Build Skills with our trainings

Sign up now!

Vetëdijësimi me një rol kyç në përballje me ekstremizmin të cilësdo natyre

Jan 21, 2021

Parandalimi i ekstremizmit, vazhdon të jetë sfidë për institucionet kosovare. Edhe dy dekada pas luftës së fundit në Kosovë, qytetarët ndjehen të rrezikuar nga ekstremizmi nacional.

Elionita Rexhepaj, 19 vjecare nga Kamenica rrefen se si banorët e fshatit Karaçevë tash e sa vite nuk po gjejnë rehati. Kjo pas veprimeve të fundit të xhandarmërisë serbe, e cila tashmë disa herë po futet e armatosur në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Sigurisht, kjo për ne jep një pasiguri të madhe, një presion psiqik e aspak të mirë. Për këto arsye ndihemi të pasigurt dhe fatekeqësisht kemi një përshtypje që Qeveria e Republikës së Kosovës na ka harruar tash e sa vite”, shprehet ajo.

Hyrja e fundit e xhandarmërisë serbe në fshatin Karaçevë gjatë këtij viti, është parë si kërcënim direkt nga banorët e këtij fshati. Selver Lenjani, banor i Karaçevës së poshtme shpreh shqetësimin e tij.  

 “Karaçeva e poshtme është pronë kadastrale e komunës së Kamenicës dhe të hyjë xhandarmëria ashtu është tejet shqetësuese”, shprehet ai.

Pas kësaj ngjarjeje banorët, sipas Lenjanit, kishin kërkuar ndihmë dhe reagim nga Kuvendi i Kosovës.

Ne si fshat kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë ndihmë dhe reagim nga Kuvendi i Kosovës si dhe nga qeveria lokale”, tregon ai.

Kjo dhe ngjarje të tilla, me sensitivitetin që bartin, reflektohet edhe në atë se si e perceptojnë ekstremizmin të rinjtë e Kamenicës. 

Për F.K,  24 vjeçare nga Kamenica, ekstremizmi nacional shihet,  ende është i pranishëm në vende të caktuara, e nga gjuha e urrejtjes filllon gjithçka që mund të çojë deri në eskalim të situatës.

  “Fshati jonë është shumë afër në kufirin me Serbinë dhe vazhdimisht ka hyrje dhe dalje të të dy palëve përderisa janë banorë civilë. Mirëpo, të hyjnë xhandarët pa e ditur askush pse, duke veshur rrobat e tyre ushtarake si dhe duke mbajtur armët e tyre, natyrisht se ngjallin frikë, duke e ditur edhe konfliktin e madh që ka pasur Kosova me Serbinë”, deklaron ajo.

Ndryshe, ajo konsideron se për parandalimin e përfshirjes të të rinjëve në veprat që lidhen me ekstremizmin nacionl, këtë dukuri do të duhej adresuar Qeveria.

 “Nëpërmjet programeve të ndryshme vetëdijesuese të cilat e nxisin mendimin kritik tek mësimdhënësit e pastaj ata mësimëdhënës e transmetojnë te nxënësit. Mendoj që ekstremizmi mund të ulet, dhe gjithsesi duhet të promovohet shumë më shumë toleranca”, konsideron ajo.

E këtij mendimi është edhe Xhorxhina Bami, gazetare e “BIRN-it”, e cila ka raportuar disa herë për ekstremizmin. 

Mendoj që nëse nuk ka programe ndërgjegjësimi në shkollë fillimisht dhe pastaj në media rreth informimit në lidhje me ekstremizmin dhe gjithashtu në lidhje me nacionalitetin dhe fenë, të rinjtë janë shumë të rrezikuar”, është shprehur ajo. 

Sipas kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati komuna është në gjendje stabile sa i përket ekstremizmit. Ai tregon edhe planet që i kanë si komunë për të parandaluar ekstremizmin nacional tek të rinjtë.

Qëndron Kastrati, Kryetar i Komunës së Kamenicës

 “Kemi kërkuar që të ndërtohet një shkollë e përbashkët, e cila do t’i përfshijë të gjithë nxënësit e komunitetit serb, rom, ashkali dhe shqiptar dhe nxënësve duhet të ju ofrohet mundësia e zgjedhjes së gjuhës që duan ta mësojnë, pasi që këto janë dy gjuhë zyrtare”, thotë ai në një intervistë për KosovaLive.

Kastrati, njëherësh rrëfen edhe për disa hapa tjerë konkretë të kësaj komune.

 “Ne kemi emëruar një nënkryetar të komunitetit serb, dhe drejtorin për buxhet dhe financa i cili është nga komuiteti rom. Në kuadër të kësaj, komuna ka ofruar edhe kurse të gjuhëve (për ata që janë të interesuar ta mësojnë gjuhën serbe dhe për ata që janë të interesuar ta mësojnë gjuhën shqipe), ku ka pasur ndonjëherë aktivitete të përbashkëta”, shton ai.

Ndërsa, Mila Mihajlovic, pjesëtare e komunitetit serb dhe aktiviste për të drejtat e njeriut shprehet se ajo është rritur në një mjedis multikulturor, dhe se kurrë nuk ka përjetuar ekstremizmin nacional.

Por, ajo shpjegon se si kur shkon në seminare apo evente të tjera, e sheh se si njerëzit kanë ende zemërim brenda vetes, dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për komunitetin serb dhe atë shqiptar. 

 “Zemërimi vjen prej narrativave të cilat na kanë mësuar prej fëmijërisë tonë, sepse askush nuk lind me urrejtje. Urrejtja mësohet”, thotë ajo.

Sipas saj, Qeveria duhet të luajë një rol kyç në bashkimin e komuniteteve me prejardhje të ndryshme në Kosovë. 

Qeveria duhet të punoj që t’i jep popullit një arsye për të mos urryer, një arsye për të dashur” thotë Mihajlovic. 

Një problematikë tjetër, sipas saj, është edhe gjuha, dhe rrjedhimisht e sheh si një gjë të mirë futjen e mësimit të gjuhës serbe në sistemin edukativ të Kosovës, dhe gjuhës shqipe në atë të Serbisë. 

Një hulumtim për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, tregon se një ndër faktorët që shërben si katalizator i harmonisë për të strukturuar një situatë stabile përballë ekstremizmit të dhunshëm, është mjedisi që i ofrohet shoqërisë civile për vetëshprehje. 

Në në një analizë publike të bërë nga USAID, të anketuarit kanë thënë se e preceptojnë ekstremizmin politik si aktual, duke u pasuar nga ekstremzimi nacional dhe ai fetar. Sipas kësaj analize, perceptimet rreth rritjes së gjasave të sulmeve terroriste në Kosovë janë pjesë e klimës së përgjithshme të frikës që krijohet nga sulmet e shpeshta terroriste që ndodhin në Evropën Perëndimore.

Ekspert i sigurisë, Nuredin Ibishi vlerëson se gjendja sa i përket ekstremizmit në Kosovë është e rënduar dhe ai përmend edhe rrezikun nga ekstremizmi fetar.

Mendoj se gjendja është e rënduar, për aryse se si shtet i vogël, kemi numër të madh për kokë banori që kanë marrë pjesë në luftëra e sidomos në Siri, ku shumica e kanë pasur edhe familjen me vete, të cilët pastaj janë integruar për shkak të kushteve në kampe dhe në ambiente të terrorizmit”, thotë ai.

Duke komentuar ngjarjet e fundit në Karaçevë të Kamenicës dhe hyrjen e xhandarmërisë serbe në këtë fshat ai thotë se duhet të bëhet një marrëveshje që veprime të tilla të mos përsëriten më.

 “Institucionet shtetërore dhe Policia e Kosovës, duhet të vijnë në një konkludim se si të bëhet patrollimi”, ka thënë ai.

Sipas aktivistit Agon Rexhepi, të rinjtë në Kosovë kanë më shumë tendenca për të qenë viktima të ekstremizmit fetar.

Agon Rexhepi, aktivist

Për mendimin e tij, ekstremizmi në Kosovë është vështirë të parandalohet.

 “Është e vështirë të mos bijmë në propagandat nacionaliste, fetare a çfarëdo qofshin sepse në vazhdimisht jemi te ekzpozuar ndaj tyre. Sa i përket ekstremizmit nacional është më afër mendjes, për shkak të situatës politiko-sociale që ne jemi si popull dhe për shkak të së kaluarës”, thotë ai.

Rexhepi thekson se Qeveria dhe shoqëria civile, duhet të punojnë në krijimin e programeve dhe politikave të veçanta që do të kontrollonin dhe cenzuronin vendet ku do të mund t’u imponohej ekstremizmi të rinjëve.

Refki Suma, kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, mjedisit më të prekur nga ekstremizmi fetar, me më së shumti luftëtarë të huaj, tregon se si iu kanë qasur kësaj dukurie.

 “Ne si komunë në bashkëpunim me organizata të ndryshme kemi ndihmuar përmes projekteve të ndryshme edhe personat që kanë marrë pjesë në luftëra të huaja përmes ndonjë subvencioni apo ndonjë projekti që ka qenë per qytetarë”, shprehet ai.

Sipas tij, ata nuk i kanë bërë publike subvencionet ndaj të kthyerve nga luftërat e huaja, pasi që konsiderojnë se një gjë e tillë do të kishte efekt negativ.

 “Personat e tillë kanë përfituar subvencione, por që nuk është përmendur sepse nëse në publik shfaqet se komuna po financon apo subvencionon projekte për persona qe kanë marrë pjesë në luftëra të huaja, do të kishte më tepër efekt negativ se pozitiv”, shton ai.

Në një përgjigje për KosovaLive nga Zyra për informim në Policinë e Kosovës bëhet e ditur se në kuadër të trajtimit të rasteve që biejnë në mandatin e Drejtorisë Kundër Terrorizmit që nga viti 2015 e deri më tani, janë iniciuar gjithsej 135 raste, janë ngritur 118 kallëzime penale kundër 223 personave, si dhe janë arrestuar 120 persona të dyshuar për vepra penale të terrorizmit dhe veprave tjera penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. 

Në mesin e personave të arrestuar, që nga viti 2015, ka pasur të arrestuar edhe nga Komuna e Kamenicës, por që numri i tyre thuhet se është i ulët.

Policia mbetet e përkushtuar që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo religjioni. Policia e Kosovës si institucion i sigurisë, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të çdo forme të kriminalitetit dhe veprave tjera penale, bashkëpunon shumë ngushtë me të gjitha institucionet relevante, por edhe shoqërinë civile dhe qytetarët në përgjithësi”, pohon Policia e Kosovës.

Në një publikim të veçantë të Security Policy Research Center, theksohet se ende nuk dihet pse ekstremizmi mund të bëhet pjesë e një individi të caktuar.

Natyra absolutiste apo ‘bardhë dhe zi’ e shumicës së ideologjive ekstremiste është shpesh atraktive për ata që ndihen të tronditur nga ndërlikueshmëria dhe stresi për të lundruar në një botë të ndërlikuar”, thuhet në këtë analizë.

Sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në dy vitet e fundit, Qeveria e Kosovës ka zhvendosur agjendën nga parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm, për t’u fokusuar kryesisht në luftëtarët e kthyer dhe të pakthyer nga Siria dhe Iraku.

Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës, thotë se aktualisht 33 persona janë të burgosur për shkak të veprave që lidhen me ekstremizmin fetar dhe se dënimi më i lartë i paraparë në lidhje me këto vepra është 10 vite. 

Në një manual të publikuar për Institutet e Trajnimit Gjyqësor të Evropës Juglindore konstatohet se mirëqenia dhe shëndeti mental i moshave të reja  që vijnë në vendet e tyre nga zonat e luftës, duhet të jenë përparësia numër një e çdo përgjigjeje të dhënë nga një agjenci shumë-funksionale. 

Ndër të tjera në këtë manual theksohet se kushtet e pafavorshme, një mohim i nevojave themelore njerëzore dhe një hendek gjithnjë e më të gjerë midis asaj që njerëzit besojnë se meritojnë dhe asaj që mund të arrijnë, çon në akte ekstreme.

Për më tepër, një rol përballë rritjes së ekstremizmit në Kosovë e kanë luajtur edhe mediat.

Albulena Rexha, gazetare në “Gazetën Objektiv” thotë se mediat rregullisht kanë raportuar për ekstremizmin në Kosovë dhe se në këtë mënyrë edhe i është bërë presion institucioneve që të marrin masa.

“Ne si media kemi raportuar shumë herë për ekstremizmin në Kosovë, kështu edhe jemi munduar që ta ngrisim këtë çështje, duke vetëdijësuar qytetarët, e duke i bërë presion institucioneve që të marrin masa”,  thotë Rexha.

Sipas saj, shqetësusese mbetet veçanërisht problemi i hyrjes së xhandarmërisë në vende të caktuara në Kosovë. 

Shqetësuese mbetet edhe hyrja e xhandarmërisë serbe në Kosovë, duke e ditur edhe të kaluarën tonë. Institucionet e vendit duhet të marrin masa që veprime të tilla mos të përdëriten më”, ka thënë ajo.

Zyra e Kryeminstrit në vitin 2015 kishte publikuar një strategji për parandalimin e ekstremizmit që konsiston në disa pika kryesore siç janë identifikimi i hershëm i shkaqeve dhe faktorëve, parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, intervenimi dhe deradikalizimi dhe riintegrimi i personave të radikalizuar. 


Yllka Kastrati

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM