Build Skills with our trainings

Sign up now!

Fakenews dhe niveli i lirisë së tepruar të shtypit në Kosovë

Shk 26, 2021

Liria e shprehjes është gjëja esenciale në një vend që të ketë gazetari të mirëfilltë, ku përfshihen të gjitha formatet, prej tradicionales deri te mediat online.
Kushtetuta e Kosovës e cila është akti më i lartë ligjor i një vendi, e garanton lirinë dhe pluralizmin e mediave, bile në Nenin 42, pika 2 thuhet se censura është e ndaluar dhe askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit nëpërmjet mediave.

“1. Garantohet liria dhe pluralizmi i mediave. 2. Cenzura është e ndaluar. Askush nuk mund ta pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet mediave, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare“, thuhet në pikën 1 dhe 2 të Nenit 42, i cili është për lirinë e mediave.

Ajo që bie në sy në pikën 3, e cila është edhe relevante për lajmet e rreme, është se secili mundet që ta korrigjojë informacionin e pavërtetë, i cili e dëmton dikë.

„Çdokush ka të drejtë të korrigjojë informacionin e pavërtetë, jo të plotë ose të pasaktë të publikuar, nëse cenon të drejtat ose interesat e saj/tij, në pajtim me ligjin“, thuhet në pikën 3 të nenit 42.

Sipas pikës 2 te Raportimi i së vërtetës, Kodi i Mediave të Shkruara të Kosovës, ceket mirë se gazetarët e redaktorët nuk duhet të prodhojnë lajme të rreme, por të mbështeten në burime të identifikueshme të informacioneve. Po ashtu nëse vërtetohet që gazetarët kanë publikuar lajme të pasakta, atëherë duhet që t’i korrigjojnë ato.

“Gazetarët dhe redaktorët do të sigurojnë respekt për të vërtetën faktike dhe për të drejtën e publikut që ta dijë të vërtetën. Gazetarët dhe redaktorët, në parim, duhet të mbështeten në burime të identifikueshme të informacioneve. Gazetarët dhe publikimet e tyre kanë obligim profesional që me kohë ta korrigjojnë çfarëdo informacioni të publikuar për të cilin vërtetohet të jetë i pasaktë“, theksohet në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Kryetari i Këshillit të Mediave të Shkruara, Imer Mushkolaj thotë se në Kosovë ka liri relative të shtypit, bazuar në raportet e organizatave ndërkombëtare.

“Kosova ka liri relative të shtypit. Bazuar edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare, në këtë aspekt Kosova qëndron më mirë se shumica e vendeve të rajonit”, ka thënë Mushkolaj.

I pyetur se a ka liri të tepruar të shtypit në Kosovë dhe pse janë krijuar lajmet e rreme, Mushkolaj potencon se Kosova nuk mund t’i shmanget këtij trendi i cili po ndodh në të gjithë botën.

Një vend ose ka, ose nuk ka liri të shtypit. Nuk ekziston liri e tepruar e shtypit. Lajmet e rrejshme nuk janë një fenomen i ri dhe Kosova nuk mund t’i shmanget trendit të përhapjes së tyre në mbarë botën, potencon ai.

Mushkolaj tregon për rolin e Mediave të Shkruara të Kosovës, që të mos zhvillohen lajmet e rrejshme.

“Këshilli për Mediat e Shkruara të Kosovës (KMSHK), si trup vetërregullues, synon që mediat, nëpërmjet repektimit të Kodit Etik të raportojnë në mënyrë korrekte dhe profesionale. Natyrisht, ka problem në raportim, por KMSHK-ja punon që mediat e shkruara të respektojnë kodin”, ka shtuar i pari i KMSHK-së.

Mushkolaj thotë se mënyra më e mirë për parandalimin e shpërndarjes së lajmeve të rrejshme është respektimi i Kodit Etik.
Ai po ashtu ka treguar se KMSHK-ja nuk ka shifra apo ndonjë hulumtim se të cilës natyrë krijohen shumica e lajmeve të rreme në Kosovë.

“Respektimi i Kodit Etik është masa më e mirë për parandalimin e krijimit dhe të shpërndarjes së lajmeve të rrejshme. Nuk ka shifra ose hulumtim për këtë çështje. Por, lajmet e rrejshme në përgjithësi krijohen dhe shpërndahen me qëllim që të krijojnë situata të paqena për një fenomen të caktuar, me qëllim që të përfitojnë subjekte të caktuara”, tregon Imer Mushkolaj.

Sipas tij, gazetarët duhet t’i raportojnë rastet e keqpërdorimit të lirisë së shtypit të cilat ndodhin brenda institucionit/organizatës ku ata punojnë vetëm në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Ai tregon po ashtu, se si të mbrohen “viktimat” e lajmeve të rreme.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është adresa kryesore për raportimin e rasteve të tilla.
Edukimi medial është një ndër masat kryesore për luftimin dhe mbrojtjen nga lajmet e rrejshme dhe nga gazetaria joprofesionale”, shton Imer Mushkolaj.

Dren Gërguri, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Gazetarisë, tregon se janë disa hapa që i cilësojnë si më të rëndësishëm t’ia mësojnë studentëve që në të ardhmen të mos krijojnë lajme të rrejshme.

“Gjatë studimeve është e rëndësishme që gazetarëve të ardhshëm t'u theksohet më shumë misioni i gazetarit, që është ta mbajë të mirëinformuar shoqërinë. Rëndësia e lajmit ose informacionit në ditët e sotme është shumë e madhe dhe, në këtë mes, gazetari ka rol kyç. Prandaj, është tejet e rëndësishme që secili gazetar i ri ta kuptojë se publikut duhet t’i ofrohen informacionet e nevojshme dhe të renditura në atë mënyrë që t’i kuptojë si duhet.
Duke e kuptuar misionin e gazetarit dhe duke u mbështetur në parimet bazë profesionale dhe etike të të bërit gazetari, secili gazetar do ta ketë të qartë se si duhet ta kryejë punën e tij, në mënyrë profesionale, duke raportuar të vërtetën, duke qenë i paanshëm, duke respektuar publikun, duke i verifikuar faktet, elemente këto që Bill Kovach dhe Tom Rosenstiel i vlerësojnë esenciale për një gazetar”, thotë Gërguri.

Gërguri tregon se cilat janë arsyet që e cenojnë lirinë e medias në Kosovë, pas një studimi të bërë nga vet ai.

“Pasqyra e raporteve ndërkombëtare për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë tregon që edhe vendi ynë përballet me sfidat e ngjashme me vendet e rajonit. Aty-këtu ka tregues që reflektojnë edhe në klasifikimin e këtyre vendeve në këto raporte. Rrjedhimisht, Kosova renditet më mirë se të gjitha shtetet fqinje. Në një studim timin të mëhershëm, të gjeturat kryesore ishin pesë sfidat që e cenojnë lirinë e medias në Kosovë: Mosrealizimi i drejtësisë
në praktikë, presioni politik, presioni ekonomik, paqëndrueshmëria ekonomike dhe sulmi ndaj gazetarëve. Këto probleme vazhdojnë ta sfidojnë median në Kosovë dhe akterë të ndryshëm shoqërorë, përfshirë komunitetin e gazetarëve, grupe të ndryshme intelektualësh dhe mbrojtësit e rendit e ligjit. Këta të fundit duhet ta japin kontributin e tyre për të krijuar një ambient më të përshtatshëm për mediat, që do të rezultonte me qëndrueshmëri financiare të mediave, e cila do të garantonte një media edhe më të lirë dhe më imune ndaj ndërhyrjeve politike e ekonomike”, shprehet Dren Gërguri.

Për Gërgurin janë dy motive kryesore pse prodhohen lajmet e rreme: propagandimi dhe përfitimi financiar.

“Janë dy motive kryesore për prodhimin e lajmit të rremë, propagandimi dhe përfitimi financiar. Këto dyja janë arsyet pse ka pasur, ka dhe do të ketë lajme të rreme të publikuara në mbarë botën. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që edukimi mbi dhe për median të jetë prioritet i institucioneve gjegjëse. Në mungesë të edukimit medial, qytetari i Kosovës edhe mund të besojë gjithçka që lexon, të keqkuptojë portalet satirike apo të bie pre e lajmit të rremë. Shpesh shoh komente të qytetarëve, të cilët duke mos e kuptuar satirën në përmbajtje mediale, nuk e pranojnë me humor, por bëjnë diskutim serioz mbi diçka joserioze”, shpjegon Gërguri.

Ai gjithashtu thotë se efekti i lajmit të rremë nuk është i ndërlidhur me shoqëritë postkonfliktuale.

“Mendoj se efekti i lajmit të rremë nuk është i ndërlidhur me shoqëritë postkonfliktuale, sikurse e jona. Lajmi i rremë pati efekt të madh në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në Britani të Madhe, rasti i Brexit-it. Prandaj, lajmi i rremë mund të ndikojë në secilën shoqëri e cila nuk është e aftë për të lexuar dhe për të kuptuar përmbajtjen mediale, e cila nuk e ka aftësinë e gjykimit kritik të atyre përmbajtjeve”, shton ai.

Ai po ashtu shpjegon në mënyrë të detajuar se si ka qenë Kosova ndër vite me ligjet për mediat e shkruara.

“Media në Kosovën e pasluftës fillimisht është rregulluar nga organizmat ndërkombëtarë. Në vitin 2005 është bërë kalimi nga Komisioneri i Përkohshëm për Media në Komisionin e Pavarur për Media (KPM). Atë vit është themeluar edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, me iniciativën dhe ndihmën e zyrës së OSBE-së në Prishtinë. KPM-ja dhe KMShK- ja janë dy rregullatorët për media në Kosovë. KPM-ja është kategori kushtetuese dhe institucion me fuqi ekzekutuese të gjobave apo tërheqjes së licencave për mediat audiovizuale. Ndërkohë, KMShK-ja është organ vetërregullues dhe merret me gazetarinë e gazetave dhe mediave online. Kosova garanton dhe mbron lirinë e shtypit me aktin më të lartë, Kushtetutën”, tregon Gërguri.

Dreni tregon se si po ndikon konkurrenca në krijimin e lajme “Clikbait”.

“Trendi pozitiv i zhvillimit të mediave online në Kosovë nuk po arrin të shkoqitet nga elementet që e dëmtojnë profesionalizmin e atyre mediave. Në krahasim me pesë apo gjashtë vjet më parë, media online në Kosovë është zhvilluar pozitivisht, qoftë në menaxhim, në organizim apo në tematikat për të cilat informon. Megjithatë, nuk është e rrallë kur disa media online tejkalojnë kornizat profesionale dhe etike gazetareske, nganjëherë për ta publikuar lajmin e para, e nganjëherë edhe për shkak se lajmet e atilla tërheqin vëmendjen e publikut dhe rezultojnë me rritje të numrit të klikimeve të atij mediumi online. Raportimi që shfaq detajet e një vrasjeje, vetëvrasjeje apo vdekjeje, të personave privat apo përdor pamje të papërshtatshme dhe jo etike, është në thelb, raportim sensacional që nuk ka në interes problemin social, por qëllimi është ‘clickbait-i’”, tregon ai.

Edukimin medial e sheh si mekanizimin më të mirë për t’i luftuar lajmet e rreme.

“Lajmi i rremë mund të luftohet vetëm nëpërmjet edukimit medial. Në botën e sotme ku zhvillimi teknologjik ka mundësuar që të kemi edhe ‘Deepfake’ – përmbajtje e rreme që nuk është vetëm tekstuale, por kalon edhe në përmbajtje të rreme vizuale, të shpërndahen lajme të rreme në forma të ndryshme duke shfrytëzuar internetin, atëherë nuk shoh ndonjë mekanizëm që mund të ndihmojë shoqërinë ta luftojë lajmin e rremë. Bashkimi Evropian me veprime të ndryshme po orvatet ta luftojë këtë fenomen, mirëpo iniciativa si ‘factchecking’ apo Kodi i Praktikës në Keqinformim (iniciativë e Komisionit Evropian) po tregohen të pafuqishme përballë një stuhie informacionesh të rreme. Mbështetja dhe fuqizimi i edukimit medial mund të jetë zgjidhja e vetme për këtë çështje”, potencon Dren Gërguri, ligjërues në UP.

Kreshnik Gashi, kryeredaktor në KALLXO.com dhe autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, shpreh mendimin e tij për lirinë e medias në Kosovë.

“Liria e shprehjes në Kosovë është një fasadë ku të gjithë flasin se garantohet por realisht janë qindra barriera të cilat e kufizojnë.  Shembulli i fundit është rasti i Universitetit të Prizrenit që u ka kufizuar pa asnjë bazë ligjore  e kushtetuese të drejtën studentëve që të kenë paraqitje në publik. Ky rast po edhe shumë raste të tjera na tregojnë që mekanizmat institucional e kufizojnë tej mase lirinë  e shprehjes në vend. Kosova jeton në një ambient ku doktorët, mësuesit, shkencëtarët, policët, prokurorët, gjykatësit, punonjësit e bizneseve e zyrtarët e administratës nuk guxojnë të shprehin lirshëm mendimin e tyre për shkak të konsekuecave që mund të përfundojnë edhe me largim nga puna. Kjo situatë e ka sjellur lirinë e shprehjes në një krizë ku vetëm njerëzit që nuk kanë kontratë të rregullt pune dhe politikanët mund të shprehin lirshëm atë çfarë mendojnë për tema të caktuara”, tregon
Kreshnik Gashi.

Gashi insiston se në Kosovë nuk ka liri të shtypit e aq më pak liri të tepruar dhe sipas tij, ata që kanë ngritur këto teori nuk e kuptojnë konceptin e lirisë së shprehjes.

“Në Kosovë nuk ka liri të tepruar të shtypit. Kushtetuta e Kosovës, duke përfaqësuar parimet e Konventës Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, ka krijuar standarde demokratike në Kosovë të cilat duhet të garantojnë lirinë e shprehjes. Ata që ngrisin teori se në Kosovë ka liri të tepruar të të shprehurit janë njerëz me prirje komuniste e totalitariste të cilët nuk kanë arritur në asnjë moment ta kuptojnë konceptin e lirisë së shprehjes, që kërkon të thuhet e vërteta dhe informacioni mos të përdoret për të keqinformuar”, potencon ai.

Kryeradaktori i Kallxo.com, shpjegon se mosndëshkueshmëria ka sjellë një klimë ku të gjithë mund të thonë e shkruajnë pa asnjë bazë dhe ka dhënë katër arsye kryesore se përse janë provokuar lajmet e rreme në Kosovë.

“Janë disa arsye pse në Kosovë janë prokovuar lajmet e rreme.

E para; interesat e përfituesve online të cilët duke prodhuar lajme të rreme kanë arritur të krijojnë të hyra për bizneset e tyre. E dyta; interesat politike e biznesore. Sot partitë politike në Kosovë kanë nga një ose dy portale të cilat i mbajnë si media e në fakt janë në pronësi të tyre, madje edhe rrogat e punëtorve u ofrohen nga buxhetet e partive. Këto portale nuk i japin publikut informacion se kush i financon dhe duke pasur parasysh interesat politike të
partisë e cila i financon, nuk e kanë problem të ndërtojnë fushata e kundërfushata për kundërshtarët politik. E njëjta ndodhë edhe me bizneset të cilat po ashtu kanë krijuar portale të cilat shpërndajnë lajme të rreme për to.

E treta; qytetarët janë të paedukuar për të lexuar dhe për të marrë informacione online. E katërta; sistemi juridik në vend me gjykatat që
stërvonojnë lëndët e shpifjeve u ka garantuar një terren të qetë atyre që prodhojnë lajme të rreme. Është e domosdoshme që gjykatat të përfundojnë lëndët e shpifjeve në mënyrë që të krijohet një standard i ndëshkueshmërisë“, tregon ai në detaje.

Gashi mendon se ka zgjidhje për t’i luftuar lajmet e rreme.

“Edukimi i qytetarëve dhe ndërtimi i mediave që verifikojnë faktet janë zgjidhjet të cilat bota është duke i përdorur për t’i luftuar lajmet e rreme“, thotë ai.

Gashi tregon për platformën “Krypometri” të Kallxo.com, për të cilën janë certifikuar nga “Pointer Institute”, me licencë ndërkombëtare dhe për përdorimin e kësaj platforme i nënshtrohen auditimit.

“Kallxo.com është i certifikuar nga Pointer Institute për vërtetimin e fakteve. Licenca ndërkombëtare nënkupton që shkrimet në platformë i nënshtrohen auditimit nga ky institut dhe në rast të shkarjeve nga parimet e vërtetimit të fakteve, instituti tërheq licencën’’.

Krypometri, si mekanizëm i vërtetimit të fakteve, është një proces ku deklaratat publike i nënshtrohen një procesi të verifikimit. të dhënat nga procesi i verifikimit publikohen pastaj nëkrypometër.

‘’Para më shumë se një viti kemi vendosur që krypometrin ta zgjerojmë përpos në deklaratat publike edhe në shkrimet e publikuara nga mediat duke analizuar dhe parë nëse mediat po përhapin lajme të rreme. Deri tani kemi pasur sukses në mbi dhjetë raste ku kemi ekspozuar shkrime të publikuara në mediat tjera të cilat kanë qenë të pavërteta“, përfundon Gashi.

Monika Stafa, kryetare e Këshillit të Ankesave, në kuadër të Autoritetit të Mediave Audiovizive, lajmin e rremë e quan propagandë të verdhë.

“Lajmi i rremë është një lloj gazetarie apo propagande e verdhë, që përmban keqinformimin e qëllimtë apo rrengjet e përhapura përmes shtypit tradicional, transmetimeve tradicionale audiovizive dhe medias sociale në internet. Lajmi i rremë publikohet me qëllimin për të fituar financiarisht ose politikisht, duke përdorur shpeshherë tituj sensacionalë, të ekzagjeruar ose që paturpësisht qysh në krye tërheqin vëmendjen e opinionit publik“, kishte thënë ajo në
konferencën e organizuar nga Këshilli i Ankesave pranë AMA-s.

Po ashtu edhe Adelheid Feilcke, Shefe e Departamentit të Gjuhëve Europiane në Deutsche Welle në konferencën e organizuar nga Këshilli i Ankesave pranë AMA-s, kishte treguar se çfarë roli kanë luajtur lajmet e rreme në zgjedhjet parlamentare dhe në fushatën zgjedhore në Gjermani.

Pothuajse një vit para zgjedhjeve politikanët kishin paralajmëruar diçka të tillë. Wolfgang Bosbach, deputeti i Unionit Kristian-Demokrat, CDU-së, përgjegjës për çështjet e brendshme, fliste për rrezikun e ndikimit në zgjedhjet për Bundestagun 2017, përmes infiltrimit të shënjestruar nga jashtë për të manipuluar faktet ose opinionet. Christian Lindner, kryetari i Partisë Liberale Demokratike (FDP), paralajmëronte se ishte e parashikueshme “që mediat online, të vëzhguara nga Rusia, do të përhapnin informacione të pavërteta dhe interpretime të gabuara.

’’Kjo është maja e ajsbergut. Në këtë mënyrë vendi ynë do të destabilizohet dhe AFD do të forcohet‘‘, kishte thënë ai.

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, që prej fillimit të krizës në Ukrainë në 2014, këshillonte që të vëzhgohej me kujdes rritja e konsiderueshme e propagandës dhe fushatave dezinformuese ruse në Gjermani”. Në veçanti, sulmet e hakerave në Bundestag shqetësuan së tepërmi ekspertët e sigurisë.

Në kuadër të këtyre diskutimeve disa e quajtën një debat histerik, sepse lajme të rrejshme ka patur gjithnjë megjithëse mediat digjitale dhe rrjetet sociale kanë ndryshuar si prodhimin, ashtu edhe shpërndarjen e lajmeve. Edhe lajmet joserioze nga faqe të vogla online ose blogje tani mund të arrijnë ta kenë një shpërndarje më të madhe, pa patur nevojë të publikohen në një media të konsoliduar. Kjo ndodh sidomos me lajmet e rrejshme, që kanë për qëllim të shkaktojnë reagime emocionale, frikë ose zemërim dhe këto emocione shërbejnë pikërisht si ‘benzinë’ për shpërndarje virale në rrjetet sociale. Në fakt, aktorë të ndryshëm janë përpjekur të ndikojnë me lajme të rreme. Për shembull, grupi “Anonymous” në Rusi dy javë para zgjedhjeve raportonte për një “super skandal“, që mund ta rrëzonte Angela Merkelin nga posti i kancelares. Raportohej për “krime lufte në Siri“, për të cilat ishte përgjegjëse kancelarja dhe ajo duhet të gjykohej para një gjykate ndërkombëtare. Ky lajm u mor edhe nga blogje të tjera dhe u shpërnda edhe në Twitter.

‘‘Pavarësisht se nuk pati një ndikim të madh, ai cilësohet si një sulm ndaj Merkel, që kundërshtarët e saj radikalë prireshin ta besonin“, ka shpjeguar në detaje Adelheid Feilcke, shefe e Departamentit të Gjuhëve Evropiane në Deutsche Welle.

Shkelqim Xhaqkaj

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM