Build Skills with our trainings

Sign up now!

Përfshirja e të rinjve në politikë lë shumë për të dëshiruar

Pri 5, 2021

Rina Tafili, 19 vjeçare nga Kaçaniku, studente në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, është e pakënaqur me gjendjen e të rinjve, që i sheh duke bredhur pergjatë shëtitores së qytetit lart e poshtë pa asnjë angazhim, dhe shumica prej tyre të zhgënjyer sepse kanë pak qasje në vendet e punës.

Ne si të rinj kemi energji, vullnet e ambicie për të ndryshuar, edhe pse ne nuk na u ka dhënë mundësia shumë sepse është një moshë e mesme të cilët e kanë kapur Kosovën. Mendoj që duhet së pari të jemi një vend më demokratik ku funksionon ligji,” thotë Tafili.

Ajo mendon se të rinjve si ajo duhet t’u jepet mundësia të përfshihen në çështjet aktuale dhe të inkuadrohen në fushat politike ku do të jenë të suksesshëm dhe do të arrihet një perspektivë e rëndësishme veçanërisht pasi shumë të rinj nga 18 deri në 26 vjeç janë më shumë se të gatshëm dhe të aftë ta bëjnë këtë.

Gjasat janë që shumica prej nesh nuk mbajnë anëtarësi në parti, jo për shkak të mungesës së interesimit për të kontribuuar në politikë, por nga pengesat e paraqitura që janë krijuar për shkak të tjetërsimit të politikanëve.

“Sikur të isha pjesë e ndonjë subjekti politik do të ndryshoja shumë gjëra. Së pari do të ndryshoja familjarizimin, nepotizmin, do të ndryshoja lëvizjet politike në baza vendore, shoqërore, familjare. Politika nuk zhvillohet në këtë formë, politika zhvillohet në një shoqëri të shëndoshë,” shprehet ajo.

Një krahasim midis të rinjve të shtetit tonë dhe atyre të shteteve evropiane, dëshmon një dallim shumë të madh sepse të rinjtë e vendeve evropiane hyjnë në politikë me përgjegjësinë për të zhvilluar vendin dhe sistemin e tyre politik. Ata përfshihen në politikë për të siguruar që shtetet e tyre të zhvillohen ekonomikisht, të jenë shtete me liri dhe të drejta demokratike, si dhe të luftojnë dukuritë negative, si korrupsionin në politikë. 

Ndërkaq të rinjtë e Kosovës, kështu edhe ata të Kaçanikut janë kryesisht të përfshirë në politikë për arsye se kjo është e vetmja mundësi që ata të sigurojnë një vend pune. Partia në pushtet u siguron privilegje dhe përparësi punësimi vetëm të rinjve qe janë anëtarë të partisë përkatëse. Ndërsa ndaj disa të rinjve, pavarësisht vlerave dhe aftësive intelektuale apo edhe diplomave universitare të fituara me dije, nuk ka trajtim të barabartë në aspektin e punësimit me të rinjtë tjerë, pjesëtarë të partive politike në pushtet

Të rinjtë kaçanikas janë të indinjuar dhe të pakënaqur me këtë qasje të përfshirjes së rinisë në politikë.

Nga ana tjetër, nënkryetari i komunës së Kaçanikut, Ylber Bajra thotë se pavarësisht angazhimit që bën Kuvendi Komunal për qasjen e të rinjve në programet zhvillimore, interesimi i të rinjve është tejet i vogël. Ai konsideron se te rinjtë janë shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe përmirësimin e komunës së Kaçanikut.

 “Duhet të gjinden metoda të ndryshme në adresimin e çështjeve të rinisë sepse sa më shumë të lidhemi me të rinjtë tanë, aq më e suksesshme do të jetë komuna jonë.”

Sipas tij, opinionet e të rinjve gjithmonë mirren parasysh.

Sigurisht që zëri i këshilltarëve komunalë dëgjohet gjatë debateve në komunë për marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me programet për të rinjtë”.

Ai shton se përmes mekanizmave që ka komuna, siç është Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, mundohet që t’i aktivizojnë sa më shumë të rinjtë në vendimmarrje.

hulumtimin e realizuar nga IFES në korrik të vitit 2016, kur janë pyetur në lidhje me përfitimet e antarësimit në subjekte politike, të rinjtë janë shprehur se arsye kryesore kanë qenë përfitimet personale. Më shpesh të përmendura ishin arsyet se anëtarësia në një subjekt politik do t’u ndihmonte të gjejnë punësim, ku 48% e të anketuarve kishin dhënë këtë përgjigje ndërsa 36% u përgjigjën se do t’u ndihmonte të zhvilloheshin profesionalisht.

Subjektet politike, edhe pse promovojnë liri dhe të drejta për rininë, në realitet shumë pak iu mundësojnë atyre që të kenë pozita të larta. 

Nita Shehu, anëtare e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje në nivel Kosove shprehet se ardhmëria e vendit tonë lidhet me perspektivën e të rinjve në politikë, dhe se ata duhet të kenë të drejtë jo vetëm të japin mendime por edhe të marrin vendime.

Ajo shprehet optimiste me numrin e vajzave që po anëtarësohen në politikë.

“Çdo ditë rritet numri i të antarësuarve, sidomos vajzat. Femra zë një pozitë të rëndësishme në politikë. Ajo nuk është thjesht një numër, por është një profesioniste që ka aftësi të politikëbërjes. Por kjo nuk do të thotë që jemi të kënaqura me këtë pozitë sepse ne vajzat dimë dhe mundemi t’ia dalim çdo pune,” thotë Shehu.

Sipas hulumtimit të bërë nga Youth Study Kosovo për vitin 2018-2019, edhe pse niveli i interesimit për politikë është i ulët, niveli i pjesëmarrjes së të rinjve në zgjedhje është shumë i lartë, me 82 përqind të atyre që kishin të drejtën e votës votuan në zgjedhjet e fundit. Sipas të gjeturave të hulumtimit, të rinjtë e shohin politikën si një biznes jo-formal dhe besojnë se njerëzit e përfshirë në politikë kanë një sasi të madhe fuqie dhe veprojnë vetëm në interesat e tyre personale.

Shumica e të rinjve kaçanikas nuk janë të kënaqur me përfshirjen e tyre në politikë, dhe ndjehen të pafuqishëm të bëjnë ndryshime nëse ato nuk përfshihen në politikë. 

Ndërkaq Ardita Rrahmani, 24 vjeçare, zëdhënëse e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kaçanik, mendon ndryshe.

Nëse do të kisha qenë përfaqësuese në asamblenë komunale, atëherë do të kërkoja që të përkrahen organizatat rinore, dhe t’iu mundësohet punësimi pavarësisht orientimeve politike.”

Rrahmani e sheh politikën nga një këndvështrim tjetër.

“Jeta në politikë nuk është një kopsht me lule, por është një fushë e gjelbëruar ku secilën lule ne duhet mbjellë me vullnet që t’i shtojmë bukuri asaj hapësire. Njëjtë edhe rinia, i duhet përkushtim për ata që zgjedhin politikën qysh në moshë të hershme.” thotë ajo.

Në një tjetër anketë të realizuar nga IDRA në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert, rreth 64% e të rinjve të intervistuar kosovar deklaruan se ndjehen “pak” ose ”jo” të përfaqësuar në politikë. Sipas mendimit të tyre, edhe politikanët e rinj janë të shtyrë nga përfitimet personale (punësimi, stazhi, bursat, etj.) më shumë sesa nga idealet politike. 

Në anën tjetër, se punësimi i të rinjve nuk vihet në pikë të parë, këtë e tregojnë të dhënat e ASK (TM3 2018), të publikuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku thuhet se 28.8% e të papunëve në Kosovë janë të rinj (të moshës 15-24 vjeç) me 12.0 pikë diferencë mes djemve dhe vajzave.

Një nga mundësitë ku të rinjtë e gjejnë veten disi më të përfshirë në vendimmarrje dhe procese të tjera politike janë Këshillet e Veprimit Rinor Lokal, ku të rinjtë shprehin lirshëm pikëpamjet dhe idetë e tyre në lidhje me politikëbërjen. 

Udhëzuesi për anëtarët e rinj të këshillave të veprimit rinor lokal i publikuar nga OSCE, thotë se përveç të drejtave që përcaktohen me kornizën ligjore për pjesëmarrje rinore, KVRL-të kanë disa përgjegjësi dhe obligime ndaj rinisë dhe organeve komunale. Secili KVRL duhet të kontribuojë rregullisht në punën e komunës, duke përfaqësuar perspektivën rinore përmes takimeve me zyrtarët përkatës komunalë dhe pjesëmarrjes së rregullt në takime të ndryshme komunale. Kjo nuk kufizohet vetëm tek çështjet rinore, por i referohet edhe politikave tjera të diskutuara në komunë, por nga këndvështrimi rinor.  

Ardijana Tusha, 21 vjeçare, kryetare e KVRLS-së në Kaçanik, thotë se si  përfaqësuese e KVRL ka pasur ftesa ndonjëherë në komunë, por jo aq shpesh sa duhet. 

“Mendoj që nëse të rinjtë do të ishin më të interesuar rreth të drejtave të tyre, do të kishin edhe mundësi me pasë qasje edhe në vendimmarrje”, thotë Tusha.

Ajo tregon se KVRL është një hapësirë e veçantë për të gjithë ata që deshirojnë të punojnë në të mirë të komunitetit, ndërsa shton se me Komunën e Kaçanikut kanë bashkëpunim të ngushtë, në projekte dhe subvencione, dhe se kanë mbështetur njëra-tjetrën me të gjitha mjetet e mundshme. 

Neni 7 i Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë, përkufizon detyrimet e komunës për t’u dhënë mbështetje KVRL-ve në Kosovë. Konkretisht, komunat duhet t’u japin KVRL-ve burime financiare dhe hapësirë publike, mbështetje për edukim joformal dhe për veprimtari tjera të iniciuara nga rinia dhe zhvillim të politikave komunale për rininë në konsultim me KVRL.

Nga hulumtimet e vazhdueshme të MKRS-së, Strategjia për Rininë 2019-2023, politikat rinore në nivel lokal janë të hartuara nga komunat përkatëse dhe organizatat rinore. Edhe pse komunat kanë hartuar planet lokale për rini, jo të gjithat kanë të miratuar buxhetin.  

Në momentin kur ekziston dëshira për t’u marrë me politikë, të rinjtë mbarë botën hasin në shumë pengesa, qoftë për shkak të moshës, gjinisë, racës, fesë, vendndodhjes gjeografike apo statusit të tyre socio-ekonomik. Të rinjtë nuk janë grup homogjen, a ta janë po aq të divers sa edhe të rriturit, si dhe mund të gjejnë mundësi të ndryshme për të qenë pjesë e politikave të shtetit të tyre. 

Përfundimisht, kjo pjesëmarrje e të rinjve kërkon kohë dhe përkushtim, mirëpo partitë politike, komunitetet dhe hapësirat të tjera ku të rinjtë marrin pjesë, përfitojnë shumë nga pjesëmarrja e tyre, rrjedhimisht fuqizimi i të rinjve në politikë ia vlen të rritet.

Jeta Shurdhani

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

Pandemia kërcënoi dhe cungoi aktivitetet dhe jetën kulturore

Pandemia kërcënoi dhe cungoi aktivitetet dhe jetën kulturore

Ndonëse ka kaluar një vit e sa që kur Covid-19 zbarkoi në çdo cep të botës, gjendja momentale e pandemisë nuk është edhe aq stabile dhe shpresëdhënëse.  Pothuajse të gjitha sferat e jetës janë prekur nga kjo fatkeqësi, përfshirë këtu edhe sferën e organizimit dhe funksionimit të aktiviteteve kulturore. Një numër i madh i koncerteve, premierave, festivaleve, diskutimeve publike, punëtorive e shumë të tjera janë anuluar, duke lënë disa hapa prapa zhvillimin dhe progresin e jetës kulturore.

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM