Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në konferencën për media e mbajtur sot ka thënë se ka pranuar kërcënime nga partitë politike.
“Nuk do të kisha dashur asnjëherë që ta mbaja këtë konferencë, mirëpo unë jam këtu sepse ndihem e obliguar që qytetarët e Kosovës t’i siguroj se KQZ-ja është duke punuar maksimalisht që t’i kryejë detyrat e veta dhe akuzat e partive politike në KQZ janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së institucionit. Kërcënimet ndaj meje dhe familjes time janë të paprecedenta.
Të gjithë kandidatëve do t’ua them vetëm dy fjalë: është ligji dhe aktgjykimi që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë. Unë nuk e kam shkruar as Nenin 29 të këtij ligji që pamundëson kandidimin e një personi që është shpallur fajtor. Çdo person që mendon se po i bëhet e padrejtë, do të mundë të ankohet në institucionet përgjegjëse”, ka thënë Daka