Si pasojë e reshjeve të shiut dhe vërshimeve në disa zona të vendit, ka rritje të sërishme të turbullirës në kanalin e Ibrit, që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedon KRU Prishtina. Prandaj KRU Prishtina ka njoftuar se do të ketë reduktime në disa zona ku do të hyjnë në fuqi prej sot.
Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, t’i ruajmë pajisjet teknologjike, jemi të detyruar që sërish të zvogëlojmë në minimum prodhimin e ujit nga Impianti i Trajtimit të Ujit në Shkabaj. Në mënyrë që të bëjmë shpërndarje të barabartë të ujit për të gjithë konsumatorët dhe që fokusi i mosfurnizimit me ujë të mos jenë vetëm zonat që furnizohen nga ITUP Shkabaj, ju njoftojmë me orarin e reduktimeve për këto zona të cilat reduktime hyjnë në fuqi nga sot deri në stabilizimin e gjendjes, kanë thënë përgjegjësit e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina.
Nga ora 11:00-16:00 me reduktime nga dita e sotme do të jenë: Bregu i Diellit, banesat e bardha, Mati 1, Zllatari, Kolovica, Sofalia, Tasligje, Ulpiana, Kodra e Trimave, Arbëria, Lagjja e Spitalit, lagjja e Universitetit, Konviktet, Hajvalia, Graçanica dhe Veterniku.
Ndërsa duke filluar nga ora 12:00-16:00, reduktime të ujit do të kenë vetëm pikat e larta të qendrës së Prishtinës, Dardania , Lakrishtja, lagjja Pejton dhe Kalabria.
Ndërsa, me reduktime nga ora 11:00-17:00 do të jenë të gjitha fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Podujevë.
Pra, kjo po realizohet për t’iu mundësuar furnizim zonave më të prekura nga turbullira e ujit në kanalin e Ibrit!, thuhet në komunikatën për media e KRU Prishtina.