Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit vjetor “Anton Çetta”.
Me këtë rast, ai theksoi se është nder i veçantë për të që të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, duke potencuar se edhe në kohë të pandemisë me këtë ceremoni është pasuruar jeta kulturore në Prishtinë si rrallë ndonjëherë.
“Ju përgëzoj për punën që keni arritur, që të ndahen çmime me emrin e një personi që gëzon respektin e secilit shqiptarë në mbarë botën”, tha kryeministri Hoti.
Për ndarjen e çmimit vjetor “Anton Çetta” në fushën e trashëgimisë kulturore, është marrë vendim në fund të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës dhe sivjet jepet për herë të parë.
Avdullah Hoti, i dorëzoi çmimin vjetor “Anton Çetta”, Frrok Kristajt i cili u nderua për veprimtarinë e tij në ruajtjen, mbledhjen e dokumentimin e trashëgimisë kulturore për më shumë se gjysmë shekulli. Ai ka kontribuar edhe në pajtimin e gjaqeve, në disa raste në krah me Anton Çettën.