Oda e Hotelierisë dhe Turizmit në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kryesisë të mbajtur shprehu shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës për ashpërsimin e masave kundër pandemisë Covid-19.
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës nisur nga fakti se sektorët që ajo përfaqëson janë më të goditurit në të gjitha aspektet nga virusi, nuk e përkrahë vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me masat e marra me qëllim të frenimit të pandemisë Covid-19 që ka goditur tërë botën, dhe veçanërisht e kundërshton vendimin e njëanshëm.
OHT kërkon garancion nga Qeverisa që pas datës 18 prill do të lehtësohen këto masa dhe do lejohet të punojë të gjithë sektorët e ekonomisë.
Ne si OHT vlerësojmë se këto dhe masat e tjera të marra nga Qeveria po e godasin ekonominë e vendit tonë dhe po bëjnë që të largohen të gjithë turistët e madje edhe vet qytetarët e Kosovës për pushime drejt vendeve të rajonit.
OHT kërkon takim me përfaqësuesit e institucioneve në theks të veçantë me Ministrin e Shëndetësisë, atë të Financave dhe ministritë tjera relevante në mënyrë që të kuptojnë se cilët hapa i kanë paraparë ata për të kompensuar humbjet që do t’u shkaktohen bizneseve gjatë kësaj periudhe si dhe për të kuptuar se çka presin të ndodhë pas datës 18 Prill.
OHT paralajmëron institucionet e Kosovës se nëse nuk merren parasysh kërkesat tona jemi të detyruar edhe përkundër dëshirës sonë të marrim hapa madje edhe ato më të rëndat siç janë mbajtja e protestave dhe demonstratave, e deri në padëgjueshmëri totale!, thuhet në komunikatën për media e OHT-së.
LETËR E HAPUR
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, në emër të të gjitha departamenteve, u drejtohet me letër të hapur Institucioneve të Republikës së Kosovës.
- Departamenti për Politika dhe Shërbime Hoteliere;
- Politika dhe Shërbime Turistike;
- Estradë;
- Politika Strategjike dhe Hartimin e Projekteve;
- Marrëdhënie me Jashtë;
- Arsim Profesional;
- Dekore;
- Pishina;
- Salla të Dasmave;
- Administratë, Financa dhe Teknologji Informative;
- Protokoll;
- Kategorizimi dhe Licencimi i Njësive Akomoduese.
I nderuari Kryeministër z. Albin Kurti,
Të nderuar Ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Arben Vitia, znj. Rozeta Hajdari dhe z. Hekuran Murati,
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, në mbledhjen e Jashtëzakonshme, të mbajtur me 6.04.2021 me pikën e vetme të rendit të ditës: diskutim rreth vendimit të marrur nga Qeveria për ashpërsimin e masave kundër Pandemisë Covid-19, shpreh shqetësimin dhe njëherish edhe indinjatën e saj ngase ky vendim është marrë pa u konsultuar fare OHT, madje për këtë vendim jemi njoftuar vetëm nëpërmjet mediave, edhe përkundër faktit se përfaqësojmë njërën ndër shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë së vendit.
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit me të gjithë sektorët që ajo përfaqëson, janë më të goditurit në të gjitha aspektet nga masat e marra gjatë kohës së pandemisë dhe, nuk e përkrahë këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, dhe kategorikisht e kundërshton vendimin e njëanshëm ndaj fushëveprimtarisë hoteliere dhe turistike.
OHT është e gatshme të bashkëpunojë me ju për çdo vendim, e pse jo të kemi edhe një përfaqësues nga OHT në Komitetin për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës epidemiologjike.
OHT në mënyrë kategorike kërkon garancion nga Qeveria që pas datës 18 Prill të lehtësohen këto masa dhe t’u lejohet të punojnë të gjitha sektoret nga depeartamentet e Hotelierisë dhe Turizmit.
OHT kërkon takim me ju si përfaqësues të Institucioneve, në mënyrë që të kuptojmë se cilët hapa i keni paraparë për të kompensuar vazhdën e humbjeve që u janë shkaktuar bizneseve gjatë kësaj periudhe, si dhe për të kuptuar se çka prisni ju të ndodhë pas datës 18 Prill.
Të nderuar OHT, Ju paralajmëron se nëse nuk merren parasysh kërkesat tona jemi të detyruar edhe përkundër dëshirës sonë të marrim hapa madje edhe ata më të rëndët siç janë mbajtja e protestave dhe demostratave pa marrë leje dhe pa paralajmëruar fare, e më e rënda të shkojmë deri në padëgjueshmëri totale.
Me respekt;
ODA E HOTELIERISË DHE TURIZMIT TË KOSOVËS




