Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur në takim ekipin e xhudos së Kosovës në krye me trajnerin Driton Kuka, me ç’rast ka bërë ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që kanë arritur rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.
Trajneri i xhudos, Driton Kuka së bashku me xhudistën Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Laura Fazliu janë fituesit e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.
Ministrja Dumoshi uroj ekipin e xhudos për sukseset e arritura gjatë këtij viti duke theksuar se si ministre është munduar të punojë që të ofrojë kushte sa më të mira për sportistët që Kosovës po i sjellin suksese në arenën ndërkombëtare.
Gjithashtu ministrja gjatë takimit theksoi se Qendra Kombëtare e Xhudos pritet të përfundohet gjatë vitit të ardhshëm.
“Qendra Kombëtare e Xhudos që ka nisur të ndërtohet është një nga të arriturat, që si ministre e vlerësoj dhe kjo qendër pritet të ndërtohet gjatë vitit të ardhshëm. Kosova mund të merret shembull në rajon se si bashkëpunohet me federata sportive”, tha ministrja Dumoshi.
Ndërkaq, trajneri Driton Kuka falënderoj ministrinë për mbështetjen dhe të gjitha institucionet duke e vlerësuar bashkëpunimin me ta.
“Po synojmë që të kemi pesë cikle për në olimpiadë dhe të sjellim tituj sa më shumë dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja”, tha Kuka.