Build Skills with our trainings

Sign up now!

Pandemia riaktualizoi pabarazinë gjinore në dëm të grave

Shk 22, 2021

Dallimet dhe pabarazitë janë disa faktorë që janë vënë në pah edhe më shumë gjatë kohës së pandemisë. Gratë janë një prej grupeve më të prekura nga këto pabarazi. 

Sipas një raporti të vitit 2018 nga Kombet e Bashkuara, vlerësohet se gratë janë ato që bëjnë 2.6 herë më shumë punë shtëpiake se sa burrat. Ndërkaq ato nuk kompenzohen për këtë punë, dhe shumë ekonomi kombëtare nuk e llogarisin atë në produkt të brendshëm bruto të vendit.

Një faktor kryesor është kultura e vendit të punës. Shumë vende pune ende presin që burrat të jetojnë në përputhje me normat e “punëtorit ideal”, duke e vendosur punën në radhë të parë dhe duke vepruar sikur të mos kenë asnjë përgjegjësi për kujdesin – diçka që pak gra kanë mundësi ta bëjnë.

Sipas një pytësori të realizuar nga organizata SIT me 837 të rinj, gjithsej 76.6% e të rinjve nuk pajtohen aspak që burrat nuk kanë aftësi të angazhohen në shërbim, pastrim, gatim, e përkujdesje për fëmijët, sidoqoftë 46.7% prej tyre mendojnë që burrat hezitojnë të angazhohen në punët në shtëpi për shkak të presionit të shoqërisë dhe rrethit. Kjo që bënë grave gjithmonë t’ju mbeten detyrat e çdo shtëpie.

Kur rastet e para të COVID-19 u konfirmuan më datën 13 mars të vitit të kaluar, jeta e çdo banori në Kosovë filloi të marrë një kuptim tërësisht ndryshe, filluan të mbyllen shkollat, vendet e punës, restorantet dhe kafenetë. Kjo pandemi globale hapi shumë tema dhe problematika që kishin mbetur në sirtarë, sidomos ato me karakter gjinor.

Për më tepër, gratë kishin më shumë gjasa sesa burrat të lëshonin ose të ulnin orët e punës gjatë asaj kohe. Në këtë rast puna duhej vazhduar në shtëpi online, ku domosdoshmërisht puna dhe obligimet e grave veç sa janë shumëfishuar duke marrë parasysh edhe ngarkesën e tyre me gjendjen që po përballemi.

Liridona Maliqi, banore e Hajvalisë,  nënë e dy vajzave, tregon se mbyllja e çerdheve ka qenë ngarkesë e madhe. Menaxhimi i kohës, angazhime tjera rreth familjes, madje edhe ngarkesa për të mos lënë mënjanë punët e shtëpisë të cilat gjatë kësaj kohe veçse ishin shtuar më shumë. Por, përtej kësaj ajo kishte në krah tashmë edhe fëmijët e saj, shkaku i mbylljeve të çerdheve me vendim të Qeverisë,  gjë që as për fëmijët nuk ishte këndshme.

Edhe pse nuk ka angazhime të tjera jashtë shtëpisë, kujdesi për dy fëmijët e saj dhe për shtëpinë për Maliqin është një punë e cila kërkon shumë mund e përkushtim. Krahas nënave të cilat kanë punuar, as nënat që janë të pa puna në këtë situatë nuk e kishin më të lehtë, sipas saj.

“Dy muajt e parë kanë qenë më vështirë të menaxhohen, por me kalimin e kohës dhe mbështetjen e bashkëshortit ishte më e thjeshtë”, thotë ajo për KosovaLive.

Antigona Çitaku nga Prishtina, nënë e dy vajzave shpreh zhgënjimet e saj, pasi që nuk janë marrë parasysh perspektivat e grave në vendimet e Qeverisë. Ajo tregon që për të menaxhimi i një situate të tillë ishte më ndryshe dhe se jo për çdo nënë kërkesat ishin të arsyeshme. Ajo ishte një ndër nënat të cilat duhej liruar nga vendi i punës, me mundësi që të qëndronte e mbyllur dhe të kujdeset për fëmijët e saj, shkaku i mbylljeve të çerdheve.

“Ka qenë e vështirë sidomos për fëmijët se ka ndikuar në mënyrë psikike, mirëpo as për prind nuk ka qenë lehtë. Sidomos për nënat që punojnë 8 orë ka qenë sfidë e madhe, pasi që është dashtë me u ballafaqu me fëmijët. Si me i lënë në shtëpi, kush me u kujdes për ta, si me u kujdes…”, shprehet ajo.

Përveç kësaj ajo thotë që dallimet më të mëdha janë vërejtur në hapjen e çerdheve, ku kopshtet u hapën më datën 10 gusht duke zbatuar udhëzimin e hartuar nga MASHT dhe protokollin e hartuar nga Komuna e Prishtinës në mënyrë që të mbrohet shëndeti i fëmijëve e punonjësve dhe parandalohet përhapja e Covid-19.

Liridona Sijarina, menaxhere e projekteve te Qendra Kosovare për Studime Gjinore thotë se masat e ndërmarra nga Qeveria për mbylljen e çerdheve për të parandaluar përhapjen e virusit kanë qenë masa që nuk janë shikuar nga perspektiva gjinore. 

Sipas saj, mund të thuhet që ka pasur kuptim mbyllja e parë gjatë izolimit, kur u mbyllën edhe institucionet e tjera, pasi që ishte një situatë e panjohur, por ka qenë shumë paradoksale një politikë e pamenduar prej Qeverisë mbyllja e dytë që ndodhi pas lirimit të masave dhe pa një analizë të situatës, sidomos sa i përket implikimeve të grave të punësuara.

“E kjo në njëfarë forme ndikoi që me u rëndu më tepër barra e grave.”

Sipas Sijarinës qeveritarët nuk i shohin masat ose nuk e bëjnë politikën duke pasur parasysh edhe perspektivën gjinore. QKSGJ gjatë gjithë kohës ka insistuar që Qeveria t’i rishikojë vendimet që kanë rezultuar negative sidomos për gratë që kanë punuar.

Ajo po ashtu shton se gjatë kësaj periudhe kanë bërë një kampanjë masive lidhur me atë se si pandemia mund t’i afektojë gratë më ndryshe se sa burrat dhe se çfarë mundet të ofrojë qeveria  ose t’i kontekstualizojë politikat në bazë të nevojave dhe specifikave që ka shoqëria jonë duke pasur parasysh dimensionin gjinor.

Qendra në kuadër të forumit ekonomik ka bërë ndarjen të disa kompensimeve ose subvencioneve, janë ndarë një shumë e caktume për gratë që e kanë humbur punën gjatë asaj kohe ose për gratë që nuk kanë të ardhurat  tjera, për me lehtësu situatën e tyre ekonomike”, thotë ajo.

Kadri Gashi, drejtor ekzekutiv i organizatës SIT, shprehet se menaxhimi i kësaj kohe tek gratë ka qenë i vështirë. Madje ky ka qenë një shqetësim i madh edhe për prindërit edhe për fëmijët sepse pasojat do të vërehen më vonë.

Gashi gjithashtu përmend që te disa nëna ka qenë jashtëzakonisht pengesë e madhe që të vazhdojnë karrierën dhe punën e tyre, kurse te disa nëna ka qenë paksa më lehtë sepse në njëfarë mënyre janë kompensuar nëse kanë qëndruar në shtëpi. 

“Në punë shtetërore paga e tyre është kompensuar nga të ardhurat e shtetit, kurse për gratë në  sektorit privat ka qenë më e vështirë, pasi që kanë ndodhur shumë gjëra politike në kohën e pandemisë dhe ende nuk janë kompensuar financiarisht ato në sektorin privat”, shton me tutje ai.

Ferdi Kamberi, sociolog komenton shpërndarjen e punëve të shtëpisë në jetën e grave, duke u shprehur se shoqëria bashkëkohore është duke shkuar kah koncepti i “egalitarizmit”, që do të thotë një ndarje e barabartë e roleve në jetën dhe punët e shtëpisë. Kjo ka prekur edhe shoqërinë kosovare, megjithëse ende vërehet sistemi patriarkal i familjes që ekziston tek shoqëria kosovare. 

Ndarja e roleve gjinore, përfshirë këtu edhe punët e shtëpisë, konsiderohet se ka rëndësi të madhe në pavarësimin e gruas, përkushtimin e saj ndaj familjes, jetës, karrierës, punës, etj. për shkak se koncepti i ndarjes së roleve gjinore ndikon që gruaja mos të shihet si “shërbëtore” në shtëpi, por si shtyllë e familjes, një grua më të drejta dhe përgjegjësi të barabarta, duke dhënë kontribut në zhvillimin e familjes, komunitetit dhe të shoqërisë. 

“Jo rastësisht thuhet që ‘të edukosh një burrë ke edukuar një njeri, kurse të edukosh një grua ke edukuar një shoqëri të tërë’, gjë që tregon qartë rolin e gruas në familje dhe shoqëri”, thotë Kamberi për KosovaLive.

Sipas tij, në perspektivën sociale shoqëria kosovare ka nevojë për një drejtësi sociale e cila do të determinonte një barazi gjinore. Kështu që në aspektin social, ndarja e punës përveç që emancipon shoqërinë, ajo ndikon që njerëzit të shohin njëri–tjetrin si të barabartë në të gjitha poret e jetës. Për shkak se nga ndarja e punës shoqëria vepron si një lloj “katalizatori” ku secili ka nevojë për një segment konkret që të funksionojë. Po ashtu, edhe vetëdijësimi shoqëror është një ndër elementet kyçe për një perspektivë gjithë shoqërore, sidomos ndaj gruas, që ende shihet me dioptrinë e sterotipizimeve. 

Kamberi gjithashtu flet edhe për ndikimin e stereotipeve në jetën e vajzave e grave në Kosovë, si gjeneralizime, përgjithësime, që mund të jenë të sakta, por shpeshherë të jenë të pasakta. Ato në Kosovë determinojnë një sërë stereotipash kulturore, racore, fetare apo gjinore. Këto stereotipizime kanë ndikimin në jetën e personave ose kategorive ndaj të cilëve ngriten. 

Shembull – stereotipat gjinorë që shpeshherë gratë i shohin si objekt i shfrytëzimit seksual, pastaj shpeshherë gruaja edhe në reklama paraqitet si ajo që vetëm di të vallëzojë ose di të kujdeset për fëmijët, apo në media shpeshherë ajo portretizohet në forma të ndryshme, janë vetëm disa nga ato stereotipa me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare”, shprehet sociologu.

Natyra Agani, ligjëruese në  Universitetin e Prishtinës, dhe specialiste e psikologjisë klinike dhe  psikoterapisë thotë se COVID-19 sigurisht që i ka prekur njerëzit dhe mënyra se si ata e manifestojnë ankthin, stresin e tyre përgjatë kësaj kohe, por natyrisht te gratë që edhe ashtu kanë më shumë stres për shkak të roleve dhe përgjegjësive të ndryshme, qoftë në karrierë, familje apo aktivitete të tjera.

Agani përmend edhe shumë hulumtime ndërkombëtare që e dokumentojnë se stresi vazhdimisht  është rritur shumë më tepër te gratë se te burrat, pikërisht për shkak të roleve dhe përgjegjësive sociale që ato i kanë.

Me shumë manifestime të ndryshme klinike, ankth, stres, luhatjet e disponimit, nervozizmi, kryesisht ndjenja negative sidomos prej fushës klinike, kur ka një akumulim kaq të madh të ndjenjave negative, është shumë më lehtë të rezultojnë me vështirësi e probleme të shëndetit mendor, edhe rrjedhimisht edhe mirëqenie më të ultë psikologjike.

“Atë që në po e shohim, si komunitet i psikologëve, është që pasojat e mbylljes, sidomos pas periudhës mars–qershor, po i vërejmë qysh tash në manifestimin e njerëzve që po e bëjmë. Përjashtim këtu nuk bëjnë as gratë dhe ato besoj që e kanë pasur shumë me vështirë  e sidomos nëse ka qenë gratë të punësuara, kur janë detyruar me i përfundu edhe detyrat e punës edhe rolet prindërore, bashkëshortore dhe kërkesat tjera që mund me pas një familje”

Doruntina Ukimeri, kordinatorja e fushës te Fondacioni Jahjaga (JF), tregon që kjo organizatë joqeveritare përmes aktiviteteve të projekteve që është duke i implementuar, është munduar të qëndrojë pranë nënave dhe grave gjatë kohës së pandemisë.

Me gratë me të cilat Fondacioni Jahjaga punon kanë komunikuar gjatë gjithë kohës dhe kanë organizuar takime virtuale, në disa raste gjithashtu kanë pasur të ftuar mysafirë psikologë dhe profesionistë që lidhen me temën e COVID-19 për t’iu qëndruar pranë në tejkalimin e sfidave që ka sjellë pandemia.

Për ato ka qenë periudhë e rënduar duke marrë parasysh faktin se përveç obligimeve që tashmë i kanë pasur në këtë normalitet të ri, ato kanë qenë më të ngarkuara edhe në ndjekjen e mësimit online me fëmijët ku është dashur që të angazhohen më shumë. 

“Në rastet e nënave që punojnë mbyllja e çerdheve dhe shkollave ka qenë sfidë për vazhdimin e punës  qoftë edhe nga shtëpia” thotë ajo.

Flora Kokollari, edukatore në institucionin parashkollor “Gëzimi Ynë”, tregon se përkundër stresit dhe gjendjes sfiduese, menaxhimi i kësaj situate nuk ka qenë edhe shumë e vështirë dhe se plan programi me fëmijët dhe takimet me prindërit përmes platformës “zoom” ka qenë  efektive.

Por, në anën tjetër mungesa e shokut edhe shoqes për të pasur afër ka qenë pak më e mërzitshme, pasi që kthimi në çerdhe ka bëre që t’i anulojnë disa prej aktiviteteve, si vizitat apo ditëlindjet, dhe të mbajnë në kontroll gjithmonë masat dhe distancën.

“Natyrisht, ne jemi munduar me anë të puthjeve me dorë nga larg apo në mënyra të tjera, që t’i afrojmë dhe të ndjenjë afërsinë tonë si më parë, sa do që nuk ka qenë e thjeshtë as për ne”, thotë ajo për Kosovalive.

Dafina Zuna, zyrtare për komunikim dhe partneritet në UNICEF, tregon se janë munduar që izolimin ta kthejnë në një mundësi ku fëmijët dhe familjet do të kalojnë kohë kualitative në shtëpi.

Zyrja e UNICEF-it n Kosovë, tri javë pas izolimit ka lansuar një kampanjë online #NdërkohëNShpi, ku mbi 170,000 familje e fëmijë janë udhëzuar dhe inkurajuar që përmes lojës dhe aktivitete në shtëpi të kalojnë kohë kualitative me njeri-tjetrin, si loja, leximi, etj. Në bazë të të dhënave nga MICS, del se vetëm 6% e baballarëve ju lexojnë fëmijëve, andaj e kemi konsideruar se kjo është një mundësi ku duhet të bëjnë thirrje familjeve e në veçanti baballarëve që të jenë pjesë e jetës së fëmijëve.

“Në fillim të këtij viti, mbyllja e shkollave preku rreth 345,000 fëmijë dhe adoleshentë në Kosovë, dhe mungesa e lojës, shoqërimit dhe ndërveprimit me mësimdhënësit mund të ndikojë shumë në mirëqenien dhe zhvillimin psikosocial të fëmijëve dhe adoleshentëve. Kostot e mbajtjes së nxënësve jashtë shkollave janë shumë më të vështira për t’u kompensuar sesa dëmtimi i ekonomisë dhe mund të zgjasin edhe për një brez të tërë”, thotë ajo për KosovaLive.

Arjeta Gashi, drejtoreshë në Shoqatën e Prindërve të ndarë, flet për misionin e shoqatës që ka për qëllim fuqizimin dhe mbështetjen e prindërve të vetëm në rrugëtimin e tyre, për të ruajtur pavarësinë, stabilitetin dhe prindërimin efektive.

Ajo tregon se gjatë pandemisë ka qenë periudha më e vështirë deri sot, pasi që nuk ka qenë e thjeshtë  komunikimi  me nënat shkaku i izolimit. 

“Nga themelimi i shoqatës më 2018, asnjëherë nuk kemi pasur numër me të madh të kërkesave të nënave se sa gjatë kohës se karantinimit. Kjo si pasojë e rritjes së numrit të divorceve dhe dhunës në familje”, shprehet Gashi për KosovaLive.

Sipas saj ka qenë mjaft shqetësuese fakti që nuk kanë punuar gjykatat e as qendrat për punë sociale, por në pjesën tjetër shoqata është munduar të ofrojë sa më shumë vende pune, fuqizimin ekonomik, këshilla rreth procesit të punës, këshilla edhe për fëmijët në raste urgjente kur nëna ka nevojë për ndihmë etj.

Duhet theksuar faktin se  pandemia ka qenë e vështirë për të gjithë botën, por te ne ajo që nuk është marrë parasysh janë nënat vetëushqyese. Me vendimin e qeverisë që është marrë për lirimin e njërit prind nga puna, nënat e ndara ende nuk ishin të liruara dhe në këtë rast fëmijët ishin vetëm. 

“Unë dhe nënat  kemi reaguar menjëherë ndaj ish ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu, ku pas postimit të saj në Facebook, postimi u shpërnda, dhe nënat e vetme u liruan nga puna”, shprehet Gashi.

Studime të Kombeve të Bashkuara dhe kërkime të tjera kanë vlerësuar se sa punë e papaguar është bërë dhe nga kush. Mesatarisht, shumat e papaguara të kohës së punës me orë në javë të cilat janë të krahasueshme me orë ka punuar në punë të paguar. Barra e papaguar puna dhe puna e paguar përkatësisht shpërndahen në mënyrë të pabarabartë midis burrave dhe grave. Si rezultat, burra marrin pjesën e luanit të të ardhurave dhe njohjen për kontributi i tyre ekonomik – ndërsa shumica e grave puna mbetet e papaguar, e panjohur dhe e nënvlerësuar. 

Lidhur me këtë edhe një hulumtim tjetër  në Kosovë të vitit 2017, del që gratë kanë rrogë mesatare prej 387 € në muaj, që do të thotë se paguhen mesatarisht 2.15 € në orë. Në anën tjetër, gratë punojnë përafërsisht 3 orë në ditë në punë të papaguara. Nëse puna e papaguar do të kompensohej, bazuar në vlerën e tregut të kohës për gratë e anketuara nga ky hulumtim, ato do të fitonin të ardhura shtesë prej 135 € në muaj, duke punuar në shtëpi.

Sipas ekspertëve tani me ardhjen e pandemisë, burrat janë duke bërë më shumë punë të shtëpisë dhe kujdes për fëmijët e tyre, sipas artikullit të The Guardian. Çiftet gjatë kësaj kohe raportuan se kujdesi i përbashkët për fëmijët është rritur nga 41% në 52%.

Covid-19 ka potencialin të jetë një katastrofë për barazinë, ky model po ndodh pavarësisht nga të ardhurat. Hulumtimi nga shkencëtarët nga universitetet e Oksfordit, Kembrixhit dhe Cyrihut gjatë marsit dhe prillit tregoi se gratë që punojnë në MB, Gjermani dhe SH.B.A. kanë bërë më shumë kujdes për fëmijët dhe shkollimin në shtëpi në të gjitha grupet e pagave, krahasuar me burrat me të ardhura të ngjashme.

Studiuesit nga Boston Consulting Group, i cili anketoi më shumë se 3,000 njerëz në SH.B.A. dhe Evropë, zbuluan se gratë që punojnë aktualisht kalojnë mesatarisht 15 orë në javë më shumë në punë të papaguara në familje sesa burrat. Në BE, gratë fitojnë mesatarisht 16% më pak në orë sesa burrat, ndërsa shifra rritet në 18% në SH.B.A. dhe është dukshëm më e lartë në Azinë e Jugut, Afrikë dhe Lindjen e Mesme, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Botëror.

Suada Baxhaku

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM