Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të rinjtë shpresojnë që në fund të ditës mos t’u mbetet vetëm kafiteria si aktivitet

Mar 15, 2021

Komuna e Vitisë ka shumë të rinj, preokupimi i të cilëve janë vetëm mundësitë për t’i bërë gjërat që i bënë e gjithë rinia e botës dhe vende adekuate ku mund t’i bëjnë ato.

Përfaqësuesi i Klubit të Futsallit në Viti, Valmir Sallahu shprehet i indinjuar se sa pak mundësi për të luajtur futsall, ndonëse e luan këtë lojë me shumë pasion.

‘‘Në Kosovë në përgjithësi infrastruktura mungon, për lojën e futsallit nevojitet salla e sportit. Sallë kjo qe i mungon komunës së Vitisë edhe pse punimet kanë filluar. Për të zhvilluar këtë sport në komunën tonë nuk ka hapësirë të mjaftueshme’’, tregoi Sallahu për KosovaLive.

Ai tregon se sa me vështirësi i luajnë ndeshjet në mungesë të fushave në Viti.

Aktivitetet i zhvillojmë në sallën e sporteve në Gjilan. Komuna ka filluar sallën e sportit para 2 viteve dhe pritet të përfundojë në tetor 2021. Diçka tjetër rreth infrastrukturës së futsallit nuk ka bërë ende’’, vazhdoi ai.

Duke mos i humbur shpresat, Sallahu tregon se presin shumë për të ardhmen sa i përket infrastrukturës.

Pres që hapësirat siç janë sallat sportive të ketë më shumë se një në komunën tonë që ky sport të ketë mundësi të praktikohet nga të gjithë ata që i tërheq ky sport”, përfundoi Valmir Sallahu.

Ligjin Për Pjesëmarrje dhe Fuqizim të publikuar nga Gazeta Zyrtare e Kosovës në mbështetje të nenit 65 (1) te Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është paraqitur projektligji për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë.

“Ky ligj ka për qëllim avancimin dhe riafirmimin e vazhdueshëm të pjesëmarrjes së të rinjve në procesin e vendimmarrjes, pa kurrfarë dallimi dhe përjashtimi, në zhvillimin e një shoqërie demokratike, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së të rinjve dhe të statusit të tyre shoqëror”.

 OJQ-të ndërhyjnë dhe zbusin situatën

 Në Kosovë tashmë ekzistojnë shumë qendra rinore, e po ashtu edhe shumë organizata rinore të cilat tentojnë të fuqizojnë të rinjtë në fusha të ndryshme. Edhe në komunën e Vitisë ka një Qendër Rinore, e cila sadopak i involvon të rinjtë nëpër trajnime, aktivitete dhe punë të ndryshme vullnetare.

Shefja e Qendrës Rinore në Viti, Donjeta Sadiku tregon se sa të hapur janë ndaj kreativitetit të të rinjve.

Të rinjtë e Vitisë kanë mjaft vende ku mund të kryejnë aktivitete qoftë rinore qoftë kulturore. Ne si OJQ e financuar nga Komuna e Vitisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës u ofrojmë gjithmonë bashkëpunim për aktivitete dhe ide”, thotë ajo.

Sadiku shpreh nevojën për më shumë hapësira inovative e gjithashtu edhe gatishmërinë e komunës për të ndihmuar.

“Nuk mund të themi se hapësirat inovative janë të mjaftueshme, por që komuna secilën herë ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në këtë aspekt me projekte, ndihmë financiare dhe morale”, ka përfunduar ajo.

Përveç Qendrës Rinore, në Viti operon Këshilli i Veprimit Rinor Lokal (KVRL)  në krye Sadie Lutfiun, e cila tregon për rolin e kësaj organizate në fuqizimin e të rinjve dhe sigurimin e vendeve inovative për ta.

“Roli ynë është që t’i fuqizojmë e mobilizojmë të rinjtë duke i’u ofruar trajnime, projekte e aktivitete të ndryshme rinore. Aktivitetet tona janë aktivitete vullnetare për të gjitha aktivitetet që ndodhin në përgjithësi në Viti. Ne bëjmë projekte të ndryshme rinore, duke filluar nga trajnimet profesionale, ligjërata rreth vullnetarizmit, aktivitete kreative e atraktive, hiking, debat në shilte etj”, ka treguar ajo.

Sipas saj, aktivitetet bëhen kryesisht jashtë, në ambiente të hapura.

 “Komuna e Vitisë u ka rregulluar fushat sportive, parqe, por edhe njëkohësisht komuna i ndihmon OJQ-të rinore financiarisht për të implementuar projekte të ndryshme në Viti”, thotë kryetarja e këtij Këshilli.

Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu tregon ecurinë e punimeve për vende inovative në bazë të së cilave të rinjtë e kësaj komune do të mund të jenë më aktivë.

“Ndoshta nuk kemi mjaftueshëm hapësira innovative, por ne po bëjmë përpjekje në këtë fushë. Tashmë jemi në përfundim të dy stadiumeve në Sadovinë e Jerlive dhe Pozheran, si dhe është bërë fillimi i punimeve të palestrës sportive në Drobesh, përveç sportit po mendojmë edhe për artin, ku kemi paraqitur dhe implementuar ndërtimin e teatrit”, theksoi ai.

Sipas tij, në këto 6 vite të fundit është bërë shumë edhe për shkolla duke u ofruar nxënësve terrene sportive, kulturore brenda objekteve shkollore, dhe me formimin të organizatave joqeveritare për të qenë sa më afër të rinjve dhe problemeve të tyre.

“Në Viti, me vullnetin e të rinjve janë formuar shumë klube: Dy ekipet e futbollit, klubi i boksit, klubi i artit, i basketbollit, dhe më i rëndësishmi klubi i shenjëtarisë ku tre anëtarë kanë norma olimpike’’, përfundoi Aliu.

Hapësirat inovative, përveç për argëtim dhe kënaqësi shpeshherë shërbejnë edhe për normalizim të raporteve sociale.

‘‘Studime dhe raporte të ndryshme rekomandojnë se aktivitetet kulturore dhe sportive janë mjete shumë të efektshme për integrimin e të rinjve në jetën shoqërore. Janë mekanizma tepër të dobishëm në luftimin e paragjykimeve, hapjen e komunikimit ndërmjet të rinjve por edhe si mjete shumë të mira për të mësuar kulturat e ndryshme si dhe rekreacion të të rinjve në kohën e tyre të lirë’’ , thuhet në Strategjinë Për Rininë, hartuar nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkohë që qeveria ose komuna nuk kanë bërë shumë për inovacionin  e të rinjve, organizatat joqeveritare po punojnë shumë rreth kësaj.

E tillë organizatë është edhe UNICEF, përkatësisht programi UPSHIFT,  njësia Laboratori, e cila ka për qëllim informimin  e fëmijëve dhe të rinjëve me teknologjitë më të reja, punëtoritë më aktive dhe përfitimin nga ana e pjesëmarrësve, duke marrë pjesë në aktivitete, duke bërë punë praktike dhe duke bërë punë vullnetare.

As shkollat nuk mund të shihen si më  pak kompetente në këtë aspekt, pasi që luajnë rol të  konsiderueshëm në progresin e kësaj fushe.

Përfaqësues nga gjimnazi “Kuvendi i Lezhës” thonë të jetë krijuar një hapësirë brenda objektit shkollor, ku nxënësit po kalojnë kohë jashtë orarit mësimor në kuadër të klubeve që ata kanë krijuar nën mbikëqyrjen e ASSET dhe me mentorin Adriatik Zeqiri, profesor dhe këshilltar i certifikuar karriere.

“Në kuadër të programit kemi edhe Maker Space, është i vendosur klubi i teknikëve, është i pajisur komplet me pajisje elektronike, ka banka të veçanta për punëtori dhe nuk janë klasë të zakonshme, ka instrumente muzikore, makina qepjeje, miksetë montazhe, dhe është tamam hapësirë kreative, por duhet marrë parasysh se ajo hapësirë është e rezervuar për mësimin jashtë shkollor”, ka thënë ndër të tjerash Zeqiri.

Mungesa e aktiviteteve “shuan shpresat për një të ardhme më të mirë”

 Në një sondazh, në kuadër të botimit të OJQ Make A Difference (M.A.D.) përkrahur nga Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), drejtuar të rinjve, tregohet një pesimizëm sa i përket asaj se sa merren parasysh nga komunat përkatëse, për nga kërkesat dhe shqetësimet.

 “Në pyetjen se a i merr parasysh komuna interesat/shqetësimet, 9% shprehen se interesat/shqetësimet e tyre nuk merren parasysh aspak, 29% mendojë se merren parasysh pak, 26% nuk kanë opinion, 29% mendojnë se merren parasysh mesatarisht dhe 7% mendojnë se interesat/shqetësimet e tyre merren parasysh mjaftueshëm”, thuhet në këtë sondazh.

Arta Bilalli, studente e drejtësisë dhe praktikante në gjykatë, është mësuar me rutinën e saj, mirëpo ajo ka më shumë nevojë për diçka që do ia thyente monotoninë ditës së saj.

Ajo tregon se sa të pakta ose në mungesë totale janë hapësirat për të rinjtë, dhe se sa po ndikon kjo në personalitetin e tyre.

‘‘E gjithë dita ime është rreth shkollës dhe punës, andaj si një e re, kam dëshirë të kryejë aktivitete të tjera rinore ose kulturore, por që në Viti nuk kemi shumë mundësi të tilla. Ne nuk kemi një sallë rinore, një kënd leximi në qytet, ose një shëtitore për të kaluar kohë me shoqëri, gjë që po na bënë më të ndrojtur si personalitet kundrejt të tjerëve’’, thotë Bilalli.

Studentja tregon se si, sipas saj, do të ishte një Viti ideale për të rinjtë, dhe se sa shpresa ka që kjo të realizohet një ditë.

Përkundër që krejt këto hapësira nuk na servohen sot, unë vazhdoj të imagjinoj vendet adekuate për të rinjtë, grup djemsh e vajzash në një qoshe të veçantë për ta, aktivitete rinore gjithandej… jam shpresëplotë se dikush do të mendojë për ne”, u shpreh kjo e re.

Sipas një hulumtimi nga Instituti Pedagogjik i Kosovës ” 42% e braktisin shkollën për arsye të suksesit të dobët në mësime, 31% për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe 10% për shkak të nevojës për punësim. Po ashtu ikja e nxënësve nga orët e mësimit mendohet se mund të jetë një ndër karakteristikat e nxënësve potencialë për braktisjen e shkollimit, sidomos kur kjo ikje është e shpeshtë dhe e pajustifikueshme

Këtu gjithsesi përfshihen edhe shumë të rinj vitias, të cilët pas braktisjes së shkollës nuk kanë me çfarë aktivitete të merren, të cilës do fushë qofshin ato.

Njëjtë shprehet edhe L.S (ka dashur të mbetet anonim) e cila për shkaqe familjare u detyrua ta lë shkollën dhe të vazhdojë me punë.

Ende pa e përfunduar shkollën e mesme u detyrova ta lija shkollën sepse rrethanat ma kushtëzonin të gjeja një punë me orar të plotë. Ndonjëherë edhe unë mërzitem nga rutina punë-shtëpi, dhe kam dëshirë të luaj volejboll ose të vallëzoj ose diçka e tillë”, thotë ajo.

Ajo shprehet e indinjuar për mungesën e një salle sportive, një teatri dhe një hapësire ku ajo mund të ndryshojë rutinë.

Pos të shkoj në kafiteritë e qytetit s’kam ku të kaloj kohën e lirë, sepse nuk ka një vend adekuat për të parë një film ose shfaqje, për të ndarë eksperienca për të rinjtë etj. Andaj shpresoj shumë që komunarët do të na e mundësojnë edhe neve një gjë të tillë”, shprehet ajo e shqetësuar.

Për të zhvilluar një kulturë të inovacionit në Kosovë punojnë shumë organizata, qendra rinore e edhe organet shtetërore. Një e tillë është edhe Qendra Inovative e Kosovës, e cila financohet nga Ambasada e Suedisë dhe Ambasada Mbretërore Norvegjeze ë, e që si për qëllim ka organizimin e projekteve të fushave të ndryshme

Por, duket se kjo punë nuk po i mjafton Fitore Frangut, një të reje nga Vitia, e cila e pashpresë për përparime në këtë fushë, tregon se çka i mbetet të bëjë gjatë një dite të saj.

Nëse një ditë zgjohem dhe dua të shkoj diku ku mund të kaloj kohë me rini, të njoh bashkëmoshatar, krejt çka na ofron komuna janë shumë kafene dhe bar-e, e jo një vend ku zhvillohet biznes dhe aktivitete…dhe po, të bënë t’i shuash shpresat për një  të ardhme më të mirë”, tregon ajo.

As në komunën e Gjilanit situata nuk është për t’u lavdëruar, të rinjtë nuk janë aspak të kënaqur dhe nuk kanë thuajse fare vende ku ta kalojnë kohën, tregon studentja, Besa Haziri.

Përpos kafiterive nuk është që kemi ndonjë vend tjetër për të kaluar kohën e lirë ose për të ushtruar ndonjë aktivitet. Aktivitetet rinore janë tepër të rralla, ndoshta mund të përmenden disa që janë në kuadër të fakultetit ose të ndonjë OJQ, por që përfshijnë vetëm persona te caktuar, pra nuk janë gjithëpërfshirëse. Mendoj se komuna nuk lodhet për këtë punë.” thotë ajo.

Në Prishtinë ekziston një qendër e drejtuar nga komuniteti, ku si punë primare e kanë kujdesin për nevojat e komunitetit dhe të hapësirës.

Termokiss ndër vite ka organizuar aktivitete dhe iniciativa të ndryshme dhe të lloj-llojshme. Termokiss kontribuon në krijimin e vendeve inovative për të rinjtë duke qenë një vend i tillë, është një hapësirë dhe platformë e hapur për kënd do që dëshiron me ardhë, me mësu, me nda njohuri si dhe me kontribu në shoqëri”, u tha ndër të tjerash në një përgjigje me shkrim nga Termokiss.

Lorik Sahiti

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM