Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ngushëlluar familjen për vdekjen e aktorit të madh Rasim Thaçi- Cima.
Ndarja nga jeta e ikonës së artit komik shqiptar, Rasim Thaçi, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen por për të gjithë ne.
Rasim Thaçi la pas vetës një korpus të madh të krijimtarisë dhe kjo do të mbetet një gjurmë e pashlyer në kulturën dhe artin tonë, thuhet në komunikatën për media e MKRS-së.
E nderuar familja Thaçi,
Me pikëllim dhe i mërzitur mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, artistit tonë të madh Rasim Thaçi – Cima.
Ndarja nga jeta e ikonës së artit komik shqiptar, Rasim Thaçi, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen por për të gjithë ne.
Kultura dhe arti shqiptar ka humbur njërin ndër yjet e tij më të mëdha. Me talentin e tij depërtoi thellë në kujtesën tonë.
Me përkushtimin e tij të pashoq, arriti të krijojë aq shumë role sa nuk mund të numërohen dot. Ai ka qenë një model i një artisti i cili është një shkollë dhe frymëzim për artistët tjerë. Ai veproi dhe nuk u ndal edhe në kohët më të vështira nëpër të cilët kaloi populli shqiptar i Kosovës, duke treguar dashurinë që kishte ai për popullin e tij dhe guximin për idealet tona.
Rasim Thaçi la pas vetës një korpus të madh të krijimtarisë dhe kjo do të mbetet një gjurmë e pashlyer në kulturën dhe artin tonë.
Ne do ta kujtomë me pietet veprën dhe krijimtarinë e tij.
Lamtumirë! I lehtë i qoftë dheu!
Ngushëllime familjes, miqve, kolegëve e të gjithë dashamirëve të Rasim Thaçit.