Kufizimi i lirisë së lëvizjes, mbyllja e institucioneve shkollore, lirimi i njërit prind nga puna dhe mbyllja e disa vendeve të punës ka qenë një ndër masat preventive që kishte ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të evituar përhapjen e virusit Covid-19, e që çuan detyrimisht në një të ashtuquajtur vetizolim, por bashkë me këtë u shfaqën disa probleme tjera.
Shtimi i punëve të shtëpisë, gjendje e rënduar psikologjike, frikë, presion e dhunë ishin vetëm disa nga problemet që buruan nga izolimi për shkak të virusit korona.
Derisa shtëpia do të duhej të ishte vend sigurie për t’u mbrojtur nga ky virus, për shumë gra në Kosovë, ato u bënë vend frike, pasi përvec izolimit gjatë kohës së pandemisë, gratë filluan të ballafaqohen edhe me probleme tjera, ndër të cilat edhe dhuna ndaj tyre. Dhuna ka ekzistuar gjithmonë, por izolimi ka bërë që gjendja të përkeqësohet, që rastet e raportuara të rriten por edhe që dhuna e paraportuar, potencialisht të shënojë rritje.
Tre gra dhe katër fëmijë nga Kodra e Trimave kanë kërkuar ndihmë në strehimoren “Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijëve” në Prishtinë, gjatë periudhës së pandemisë.
E një grua nga Skënderaj, ishte viktimë e dhunës në familje që ndodhi gjatë kohës së pandemisë. Ajo u ther dhjetë herë me thikë nga bashkëshorti i saj, ndaj të cilit pastaj u ngrit aktakuzë.
Sipas disa statistikave të publikuara nga Policia e Kosovës, në muajin mars, kohë kjo kur ishin ndërmarrë masat parandaluese nga qeveria, ishin regjistruar 169 raste të dhunës në familje, derisa në muajin shkurt (para shfaqjes së rasteve të para në Kosovë), numri i rasteve të dhunës në familje ishte 151 raste.
Që nga qershori i vitit 2019, në Policinë e Kosovës ishin raportuar 785 raste, duke e vazhduar kështu trendin e raportimeve më të shpeshta.
Zyra për Informim në Policinë e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për KosovaLive, thotë se në periudhën janar-shtator 2018 ka pasur 1 mijë e 62 raste të dhunës në familje, e cila pastaj shënoi një rritje prej 16.19 për qind në periudhën e njëjtë të vitit 2019 me gjithsej 1 mijë e 234 raste. Nëse krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit të kaluar me vitin paraprak, prap u shënua një rritje e numrit të rasteve për 10.98 për qind ose 1 mijë e 568 raste të dhunës.
Periudha kohore | Nr. i rasteve për 9 Mujorin | Nr. rasteve për 9 Mujorin | +/- |
Janar – Shtator 2018/2019 | 9M 20181062 raste | 9M 20191234 raste | 16.19% |
Janar – Shtator 2019/2020 | 9 M 20191427 raste | 9M 20201568 raste | 10.98% |
Duke i krahasuar statistikat e viteve të kaluara, shihet se gjatë vitit 2017 ishin raportuar 1.269 raste, në vitin 2018 1.541 dhe në vitin 2019 gjithsej 1.915 raste të raportuara në nivel vendi, ndonëse,a do të duhej të ishte e kundërta pas gjithë fushatave vetëdijësuese që janë bërë, do të mund të pritej e kundërta.
Mirëpo jo të gjitha gratë e kanë pasur fatin e keq që të ndihen të frikësuara gjatë qëndrimit në shtëpi në kohën e pandemisë.
Edona Ukelli, banore e lagjes Kodra e Trimave, në një intervistë për KosovaLive thotë se nuk ka pasur ndonjë konflikt apo mosmarëveshje serioze mes familjarëve të shtëpisë.
“… edhe pse kemi qenë të gjithë familjarët në shtëpi, koha ka kaluar shumë shpejtë dhe kam kaluar shumë mirë, kemi bërë aktivitete sportive, lojëra të cilat nuk i kemi praktikuar qysh kur kemi qenë fëmijë dhe s’i kemi luajtur për një kohë të gjatë, por nuk ka pasur konflikte, dhunë apo ndonjë mosmarrëveshje mes nesh”, tha Edona.
Por, të intervistuarit thonë se fillimi i pandemisë, masat kufizuese të ndërmarra nga qeveria dhe qëndrimi në shtëpi, nuk ka qenë aspak i lehtë. Dorentina, 17 vjeçe dhe Elmedina Maqedonci, banore të lagjes Kodra e Trimave thonë se izolimi në shtëpi ka qenë i vështirë në fillim dhe se ka ndikuar negativisht tek ato, por se me kalimin e kohës janë adaptuar.
“Izolimi ka qenë një situatë shumë e vështirë për ta përballuar se nuk jemi mësuar të qëndrojmë të izoluar në shtëpi. Edhe më të vështirë e kanë bërë mediat duke shkaktuar frikë dhe panikë tek ne”, tha Elmedina.
Frika dhe paniku që ishte shkaktuar nga disa media në Kosovë rreth rrezikut nga ky virus, kishte bërë që Feride Avdullahu, 45 vjeçare nga lagjja Kodra e Trimave ta lë punën.
“Për mua ka qenë diçka shumë stresuese, sepse nuk kemi ditur se çfarë është duke ndodhur, jam frikësuar shumë dhe aty ku punoj në momentin që e kanë parë gjendjen në të cilën isha, më kanë thënë që ta lë punën sepse kam qenë duke rënë në depresion nga frika”, tha Avdullahu.
Ajo thotë se nuk kishte dalur asnjëherë nga shtëpia gjatë izolimit për shkak të frikës se infektohet me Covid.
Konfliktet dhe dhuna gjatë pandemisë të pashmangshme gjatë izolimit në shtëpi
Për shkak të qëndrimit të të gjithë familjarëve në shtëpi, mundësia për të pasur mospajtime por edhe konflikte mes anëtarëve ishte më e madhe. Dorentina pranon se ndonjëherë ka pasur edhe ndonjë zënkë mes anëtarëve.
“Ka pasur ndonjëherë konflikte apo zënka por jo ndonjë problem të madh”, tha Dorentina, banore në Kodrën e Trimave.
Në organizatën joqeveritare “Rrjeti i Grave Të Kosovës ( RrGK)”, e cila përkrah, mbron dhe promovon të drejtat e grave në Kosovë, që nga fillimi i pandemisë e derisa shkurhet ky tekst, janë lajmëruar 15 raste të dhunës ndaj gruas.
Erza Kurti, koordinatore kundër dhunës në baza gjinore në RrGK, thotë se shkaqet më të shpeshta të rasteve të dhunës në familje gjatë periudhës së izolimit ishin faktorët socio-ekonomik dhe mentaliteti patriarkal.
“Faktorët socio-ekonomik dhe mentaliteti patriarkal ku gruaja shihet si pronë e bashkëshortit në të shumtën e rasteve janë elemente që kanë ndikuar që të rritet dhuna ndaj grave, por për ne dhuna nuk ka arsyetim”, tha Kurti.
Safete Gacaferi, drejtoreshë e Organizatës së Gruas “Jeta” në Deçan, thotë se një nga arsyet e rasteve të shumta të dhunës ishin edhe papunësia, gjendja e rënduar ekonomike, mospërfshirja në asnjë lloj aktiviteti tjetër. Sipas saj, periudha e izolimit ka ndikuar shumë negativisht sidomos tek gratë dhe femrat, dhe ka pasur ndikim psiqik dhe fizik.
Përkrahje dhe mbrojtje për gratë ofrojnë edhe Qendrat për Mirëqenien e Gruas nëpër komunat e Kosovës.
Gjatë kohës së pandemisë, sipas Zana Hamiti, drejtoreshë në Strehimoren e Prishtinës, gjithsej 45 gra kanë kërkuar ndihmë në këtë institucion.
Në komunën e Pejës, që nga janari i këtij viti e deri në sajimin e këtij artikulli, në Qendrën Për Mirëqenie të Gruas të kësaj komune, ishin strehuar 60 gra dhe fëmijë të cilët janë lajmëruar për dhunë në familje. Drejtoresha e kësaj qendre, Ardita Ramizi Balaj në një intervistë me shkrim për KosovaLive thekson se një ndër arsyet e dhunës në familje gjatë pandemisë ishte qëndrimi me keqtrajtuesit.
“Qëndrimi në një objekt me keqtrajtuesin, mungesa e sigurisë dhe mungesa e të ardhurave janë arsyet e dhunës ndaj grave“,thotë Balaj, drejtoreshë në Qendrën për Mirëqenien e Gruas në Pejë, duke shtuar se edhe dënimi i ulët që po e marrin dhunuesit rritë dhunën në familje.
“Ne si shoqëri e arsyetojmë dhunën/dhunuesin duke e fajësuar viktimën, ‘çka ka bo që e ka rrah’, ‘pse nuk po e dëgjon burrin’ etj. Hulumtimet tregojnë se dënimet e larta janë pjesë e parandalimit të dhunës”, sqaron Balaj.
Sipas organizatës SIT-Center For Counseling, izolimi ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në rritjen e dhunës në familje në krahasim me sferat e tjera.
Për shumë gra, izolimi si rezultat i pandemisë kishte bërë që punët e shtëpisë të dyfishoheshin për shkak të qëndrimit në shtëpi të të gjithë familjarëve.
Këtë e pohon edhe Edona Ukelli, mirëpo për këtë 24 vjeçare kjo nuk ishte edhe një problem i madh pasi ajo thotë ta kenë ndihmuar në punët e shtëpisë edhe motrat e saj.
“Pasi kemi qenë të gjithë në shtëpi, normal që janë shtuar edhe punët e shtëpisë sepse para pandemisë ne nuk kemi ngrënë as mëngjes e as drekë në shtëpi, vetëm në darkë bëheshim bashkë e gjithë familja”, shtoi Ukelli.
E se u është shtuar më shumë puna në shtëpi, e pohojnë edhe Dorentina dhe Elmedina, banore të Kodrës së Trimave në Prishtinë.
“Natyrisht që janë shtuar edhe më shumë punët e shtëpisë sepse frika nga virusi na ka bërë që të mbajmë pastërtinë më shumë”, tha Elmedina
Po ashtu edhe Feridja thotë se punët e shtëpisë gjatë pandemisë janë dyfishuar .
“Puna është dyfishuar, sepse para pandemisë kemi qenë më të zënë duke punuar, ndërsa gjatë pandemisë kemi qenë në shtëpi të gjithë antarët dhe ka pasë më shumë punë”, tha ajo.
Por izolimi kishte edhe anën pozitive pasi i ka bërë njerëzit të kuptojnë se e rëndësishme është të kalojnë kohë me familjen dhe se paraja e puna nuk është gjithçka.
“Para pandemisë, nuk kishim kohë që të vizitojmë familjarët, ndërsa gjatë izolimit kishim mjaft kohë të lirë por s’mund t’i vizitonim për shkak të gjendjes, ndaj kjo ka bërë që të kuptojmë se puna e paraja nuk është gjithçka, rëndësi ka familja”, thotë Ukelli.
Edhe Dorentina thotë të ketë qenë i nevojshëm ky izolim për të kuptuar rëndësine e mbajtjes së lidhjeve me të afërmit.
“Me të vërtetë kemi pasur nevojë për një gjë të tillë. Unë këtë e kam shfrytëzuar në uikend, ku kemi shkuar në fshatin tim, e kjo ka ndikuar mjaft mirë në anën psikologjike për mua dhe pjesën tjetër të familjes”, thotë ajo.
Shoqata e Psikologëve të Kosovës ka ofruar shërbime psikologjike online që nga data 8 mars deri me 30 qershor përmes një rrjeti të gjerë psikologësh nga Kosova dhe nga Shqipëria të cilët kanë ofruar këshillime psikologjike në menaxhimin e stresit, ankthit, panikut, frikës së krijuar si pasojë e Covid19. Kjo shoqatë ka pranuar shumë thirrje telefonike nga gratë në Kosovë gjatë periudhës së qëndrimit në shtëpi.
“Gjatë periudhës së mbylljes nëpër shtëpi kemi pasur mjaft thirrje nga gjinia femërore dhe sipas statistikave që disponon Shoqata e Psikologëve të Kosovës, nga numri total janë 371 persona të gjinisë femërore dhe vlen të potencohet se shumica kanë qenë thirrje nga gratë e qytetit”, thotë Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës.
Sipas Havollit arsyet e këtyre thirrjeve në shoqatë kishin të bëjnë me përjetimin e stresit, ankthit, frikës, depresionit e deri tek problemet familjare dhe ekonomike dhe përjetimi i stresit pastraumatik.
Lorika Halimi
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.