Sot, në 23 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes ekspozitës “Kujtesa e Kosovës: Familja Jashari – në dritën e betejës për liri”, Vlora Dumoshi ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes postimit në faqen e saj në Facebook ka përkujtuar veprën e Kryekomanantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij, shembullit të sakrificës dhe vetëflijimit për atdhe.
Ideali për të cilin luftoi dhe u flijua Adem Jashari bashkë me Familjen e tij, me shumë familje anekënd Kosovës, me mijëra pleq e të rinj, gra dhe burra, fëmijë e me mijëra dëshmorë u realizua me shpalljen e Pavarësisë me 17 shkurt 2008.
Sot, me krenari përkujtojmë jetën e atyre që u flijuan për Kosovën përgjatë udhëtimit tonë të shenjtë për liri dhe pavarësi.
Shëmbëlltyra e familjes Jashari është unike. Me rënien e Familjes Jashari për Kosovën po fillonte një epokë e re, epoka drejt çlirimit të Kosovës.
Ne, institucionet e Kosovës çdo ditë duhet ta kujtojmë këtë sakrificë dhe të frymëzohemi për unitet të popullit dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës, për një Kosovë që do të kishin dëshirë ta shihnin vetë Adem Jashari dhe të gjithë heronjtë tjerë.
Lavdi jetës së Komandantit Legjendar, Adem Jashari!