me orare të tejzgjatura, por edhe me presione më parë të papërjetuara.