Build Skills with our trainings

Sign up now!

Rinia “peng” i izolimit shtetëror

Mar 22, 2021

Veranda Zeneli 28 vjeçare nga Prishtina, në përfundim të studimeve bachelor dëshironte të shkonte në Francë me vizë turistike. Ajo tregon se kishte aplikuar për vizë tre herë dhe po që tre herë iu është refuzuar viza.

Edhe ajo si shumë të rinj kosovarë ndihet e zhgënjyer me jetën dhe mundësitë që shteti po ia ofron – shkalla e lartë e papunësisë, gjendja e rëndë e sistemit arsimor dhe shëndetësor, mungesa e lirisë së lëvizjes janë vetëm disa nga problemet e realitet me të cilin çdo i ri kosovar ballafaqohet. Ajo tregon se gjatë muajit të dytë në vitin 2018 kishte aplikuar edhe për vizë pune në Francë për të siguruar një vend pune. Ajo thotë se pse para disa viteve është refuzuar dhe prapë dëshiron ta provojë fatin me shpresë se do të marrë përgjigje pozitive.

“Si e diplomuar që pesë vite dhe ende jam e papunësuar në fushën që jam diplomuar.  Kjo ka bërë që të nisi rrugën time për të kërkuar punësimin tim jashtë vendit. Dua të shkoj nga këtu që të kem një të ardhme më të ndritur”, pohon Zeneli.

Situata me COVID ka ndikuar negativisht sepse ambasadat kanë pezulluar të gjitha terminët.

“Pandemia, si për mua dhe për gjithë të tjerët që kemi kohë të gjatë që presim është shumë e mundimshme por jemi pa zgjidhje nuk kemi çfarë të bëjmë vetëm se të presim dhe urojmë që pritja të ja vlejë”, ka thënë ajo.

Në gjithë botën u kap peng lëvizja gjatë gjendjes pandemike me COVID-19, u paralizuan vajtjet ardhjet në shtete të ndryshme, u anuluan vizita, udhëtime, studime, shëtitje e shumë gjëra, çdo shtet me popullin e vet u mbyll dhe u struk brenda kufijve të tyre.

Por, për Kosovën një vetizolim, një mbyllje e tillë nuk ishte diç e re, sepse Kosova vazhdon të mbetet e izoluar brenda kufijve të saj si pasojë e mosliberalizimit të vizave ku çdo kosovar ende i nënshtrohet termineve, procedurave me dhjetëra herë të përsëritura, për një vizë pune apo studimi.

Ndalimi i të gjitha termineve nga ambasadat ka ndikuar shumë keq edhe te shumë të rinj tjerë kosovarë, shokë e shoqe të Verandës, që kanë humbur vendet e punës për shkak të vonimit tepër të gjatë të vizës.

“Periudha e gjatë e pritjes ka ndikuar jo mirë tek vendi i punës që kanë pasur të shkojnë sepse me marrëveshje nga firma dhe nga ambasada periudha e pritjes është 6 deri në 12 muaj dhe koha për të pritur deri në 3 vite për vizë ka ndikuar që firmat të shkëpusin kontratat me punëtorët nga Kosova”, shton ajo më tutje.

Një provojë të ngjashme e ka edhe Vanesa Hoxha 26 vjeçare nga Prishtina e cila ka përfunduar studimet bachelor dhe master në degën Edukim Parafillor. Ajo thotë se për shkak të kushteve jo të mira për punësim në Kosovë ka vendosur të shkojë në Amerikë tek të afërmit e saj, fillimisht për vizitë e më pas për të gjetur një rrugëdalje për punësim.

“Unë tani pres përgjigje nga ambasada për të dytën herë sepse herën e parë më është refuzuar viza, dhe arsyeja që u refuzua ishte sepse nuk isha e punësuar dhe me thonin nuk keni fakte të mjaftueshme që dëshmoni se do të ktheheni”, thotë ajo.

Edhe ajo si nga shumica e të rinjve në vendin tonë është mbushur me zhgënjim me realitetin e vendit, dhe me mos-ofrimin e përkrahjes së rinisë nga shteti. Diskriminimet në konkurse, pagat e vogla, udhëheqje e dobët dhe jocilësore e sistemit shtetëror, mungesa e ofrimit të praktikave punësimi për studentët, ka bërë që një numër i madh i rinisë kosovare ta shohin synim Evropën.

Nga muaji nëntor 2019, Hoxha është punësuar si asistente e edukatores në një ndër kopshtet private në periferinë e Prishtinës. Edhe pse nuk kishte aplikuar për edukatore, me t’u ftuar për intervistë, komisioni për pranim i kishte propozuar që të pranojë postin e asistentes së edukatores sepse kishin mungesë stafi në atë drejtim. Edhe pse e diplomuar edhe me master, ajo u bë asistente e edukatores që nuk kishte përfunduar studimet bachelor. Hoxha thotë se nuk është hera e parë e saj që është diskriminuar në konkurse të atilla.

Janë raste të shumëta me vështirësi për t’u pajisur me vizë pune, por edhe për të arritur vizë studimi nuk është aspak e lehtë.

“Ishte ëndërr e madhe të studioja në një universitet në Gjermani përmes një programi për përfitim të bursës, dhe çdo gjë ishte duke shkuar mirë vetëm prisja momentin të zgjidhesha si përfituese e bursës, që ishte bursë vetëm 50% pagesë nga unë, por që nuk e arrita bursën dhe rruga ime e studimit mbeti përgjysmë’’, thotë Tringa Haidini.

Haidini thotë se edhe pse nuk u bë ëndrra e saj si studente, ajo shpreson të i realizohet me punësim.

Pas shkuarjes së saj në Gjermani uron që kontrata e punës e saj një vjeçare t’i vazhdohet sepse nuk i ka mbetur dëshira që të kthehet në atdhe, vetëm nëse në të ardhmen në Kosovë do të rritej standardi jetësor.

Një varg arsyesh nxisin migrimin

Që nga shpallja e pavarësisë më 2008, emigrimi nga Kosova është shtyrë nga arsye ekonomike (37.9 për qind) dhe në një̈ shkallë edhe më të madhe për qëllime të ribashkimit familjar (48.8 për qind).

Qendra Evropiane për Mbështetje të Azilit raporton se 20 për qind e azilkërkuesve nga Kosova janë romë, ashkali dhe egjiptian, 10 për qind e serbëve etnikë dhe 70 për qind shqiptarë etnikë.

Sipas studimeve të bëra për shtete të ndryshme që migrojnë në Evropë, në mesin e tyre edhe për Kosovë, thuhet se mosha mesatare që tentojnë të migrojnë është 29 vjeç.  Fatkeqësisht, duke u bazuar në anketat e bëra, thuhet se një dukuri e tillë e migrimit vazhdon shkaku i   shqetësimit se në qoftë se gjendja nuk përmirësohet në sektore të ndryshme si në arsim dhe shëndetësi dhe të kenë hapësirë e mjaftueshme të qasjes për punësim, populli çdoherë do të tentojë ikjen nga vendi.

Një Raport për Reformën e Shëndetësisë Publike  tregon se shumë kosovarë udhëtojnë për në shtete të tjera për shërbime shëndetësore, për shkak të mungesës së besimit në sistemin ekzistues shëndetësor. Migrimi për qëllime të shkollimit është konsideruar si opsion kryesisht nga të rinjtë̈ e moshës 25-35 vjeç.

Anketat publike sugjerojnë̈ që afërsisht gjysma e individëve të moshës 18 deri 36 vjeç planifikojnë̈ të emigrojnë.

Brengat dhe shqetësimin e qytetarëve për një jetë më të mirë e ndan edhe pronari i agjencisë “Megxoni,  i cili kërkoi të mbetet anonim.

“Para situatës pandemike në Kosovë çdo ditë ka pasur shumë aplikime për vizë pune, turistike, bashkim familjar, vetëm me faktin se qytetarët janë duke kërkuar një jetë më të mirë, që vendi i tyre asesi s’po mund t’ju ofroj.” thotë ai për KosovaLive.

Një frymë shprese për të rinjtë e vendit tonë është shkollimi i tyre në drejtime të mjekësisë me synim punësimin në Gjermani.

Rrugëtimin e saj e ndanë Blerta Berisha nga Gjilani e diplomuar në pedagogji profesionale në shëndetësi.

“Realisht si unë edhe qytetarë të tjerë dëshirojmë të punojmë aty ku vlerësohemi, ngrihemi profesionalisht, paguhemi drejt dhe ku respektohen të drejtat tona”, thotë ajo.

Por mbi të tjerash ajo flet se edhe pse si e diplomuar dhe në përfundim të studimeve master, ende është e pashpresë se do punësohet në drejtimin e saj.

“Nga përvoja personale unë si ish-studente e programit pedagogji profesionale në shëndetësi, pas 3 vite studime me mund dhe sakrificë, prapë në vendin tim nuk më ofrohet mundësia e punësimit. Detyrohem të punoj jashtë profesionit tim sadopak për mbulimin e shpenzimeve të mia”.

Ajo vazhdon të shpresojë që me rritjen e gradave akademike do të ketë më lehtë qasjen në punë.

Kërkesa për të synuar Evropën është çdoherë e madhe. Kompania Punsohu.Eu është kompani që ofron shërbime punësimi në shtete të ndryshme të botës.

Hamëz Bytyqi, drejtor ekzekutiv i kësaj kompanie thotë se kushtet e vështira janë shkaqet kryesore që njerëzit zgjedhin Evropën për të punuar e për të studiuar.

“Kryesisht kushtet e vështira financiare janë shkaqet kryesore se pse ka aq kërkesa të mëdha për punësim në Evropë. Papunësia në Kosovë është e madhe, por edhe shumica e klientëve tanë deklarojnë se kushtet e punës janë të tmerrshme, dhe me kompensime tejet të vogla që nuk përmbushin as nevojat elementare të individëve, pagat e ulëta, shkelja e të drejtave në punë dhe kushtet e padinjitetshme të punës janë faktori kryesor se përse qytetarët tanë domosdoshmërish kërkojnë të punësohen jashtë vendit”, ka thënë për KosovaLive Hamëz Bytyqi, drejtor ekzekutiv i kësaj kompanie .

Kërkesë për punësim kanë në sektorin e ndërtimtarisë dhe nëndegët e këtij sektori e po ashtu edhe teknologjia informative kohëve të fundit ofron mundësi të mira punësimi afatgjatë jashtë vendit. Sa i përket punësimit sezonal, dominon fusha e gastronomisë dhe e bujqësisë.

“Qytetarët që aplikojnë për punësim sezonal dhe për studentë zakonisht procesi është më ndryshe dhe koha e pritjes është 3 muaj apo 90 ditë. Ndërkaq sa i përket klientëve tanë që aplikojnë për punësim afatgjatë, pajisja me kontratë pune bëhet brenda një afati dy javor, mirëpo caktimi i datës për termin në ambasadë zgjat rreth 36 muaj”, ka thënë Bytyqi.

Diellorita Abazi, përfaqësuese e agjencisë KS-EU, që ka realizuar bashkëpunime me kompani të cilat gjenden në shtetet e Evropës, thotë se këto kompani janë të interesuara të marrin punëtorë nga vendet e treta me një kualifikim profesional. Interesimi më i madh vjen nga Gjermania, Danimarka, Kanadaja…, ndërsa mosha e aplikuesve është nga 18-30 vjeç, e profilet më të shumta janë “zanatet dhe inxhinieria.”

Edhe pse largimi i të rinjve nga vendi duket dukuri negative, Abazi  personalisht e konsideron këtë një dukuri pozitive duke qenë se këta të rinj më shumë mund të kontribuojnë nga Evropa për vendin e tyre se sa nga Kosova.

“Duke marrë parasysh papunësinë e lartë  në Kosovë dhe klasën e personave të cilët  çdo ditë  kërkojnë punë jashtë Kosovës e shumicën në vendet e evropiane, për ta kjo është mundësia më e mirë  e kontributit në ekonominë  e Kosovës si dhe ngritjen e tyre profesionale.” përfundon ajo.

Migrimi nga Kosova ka ndodhur në katër valë që nga fundi i viteve të 1960-ta. Fillimisht, kryesisht të rinjtë̈ kërkonin mundësi më të mira për punësim jashtë̈ vendit. Nga viti 1989, klima e përkeqësuar politike dhe rritja e papunësisë në mesin e shqiptarëve të Kosovës shkaktoi një eksod të madh, kryesisht në Zvicër dhe Gjermani.

Gjatë luftës 1998-1999, shumë njerëz kërkuan strehim në vendet fqinje dhe në Evropën Perëndimore; një pjesë e madhe e këtyre refugjatëve janë kthyer në Kosovë pas stabilizimit të gjendjes. E, që nga viti 2000, ka pasur një dalje të vazhdueshme të emigrantëve si rrjedhojë e papunësisë së lartë dhe mungesës së mundësive ekonomike në Kosovë.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2013, vetëm 4 përqind e 2460 vendimeve për azilkërkuesit nga Kosova në BE ishin të suksesshme. Shkalla e lartë e refuzimit dhe kthimi vijues i aplikuesve paraqesin sfida të mëdha për autoritetet e Kosovës dhe për procesin e liberalizimit të vizave me BE-në. Kërkesat për azil dhe kthimi i mëvonshëm e bëjnë të vështirë vlerësimin e rrjedhës aktuale të migrimit neto në Kosovë.

Më 5 shtator 2017 filluan ikjet e para të shumë të rinjve nga Kosova duke e ditur faktin se rrugën që do të bënin deri në vendin e tyre të arritjes nuk do ishte aspak e lehtë.

Çdo ditë e më shumë rritej numri për të ikur nga vendi, radha e madhe bëhej duke kaluar kufijtë në shtete Serbi e Hungari, shiheshin të moshuar, familjar, të ri e të reja, fëmijë të vegjël, që braktisnin vendin dhe kishin për synim Evropën.

Kosova “geto e vizave”

Nga një hulumtim i bërë nga “Research Institute of Development and European Affairs (RIDEA)” thuhet se Kosova mbeti një “geto e vizave” e izoluar, përderisa Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Serbia ishin pjesë e procesit te liberalizmit të vizave me BE-në nga viti 2008 deri në 2010 dhe më në fund u liruan nga vizat, ndërsa kësaj rruge të lirimit i mbeti përgjysmë nga ky grup i shteteve vetëm Kosova.

Komisioni Evropian bëri propozim të liberalizmit të vizave për Kosovë në maj të vitit 2016. Duke qenë në pritje të dritës së gjelbër nga Këshilli i Evropës, Kosova mori edhe udhërrëfyesin e shumëpritur të liberalizimit të vizave me 14 qershor në vitin 2012.

Udhërrëfimi i Kosovës në Komisionit Evropian ishte pak më ndryshe se nga ato vendet e tjera të rajonit. Sipas një studimi të bërë nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet dallimi ishte – Kosova nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Çka është me rëndësi, udhërrëfyesi për Kosovën e bën të qartë që përveç performancës së Kosovës në implementimin e masave që dalin nga udhërrëfyesi, Komisioni Evropian po ashtu do të vlerësonte “ndikimin në aspektin e emigrimit dhe të sigurisë të liberalizimit të vizave me Kosovën.” Një gjë e tillë nuk ka ndodhur me vendet e tjera të rajonit dhe sigurisht që kjo dëshmon brengën lidhur me rritjen e numrit të emigrantëve nga rajoni në përgjithësi dhe Kosova në veçanti.

Sipas një ankete të bërë nga UNDP, shumica e respodentëve besojnë që arsyet kryesore për emigrimin masiv në periudhën 2014/15 lidhen me kushtet e vështira ekonomike dhe sociale. Kosova vazhdon të jetë e vetmja në Ballkanin Perëndimor që ende ka regjim të vizave në zonën Shengen. Ky regjim i vizave jo vetëm që përbën pengesë për lirinë e lëvizjes së njerëzve duke i bërë ata më të izoluarit në botë, por edhe pengon perspektivën e zhvillimit ekonomik për të cilën ka shumë nevojë ky vend.

Si rrjedhojë, autoritetet e Kosovës kanë pranuar një numër kriteresh për t’i përmbushur para se kosovarët të lejohen të udhëtojnë pa viza në shtetet e Shengenit. Ndonëse këto kushte duken të ngjashme me ato të listuara në udhërrëfyesit e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor që do të thotë masat për sa i përket sigurisë në kufij, sigurisë së dokumenteve, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ato kryesisht bazoheshin në indikatorë numerik.

Hulumtimi i realizuar nga D4D gjatë muajit mars 2018 tregon që arsyet e shfrytëzimit të liberalizimit të vizave nga qytetarët nuk përkojnë me atë çfarë në fakt shërben liberalizimi i vizave. Ky hulumtim tregon që rreth 23.8% pohojnë që do të shfrytëzonin liberalizimin për mundësi të punësimit, 11.8% për edukim më të mirë dhe rreth 5.9% tjerë për largim nga vendi. Shumica e madhe (36.1%) do ta shfrytëzonin liberalizimin e vizave për vizitë familjare, ndërsa 21.8% për turizëm.

Në një hulumtim i bërë nga “Instituti GAP” përmenden dy ligje apo rregullore që mundësojnë migrimin e fuqisë punëtore ne Gjermani: Rregullorja e Ballkanit Perëndimor (2015-2020) dhe Ligji për Imigracionin e Kualifikuar (2020 e tutje).

Në vitin 2015, Gjermania hapi tregun e punës për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo e ashtuquajtur Rregullore e Ballkanit Perëndimor (RRBP), nuk specifikoi ndonjë kusht për ndonjë shkathtësi të caktuar, e si rrjedhojë, i ftonte të dyja kategoritë e punëtorëve, të kualifikuar dhe të pa kualifikuar në tregun gjerman të punës mbi bazën e një oferte të vlefshme pune. Gjatë viteve 2016-2018, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shqyrtuar për aprovim gjithsej 204,638 kontrata pune, prej të cilave rreth 80% janë miratuar. Por, vetëm 40% e tyre janë pajisur me viza pune, ku 24% e tyre, apo 15,824 kanë qenë për kosovarët.

Raporti ofron edhe të dhëna mbi sektorët dhe profesionet në të cilat shtetasit e Kosovës kanë arritur të sigurojnë viza pune, ku prijnë ndërtimtaria, hoteleria dhe shërbimet e kujdesit, ndërsa profesionet me më së paku aplikime të suksesshme janë sektori i financave, i sigurimeve dhe i edukimit. Kjo Rregullore është paraparë të përfundojë në fund të vitit 2020 me mundësi vazhdimi.

Në një intervistë me hulumtuesin e lartë të “Institutit Gap”, Blend Hyseni thekson rrezikun se të rinjtë ende do braktisin vendin tonë dhe do të shohin ende synim Evropën.

“Nëse përfundon Rregullorja e Ballkanit Perëndimor në fund të vitit 2020 dhe nuk vazhdohet atëherë nuk ka shumë rrezik për tregun e  Kosovës nga Ligji për Imigracionin Kualifikuar sepse përmes këtij ligji mund të dalin qytetarët e gjithë botës jo vetëm Kosovës, plus është e vështirë që të pranohet diploma kosovare në Gjermani për t’u punësuar.”

A do të ndryshojë kjo gjendje?

“Po sepse vendet e BE-së tashmë kanë probleme me papunësinë dhe në një apo dy vitet e ardhshme do të jetë më e vështirë të merret leja e punës për në BE e në veçanti në Gjermani sepse pritet të skadojë Rregullorja e Ballkanit Perëndimor”.

Në një përgjigje nga Zyra për Komunikim Publik në Ministrinë e Integrimit Evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit thuhet se liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk nënkupton mundësi punësimi apo ndonjë veprimtari ekonomike në shtetet e zonës Schengen.

“Liberalizimi i vizave mundëson udhëtim pa vizë vetëm deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj). Liberalizimi i vizave lejon vetëm udhëtim të lirë, dhe jo leje pune apo përfitime të tjera.”

Sipas Ministrisë së Integrimit Evropian në maj 2016, Komisioni Evropian ka miratuar rekomandimin për heqjen e vizave për Kosovën duke vlerësuar që Kosova ka zbatuar obligimet e dala nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave. Ndërsa në korrik 2016, Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka nxjerrë rekomandim që i’u është drejtuar Komisionit për Liritë Civile të Parlamentit Evropian për të miratuar rekomandimin për heqjen e vizave. Në raportin e fundit të publikuar në korrik 2018, u konfirmua përmbushja e të gjitha kritereve. Por, duke pasur parasysh që pas zgjedhjeve në BE -së, dhe rrjedhimisht të gjitha proceset që kanë mbetur pa u përfunduar në legjislaturën e kaluar duhet të përsëriten. Hapi tjetër në proces do të kërkojë një shumicë të kualifikuar të Ministrave të BE-së për Punë të Brendshme për të aprovuar veprimin/nismën në Këshillin e Bashkimit Evropian. Duhet theksuar që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret teknike për liberalizim të vizave.

Liridona Ibrahimi

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM