Build Skills with our trainings

Sign up now!

Infrastrukturë e pamjaftueshme, trafik i dendur, aksidente shumë

Jan 21, 2021

Për shkak se ishte vonuar pesë minuta për në provim, Albion Fazliut, student tash i diplomuar në Fakultetin e Edukatës Fizike në Prishtinë, i ishte dashur të priste me muaj për të hyrë në afatin e dytë të atij provimi.

Për të si student nuk ishte obligim vetëm të mësonte, por edhe të arrinte me kohë në ligjerata e sidomos gjatë kohës së provimeve përfundimtare. E këtë mund ta dijnë më së miri të gjithë ata studentë të cilët udhëtojnë çdo ditë për në universitet, dhe ata studentë të cilët të paktën një herë janë ndëshkuar për mos arritje me kohë gjatë ligjeratave apo provimeve.

Fazliu tregon se për shkak të komunikacionit të ngarkuar, kishte shkuar me vonesë në provim, vonesë që nuk ia kishin falur profesorët.

“Më është dashur të hyj në afatin e dytë të atij provimi si pasojë e një vonese të shkurtër e cila më shkaktoi telashe 8 muajshe. Kjo është e tmerrshme”, thotë Fazliu për KosovaLive.

Ai thotë se edhe shumë herë të tjera ishte ndëshkuar nga profesorët, për shkak se nuk kishte mbërritur me kohë nga Drenasi në aktivitete të ndryshme në universitet.Për gjitha këto dhe për tollovinë në trafik ai e fajëson infrastrukturën e pamjaftueshme dhe joadekuate rrugore.

Kryetari i komunës prej nga vjen, asaj të Drenasit, Ramiz Lladrovci, shprehet se komuna ka rrugë të mjaftueshme për qarkullim, ndonëse nuk e mohon fluksin e madh të veturave.

Ramiz Lladrovci, Kryetari i Komunës së Drenasit

Sa i përket rrugëve të Komunës së Drenasit, qendra e Drenasit ka rrugë të mjaftueshme për qarkullim. Prej orës 12:00 deri në orën 16:00, fluksi i veturave është më i madh, siç është edhe në qytetet tjera të Kosovës”, pohon Lladrovci.

Sipas tij, sfidë e veçantë, mbetet siguria që kërkon angazhim dhe disciplinë të secilit prej nesh për sjellje në trafik, në mënyrë që të ndikojmë në uljen e numrit të aksidenteve e viktimave.

Mesazhi im është të kujdesemi për sigurinë tonë, të familjes dhe të tjerëve në komunikacionin rrugor. Të sillemi në pajtim me ligjet dhe rregullat e komunikacionit, të kontribuojmë bashkë në ruajtjen e shëndetit dhe jetesës sonë”.

Zahrie Podrimqaku-Subashi, shefe e Zyrës së Kuvendit të Drenasit, rendit pikat më problematike duke theksuar se trafiku është më i ngarkuar te rrethet dhe kalimi te binarët e trenit në Drenas.

Ajo konsideron e kërkon, poashtu  që rruga për Komoran të ndërtohet nën hekurudhë me qëllim që qytetarët të jenë edhe më të mbrojtur.

Sokol Bylykbashi, asambleist në Komunën e Drenasit, thotë se rrjedha normale e trafikut në këtë komunë pengohet nga rrugët jo të mjaftueshme si dhe nga mungesa e shenjave në trafik.

Rrjedha normale e trafikut në Komunën e Drenasit pengohet nga mungesa e shenjave të komunikacionit, mungesa e një rruge, e cila është e destinuar vetëm për automjetet që hyjnë në qytet nga hekurudha. Pra, automjetet që destinacion e kanë Skenderajin të mos e kalojnë të njëjtën rrugë me automjetet që futen në qytet”, tha Bylykbashi.

Në raportin me rekomandime nga njësiti Task Forcë, thuhet se në Kosovë mungojnë korsitë adekuate për ngadalësim/përshpejtim në udhëkryqe dhe mungon sinjalizimi adekuat horizontal dhe vertikal.

Komandantja e Policisë në Drenas, Feime Bajrami, thotë se trafiku i ngarkuar në Drenas është vetëm në intervale të shkurta kohore, sidomos në kohën kur qytetarët përfundojnë punën.

Ndërsa, përveç komunikacionit të ngarkuar, policia ngrit edhe çështjen e aksidenteve në trafik.

Sipas statistikave të dhëna nga Policia e Drenasit, në vitin 2019, në periudhën kohore janar – shtator, janë raportuar gjithsej 145 aksidente në Komunën e Drenasit, pa i përfshirë aksidentet me lëndime te rënda dhe me fatalitet. 

Ndërsa në vitin 2020 në periudhën e njëjtë kohore kanë ndodhur 117 aksidente në trafik, pa i përfshirë aksidentet me lëndime te rënda dhe fatalitet.

Sipas Ligjit për Transportin Rrugor, Komuna përcakton politikat e zhvillimit të shërbimeve të transportit rrugor të sigurta, efikase dhe ekonomike brenda kufijve administrativë të komunës.

Planin Zhvillimor Komunal të Komunës së Gllogocit, për vitet 2020-2021 thuhet se duhet të bëhet zgjerimi i rrugëve dhe trotuareve, ku prioritet ka zgjerimi i rreth-rrotullimit në hyrje të Gllogocit si dhe zgjerimi i trotuarit dhe ndërtimi i atij në anën tjetër të rrugës Gllogoc-Poklek, në mënyrë që të evitohet tollovia e përditshme e makinave që hyjnë në Gllogoc

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, tregon se siguria në komunikacion rrugor varet nga disa faktorë kryesor, nga faktori njeri me 85%, faktori rrugë me 8-10%, faktori automjet me 5% dhe incidentet me nga 1%.

Dedaj thekson se për fat të keq, Kosova nuk ka institucione të cilat hulumtojnë shkaktarët e aksidenteve në trafik.

“Për fat të keq, Kosova nuk ka institucione që merren me hulumtime të shkaktarëve të aksidenteve, prandaj edhe do të kemi rritje të tyre”, tha tutje Dedaj.

Po ashtu, ai thekson se për të bërë një transport urban në shërbim të qytetarëve në Prishtinë por edhe në komunat tjera, duhet të jetë infrastruktura rrugore e zhvilluar.

Për komunikacionin rrugor të ngarkuar në Prishtinë, Kushtrim Bogaj, nga kjo komunë, po e fajëson kryetarin Shpend Ahmeti.

Ai deklaron se Ahmeti nuk ka punuar asgjë për ta përmirësuar gjendjen në trafik.

 “Në Prishtinë është shumë e mbingarkuar komunikacioni dhe kryetari i komunës nuk ka punuar për ta rregulluar atë dhe as nuk është duke bërë asgjë. Ne shumë po kemi vështirësi në rrugët e qytetit”, tha Bogaj.

Edhe ekonomistja, Arta Bajrami nga Prishtina, pajtohet se komunikacioni në këtë komunë është shumë i ngarkuar.

Ajo konsideron se tollovinë në trafik e shkakton edhe mosrespektimi i rregullave të komunikacionit nga ana e qytetarëve.

“Shpesh ndodh që për raste të veçanta humbasim kohë mjaft të vlefshme në komunikacion, e mua personalisht kjo më ka ndodhur si studente në fakultet. Por gjithsesi komukacioni tek ne është në proces të rregullimit”, thotë ajo.

Strategjinë Sektoriale për vitet 2015-2025, si objektiv është parë rritja e cilësisë së shërbimeve të transportit rrugor, përmirësimi i segmenteve prioritare të rrugëve kombëtare, rritja e aseteve dhe punët e mirëmbajtjes, planifikimi dhe programimi, ngritja e kapaciteteve inxhinierike dhe mbikëqyrja e punëve të ndërtimit autostradave.

Në një raport të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit thuhet se nuk është arritur të implementohen kriteret e rëndësishme të sigurisë rrugore siç janë: auditimi i sigurisë rrugore për ndërtimin e rrugëve të reja dhe inspektimi i sigurisë rrugore për rrugë aktuale.

Për të rritur sigurinë në trafikun rrugor, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka hartuar dhe aprovuar Strategjinë e Sigurisë Rrugore 2016 – 2020.  Sipas kësaj strategjie, të gjitha palët e përfshira në trafikun rrugor duhet të ndërmarrin hapat e duhur dhe konkretë për përmirësimin e kushteve në trafikun rrugor drejt reduktimit/zvogëlimit të numrit të aksidenteve dhe fataliteteve. 

Më 30 prill të vitit 2020 Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit” për tremujorin e parë.

Sipas kësaj agjencie si pasojë e gjendjes pandemike Covid-19, përkatësisht si rezultat i masave të ndërmarra për luftimin  e Covid-19, në tremujorin e parë të vitit 2020, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është rreth 21 mijë, ku krahasuar me tremujorin e parë (TM1) 2019, numri i udhëtarëve është zvogëluar për 27.42%, transporti i mallrave me tren, në TM1 2020 ishte rreth 101 mijë ton, ku krahasuar me TM1 2019 ka rënie për 26%.

Derisa në Kosovë janë miratuar ligje për transportin rrugor, prapë ka probleme në menaxhimin e tij.

”Edhe pse vihet re progresi në Kosovë, në zhvillimin e infrastrukturës rrugore në fushën e rrjetit të transporteve trans-europiane si dhe në zhvillimin e legjislacionit, kapaciteti institucional për të realizuar reformat dhe investimet mbetet ende i dobët”, është thënë në një raport të Këshillit Kombëtar për Intregrim Evropian.

Rinesa Spahiu

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM