Në Ditën Botërore të Sindromës Down, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, deputetet e legjislaturës së re, Arbërie Nagavci e Jeta Statovci dhe aktivisten politike që për shumë vite është angazhuar në përmirësimin e jetës së grupeve të cenueshme të shoqërisë, themeluesen e shoqatës Down Syndrome Kosova,Leonora Bajraktari-Shabani, vizituan qendrën e Down Syndrome Kosova, ku u pritën nga drejtoresha ekzekutive, Sebahate Beqiri, anëtarët e bordit, stafi i DSK-së dhe prindërit e fëmijëve me sindromën down.
Bashkëbisedimit në këtë takim i parapriu një prezantim i qendrës nga drejtoresha, Beqiri, ku Kurti dhe Osmani patën rastin ta shohin ambientin, dhomat e terapisë dhe të njoftohen me disa fëmijë që angazhohen në ambientet e DSK.
Beqiri po ashtu informoi me programet e kësaj qendre, punëtoritë dhe aktivitetet tjera që zhvillohen për t’i fuqizuar personat me sindromën down. Ajo tha se nga institucionet e reja pret përkrahje dhe mbështetje në punën e tyre për shkak se mirëqenia e personave me sindromën down është detyrë dhe përgjegjësi e të gjithë neve.
Kurti e falënderoi Beqirin për prezantimin e qendrës dhe punës që zhvillohet aty, duke kujtuar që edhe përmes zotimit për t’u kujdesur e për të ndihmuar sidomos ata që kanë më së shumti nevojë qeverisja e re ka marrë një mandat kaq të fuqishëm, ai theksoi se do të punojmë për t’i fuqizuar sa më shumë personat me sindromën down dhe prindërit e tyre.
Ne angazhohemi që të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht sfidave dhe nevojave që ata mund të kenë, ta zhvillojnë një jetë të dinjitetshme në vendin tonë, dhe në këtë drejtim do të shërbejmë e do të jemi bashkëpunëtorët e parë, tha ai, thuhet në postimin në Facebook e Lëvizjes Vetëvendosje.