U.d. presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar raportet e mira ndërfqinjësore dhe kanë shprehur përkushtimin që ato të avancohen edhe më tej.
Grubi ka uruar Osmanin për suksesin në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai e ka njoftuar Osmanin për ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni të Veriut dhe ka potencuar rëndësinë e përfshirjes sa më të madhe të mërgatës shqiptare.
Në këtë kontekst Osmani kë mbështetur këtë proces duke kërkuar nga mërgata që t`i përgjigjet masivisht regjistrimit të popullsisë në Maqedoni të Veriut. Sipas saj, përtej aspektit statistikor, ky regjistrim do të jetë përmbajtësor në avancimin e të drejtave qytetare të shqiptarëve.
Në takim u diskutua edhe për sfidat në menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe përpjekjeve të të dy shteteve për sigurimin e vaksinave anticovid.
U përmend se ndërmjet të të dy shteteve deri tash ekzistojnë 19 draft marrëveshje, të cilat do të mund të shqyrtohen me krijimin e institucioneve të reja në Kosovë, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentit.