Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në ceremoninë e bartjes së 121 veprave të artit nga Hoteli Grand, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku theksoi se këto vepra janë vlerë e shtuar për trashëgiminë tonë kulturore.
“I bashkohem ministres dhe drejtorit të AKP-së, në falënderimet për gjithë punëtorët e Grandit të të gjitha gjeneratave dhe menaxhmentit, që i kanë ruajtur këto vepra me përkushtim dhe sot vihen në dispozicion të artdashësve dhe qytetarëve në përgjithësi” , tha kryeministri Hoti.
Hoti, vlerësoi se këto vepra të çmuara artistike prej sot zyrtarisht bëhen pjesë e pasurisë shtetërore të Kosovës dhe trashëgimi për brezat e ardhshëm.
Kryeministri Hoti falënderoi ministren Dumoshi, zëvendësministrat dhe stafin e saj, për punën e palodhshme në finalizimin e një procesi disavjeçar, të evidentimit të këtyre veprave dhe kryerjes së procedurave të nevojshme administrative dhe ligjore, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 24 dhjetor 2020.